Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Saturday, August 14, 2010

Interviste me Vilson Ahmetin

Kryeministri I qeverisë teknike tregon për prapaskenat e këtij skandali

Ahmeti: Arsidi nuk përfitoi asgjë
Ai nuk mori fitimin

“Mund të ketë ndodhur gjithçka me 1.6 milionë dollarë”


Vilson Ahmeti, kryeministri I qeverisë teknike deri në marsin e 1992 tregon për të parin skandal financiar ‘Arsidi’. Ahmeti, pasi del në asistencë nga qeveria demokratike arrestohet me akuzën për përfitimin e 1.6 milionë dollarëve. Qëndron në arrest shtëpie dhe dënohet nga gjykata me 2 vjet heqje lirie në shtator të 1993. Është I pari kryeministër që arrestohet, por më 1995 ai merr pafajësinë nga gjykata shqiptare. Vendimi I gjykatës tregon se Ahmeti as nuk ka shkelur procedurat dhe as ka shpërdoruar detyrën. Në intervistë Ahmeti shpjegon se 1.6 milion dollarët nuk I ka marrë Arsidi, sipas tij, në këtë çështje ka pasur një përzierje korruptive nga politika dhe ekonomia. Sa I takon pyetjes se pse Arsidi nuk e hodhi në gjyq ndërkombëtar Shqipërinë pasi humbi paratë, ai shprehet se Arsidi nuk humbi gjë në Shqipëri, ai thjeshtë nuk mori fitimin.
Nikolas Arsidi, një njeri 74 vjeçar, që vjen në Shqioëri për të negociuar me borxhin e jashtëm. Sa I besueshëm ishte në atë kohë ky njeri dhe kjo marrëveshje?
Ishte marrë me këto çështje edhe më parë, duke parë dhe nga kurrikulumi I tij I punës. Kjo sistemohet mbi bazën e Klubit të Parisit, ku mblidhen të gjithë grupimet financiare. Ai paraprakisht kishte biseduar me bankën e Shqipërisë.
Teksti I marrëveshjes në çfarë gjuhe ishte?
Në shqip dhe anglisht dhe e firmosa pasi ma solli banka.
A jeni penduar që keni hedhur firmën mbi atë document që më vonë do të bëhet shkak për t’iu arrestuar?
Marrëveshja në vetvete ishte e drejtë. Prapaskenat ishin të tjera.
Kur I morët vesh prapaskenat dhe a u përpoqët që të mbroheshit?
Në gjyq I mora vesh. Unë nuk kisha pse të mbrohesha sepse nuk kisha bërë faj. Më akuzuan se kisha marrë paratë dhe jo se kisha nënshkruar marrëveshjen. Në 1995 ishte vetë gjyqi që më nxori të pafajshëm, sepse as nuk kisha shkelur rregullat as nuk kishte shpërdorim detyre.
E njëjta nomeklaturë ju arrestoi dhe e njëjta ju liroi…
Mua më liroi gjykata, nuk më liroi politika, por vendimi I gjykatës.
Pse pak kaq vitesh ende nuk ka dalë e vërteta për këtë çështje?
Nuk e di, edhe pse është premtuar njëherë se kjo çështje do të zbardhej.
Por çështja e 1.6 milionë dollarëve duket ende e pambyllur?
Sigurisht. Ato vlera në atë kohë ishin shumë galopante, ndoshta sot duken si të pakonsiderueshme.
Mendoni se të gjitha I përfitoi zoti Arsidi, apo u ndanë në duar të tjera?
Nuk besoj se ka përfituar Arsidi.
Pra po thoni se një përfaqësues I një kompanie të huaj, që nuk ka përfituar asnjë vlerë nga shteti shqiptar, nuk ka ngritur asnjë çështje gjyqësore ndërkombëtare për të gjetur të drejtën?
Nuk e di se çfarë humbi, s’ka marrë fitimet, por nuk e di se çfarë humbi.
Ju besoni se ajo pjesë për të cilët përflitet mund të jetë futur në punë në Shqipëri?
Çdo gjë mund të ketë ndodhur. Nuk marr përsipër të them ka ndodhur kështu apo ashtu.
Një çështje komplekse zoti Ahmeti, por pa një rezultante?
Gjyqi e dha një rezultat, ishte vendimi I tij. Mua m’u hoq e drejta për dy vjet, e pas dy vjetësh më thanë je I pafajshëm. Të tjerët vuajtën dënimin siç e mendoi gjykata.
Si u ndjetë në momentin që ju komunikua vendimi për t’ju arrestuar, pikërisht një njeri që kishte qenë kryeministër në një moment të vështirë të vendit?
Në fakt isha I qetë. Ngaqë nuk kisha bërë ndonjë faj mendoja se gjërat do të sqaroheshin shumë shpejt.
Çfarë shkakton te një njeri që në një moment e quajmë të fajshëm dhe në një tjetër të pafajshëm?
Një lloj zhgënjimi. Për atë kohë nuk u mërzita shumë.
Ishte lojë politike apo ndonjë lojë tjetër?
Ishte e përzier.
A mendoni se kjo lloj përzierjeje vazhdon të jetë active diku dhe te dikush?
Kur kemi korrupsion, e shikojmë dhe në këtë korrupsion shteti është evidenton dhe tregojmë se semundja nuk është shëruar ende.
Gazetat e kohës shkruajtën edhe për një lidhje të çështjes Arsidi me presidentin e kohës, Sali Berisha, të cilat edhe opozita I përdori…
Politika bënte punën e kohës, opozita akuzonte, pozita mbrohej. Dhe nuk e ndaja se kush ishte e drejta dhe e padrejtë. Mbase opozita I lidhte akuzat e saj dhe me një dekoratë që presidenti Berisha I dha atëherë Arsidit.
Pasi u mbyll çështja a kërkuat më pas dëmshpërblim nga shteti për faktin se ju arrestoi dhe ju burgosi?
Jo nuk kërkova.
Pse?
Isha I pafajshëm dhe nuk doja të merresha me këtë procedurë.
Cila ishte kjo procedurë?
Nuk doja të merresha me ata që konsideroheshin shkaktarë që më mbajtën, s’po them urdhërues. Pastaj ato lekë të dëmshpërblimit ia merr shtetit dhe jo atij që më arrestoi. Pra për gabimet e shtetit lekët merren te taksapaguesit. Fajet I ka shteti, gabimin e bën sërish shteti dhe në fund paguan populli. Ashtu siç ndodh edhe sot, heq një nënpunës nga puna, ai fiton gjyqin dhe shteti I detyrohet atij që t’I paguajë rrogën e një viti. Kjo rrogë nuk paguhet as nga shteti dhe as nga ministry, por vetëm nga taksat e njerëzve të thjeshtë. Nuk mund të dëmshpërblehesh në kurriz të tjetrit, sepse sot është shumë kollaj të paguash një gjyqtar, ose prokurorin dhe të fitosh gjyqin me shtetin dhe ta marrësh rrogën në shtëpi.
Qeveria teknike
Sa e korruptuar ishte qeveria juaj?
Zero.
Ku e mbështetni këtë pohim?
Qeveria teknike që drejtoja unë ishte e nivelit të lartë, madje shumë të lartë, nivel I lartë përgjegjshmërie dhe kishte në përbërje të saj personalitete të fushave përkatëse. Prandaj dhe korrupsioni nuk kishte vend edhe për faktin se kjo qeveri u ngrit vetëm për pak muaj. Edhe sot po të bësh krahasime, asnjë prej ministrave aktualë nuk ia kalon dot atyre ministrave që kam pasur në qeverinë teknike. Ajo qeveri kishte në përbërje 2 dekanë fakultetesh dhe një zëvendësrektor. Dhe ndërsa drejtoja qeverinë nxora një vendim të veçantë që asnjë prej ministrave të mi të mos u zihej vendi I punës deri në momentin që të mbaronte mandate I qeverisë teknike. Ata kishin marrë përgjegjësi mbi vete dhe nuk mund t’I lija pa punë, ashtu siç ndodhi më mua, që më nxorën në asistencë.
Cilët ishin detyrat e qeverisë teknike?
Tre ishin detyrat kryesore, zhvillimi I zgjedhjeve të përgjithshme të marsit, garantimi I sigurisë dhe shpërndarja e ndihmave. Në bazë të raporteve të atëhershme, zgjedhjet nuk patën probleme.
Me kalimin e kohës a keni dalë në ndonjë përfundim që zgjedhjet më mirë të organizohen nga formacionet teknike se sa politike?
Zgjedhjet në vetvete kanë karakter teknik dhe jo politik. Janë përgatitja e listave të zgjedhësve, dokumentacioni, materialet. Së fundmi kam dëgjuar se është propozuar që votimi të jetë elektronik, pra kjo çfarë është, është thjeshtë përzgjedhja e teknikës. Pse duhet ta bëjnë këtë, thjeshtë se vetë politika ka arritur në përfundimin se ajo fut gishat.
A kishit persona politikë në qeverinë që keni drejtuar ju?
Persona të mirëfilltë politikë nuk kishte. Kishte njerëz të opinioneve të ndryshme, të majta apo të djathta. Disa prej tyre edhe u angazhuan më vonë. Dy ministra vazhduan përsëri. Unë isha nga radhët e shoqërisë civile.
Ndërsa ju qëndruat këshilltar I kryeministrit Meksi pas zgjedhjeve të marsit 1992?
Me Meksin kam pasur kontakte të shkurtra, jo ndonjë angazhim të madh. Emërimi si këshilltar ishte një artificë, më emëroi këshilltar, pastaj më nxori në asistencë. Ishte diçka krejt formale, më mbajti sa më mbajti, pastaj më tha se nuk mund të të mbaj më. Normalisht ishte absurde për një kryeministër të dilte në asistencë. Ishte e turpshme.
Duket se nuk keni pasur qëllime për të qëndruar në pushtet apo afër tij në një kohë që pushteti konsiderohet si tejet fitimprurës?
Në pushtet kam qenë shumë herë. Në fillim të viteve 1980 pati tendencë për të thither nivele intelektuale nga pjesa e paangazhuar me politikën e atëhershme. Arrita te kem një eksperiencë pune me pushtetin, njoha ekonominë e tij, u mora kryesisht me tregtinë e jashtme, sepse ishte I vetmi sector që lëvizte.
A ishte e vështirë në atë kohë të qënit në pushtet?
Periudha ishte e vështirë, se së pari vendi ishte në kolaps të plotë ekonomik. Në vitet 1982 na e shtrinin dorën për ndihmë dhe ne e refuzonim.
Sa positive ishin ndryshimet që ndodhën pas 1990?
Ishin të vështira ndryshimet e ndodhura në këtë vit si për shtetin ashtu dhe për individin. Shteti mendoi dhe veproi se asgjë e trashëguar nga e kaluara nuk na duhej dhe refuzuam gjithçka, hodhëm gjithçka tutje edhe ato pak gjëra që mund të nevojiteshin për shtetin e ri. Krijuam njësi të reja zhvillimi, por pas një momenti politika futi duart dhe humbi gjithçka, duke filluar nga administrate, gjithnjë në këndvështrimin teknik të fjalës. Këtë e vuajmë edhe sot. Sa herë ndryshohet sistemi ne nuk kemi një kalim të lehtë të pushtetit nga njëra dorë në tjetrën, por përmbysje të tij. Kjo ndikon në mënyrë negative të administrata, hiqen një pjesë e administratës për t’u zëvendësuar me të tjerë, duke mos bërë përpara asnjëherë.
Po ky lloj sistemi u ndërtua që pas 1990…
Ne gjithnjë flasim për rrotacion politik, por në të vërtetë nuk flasim dot për rrotë, por për një përmbysje të madhe. Pas zgjedhjeve të përgjithshme, ndryshohet e gjithë administrate, zëvendësohet me partiakë, militantë dhe në fund është vetëm në një pikë që rrota takohet. Meqë ju dha mundësia pse nuk qëndruat në politikë zoti Ahmeti?
Jo nuk kam dashur. Oferta kam pasur nga të gjitha kahet politike. Madje kur isha kryeministër njerëzit e zonës sime më afruan që të bëhesha deputet I PD-së në atë kohë, por kjo do të kërkonte që unë të jepja dorëheqjen nga posti I kryeministrit. Madje një nga shtytësit që unë të bëhesha kryeministër I qeverisë së stabilitetit kanë qenë Gramoz Pashko, Genc Ruli, Preç Zogaj, edhe pse emrin tim e propozoi atëherë qeveria socialiste.
A patët vështirësi komunikimi me lider të dy partive kur u bëtë kryeministër?
Sapo u votova pata takime me të gjithë drejtuesit politikë. Ua bëra të qartë se po më ranë në qafë do dorëzoja çelësat. Unë propozova emrat për qeverinë teknike, ata kishin vërejtjet e tyre, por unë kisha mendjen time.
Dhe a ju lanë të punonit?
Për aq kohë sa qëndrova më lanë të punoja. Nuk ndërhynë, përveç përpjekjeve të vogla, të cilat normalisht nuk ua mora parasysh. Por them që po të na linin të punonim më shumë prapë do të qeverisnim mirë.
Gjatë kësaj kohe përveç tre çështjeve immediate cilat ishin arritjet e qeverisë suaj?
Me vendim të qeverisë së stabilitetit u arrit marrëveshja për të ndërtuar hotel Rognerin, u arrit ngritja e së parës agjenci fluturimi Albania Air Line, Coca Colën. Këta nuk do të sillnin vetëm zhvillim, por do të ishin edhe model për kapitalizmin, si ishte, si ngrihej dhe si duhej të punonin shqiptarët.
Po marrëdhëniet me politikën aktuale I keni të shkëputura?
Jo me njerëzit që janë në politikë kam marrëdhënie të mira, me të dy krahët, I kam miq, shpesh më kërkojnë mendime, shpesh nga ministrat e rinj më kërkojnë ndonjë këshillë.
Gilmana Bushati

No comments:

Post a Comment