Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Wednesday, October 20, 2010

Interviste me Mimoza Ferrajn

Për herë të parë, dëshmia e Mimoza Ferrajt për Lëvizjen e Dhjetorit

“Unë, studentja e parë që kërkova pluralizëm”

Ferraj: Emri im, i pesti në themelimin e PD. Azemi rol të padiskutueshëm

Zonja Mimoza, ju jeni një nga studentet që morët pjesë aktive në lëvizjen e dhjetorit 1990 dhe në themelimin e Partisë Demokratike. Kanë kaluar 20 vite që nga ajo kohë, pse nuk keni folur më përpara për historinë e këtyre ditëve?
Çdo vit që televizioni jepte ngjarjet e dhjetorit emri im ishte Alma Meçe Bendo. Unë nuk e kisha menduar ndonjëherë të vija në Shqipëri dhe të publikoja të vertetën. Gazeta juaj publikoi artikullin në datën 12/10/2010 “Hoxha: Ja për çfarë debatova me Azemin para se të takonim Ramizin” në të cilin shikoj emrin tim të vërtetë. Falenderoj zotërinjtë Aleksandër Meksin që më ka përmendur në një intervistë të vitit 1998, Arben Imami për intervistën që ka dhënë publikisht në dhjetor 2009 dhe zotin Latif Hoxha për artikullin e 12/10/2010.
Unë e kam vlerësuar si një nga momentet më të rëndësisheme të jetës pjesëmarrjen time aktive në Lëvizjen e Dhjetorit 1990. Emocionet, kujtimet janë dhe do të jenë gjithmonë të gjalla në jetën time. Kujtoj me nostalgji lotët e gëzimit, të shpresës për një jetë demokratike në sytë e qytetarëve të kryeqytetit, por bashkë me këto ndjenja është e përzier dhe ndjenja e thellë e zhgënjimit për mos realizimin e një demokracie të vërtetë në Shqipëri dhe keqardhjen e humbjes së jetës së shokëve të mi.(Azem Hajdari, Arben Broci, etj).
Në datën 8 dhjetor duke u gdhirë data 9 keni qenë në turmën e studentëve të bllokuar te vendi ku sot është ambasada amerikane dhe keni qenë më e goditura nga dhuna e policisë. Kush e dha urdhërin për të goditur studentët, a ishit aq afër saqë ta dëgjonit këtë urdhër?
Unë dhe një grup vajzash studente isha në rreshtin e parë, ndërsa djemtë studentë ishin në rreshtat nga mbrapa dhe shtynin njëri–tjetrin nga prapa duke thirrur parulla kundër dhunës, ne ecëm dhe 4-5 hapa përpara. Papritur, në krahun e djathtë të demostruesve paqësorë u dëgjua zëri i lartë i nje oficeri ushtarak. Ai thirri: “Revolen! Ma morën revolverin!”. Asnjë nuk i mori revolen atij, kjo parrullë jo e vërtetë u përdor si shkak që nga megafoni i ministrit policor të Alisë të dëgjohet thirrja: “Të spastrohet sheshi!”. Njëri nga studentët tanë të inxhinierisë, e kapi me dy
duar Hekuran Isain dhe duke e tundur i tha se Ramiz Alia premtoi se nuk do përdorej dhuna mbi studentët. Vetë shefi i policëve të Byrosë Politike (H.Isai) tha: “të ikin ata me gjithë premtimet (partia dhe Ramizi), do t’ua shtyp kokën të gjithëve nëse nuk e mbyllni gojën”. Studenti që foli me Isain dhe një student tjetër e përplasën ministrin në grumbullin e ferrave, por edhe pse i rrëzuar ministri Isai thirri si i çmendur: “pastroni sheshin, u bini qenve” dhe me megafonin e policisë tha se do të urdhëronte policinë të shpërndante protestën e paligjshme. Isai tha se asnje i gjallë s’do kalonte drejt bulevardit. Ndërkohë unë rrëmbeva megafonin nga dora e Hekuran Isait dhe u bëra thirrje studentëve të qëndronin. “Studentët nuk mund t’i ndalojë dhuna policore e ministrit Isai, pasi ata tashmë ishin si një uragan që nuk kthehet prapa dhe vazhduan drejt rrugicës që të çonte te Universiteti.” Ne vajzat filluam të bërtisnim, djemtë studentë filluan të hidhnin parrulla kundër PPSH–së dhe Ramiz Alisë. Mua më goditën brutalisht aq sa dhe kam humbur ndjenjat.
Pas kësaj nate nëpër muret e universitetit është shfaqur një fletërrufe. Kush e kishte shkruar dhe a e mbani mend tekstin e kësaj fletërrufeje?
U fol se këtë gjë e bënë disa student që ishin nga pjesa e grupit të studentëve dhe pedagogëve që kishte paracaktuar vetë Ramiz Alia, për të bërë përçarjen tonë dhe për të realizuar synimet e veta. Pak rëndësi ka përmbajtja, por ideja e saj ishte që ne të përçaheshim
Publiku e dallon qartë se në takimin e studentëve me Ramiz Alinë gjendet dhe një vajzë, që jeni ju. Kush ju zgjodhi që të merrni pjesë në takimin e madh në Pallatin e Brigadave?
Pallati i Brigadave ishte ndeshja ime finale me demin e kuq, Ramiz Alia. Keni parë ndonjëherë ndeshje me dema meksikanë? Unë isha futur në një sport pa trajnier, dhe pa skuadër. Ndeshja ime e parë ishte me të dërguarin e ministrit të Transportit, në fund të nëntorit të vitit 1990, ku zhvilloi një takim me studentët e inxhinerisë mekanike dega transport. U lajmëruam nga zyra e dekanit nëpërmjet sekretares tonë Janulla Majko (mamaja e zotit Pandeli Majko), shokut tim të inxhinierisë, se kemi mbledhje me një të dërguar nga Ministria e Transportit. Mbledhja u bë në një nga sallat e korpusit, në katin e dytë. Në mbledhjen që patëm me personin e dërguar u diskutua se si reformat demokratike që do të vihen në zbatim nga qeveria moniste do të kenë efekt tek brezi ynë inxhinierik, dega transport, pasi tani do të shfytëzohet deti, ajri the toka për kommunikim transporti me botën e jashtme dhe brezi ynë do të ishte me fat se do te ishim intelektualët e parë në këto ndryshime rrënjësore. Une ngrihem dhe e pyes se “si ju do t’u jepni liri veprimi aeroplanëve, trenave dhe vaporëve dhe jo njerëzve. Ju i jepni liri mjeteve të transportit kur ne si inxhinierë të ardhshem nuk kemi liri fjale, feje apo ideje.” Salla gumëzhiu. Asnjë nuk i priste ato që thashë. I dërguari u përgjigj se ai ishte aty vetëm për lirinë e mjeteve të transportit, “në qoftë se keni pyetje të tilla drejtohuni ministrive përkatëse”. Pasi mbaruam aty shokët dhe shoqet e mia më thanë se tani mund të marrin ndonjë masë për mua për ato që unë diskutova. U sugjerova të kërkojmë një takim me të gjithë ministrat e tjerë në qytetin Studenti me qëllim që “edhe ne të fitojmë liri si mjetet e transportit”. Këto ide, jo vetëm mua si inisiatore, por edhe shumë shokëve e shoqeve tanë studentë na erdhën natyrshëm, na buronin nga shpirti ynë i trazuar, nga mosha jonë e re dhe gjithë ai pseudorealitet i krijuar në gjithë vendin. Ky realitet i ngjante një tullumbaceje shumë të bukur nga jashtë, por që brenda vinte shumë erë e keqe dhe presioni që kishte arritur gjithnjë e në rritje, bëri që kjo “tullumbace” të rrudhej pak nga pak deri në shfryjen e saj të plotë, që tashmë kishte filluar dhe ishte e pashmangshme. Fundi i saj nuk dukej se ishte edhe aq i lehtë. Krijuam një listë dhe lista u drejtua për një takim me ministrat ne qytetin Studenti. Kjo ishte ndeshja ime e parë. Ndeshjen e dytë do ta bëja bashkë me shokët, me një skuadër më pak e përgatitur se e para. Në datën 8 dhjetor në orën dhjetë në godinën e inxhinierisë, godina 11 në qytetin Studenti, ku kisha dhomën, erdhi grupi i ministrave të shoqëruar nga Adil Çarçani. Une isha në konsultim me profesorin tim në korpus dhe më lajmeruan se ata kanë mbërritur. I kërkova profesorit tim, Bashkim Bahollit, të më jepte biçikleten e tij që të arrija sa më shpejt. Me biçikletë (e cila ishte nga ato me hekur në mes),u nisa në qytetin Studenti. U futa në godinën time, ata ishin mbledhur në sallën e televizorit. Po dëgjoja debate mes ministrave të ndryshëm dhe studentëve, ndër ta edhe ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, i cili fliste për ca metoda të reja në matematikë. Deri aty kërkesat dhe ankimet e studentëve ishin ekonomike, pa ujë, pa ngrohje, pa drita, pa xhama. Pasi dëgjova shokët e mi u ngrita dhe kërkova leje të flisja. Zoti Adil Çarçani më dha të drejtën të flisja. Iu drejtova zotit Adil dhe ministrave duke u thënë se “problemi ynë kryesor nuk është ekonomik, por është politik”. I thashe që “ne jemi të zhgënjyer nga politika e PPSH-së, dhe se kjo parti nuk do të mbante përgjegjësi vetëm për brezin tonë, por dhe për brezin që do të lindnim ne, sepse me jetën që bënin femrat shqiptare nuk do të jenë në gjendje të prodhojnë brez tjetër, dhe unë personalisht nuk do të bëja fëmijë që t’i shërbente këtij pushteti që ishte qelbur si peshku nga koka”. Skënder Gjinushi u mundua të më trëmbte me xheste e veprime e më pas edhe me fjalë. Iu drejtova atij dhe i thashë që “babai im ka qenë partizan në Brigadën e Pestë sulmuese bashkë me nënën e tij, por ndryshimi im dhe i tij ishte I madh, gruaja jote e ka takën elegante 7 pond. Sistemi politik në funksion nuk është në gjendje të sigurojë asnjë kërkesë ekonomike se problem jeni ju”. Unë isha në radhët e fundit, ngaqë erdha me pak vonesë dhe mbrapa kisha një kalec (polic) me pardesy të bardhë që më afroi gjoksin e tij dhe ndjeva diçka të fortë. Iu drejtova Adil Çarçanit dhe i them ta largojë nga salla kalecin me automatik poshtë pardesysë se nuk më tremb. Salla buçiti pa ndaluar emrin tim. Mbledhja mbaroi me premtimin se çdo gjë do të realizoj për 15 ditë. Ndeshja ime e tretë ka qenë atë natë, duke u gdhirë 9 dhjetori, me pjesëmarrjen time aktive në krye të protestës, ku ia hoqa nga dora Hekuran Isait megafonin dhe më pas u plagosa. Ndeshja e katërt ka qenë para ambasadës amerikane me sampistët në drekën e ditës së 9 dhjetorit. Dhe ndeshja finale ishte me Ramiz Alinë. Si mendoni ju a ishte e nevojshme të merrja leje për ndeshjen time finale? Dhe në qoftë se do të vendosja të merrja leje kujt duhet t’i drejtohesha sipas mendimit tuaj? Trajnerit apo skuadrës që nuk ekiztonin asnjëri? Këtë pergjigje po ia jap të drejtpërdrejtë bashkëatdhetarëve të mi nga janë dhe nga s’jane, studentëve që kanë qenë dëshmimtarë të të gjitha ndeshjeve të permendura më lart, kudo që të jenë, brenda dhe jashtë vendit, nënave tiranase që më futën në gjirin e tyre dhe na dhanë ndihmën e parë pas goditjeve mizore të policëve shqiptarë.
A kishit frikë dhe a ju mbështeti familja në aktivitetin tuaj, në një kohë të vështirë për vendin, e sidomos për rolin e femrës në shoqëri, ku pra ekzistonte një lloj paragjykimi?
Une nuk e njoh dhe nuk e kam njohur asnjëherë frikën, në asnjë moment. E vetmja frikë që njoh është mosdija, injoranca. Unë kisha një gjë të qartë “…kur ecën në pisllëk me derrin, derri do të fitojë”. Liria nuk kërkohet fitohet. Iu futa rrugës së kërkimit të demokracisë, së bashku me të gjithë bashkëmoshatarët e mi për një demokraci të pastër e të sinqertë, jo me “derra” dhe nuk zgjodha rrugën e “pisllëkut”. Po kështu nuk llogarita as pasojat qe do me vinin nga familja ime (të cilat ishin normale për kohën dhe mentalitetin e krijuar në vite, por jo nga gjithë pjestarët e familjes), por isha e bindur se sikundër thotë edhe fjala popullore se “i yti mishin ta ha po kockat ti lë” dhe as pasojat që do të më vinin nga të tjerë dhe që kuptohet ishin shumë evidente deri në eleminimin tim fizik.
Bëhet pyetja se kush ju zgjodhi, pasi disa fakultete të universitetit i bënë me zgjedhje studentët që do të merrnin pjesë, por ka dhe nga ata që u “emëruan”, ku lihet të kuptohet që pushteti kishte caktuar të vetët të merrnin pjesë. A i dalluat atëherë këto dy kategori dhe cila ishte më aktive në takimin me Ramizin dhe a mund të na thoni ndonjë emër?
Në takimin me Ramiz Alinë ishin tre grupe të ndryshme: Në grupin e parë ishin studentët dhe pedagogë që kishin ardhur të bënin “gjënë e duhur” për shembull Azemi, Arben Broci, Arben Imami etj. Në grupin e dytë ishin personat që kishin ardhur të bënin “jo gjënë e duhur”. Në grupin e tretë ishin personat që kishin ardhur të “mos bënin asgjë”. Në politikë ka një shprehje të ish-presidentit amerikan Theodore Roosvelt: “In any moment of decision the best thing you can do is the right thing, the next best thing is the ërong thing, and the ëorst thing you can do is nothing”. Pra e rëndësishme ishte që të krijohej partia e dytë pluraliste dhe kjo ishte gjëja më e mirë që mund të bëhej në atë moment, që u realizua pa gjakderdhje dhe nuk kanë shumë rëndësi se kush do të vinte në krye apo kush do të merrte pushtetin me pas. Kjo gjë do të rregullohej më pas me zgjedhjet e lira dhe demokratike, por e rëndësishme ishte se do të arrihej me çdo kusht dhe me këmbëngulje rënia e monizmit dhe krijimi i pluralizmit e më pas Liria dhe Demokracia aq e ëndërruar. Ndoshta kishte ardhur edhe te ne “The Ëind of Change”, por ishim të gjithë ne studentët e Dhjetorit që e bëmë atë realitet dhe nuk na e dhuroi askush.
Në këtë takim, të 11 dhjetorit 1990, zoti Alia shprehet se “nuk di gjë për dhunën e ushtruar”, këtë pohim e ka bërë dhe në disa intervista dhe në librin e tij “Jeta ime”. Por kundërshtohet nga salla, pra ju mendoni se ka pasur urdhër nga lart të goditen studentët?
Nuk ka rëndësi nëse Hekuran Isai e zbatoi dhunën pa marrë urdhrin nga Ramizi apo alternativa tjetër që ai mori urdhër nga Ramizi. Ramiz Alia është përgjegjës për veprimet e H.Isait. Dhuna fillimisht ishte e pranishme dhe me intensitet të lartë, madje deri në eleminimin fizik. Prova e parë jam unë kur jam goditur fizikisht kur bëra polemikë në këtë takim me Ramiz Alianë, ndiqni pjesën e 11 të takimit të studentëve me Ramiz Alinë, është ironike, unë i thosha “ja ujku” ai më thoshte “ku janë këmbët”. Kush ju ftoi të ishit pjesë e themelimit të Partisë Demokratike, që bazat i hodhi në shtëpinë e Gramoz Pashkos? Na jepni detaje rreth kësaj?
Nëse do të bënim një krahasim unë isha nusja e demokracisë dhe Azemi dhëndri, ajo ishte dasma jonë e quajtur demokraci.
Shtëpia e Gramozit ishte një “lokal” pa pagesë për dasmën tonë të demokracisë. Kisha rënë në dashuri me demokracinë që ditën që kisha lindur. Në shtëpi vëllai i madh nuk më fliste Moza, më fliste “amerikane”, nga mendimet e lira që kisha. Isha e para që në nëntor 1990 u shpreha në sallën e rektoriatit që para se të fluturonin aeroplanët të lirë, (që ne nuk dispononim), që para se të liheshin njerëzit e lirë, isha e para që në takimin e 8 nëntorit me Adil Çarçanin dhe ministrat i thashë që ne jemi të zhgënjyer nga politika e PPSH-së, dhe kjo parti nuk do mbante përgjegjësi vetëm për brezin tonë, por dhe për brezin që do të lindnim ne, isha e para që ia shpreha Ramiz Alisë në takim kërkesën për krijimin e një partie studentore. Kjo gjë ndodhi pasi erdhëm në qytetin Studenti, ku gjërat dihen. Pastaj unë Azem Hajdari, Arben Imami, Aleksandër Meksi, Gramoz Pashko, Edmond Budina u mblodhëm ne shtëpinë e Gramoz Pashkos, poshtë në katin përdhe dhe filluam të formulonim deklaratën e partisë që duhet të çohej në ministrinë e Drejtësisë, të njihej zyrtarisht. Ai ishte programi minimal i PD-së, që u caktua të lexohej tërësisht në mitingun e shpalljes së partisë.
A ishte i pranishëm Sali Berisha në momentin kur po hartohej dokumenti i rregjistrimit të kësaj partie, nëse po çfarë i shtoi ai statutit, nëse jo, pse dhe kur erdhi?
Po ai ishte. Ishte në orën e parë të bisedimeve, pastaj u largua. mbaj mend se më la një porosi që të shkruajmë dhe çështjen e bashkimit kombëtar.
Më pas Azemi dhe ju keni lajmëruar studentët për themelimin e PD-së. Që nga shtëpia e Gramozit, që gjendej pranë stadiumit studenti e deri te qyteti i Studentit është pak rrugë në këmbë. Si e bëtë këtë rrugë dhe me cilin shoqëroheshit dhe si e pritën studentët lajmin?
Rrugën e bëmë në këmbë dhe unë shoqërohesha nga grupi i nismëtarëve të themelimit Eduart Selami, Azem Hajdari, Arben Imami, Alexander Meksi, Gramoz Pashko. Gjatë gjithë rrugës mbaj mend që na përqafonin të gjithë studentë, pedagogë dhe qytetarë me përzemërsi e mall shumë të madh. Arritëm mes një entuziazmi të paparë në Sheshin e qytetit Studenti, ku të gjithë studentët e pritën lajmin me brohoritje e parrulla ku më të famshmet ishin: E duam Shqipërinë si gjithë Europa, Liri-Demokraci etj.
Ekzistojnë disa lista nismëtarësh të themelimit të PD-së, njërën e ka botuar Blendi Fevziu në librin “Piedestale pa statuja”, një listë e Ilenja Mëhillit, studente që ka mbajtur protokollin e parë të mbledhjeve të PD-së dhe një tjetër pa emër,por emri juaj nuk është në to.Si e shpjegoni këtë fakt?
Në fakt emri im është i pesti në listë, por jo me emrin tim Mimoza Ferraj, por me emrin e pagëzuar Alma Meçe Bendo,arsyen se pse e shpjegova në përgjigjen e parë.
Problem me listat është edhe ajo e studentëve të dhjetorit. Kanë qarkulluar një sërë listash me emrat e studentëve pjesmarrës në lëvizjen e dhjetorit, për të cilat ka pasur kundërshti nga disa pjesmarrës. A jeni në dijeni të këtij fakti dhe si mund të përpilohet pa manipulim lista e vërtetë?
Në fund të qershorit, fillim të korrikut kam shkuar në Hungari si vendi i parë demokratik lindor. Shkova atje për të marrë eksperiencë së bashku me shumë studentë të tjerë. Lista e përpiluar në vajtjen atje nuk kishte asgjë të përbashkët me personat e vërtetë të lëvizjes së Dhjetorit, por ata ishin të gjithë pjesë e fëmijëve që kishin qenë në pushtet. Edhe dy prej aktivistëve të vërtetë, që ishin bashkë me mua, nuk qëndruan në Budapest, por u larguan për në Gjermani në mënyrë të paligjshme dhe ma lanë porosi të ndjek hapin e tyre. Listë të vërtetë nuk ka dhe është vështirë bërja e një liste të tillë nisur nga koha e gjatë, pozicionimi, postet politike të mëpasshme dhe ato aktuale.
A keni lexuar dëshmi të tjera për lëvizjen studentore dhe duke qenë dëshmitare a e keni konstatuar se ka përpjekje për manipulim të historisë? A mund të saktësoni se kujt i intereson një manipulim i lehtë i fakteve të këtyre ditëve?
Po kam lexuar disa të shkruara në vite, por çdo dëshmi e tillë i ngjan një fjalëkryqi ku ka pjesë të plotësuara dhe që janë reale dhe pjesa tjetër e paplotësuar dhe që ngelet e errët, pasi Lëvizja Studentore është përdorur shumë nga klasa politike dhe është përdorur nga ajo.
Si mund të shkruhet historia e një lëvizjeje të tillë,ndërkohë që nuk është mbajtur asnjë dokumentacion i saktë për të?
Është një “Puzzle” i pazgjidhshëm.
Thuhet se kryetari i parë i Partisë Demokratike u zgjodh Azem Hajdari. A u bënë realisht zgjedhje për Hajdarin, apo u zgjodh nga masa e madhe e mbështetësve si lider,pa bërë zgjedhje të rregullta?
Azem Hajdari me veprimet e tij aktive, pozicionin dhe simpatinë që kishte fituar ishte “a person of great merit”, dhe si i tillë ai e meritoi zgjedhjen e tij kryetar, gjë e cila ishte e paçmueshme për kohën dhe nuk pati aspak kundërshtime nga masa studentore. Në atë kohë as që mund të mendohej për zgjedhje të rregullta, por pas propozimit dhe meritës sikundër thamë më lart ai u miratua nga të gjithë pjesëmarrësit e tjerë si kryetar.
Personazhet
Cili ishte roli i Skënder Gjinushit gjatë lëvizjes studentore?
Ishte një aktor i keq. Ishte dora direkt e Ramiz Alisë për të mposhtur lëvizjen Studentore. Më vjen të përzierë në stomak kur mendoj për të.
Si e keni parë përfshirjen e Sali Berishës në lëvizje e më pas në themelimin e PD-së. (në foton që më dërgoni, ai duket krejt pak, pas shpinës suaj)?
Një përfshirje aktive, pasi ishte ndër intelektualët që ne si student donim që të na mbronte interesat tona. Ai mori përsipër mjekimin e studentëve të plagosur dhe lirimin e të gjithë studentëve të ndaluar apo arrestuar nga policia. Roli i tij ka qenë ekuilibrist, mediator dhe tolerant në “peshoren” midis policisë dhe shtetit nga njëra anë dhe kërkesave të drejta (politike, pluraliste) të studentëve nga ana tjetër.
Kush ishte Pandeli Majko në atë kohë dhe a ka pasur kontribut në lëvizjet studentore?
Pandeli Majko ka qenë student i Dhjetorit dhe për pozicionin dhe shtresën nga e cila ai vinte ka edhe ai së bashku me të tjerët kontributin e vet në pluralizëm.
Cili është mendimi juaj për Leka Meksin, Arben Imamin dhe Azem Hajdarin?
Të gjithë personat e mësipërm ishin “proletarët” e vërtetë të Lëvizjes Studentore, të cilët nuk kishin “life insurance”, por punuan me gjithë shpirt pa marrë parasysh asnjë rrezik.
Jeta aktuale
Pse dhe kur jeni larguar nga Shqipëria?
Unë dhe burri im shkuam në Amerikë për të punuar dhe po vazhdojmë të punojmë dhe të jetojmë këtu.
Cila është mirënjohja më e madhe që keni marrë për kontributin që keni dhënë në lëvizjet demokratike?
Ne Amerikë ku unë jetoj dhe punoj me familjen time, askujsh nuk e di rolin dhe aktivitetin që kam pasur në dhjetor dhe në lëvizjen studentore, këtë nuk e dinë as fëmijët e mi.
Pse në krye të shtetit shqiptar kanë mbetur shumë pak aktivistë të lëvizjeve të dhjetorit?
Është një pyetje interesante dhe e mirë.
Kur keni ardhur për herë të fundit në Shqipëri dhe për çfarë?
Më 11 shtator të këtij viti. dhe kam qëndruar dhjetë ditë. Kam ardhur për disa probleme të familjes sime, që kërkonin praninë time këtu. qënia ime në shqipëri dhe kontaktet me miq të vjetër më ktheu kujtesën, më bën që të kujtoj mjafr ngjarje të së kaluarës. unë uroj dhe shpresoj që t’i shërbej vendit tim dhe uroj gjithashtyu që të kemi në Shqipëri demokracinë që kërkuam në dhjetor.

No comments:

Post a Comment