Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Tuesday, November 2, 2010

20 vjet liri fetare

Prifti që i tha komunizmit “hi ke kenë, hi ke me u ba!”

Jubani: Shteti nuk e di se çfarë është 4 nëntori i 1990

“Feja prodhon vlera, se politika prodhon antivlera”

Gilmana Bushati

Më 4 nëntor 1990, 20 vite më parë, në varrezat e Rrmajit në Shkodër mbahet një meshë, me rreth 200 deri në 300 besimtarë, për të kujtuar shpirtrat e vdekur. Meshën e drejton Dom Simon Jubani, një prift që arriti të shugurohej në 1958-ën. Nëse më 4 nëntor mesha ishte e vogël, më 11 nëntor, mesha e mbajtur në këto varreza do të jehonte deri në shtypin e huaj, ku agjencitë si AFP-ja apo “Associated Press” do të njoftonin se në Shqipëri, për herë të parë pas 23 vjetësh u mbajt zyrtarisht një meshë.
“Po kush e feston 4 nëntorin...shteti nuk e njeh atë. Ajo datë nuk asht as në kalendar”, - thotë Dom Simon Jubani, prifti 83- vjeçar, që e gjejmë në Katedralen e Madhe të qytetit të Shkodrës. Ai nuk dëshiron të japë një intervistë, sepse duket se është i mërzitur me “parinë”, pasi askush nuk interesohet për një datë aq të rëndësishme për kombin shqiptar, siç ishte 4 nëntori. “Ata kanë pasur kohë për ta futur në kalendar. Mesha është në memorien e vegjëlisë dhe jo në mendjen e shtetit. Unë nuk e organizova, ajo erdhi spontane, ishte punë e Perëndisë. Për me kenë një ditë e madhe kaq sa e thoni ju, ajo duhet të ishte në kalendar. Mes vegjëlisë dhe parisë është një hendek sa një oqean. Janë vrarë njerëz për atë meshë”, - shprehet i revoltuar Dom Simon Jubani. Shtëpinë, Dom Simoni e ka në mes të segmentit nga Katedralja e Madhe e qytetit të Shkodrës (dikur pallati i Sportit), deri te varrezat e Rrmajit. Më 4 nëntor 1990, besimtarë të mirë katolikë kanë shkuar ta marrin në shtëpi Dom Simonin për të thënë meshën. Ai ka bërë gati të gjitha veshjet e duhura, që një ceremoni e tillë të ishte serioze. Arrijmë t’i shkëpusim edhe ca fjalë, se nuk kishte frikë as më datë 4 nëntor, kur u organizua një meshë e vogël, por as më 11 nëntor, kur në varrezat e Rrmajit u mblodhën mbi 50 mijë vetë, mes të cilëve edhe myslimanë. “Jo more, s’kisha frikë njeri, unë kam thanë poshtë Enver Hoxha kur isha në burg. Kam ba 26 vjet burg kot, ashtu ka ba dhe im vëlla, që ma vonë e vranë. Ajo kohë kishte kontraste të mëdha, kur terrori komunist vriste njerëz në kufi, ka ndodhur ngjarja ma e randësishme e Shqipërisë, se mesha e parë solli lirinë e fesë, e kjo asht baza e demokracisë”, - shprehet Dom Simon Jubani ndërsa pret mëkatarët për t’u rrëfyer. Sipas tij, është pikërisht “feja që prodhon vlera, se politika prodhon antivlera”, prandaj për Dom Simon Jubanin, kjo datë është kaq e rëndësishme, sepse liria dhe demokracia erdhën përmes besimit dhe jo nga politika.
Dëshmitarët tregojnë ngjarjet e tyre për meshën e datës 11 nëntor 1990, e cila për më tepër gjendet e regjistruar dhe nga kinostudioja Shqipëria e Re. “Hi ke ken e hi ke me u ba!”,- ishin fjalët e fundit që Dom Simon Jubani tha më 1990-ën për komunizmin. Fjalët e fundit të një meshe, e cila do të bënte historinë jo vetëm për qytetin e Shkodrës, por për të gjithë Shqipërinë. Ishin të përgatitur njerëzit, rreth e rrotull varrezave të Rrmajit kishte persona të armatosur të shtetit, por edhe vetë besimtarët ishin të armatosur për të siguruar mbarëvajtjen e meshës. Në meshën e 11 nëntorit kanë qenë edhe besimtarë myslimanë, që kanë shprehur dëshirën e tyre për t’i ndihmuar besimtarët katolikë në mbarëvajtjen e kësaj meshe.

“Mesha asht në memorien e vegjëlisë dhe jo në mendjen e shtetit. Unë nuk e organizova, ajo erdhi spontane, asht punë e Perëndisë. Për me qenë një ditë e madhe kaq sa e thoni ju, ajo duhet të ishte në kalendar. Mes vegjëlisë dhe parisë është një hendek sa një oqean. Janë vrarë njerëz për atë meshë”.


Arrestimi
Arrestohet më 14 janar 1990, pasi dyshohet se ka organizuar rrëzimin e monumentit të Stalinit në Shkodër. “Unë jam klerik e nuk më lejohet me ardhë në protestë e me u marrë me politikë. Nëse doni, jam i gatshëm me ardhë në çdo tubim me folë e me protestue për lejimin e fesë, hapjen e kishave e objektet e tjera të kultit”, u shpreh ai më 15 janar 1990.




“Ishte një ditë e zymtë nandori. Cikërronte shi.”

“Sa do të ishte gëzue po të kishte qenë gjallë deri më 4 nanduer 1990, e të më kishte pa kapelen e djegun të vorrezave të Rrmajit, të sekuestrueme, të dhunueme e të shpalluna tashti monument kombëtar, ndriçue prej dritës së zbehtë të qirave të purgatorëve, tue kremtue të parën Meshë publike në praninë e 200-300 besimtarëve. Ishte një ditë e zymtë nandori. Cikërronte shi. Piklat rrëshqisnin si lot nëpër petalet e luleve vjeshtarake mbi vorre. S'ishin ma lot morti, po lot gëzimi. Lajmrojshin epokën e re, lirinë e fesë, që filloi me një fjalim të improvizuem të një meshtari të laskaruem burgjesh, të kundërshtuem prej të huejve e prej të vetëve, i cili kishte në qafë vetëm stolen e breme tejet e në dorë, misalinë e vjetër latinisht. Kështu fillonte lidhja e fijes së këputun!
Java do të zhdukej me shpejtësinë e vetëtimës, për të afrue sa ma shpejt ngjarjen e madhe: 11 nandorin. Gjithnjë kapelen e Rrmajit e rishtas në mjedis të terrorit komunist, kur dihej e s’dihej çka po ndodhte, sidomos, çka mund të ndodhte, kremtova Meshën e dytë publike, kët herë me një fjalim të mirëpregatitun, programatik, që thente heshtjen 23-vjeçare të katakombeve.
Erdhën mbas kësaj date ditë të bukura e të zymta. Liria, që besuem se ishte fitue, filloi me u tallë me vetvedin. Klasa politike shënoi edhe analet e historisë së këtyne vjetëve, vetëm shëmtime. Prandaj, ndoshta, atmosfera e Meshës së parë mbeti e paharrueshme në zemrën e popullit, që po zgjohej. E ndoshta prandaj përmendet me nderim të thellë e me lot në sy prej të gjithve”.


Marrë nga libri
“Burgjet e mia”
Dom Simon Jubani



Një dhomë për njeriun që bëri historinë

Pa shkuar te varrezat e Rrmajit, në krahun e djathtë është një rrugicë e vogël, e mbushur me shtëpitë e shkodranëve të vjetër dhe të rinj. Në qytetin e Shkodrës kjo rrugicë quhet rruga e Ballabanëve. Nuk do shumë hapa për të shkuar te shtëpia e Dom Simon Jubanit, ajo të paraqitet ashtu e bardhë menjëherë sapo merr një kthesë të vogël. Shtëpia është e lyer dhe e rregulluar, ndriçon nga bardhësia. Kati i parë i saj, aty ku jeton Dom Simon Jubani, gjendet pak nën rrugë. Në atë dritare që bie nga rruga ndriçojnë drita të kuqe dhe fotoja e Hyjit, Jezu Krisht. Mbi dritare do të mësosh se shtëpia e kujt është ajo. “Në ket shtëpi me datën 4 nandor 1990 lindi demokracia midis terrorit komunist, e njoftun dhe e përshëndetun nga i gjith globi toksor”, është pllakata e parë. E dyta të tregon se kjo është një shtëpi muze e dy vëllezërve priftërinj, e Dom Lazër Jubanit, i cili vdiq më 1982 i helmuar dhe i Dom Simon Jubanit, që mbetet një dëshmi e gjallë historike. Ai jeton në shtëpinë e nënës dhe babait të vet, është në moshën 83-vjeçare dhe që nga pamja e dhomës, që është e pastër, por me lagështirë e kupton se nuk janë kushtet për të kaluar jetën një plak, i cili për më tepër ka bërë edhe 26 vite burg. Nga kjo shtëpi kupton se është e vërtetë se liria e ardhur nga feja sjell vlera, siç është vetë Dom Simoni dhe liria nga politika nuk e ka atë vlerë, siç është ky shtet që nuk i jep mundësinë këtij plaku për një dhomë të vogël, që të kalojë më me pak kushte vitet e tjera të jetës.



Më 16 nëntor është hapur Xhamia e Plumbit për besimtarët myslimanë

Myftia: Si u bë falja e parë e xhumasë në xhaminë e Bushatllinjve

“Në degë na kërkuan të merrnim leje për ceremoninë”

Një nga nismëtarët për hapjen e Xhamisë së Plumbit në Shkodër, Mit’hat Myftia, flet për ditët që besimtarët myslimanë filluan të përgatiteshin për faljen e madhe. Më 8 nëntor 1990, në qytetin e Shkodrës u hap shpejt fjala se Xhamia e Plumbit do të ishte gati për besimtarët më 9 nëntor, që i takonte ditë e xhuma (e premte), ditë e shenjtë për myslimanët. Por kjo nuk u bë e mundur. Edhe pse nuk u arrit të bëhej falja, besimtarët kanë punuar për ta kthyer xhaminë në kushtet optimale për të kryer faljen. Më 16 nëntor 1990, që i takonte sërish ditë e xhuma, u arrit të kryhej falja, të cilën e drejtoi Hafiz Sabri Koçi.
Kur dhe si filloi puna për hapjen e Xhamisë së Plumbit?
Puna për hapjen e xhamisë filloi që më datë 8 nëntor. Ishte ideja që ajo të mund të ishte gati për besimtarët më datë 9 nëntor, që i binte të ishte e xhuma (e premte). Me disa miq e shokë jemi mbledhur te xhamia më datë 8 nëntor. Xhamia ishte e gjitha e mbuluar nga ferrat, nga balta dhe dherat, pasi kur dilte Drini, ajo përmbytej duke lënë në të shumë inerte. Iniciativa jonë ishte marrë vesh në gjithë qytetin dhe më datën 9 nëntor rreth xhamisë ishte mbledhur një grumbull i madh njerëzish. Grupi ynë që kishim marrë këtë iniciativë përbëhej nga unë, nga im vëlla Abdullah Myftia, Pëllumb Sauku, Agron Dibra, Eljaz Pateriku.
Po pse nuk u fillua më herët hapja e xhamisë?
E ka thanë një fjalë Dom Simon Jubani, disa e kishin lepurin në bark, disa e braktisën, por ata që e kanë pasur traditë, arritën të mblidheshin për të punuar për hapjen e xhamisë.
Cilat ishin pengesat kryesore në ditët kur punohej për hapjen e xhamisë?
Në ato ditë, pengesë kryesore ka qenë Dega e Brendshme. Ndërsa sa i takon Sigurimit të Shtetit, sigurisht që bëri punën e vet. Fillimisht jemi thirrur në Degën e Brendshme nga shefi i policisë, Dilaver Papare. Kam qenë unë, Bash Bilali, dhe katër të tjerë. Pasi ai mbaroi me ne, na thirri dhe shefi i degës. Në korridor kam dëgjuar këtë bashkëbisedim mes zyrtarëve: “Tani merru ti me katolikët, unë po merrem me myslimanët”. Në atë moment e kuptova që në të njëjtën ndërtesë e për të njëjtën çështje ishin edhe katolikët. Ata kishin thirrur meshën më 4 nëntor dhe më 11 nëntor. Na u tha se nuk lejohet që të bëhen grumbullime, se këto grumbullime janë të paligjshme, e nga këto justifikime. I thamë se jemi të vendosur ta bëjmë dhe nuk lëvizim nga vendimi ynë. Atëherë na u tha se nëse do të bënim këto grumbullime, do na duhej leje nga Dega. Kemi bërë kërkesë me shkrim në Degën e Brendshme që të nesërmen dhe më 16 nëntor na u dha leja për të bërë faljen normale në xhami. Këtë procedurë e kemi ndjekur për tri të premte me radhë, më pas nuk morëm më leje për të bërë faljen. Nga vajtjet e ardhjet në Degën e Brendshme kemi marrë vesh se gjithçka që flitej rreth e rrotull xhamisë shkonte në veshin e Sigurimit. Prandaj vendosëm që të mos bënim më biseda përjashta, të gjitha bëheshin në shtëpinë time, që gjendet afër xhamisë, vend ku ka qëndruar dhe Hafiz Sabri Koçi.
Si shkoi dita e caktuar për hapjen e xhamisë?
Edhe atë ditë, pra më 16 nëntor, kur ishte caktuar hapja zyrtare e xhamisë, ka pasur disa pengesa. E para ishte informacioni se unë do të arrestohesha. Në ndërmarrjen ku kam punuar, drejtorin e kam pasur shok të ngushtë, pasi njiheshim prej vitesh. Donin të më arrestonin me të dalë nga ndërmarrja, në mënyrë që të mos isha pjesë e ceremonisë së hapjes së xhamisë. Duke qenë se informacioni më erdhi nga drejtori, atëherë unë arrita të dal nga ndërmarrja me qëllimin për të shkuar në spital, me pretendimin se isha sëmurë. Kam dalë me mjekun e ndërmarrjes për t’u drejtuar për nga spitali, i shoqëruar me një shok timin të ngushtë, Jul Darragjatin. Ata menduan se unë po shkoja në spital, prandaj nuk më ngacmuan më. Ne dolëm për nga spitali, por pastaj u kthyem në xhami. Një frikë tjetër ishte edhe ndonjë ngjarje e inskenuar në xhami. Një nga pyetjet që më ka bërë atëherë Dilaver Paparja ishte se, “nëse ndodh diçka në xhami, kush e merr përsipër përgjegjësinë”. I kam thënë se “nëse kjo gjë ndodh brenda xhamisë, atëherë përgjegjësia është e jona, nëse ndodh jashtë saj, atëherë ajo është e juaja”.
A morët pjesë në meshën e parë të katolikëve, organizuar në varrezat e Rrmajit?
Po, kemi qenë në meshën e parë të katolikëve, e cila u bë në varrezat e Rrmajit. Atëherë isha caktuar si sekretar, ndërsa Hafiz Sabri Koçi ishte kryetari i Komunitetit. Kemi qenë për një vizitë në shtëpinë e Dom Simon Jubanit, priftit që çoi meshën e katolikëve më 4 nëntor, më pas, më 16 nëntor ishte Dom Simon Jubani që bëri vizitë në shtëpinë e Hafiz Sabri Koçit. Ka pasur kontribute nga të dyja palët për të ndihmuar njëra-tjetrën. Suvatimin e pjesës hyrëse të Xhamisë së Plumbit e ka bërë një murator katolik. Për të gjithë këtë organizim të madh dhe të përkryer për kohën kanë kontribuuar të gjitha moshat, nuk është e vërtetë që ka qenë vetëm rinia, por të gjitha moshat kanë kontribuuar për këto ngjarje.
Cili ishte mesazhi që u përcoll nga të dyja ceremonitë që u organizuan brenda një kohe të shkurtër?
Mesazhi ishte se vetë feja sjell lirinë, besimin në Zot dhe në komunikimin mes njëri-tjetrit. Pavarësisht, nëse je mysliman apo kristian, të gjithë njerëzit e Zotit janë vëllezër.
G.Bushati

Enver Hoxha
Më 1967 doli jashtë ligji besimi në Zot dhe konsiderohej si krim nëse ndokush do ta ushtronte fenë e tij. Vetë drejtuesi i shtetit shqiptar, Enver Hoxha dhe Partia e Punës e justifikuan marrjen e këtij vendimi si kërkesë e rinisë së Durrësit dhe Tiranës.


Ortodoksët
Më 18 janar të vitit 1991, u celebrua mesha e parë në gurët e themelit të kishës Shën Triadhe. Mesha u mbajt pas 25 vitesh ateizëm. Kjo ditë konsiderohet si ditë feste në Korçë, pasi njihet zyrtarisht si dita e hapjes së kishës pas 23 vitesh.

Detaje
Më 19 janar 1991, bëhet falja e parë zyrtare në Xhaminë e Et’hem Beut në Tiranë. Mediat e huaja theksuan se në këtë ceremoni morën pjesë rreth 100 mijë vetë, ceremoni e cila nuk pati asnjë problem gjatë zhvillimit të saj.


Monumenti
Xhamia e Plumbit është një objekt i ndërtuar që më 1773-in dhe ata që u kujdesën për ndërtimin e saj ishin Bushatllinjtë. Edhe pse ishte një ndërtim, që është pjesë e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, ai nuk u shpall monument kulture nga regjimi komunist. Xhamia e Plumbit mbeti në gjendje të mjeruar deri më 1990-ën, kur besimtarët morën përsipër rikthimin e saj në objekt kulti.

No comments:

Post a Comment