Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Monday, November 1, 2010

intervista me Nikolla Panon

Profesor Nikolas Pano merr pjesë në debatin e hapur në “Gazeta Shqiptare”

“Kisha ortodokse duhet të hyjë në fazën tjetër, atë të shqiptarizmit”

“Kisha larg nga politika, ajo duhet të jetë patriotike”

Nikolas Pano, historian i njohur i çështjes shqiptare, me titullin profesor dhe dekan i Universitetit ‘Uestern’ të Ilinoisit, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregon për njohjen familjare me Fan Nolin; si mund të zgjidhet çështja e pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare.
Ju keni pasur fatin ta njihni nga afër patriotin dhe themeluesin e Kishës Ortodokse Autoqefale të shqiptarëve. Cilat janë emocionet tuaja nga kjo periudhë?
Fan Noli bënte shpesh vizita në shtëpinë tonë. Ai vinte te ne sa herë ishin festa, si kremtimi i emrit të ndonjërit dhe kështu kishim rastin ta takonim. Noli, përveçse orator i madh, ishte dhe plot humor, dinte shumë përralla, të cilat na i tregonte kur ishim fëmijë. Më kanë bërë përshtypje të madhe fjalimet e tij mbajtur gjatë meshës për Luftën e Dytë Botërore. Jo vetëm mua, por shqiptarë të shumtë ai i nxiti që të shkolloheshin dhe të merrnin profesione.
Duke pasur këtë afërsi me Nolin, a ju vjen keq që Kisha Ortodokse në Shqipëri është përfshirë nga debatet, madje dhe ju vetë në fjalimin e një dite më parë theksoni ndër të tjera se është problematike pavarësia e kishës në vendin tonë...?
Babai im, Vasili ka qenë anëtar dhe mbrojtës i Kishës së Fan Nolit, ishte një besimtar i mirë. Në rastin e Shqipërisë, fatkeqësisht nuk kishte peshkopë si Noli, kishin vdekur. Kur u lejua feja këtu, duheshin peshkopë, prandaj Janullatosi erdhi nga jashtë dhe zuri kreun e kishës. Unë u shqetësova kur u emërua dhe më pas u fronëzua si kryepeshkopi i Shqipërisë. Ai erdhi si i përkohshëm. Tani po krijohet një sinod i shenjtë, ku janë edhe 3 peshkopë shqiptarë. Për mua, problemi qëndron te imazhi i kësaj kishe, e cila nganjëherë ka marrë pozita pro greke. Ky problem nuk qëndron vetëm te pohimet e Janullatosit, por edhe të kryepeshkopit të Gjirokastrës, i cili në ceremoninë e pranimit të kishës ortodokse serbe është shprehur, sipas mediave, kundër pozitës së Kosovës. Them edhe njëherë, unë nuk i kam parë, por siç është raportuar në gazeta. Ky është një shqetësim tjetër i imi. Sigurisht nuk mohohet fakti që Janullatosi ka bërë një punë shumë të mirë për ringritjen e Kishës Ortodokse Shqiptare, ai ka luajtur një rol kryesor në këtë periudhë. Por duket që po vjen koha për Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare që të hyjë në një fazë të re, siç është faza e shqiptarizmit. Lidhjet me Patriarkanën të jenë shpirtërore, kisha të gëzojë pavarësinë e vet brenda rregullave të besimit.
Si mund të zgjidhet një çështje e tillë, që duket se është bërë një domosdoshmëri e kohës?
Mendoj se duhet të jenë drejtues shqiptarë të kishës, të cilët të kërkojnë udhëheqës shqiptarë në krye të saj. Vetëm në këtë mënyrë mund të gjendet zgjidhja. Kisha nuk duhet të përfshihet në politikë, por duhet të përçojë dhe mbështesë patriotizmin shqiptar, të mbështesë çështjen kombëtare.
Për herë të parë keni ardhur në Shqipëri më 1973-in, pastaj në dhjetor të 1990-ës. Cili ishte ndryshimi që vutë re kur erdhët për herën e fundit?
Kur erdha në dhjetorin e 1990-ës, ajo që më çuditi më shumë ishte se Shqipëria nuk kishte ndryshuar shumë brenda këtyre 17 viteve. Ajo ishte në gjendje të mjerueshme edhe në vitet 1990, shqiptarët ushqeheshin keq dhe ishin të zhgënjyer nga sistemi. Ata ishin të gatshëm të pranonin ndryshimin. Dhe ashtu siç ndodhi, këto ndryshime u bënë po atë vit, po atë dhjetor. Unë isha një nga dëshmitarët e këtij ndryshimi. Flas pikërisht për faktin se studentët e dhjetorit më kërkuan mua, që kur të dilja jashtë, t’ua përcillja lajmet agjencive kryesore të huaja për lëvizjen studentore. Atëherë bëra disa miq, por dy miq, të cilët më ftuan dhe në shtëpitë e tyre, ishte Gramoz Pashko dhe Vangjush Gambeta. Mendoj se Pashko ishte një nga heronjtë e lëvizjeve demokratike. Ishte nga të parët që kritikoi regjimin, ishte nga të parët që dha intervistë për ‘Zërin e Amerikës’ dhe më pas në gazeta të tjera të huaja. Ka pasur një rol të rëndësishëm në këto lëvizje, por nuk e lanë ta luante deri në fund këtë rol. E penguan.
Zoti Pano, ju jeni historian, si e shihni historinë e Shqipërisë, ka nevojë ajo për një pikëpamje të re në trajtimin dhe shkrimin e saj?
Po, duhet të rishkruhet historia e Shqipërisë. Kryesisht, ajo që flet për kohën e Luftës së Dytë Botërore, për periudhën e komunizmit. Historiografia e kohës së komunizmit i shihte gjërat bardhezi, por ajo në vetvete si shkencë është tejet komplekse. Është e nevojshme rishikimi i rolit të grupeve të ndryshme që ishin kundër komunizmit në vend, kush ishin udhëheqësit e tyre. Napoleoni ka thënë se “historia shkruhet nga fituesit”. Por unë mendoj se duhet rivlerësuar në një këndvështrim tjetër figura e Enver Hoxhës, e Partisë së Punës, roli i politikës së jashtme dhe të brendshme të kësaj partie, si dhe i qeverisë së saj. Duhet të ketë një analizë rigoroze të faktorëve që çuan në rënien e regjimit komunist. Duhet të ketë një trajtim tjetër se si u ngrit sistemi shumëpartiak në Shqipëri.

No comments:

Post a Comment