Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Sunday, November 7, 2010

Interviste me Flutura Baleten

15 gra nga e gjithë Shqipëria më 20 shkurt 1991 kërkuan në takim Ramiz Alinë

Baleta: Ishim të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve

“U përhap menjëherë lajmi se do të ndërhynin tanket”

Flutura Baleta, tregon se si një grup prej 15 grash, të gjitha nëna të studentëve që ishin në grevën e urisë në Qytetin Studenti, më 20 shkurt të 1991 kërkuan që të takonin Ramiz Alinë. Në këtë intervistë ajo tregoi se si u kërkua që “nënat të shkonin te Ramiz Alia”, se kush i priti në presidium dhe a i erdhi në takim sekretari i parë i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës. Baleta, e cila njihet edhe si bashkëshortja e Abdi Baletës, thekson se në Qytetin Studenti ajo kishte shkuar se ishte e shqetësuar për shëndetin e të bijës, Teutës, që ishte në grevë si dhe për një lajm që qarkullonte nëpër Tiranë, se qeveria kishte vendosur ta shpërndante grevën e urisë me anë të tankeve.
Zonja Flutura, në shkurt 1991 ishit në Qytetin Studenti, ku po zhvillohej greva e urisë e studentëve. Pse shkuat atje?
Vajzëm e kishim në grevë urie dhe isha e shqetësuar si për gjendjen e saj shëndetësore, ashtu dhe për fjalët që dëgjoheshin në ato ditë se do t’u hynin studentëve me tanke. Ishte dita e tretë e grevës së urisë, data 22 shkurt 1991. Isha mësuese fizike në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja dhe kolektivi i shkollës ashtu si të gjitha ndërmarrjet e tjera, shkolla, universitete dhe kolektive të tjera, pak përjashtime, u gjendën atë ditë në oborrin e Qytetit Studentit. Ne shkuam atje për t’i mbështetur studentët, por edhe se ishim të shqetësuar për fëmijët tanë, nuk dinim asgjë se çfarë do t’u ndodhte atyre.
Kur dhe si ndodhi që ju të shkonit te Ramiz Alia?
Do të ketë qenë ora 10 apo 11 e paradites, njerëzit ishin me qindra në Qytetin Studenti, kishte aq shumë saqë mezi rrihej. Njerëzit përreth hidhnin parrulla, kur dikush nga turma, nuk e di se kush ishte tha “të shkojnë nënat te Ramiz Alia”. Kaq u desh që të organizoheshim ne që ishim aty. Së bashku me mua ishin dhe dy kolege, Loreta dhe Afërdita, mësuese këto te gjimnazi Partizani dhe vendosëm të shkonim, pasi këto dy koleget e mia kishin djemtë në grevën e urisë. Ngaqë kishte shumë njerëz dhe mezi lëvizje, dikush bërtiti sërish: “t’u hapet rrugë që të kalojnë nënat”. Dhe menjëherë u bë një korridor i ngushtë ku kaluam vetëm ne gratë që vendosëm të shkonim te Ramiz Alia. U bëmë rreth 15 veta. Ndër ta ishte një nënë nga Berati, ajo kishte një djalë sportist që vazhdonte edhe shkollën. Më vonë ajo mësoi se djali i ishte shtruar në urgjencën e spitalit, por në atë moment nuk e dinte. Ishte një nënë nga Shkodra që kishte vajzën pedagoge, që ishte futur në grevë urie dhe disa të tjera që nuk i njihnim.
Inisiativa ishte e përgatitur apo spontane dhe cili ishte qëllimi i takimit me sekretarin e parë të Komitetit Qëndror të PP-së?
Kjo inisiativë ishte krejtësisht spontane dhe u ndërmorr vetëm nga shqetësimi që prindërit kishin për fëmijët që kishin hyrë në grevë. Ne si familje ishim të shqetësuar për vajzën (Teuta), në ditët e grevës kemi qëndruar të një kushëri që e kishte shtëpinë pranë Qytetit Studenti dhe nuk largoheshim dot prej aty. Qëllimi i takimit ishte se donim të dinim se pse qeveria nuk po e zgjidhte situatën.
Më pas çfarë ndodhi?
Arritëm të dalim nga Qyteti i Studentit. Një pjesë të rrugës e kemi bërë me nxitim. Na u desh të kapërcenim disa blloqe betoni, sepse pas hapjes së ambasadave ishin vënë disa blloqe betoni pranë disa prej ambasadave. Pasi kaluam edhe këto u drejtuam për nga presidiumi, ku sot gjendet presidenca. Kërkuam nga një roje që të hynim brenda dhe ata na drejtuan te një hyrje tjetër. Ne hymë në një vend që dukej si vend pritjeje për popullin. Aty gjetëm një zyrtar i cili na kërkoi arsyen e kësaj vizite. Pasi dëgjoi ankesat na i mori me radhë emrat në shënim. Besoj se lista do të ekzistojë në arkivat e këtij institucioni.
Kush erdhi për t’ju takuar?
Fillimisht erdhi një jurist, i cili na tha se duhej të prisnim pak minuta. Kemi pritur rreth 30 minuta. Në vend të Ramiz Alisë në atë dhomë erdhën Eleni Selenica, nënkryetare e Gjykatës së Lartë, Sihat Tozaj, sekretar presidiumi, Lumturi Rexha kryetarja e Bashkimit të Grave të Shqipërisë. Në fakt ata u sollën shumë mirë me ne. Ne i thamë edhe njëherë: “Kemi nevojë të takojmë Ramiz Alinë, ai duhet të merret me popullin e vet para se të merret me krizën në Gjirin Persik”, pasi qëlloi që në atë kohë gazetat e partisë shkruanin shumë për këtë krizë. Ata na thanë që Ramiz Alia është në një mbledhje qeverie, se nuk mund të lëvizë për momentin dhe gjithçka që u kishim thënë atyre do t’ia relatonin atij. Siç edhe na u tha më vonë, në atë mbledhje ishte diskutuar për ndërhyrjen me tanke në Qytetin Studenti për të nxjerrë studentët nga greva. Në fakt me ta ne nuk bëmë ndonjë debat, thjeshtë donim që të dinim si do të zgjidhej problemi ynë, ndërsa ata gjithnjë na thonin “prisni se do të vijë”.
Pasi nuk erdhi Ramiz Alia iu larguan apo u larguat vetë?
Nuk biseduam më me ta. U larguam vetë të revolutuar që s’mundëm të transmetonim kërkesat tona Ramiz Alisë.
Ku shkuat pas daljes nga presidiumi?
Ne dolëm të gjitha jashtë, por sa dolëm, pamë një mobilizim të mënjehershëm të ushtarëve që ruanin presidiumin. Të gjithë u bënë gatitu me armë lart. Neve na u duk sikur gjithë ky mobilizim i ushtarëve, edhe nga krahu i bulevardit, ishte për ne, prandaj u frikësuam. U kapëm me njëra-tjetrën për krahu dhe kaluam të gjitha për nga stadiumi Qemal Stafa. Kur ishim shumë afër stadiumit, 2-3 ushtarakë që ruanin Kuvendin, na u afruan dhe na kërkuan që të ndalonim. Ata na thanë që Ramizi ishte kthyer nga mbledhja dhe mund të shkoni për ta takuar. Unë u thashë se “nuk kemi pse kthehemi, do shkojmë te fëmijët tanë”.
Ju shkuat të gjitha te Qyteti i Studentit?
Për të shkuar te Qyteti i Studentit u bë e vështirë. Në gjithë rrugën e Elbasdanit kishte gjithandej turma me ushtarë të armatosur. E kemi bërë rrugën duke hyrë në kopshtet e shtëpive private për të kaluar rrugën e Elbasanit e për të dalë te vendi ku sot gjendet ambasada amerikane. Në atë pikë pamë turmën e madhe të njerëzve që po zbriste poshtë drejt Liceut Artistik. U alarmuan pasi dëgjuam të shtëna armësh. Nga grupi i 15 grave që ishim mbetëm shumë pak, pasi të tjerat u shpërndanë. Vetëm dy tre veta arritëm deri te Qyteti Studenti dhe ishim të frikësuara se mos ishte sulmuar me tanke vendi ku fëmijët tanë ishin në grevë urie. Shkuam aty, por asgjë nuk kishte lëvizur. Përveç njerëzve, ishte boshatisur sheshi që para pak orësh ishte plot me njerëz.
Në orën 13.55 vjen një djalë i ri me motor që thirri me të madhe “u rrëzua, u rrëzua”. Ne pyetëm se “kush u rrëzua, qeveria?” “Jo statuja e diktatorit”. Pashë një djalë nga dera e Turdive, e cila është persekutuar gjatë gjithë kohës, që çau me denesë.
Pas këtij lajmi a dolën studentët nga greva?
Kur u mor vesh ky lajm ata filluan të thërrisnin e të hidhnin parrulla. Në ato momente nuk kishte ushtarë rreth e rrotull. Tek tuk mund të shihej ndonjë polic. Pas pak minutash pamë që të vinim drejt Qytetit Studenti një turmë e madhe njerëzish. Në sheshin ku gjendej vendi ku po bëhej greva dallova njerëz të sigurimit që ishin të shqetësuar për grumbullimin që po vinte sipër. Grumbulli i njerëzve solli me vete kokën e statujës, e cila ishte shkëputur nga trupi. Koka gjendej mes turmës, dhe si në një ceremoni mortore filluan të shpërndaheshin cigare. Por studentët nuk dolën menjëherë nga greva e urisë. Kështu që na u desh të rrinim sërish aty te ajo hapësira aty. U desh të shkonte ora 20.00 ku në lajmet kryesore të Radio Televizionit Shqiptar u mësua se qeveria kishte vendosur të plotësonte një nga kërkesat e studentëve, heqjen e emrit të Enver Hoxhës, universitetit të Tiranës. Edhe pse dita kishte filluar me diell në darkë filloi një shi i madh, vetëm në atë moment morëm vajzën tonë, ashtu si shumë të tjerë dhe shkuam të qetë në shtëpi.

No comments:

Post a Comment