Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Monday, November 8, 2010

Interviste me Qemal Sakajeven

Për herë të parë flet kryeredaktori i gazetës së sindikatave për shkrimin e shtatorit

Sakajeva: Ja kush e porositi shkrimin e Sali Berishës te “Bashkimi”

“I gjithë aparati i censurës firmosi për atë”

Qemal Sakajeva, ishte kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”, gazetë e sindikatave të punëtorëve, kur vendosi të botojë shkrimin “Demokracia dhe humanizmi – binom i pandarë”, i shkruar atëherë nga doktor Sali Berisha. 20 vite më vonë Sakajeva flet për shkrimin e botuar të doktorit të atëhershëm dhe kryeministri aktual, Sali Berisha më 17 shtator 1990, plot 28 ditë pas mbledhjes që Ramiz Alia bëri me intelektualët e Tiranës. Sakajeva thekson se shkrimin e kishte porositur ai, sepse intelektualët, por edhe shoqëria shqiptare kishte mbetur e zhgënjyer që Ramiz Alia nuk lejoi pluralizmin në gusht të 1990. Ai tregon se si Berisha donte ta çonte për botim te gazeta “Drita”, por që nuk ia pranoi kryeredaktori i asaj kohe, Bardhyl Londo. Më pas përmend edhe faktin se shkrimin e ka firmosur i gjithë aparati i censurës në gazetën “Bashkimi”, pikërisht gazetë që bënte propagandën e partisë në pushtet. Sakajeva tregon më pas për presionit që iu bë nga ana e Sofokli Lazrit, vendimi gojor për t’u shkarkuar, i cili nuk u ekzekutua. I pyetur nëse shkrimi ishte i porositur, siç flitej atëherë, por siç ka edhe zëra tani, Sakajeva e hedh poshtë këtë tezë duke thënë se shkrimin e kishte porositur ai si kryeredaktor dhe askush tjetër.
Zoti Sakajeva, ju ishit kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” në kohën kur më 17 shtator 1990, doktor Sali Berisha botoi një shkrim, që u konsiderua si armiqësor. Cila ishte pikënisja e këtij shkrimi?
Unë me Berishën ishim miq. Kisha vetëm dy muaj e pak ditë që isha emëruar si kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”. Berisha vinte shpesh në gazetë. Njëra prej ardhjeve të tij në gazetë qe ndryshe. Nuk ishte në mbrëmje, si zakonisht. Mbërriti pak pas mesdite. Saktësisht në orën 14:00 të 9 gushtit. Bënte zheg i padurueshëm. Duke fshirë fytyrën me shami, tha se kishte marrë një ftesë për takimin që do të bënte Ramiz Alia të nesërmen, më 10 gusht 1990. Kur mësoi se kisha të njëjtën ftesë, lamë kohën për të shkuar së bashku në Pallatin e Kongreseve. Gjatë dy pjesëve të takimit, ndenjëm bashkë, në karrige ngjitur. Qëndrimi i tij kurajoz i spikatur përballë Ramiz Alisë, bëri përshtypje të madhe aty brenda, por jashtëzakonisht më shumë më pas, ndër njerëz përkrahës dhe kundërshtarë. Por dolëm me një zhgënjim të madh. Pluralizmi nuk u lejua. Frikë edhe më e thellë mbuloi vendin. Njëherë, së bashku me shkrimtarin Zija Çela e shtymë Berishën të shkruante ndonjë artikull. Tek u ndamë afër rrugës “Fortuzi”, ai premtoi se “do të mendohem për të botuar diçka te ‘Bashkimi’”.
Dhe kur erdhi shkrimi?
Nuk kaloi shumë kohë nga kjo bisedë dhe ra zilja e telefonit, aty rreth orës 19.00. “Po të flas nga shtëpia”, njoha zërin e Berishës. “Artikullin e kam përfunduar. Eja pimë një kafe dhe ndërkohë e lexojmë.” E kishte shkruar me dorë, me kaligrafinë e tij tmerrësisht të vështirë. Për këtë arsye e lexoi vetë. Zgjata dorën ta merrja. Saliu e tërhoqi nga vetja duke buzëqeshur. “Do ta botoj në gazetën “Drita”. Arsyet do t’i shpjegoj. Nuk njihem mirë me Bardhyl London, kryeredaktorin. A na organizon një takim, të tre së bashku?”, më tha. E kundërshtova duke i thënë se artikullin e kisha porositur unë. Ai u përgjigj se “unë kam stetoskop. Atë nuk ma heq dot askush. Ti ke vetëm laps, ta marrin e ta thyejnë”.
Pra fillimisht, ideja e Berishës ishte që shkrimi të botohej në gazetën “Drita”. A u takuat me London dhe cili ishte qëndrimi i tij?
Po me arsyetimin e tij se publikimi i artikullit në “Drita” do të ishte më mirë, sepse gazeta u përkiste kryesisht rretheve intelektuale dhe ai donte t’u drejtohej pikërisht atyre. Atë ditë të 14 shtatorit 1990, e premte ora 18.00, unë, Londo dhe Berisha zumë vend në kolltuqet në thellësi të sallës së madhe të kafeterisë së ‘15-katëshit’. Bardhyli bëri disa vërejtje zbutëse. Po aq papritur foli pa mëdyshje: “Unë nuk mund ta botoj”. Atëherë u ndamë që brenda në sallë. Duke zbritur shkallët, Berisha e dha artikullin në variantin pa asnjë vërejtje, me titull “Demokracia dhe humanizmi – binom i pandarë”.
Ju vendosët ta botonit pasi nuk e pranoi gazeta “Drita”...
Vendosa ta botoj të hënën, më 17 shtator 1990. “Bashkimi” ishte e vetmja gazetë, bashkë me “Sporti Popullor”, që dilnin ditën e parë të javës. Mendja më shkonte për atë ditë, që edhe të lehtësoheshin mundësitë e ndonjë ndërhyrjeje të fortë zyrtare për ta ndaluar.
Ky shkrim, a kaloi nëpër gjithë stafin e redaksisë, pasi dihet se gazeta të tilla si “Bashkimi” kishin censurë të rreptë?
Pasi kisha firmosur mbi fletën-dokument të redaksisë, që i bashkëngjitej çdo shkrimi ose lajmi, para se të zbriteshin në shtypshkronjë, por që më së shumti kishin vlerën e miratimit politik të përmbajtjes në përputhje me vijën e partisë dhe të marrjes së përgjegjësive me emra konkretë sipas hierarkisë në ngjitje-autor, përgjegjës sektori, sekretar kolegjiumi, zëvendëskryeredaktor dhe redaktor, i thashë shefit të sektorit përkatës Pëllumb Bataj që ta lexonte. Ai i futi fletës shoqëruese një firmë tepër të madhe: “A e ka shkruar Saliu? Dakord, jam me të dy duart!”. E lexoi dhe e firmosi në mënyrë korrekte edhe sekretaria e kolegjiumit Luçije Doçi, duke u shprehur: “Është artikull i mirë”. Vonë në mbrëmje, kur faqet e korrekturës u sollën mbi tavolinë, erdhi edhe Berisha. Ai bëri një lexim të fundit, të vëmendshëm, për të mos kaluar ndonjë paqartësi, gabime shkronjash ose ngatërrime radhësh.
Cilat ishin reagimet e para?
E hëna ishte ditë pushimi për gazetarët e “Bashkimit” dhe unë çdo të hënë më vajzën e vogël Pranvera shkoja me biçikletë në një shëtitje rreth e rrotull Parkut të Madh. Familjes i thashë se kush të më marrë në telefon, nuk jam në shtëpi, të martën do të jem në ora 08.00 në zyrë. Të martën, që pa hapur derën dëgjoja zilen e telefonit që binte pa pushim. Kur kapa telefonin, në anën tjetër njoha zërin e Petro Latit, instruktor në drejtorinë e Shtypit të KQ të Partisë. Ai më njoftoi, me fjalë rreptësisht të numëruara që, “Sot në ora 9, duhet të vish në zyrën e Profesorit”. E mbylli telefonin, për t’i rënë sërish: “Ti e di që profesori është shoku Sofokli Lazri?!”
Çfarë ju tha Sofokli Lazri për shkrimin?
Për së pari dhe për së fundi, gjendesha aty, aq pranë dhe përballë njeriut me pushtet të fuqishëm. Nisi të flasë ngadalë, pa vështruar në sy. Shikimin e treste përtej dritares që për dekor kishte vilën e re dhe të vjetër të Enver Hoxhës. Më pas e uli shikimin në tavolinën e gjatë të punës. Mbi të, përpara vetes, mbante të hapur plotësisht dy faqet e brendshme të gazetës “Bashkimi”. Dalloheshin nënvizimet nervoze që ishin bërë në gazetë. “Si kryeredaktor, duke botuar këtë artikull të Sali Berishës, ke bërë gabimin më të rëndë, në gjithë historinë e shtypit shqiptar të pas Luftës Nacionalçlirimtare. Qysh atëherë e deri dje, ky mbetet artikulli më armiqësor në shtypin e partisë”, më tha. Mori stilolapsin dhe u ndal në paragrafin e dytë, pikërisht aty ku përmendet Kosova. “Kjo është një tezë amerikane, ata na thonë ndryshoni sistemin, t’u përkrahim për Kosovën. Saliu, me këtë paragraf kërkon të bëjmë çfarë duan të Uashington. Keni pasur udhëzim të prerë që, edhe për të përmendur emrin Kosovë diku, të mos e botoni pa na pyetur ne këtu. Ndërsa në artikull, shpëtimi i Kosovës kushtëzohet me sakrifikimin e sistemit socialist në Shqipëri. Ju duhet ta dini, në mos duhet ta kishit mësuar se, Berisha ka stetoskopin dhe le ta mbajë mirë se, po u vdesin njerëzit nëpër spitale. Politikën e madhe e bëjmë vetëm ne këtu, në këtë ndërtesë që quhet Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë. Të thirra për t’i thënë këto në emër të Ramizit dhe timin. Si masë do të jetë shkarkimi si kryeredaktor.
Dhe, a u shkarkuat më pas si kryeredaktor?
Në fakt shkresa e shkarkimit nuk po vinte. As telefonatë nuk pati, për të bërë ekzekutimin e asaj që u paratha. Ndoshta menduan më ftohtë se heqja e kryeredaktorit, kur në detyrë kisha veç dy muaj, do ta stërzmadhonte përsëdyti jehonën e artikullit që, edhe ashtu ende nuk kishte mejt.
Zoti Sakajeva thuhet, por që nuk ka fakte, se shkrimi i Berishës ishte i porositur?
Nuk është e vërtetë. Shkrimin ia kam kërkuar unë. Shkrimi i Berishës ishte kurajoz dhe nuk vinte spontanisht, ishte shkrim i menduar. Berisha i tha mendimet e tij edhe në mbledhjen e intelektualëve, atje ai i tha gjërat me kurajë. Pas kësaj mbledhjeje pasoi një depresion i madh në Shqipëri, sepse Ramiz Alia u përpoq të sillej sikur intelektualët nuk i dhanë mbështetje për pluralizmin. Por në të vërtetë, ai erdhi atje për të mos e lejuar pluralizmin dhe në këto rrethana mendimet vlonin edhe më shumë. Berisha ishte i përgatitur për një artikull të tillë. Ai ishte krejtësisht i vetëdijshëm çfarë duhej të thoshte dhe pse duhej të fliste.

No comments:

Post a Comment