Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Wednesday, November 10, 2010

Interviste me Ylli Popen

Ekskluzive/ Akademiku tregon peripecitë për artikullin e botuar në prill ‘90

Ylli Popa: Ramiz Alia urdhëroi
përgjimin tim nga Sigurimi i Shtetit

“Kemi mbetur mbrapa se nuk ditëm të ngriheshim në kohë”
Gilmana Bushati


Në një intervistë ekskluzive për “Gazetën Shqiptare”, akademiku Ylli Popa, flet për shkrimin “Në kërkim të kohës së humbur” botuar më 27-28 prill 1990. Ai tregon sesi në Shqipëri, pas vdekjes së Enver Hoxhës, në 1985 njerëzit kërkonin ndryshime nga drejtuesi i ri i shtetit, Ramiz Alia. Por, ai nuk po i bënte këto ndryshime dhe siç ka treguar historia, gjithnjë shqiptarët janë të vonuar në përcaktimin e të ardhmes së tyre. Profesor Popa pohon se, Teodor Keko i kishte kërkuar një shkrim për gazetën “Drita”, por pasi e kishte lexuar, ai i kishte sugjeruar ta botonte te gazeta e Partisë së Punës, “Zëri i Popullit”. Popa më pas tregon për peripecitë që e ndoqën pas botimit të artikullit të prillit 1990.


Zoti Popa, në fund të prillit 1990, ju botuat një shkrim te gazeta “Zëri i Popullit” me titullin “Në kërkim të kohës së humbur”, që është titull i romanit të Prustit që atëherë konsiderohej si i ndaluar....
Situata ishte e tillë, që ne humbëm shumë kohë, vendi kishte marrë një drejtim tjetër nga ai që i duhej. E mora titullin nga romani i Prustit, që e kisha në shtëpi, pasi m’u duk i përshtatshëm për shkrimin ashtu dhe për situatën në vend.
Një shkrim i tillë duhet të ketë qenë problem për ju, por edhe familjen tuaj apo jo?
Unë pasi e shkrova, pra i dhashë dorën e fundit, të parët që e lexuan ishte familja ime. Këta i pyeta nëse duhej apo jo ta çoja për botim, pasi artikulli kishte rrezikun e vet. Këta më thanë po, prandaj e dërgova për botim.
Pas shkrimit u fol shumë që artikullin nuk e kishit shkruar ju, por Ramiz Alia?
Po, pati të tilla fjalë dhe thashetheme pas artikullit se njerëzit u habitën pse një artikull aq i fortë të dilte në atë mënyrë, dhe për më tepër i shkruar nga një doktor dhe jo nga një gazetar. Shumë njerëz u çuditën kur lexuan atë artikull saqë thoshin që s’është shkrimi im, por i Ramiz Alisë, sikur ai po përdorte emrin tim, që isha edhe i njohur në shumë rrethe. Pati xhelozi, njerëzit thoshin si të dalë ky kur kishte mjaft të tjerë para meje që mendonin si unë.
Ju thoni se rrethet akademike, por edhe shoqëria ziente nga kërkesa nën zë për ndryshime...
Idenë e ndryshimit e kishin dhënë edhe të tjerë që thoshin se pse nuk po ndodhte ndryshimi. Madje aq shumë bisedohej për këtë gjë, sa Ramiz Alia fitoi shumë pikë, sepse njerëzit e mendonin si njeriu që do të bënte këtë ndryshim që pritej. Ky e filloi vonë drejtimin e shtetit, por ndryshimet nuk po ndodhnin, që kërkoheshin edhe nga njerëzit që kishin luftuar. Ngaqë isha doktor unë bëja vizita nëpër shtëpi dhe pasi i vizitoja njerëzit bënim biseda. Njëherë vizitoja Andon Gjermenin, pasi e kisha mbaruar vizitën, po pinim një kafe që na e kishte shërbyer bashkëshortja. Gjatë bisedës ai më tha: “Çfarë bën ky Ramizi, pse nuk po lëviz (ai vetë kishte qenë partizan), nëse ka frikë le të dalë e të na i thotë hapur në televizion ‘dua ndryshime, por ka pengesa’.” Ai kishte parasysh Nexhmijen. “Edhe ne që kemi luftuar jemi të gatshëm të dalim sërish të luftojmë. Të na e thotë hapur e shqip”. Por në fakt nuk ndodhi asgjë. Pastaj edhe loja që u bë me lëvizjen studentore u manipulua.
Ju i kërkonit një regjimi të ndryshonte, a mund të ndryshonte në vetveten regjimi?
Komunizmi, në të gjitha vendet e Lindjes ka qenë i ashpër, te ne ka qenë i egër. Kryetarët e Komiteteve Qendrore dhe anëtarët e byrove politike në të gjithë vendet e Lindjes i ngjanin njeri-tjetrit, kështu dhe sjellja e komunizmit me shoqërinë do të ishte e njëjtë. Në 1948, kur isha në Rumani për studime, fakulteti na lejonte që të përdornim kockat e njerëzve për studime anatomike. Unë bëja rrugën në këmbë nga fakulteti deri te konvikti. Njëherë ndërsa e bëja këtë rrugë, së bashku me çantën e kockave, në një rrugë pranë fakultetit, rrugë plot vila ku jetonin profesorët, një rrugë e bukur plot bli, e cila mbante një erë të mirë, ishin mbledhur shumë njerëz. U afrova dhe pashë një të vdekur në rrugë dhe një heshtje e madhe. Dikush më tha se ishte pushkatuar nga regjimi dhe se e kishin lënë në rrugë. Mbaj mend se në të gjitha sheshet e Bukureshtit kishte të ekzekutuar. Dhe kjo ndodhte pikërisht në kohën e Gjeorgjodeshit, i cili shihej si një diktator më i butë.
Shumë nga këto regjime ishin shumë të egër, edhe andej kishte të persekutuar, të internuar, të burgosur, të vrarë, kampe pune. Në Shqipëri ekzistonte këneta e Maliqit, ku dërgoheshin të burgosurit për të tharë, një vend i tillë i ngjashëm quhej Delta e Danubit, pikërisht në vendin ku Danubi derdhet në Detin e Zi. Regjimi i atjeshëm donte ta dominonte këtë deltë që të mos kishte përmbytje dhe atje i çonin të punonin të burgosurit, që disa vdisnin atje në punë, disa sëmureshin e kështu me radhë.
Edhe krerët e partive në vendet e Lindjes donin të vepronin sipas ligjit të tyre, ato duhet të ishin të gjithë njëlloj, se përndryshe i hiqte apo i largonte Rusia, pasi influenca e saj ishte shumë e fortë. Nëse këta krerë nuk zbatonin politikën e saj, largoheshin nga skena politike. Te ne ishte edhe më i egër, pasi në 1967 u ndalua edhe feja. Në Rumani feja nuk u ndalua, por në seminaret fetare sigurimi i shtetit kishte vënë të gjithë njerëzit e tij, në mënyrë që të kontrollonte edhe besimin. Vija e përgjithshme e këtyre regjimeve ishte egërsia. Po t’i hedhim një sy kundër revolucionit në Hungari, shtypja atje ka qenë tejet e fortë dhe e ashpër. Perëndimi nuk po reagonte pas protestave të hungarezëve, prandaj ndërhynë trupat ruse. Unë e dëgjoja këtë nga një radio e vogël në një stacion italian. E dëgjoja ndërsa komentatori fliste në radio “ja po hynë tanket sovjetike”. Rusët bënë masakër në Hungari, ata i merrnin njerëzit dhe i pushkatonin dhe trupat e njerëzve i lidhnin pas makinave, që i merrnin me vete përgjatë gjithë rrugës. Unë isha në Budapest për të dërguar pacientë për dializë. Kishte pak kohë që kishte shtypur kundërrevolucioni, në fakt ai kishte qenë revolucion. Afër klinikës ku bëhej dializa bisedova me njerëz që kishin qenë dëshmitarë të ngjarjeve të tmerrshme. Në rrugën “Yle Ut” kishte një Kishë dhe kur hynë sovjetikët me tanke, njerëzit u futën në kishë për t’u strehuar. Rusët i kanë nxjerrë nga kisha dhe i kanë pushkatuar që të gjithë dhe më pas tanket kanë kaluar disa herë mbi trupat e njerëzve deri sa sheshi është mbushur më gjak dhe njerëz të copëtuar. Këtë ngjarje ma tregoi dhe Ahmet Kamberi, që më pas u bë dhe ministër Shëndetësie. Me këto shembuj dua të them se regjimet e tilla i ngjanin njëri-tjetrit për nga egërsia.
Me këtë doni të tregoni se historia e shqiptarëve është rrjedhojë e zhvillimeve në vendet e tjera të Lindjes?
Nëse hedh kokën prapa, historia jonë është një histori e vonesës në veprim. Shqiptarët kanë kontribuar për të gjithë, por nuk kanë menduar të veprojnë në fillim për veten. Më kujtohet historia e perandorisë otomane. Shqiptarët në vitet 1823 në Greqi dhanë një kontribut të madh në fitoren e pavarësisë së saj. Ka pasur shumë shqiptarë nga Janina dhe Selaniku që morën pjesë në revoltat kundër perandorisë osmane dhe në parlamentin e parë që doli pas fitores së pavarësisë deputetët shqiptarët ishin pothuaj po aq sa edhe deputetët grekë. Këtë ndihmë nuk e dhanë për veten e tyre, por për të tjerët. Angazhim dhe kontribut shqiptarët kanë pasur edhe në fitoren e pavarësisë së vendeve të tjera, si në Bullgari, Serbi, Greqi, dhe kur të gjithë këta fituan pavarësinë dhe morën tokën e tyre, dolën që kishin pretendime edhe për tokat e tjera, për tokën e shqiptarëve, se ne ende ishim nën sundimin osman. Ne ishim të vonuar prandaj jemi në këtë gjendje. Kemi mbetur mbrapa të tjerëve edhe sepse nuk ditëm të ngriheshim në kohën e duhur.
Dhe kush ua kërkoi shkrimin?
Ramizi po e zgjaste këtë punë, ai kishte ndërmarrë reforma siç ishin tokëzat dhe tufëzat me dhi e dhen (që i ngriti vetëm me bagëti meshkuj se nuk donte që të shtoheshin). Në këtë kohë përballë “Berlinit” mblidheshin intelektualët për të pirë kafe. Takohem atje me shkrimtarin Teodor Kekon, një nga drejtuesit e “Dritës”, ia njihja të ëmën Xhanfize Kekon. Ai më thotë “na shkruaj ndonjë shkrim për te gazeta”. Iu përgjigja se kam filluar të shkruaj dhe s’besoj se do t’i interesonte atij. Por, ai erdhi në shtëpi dhe e mori ta lexonte shkrimin. Pasi mbaroi vuri duart në kokë, dukej i tronditur. Më tha se “shkrimi është një bombë”. Pastaj më tha që shkrimin duhej ta çoja te “Zëri i Popullit” pasi ka më shumë tirazh dhe do ta lexonin më shumë njerëz se sa te gazeta “Drita”. E çova te Marash Hajati, atëherë kryeredaktor i kësaj gazete. E lexoi i gjithë stafi, i cili e pëlqeu shkrimin. Dikush më thoshte, sikur të bënin ndonjë ndryshim, në mënyrë që ta zbusja. Ose kishte nga ata që këmbëngulnin që ta ndryshoja titullin, ose një tjetër që më pyeste “çfarë kohe ka humbur partia”. Unë nuk i ndryshova asgjë. U thashë, nëse do të bëni ndonjë ndryshim do t’ju padis për ndryshimet e bëra. Edhe Marashi e pëlqeu, por para se ta botonte i thashë se, nëse ke frikë, ma thuaj. Ai s’kishte frikë, kështu që vendosi ta botojë. Por kur doli artikulli mora vesh vite më vonë se Marashin e kishin larguar nga vendi i punës dhe i kishin bërë vërejtje, pasi ishte shprehur se ishte dakord me përmbajtjen.
Po reagimet e para cilat ishin pas botimit të artikullit?
Artikulli doli në dy numra, më 27 dhe 28 prill 1990. Kishte kaluar një javë nga shkrimi dhe opinionet zienin gjithandej. Në atë kohë vazhdoja të isha shef klinike i kardiologjisë, shef katedre në fakultet dhe njëkohësisht edhe deputet. Isha në dhomën e punës në spital, kur bie dera dhe hyn një student i imi. E pyeta, “pse erdhe Petrit?” më thotë që s’kishte ardhur për veten, por për mua dhe artikullin. Ai më thotë pastaj, se artikulli kishte krijuar pakënaqësi dhe se ishte marrë një vendim që unë të ndiqesha këmba këmbës nga Sigurimi i Shtetit, të më përgjohej telefoni, të mësohej gjithçka për mua, kush hynte dhe kush dilte në shtëpinë time. E kuptoja që po thoshte të vërtetën se këto gjëra ai i dinte nga i ati. Unë bëra sikur nuk e kuptova, prandaj e pyeta se “çfarë kuptimi ka kjo”. Dhe ai ma shpjegoi sërish. Pasi iku mendova se unë, duke qenë deputet i Kuvendit Popullor duhej marrë një leje për të më ndjekur nga strukturat e shërbimit sekret. Deputet më kishte propozuar Enveri, për shkak se isha i afërt me të, me familjen, unë flija në shtëpinë e tij pasi ai kishte nevojë për shkak të krizave, edhe shtëpinë që më dhanë këtu, ma dhanë pikërisht që të isha afër tij. Nejse, unë gjithnjë mendoja se si ishte marrë leja për të më ndjekur, pasi një leje të tillë e lëshonte vetëm kryetari i Kuvendit, që në atë kohë ishte Ramiz Alia, i cili edhe mund të kishte dhënë aprovimin për këtë gjë.
Po ju u ankuat për një gjë të tillë?
Nuk kaloi shumë kohë nga lajmi që mora vesh dhe mendova me vete se nuk duhet të luaj më rolin e budallait, pra sikur nuk ka ndodhur asgjë. Prandaj i them Sihat Tozaj, atëherë sekretar i Kuvendit Popullor. Ai duhej ta dinte një gjë të tillë, pra nëse Ramizi e kishte marrë këtë vendim. Më pret Sihati në zyrë, ishte ditë me shi. Për të mos e nxjerrë burimin nga e kisha marrë lajmin, i them që kam gjetur në zyrë një letër anonime që më thotë se po ndiqesh nga sigurimi i shtetit. Ka kaluar një javë e pak që nga shkrimi, por a ekziston ende një rregull i tillë, që nëse një deputet ndiqet nga shërbimi sekret duhet marrë një vendim në Kuvend? Po, ai rregull ekziston dhe vendimi duhet të merret nga Ramiz Alia. (Unë atëherë e kisha pacient Ramizin, e kuroja për zemrën.) Ndërsa për letrën më thotë se “ndoshta është ndonjë shaka”. Atëherë i kthehem dhe i them “shoku Sihat dua që Ramiz Alia ta dijë që unë jam në dijeni që sigurimi po më ndjek dhe për këtë duhet një vendim. Unë dua të di se Ramizi e di këtë punë që është bërë apo jo me pëlqimin e tij. Sihati më tha se do t’ia transmetonte këto vetë Ramizit. Kaloi sërish një javë dhe e marr sërish në telefon Sihatin, i cili më kërkoi në zyrë. Kur u takuam më tha që i kishte thënë Ramizit të gjitha fjalët e mia, por ai nuk kishte kthyer asnjë përgjigje. “Si, nuk tha asnjë fjalë?”. “Po, - m’u përgjigj – më dëgjoi me vëmendje dhe nuk tha asnjë fjalë. Ai e ka dhënë urdhërin që të ndjekin.
A kishte reagime të tjera sa i takon artikullit?
Po, kishte reagime, që unë i mësova më vonë. Një ministre e jona, pas takimit me popullin në Gjirokastër, në bashkëbisedimin që kishte me pjesmarrësit, e pyesin “si është puna me atë artikullin?”. Kjo i përgjigjet “I kam thënë shoqes Nexhmije se kot e mbani atë aty, se ai ka të shoqen rumune, janë revizionistë.” Edhe Ramizi ka folur për shkrimin në takime të tilla, si në Korçë dhe Gjirokastër. Kur e pyesin për artikullin, ai thotë “ai artikull është për këtu”, duke futur dorën nën tavolinë e duke drejtuar një copë letër në koshin e plehrave.
A mundet një njeri, që nuk ka shkruar më parë, të bëjë një artikull të tillë, sa të shqetësojë të gjithë byronë?
Jo nuk është e vërtetë. Unë kam një shkrim tjetër në 1988, po si doktor. Në stafin e mjekëve kishte nga ata që shkruanin herë pas herë, Saliu e të tjerë. Ndërsa shkrimi i 1988 erdhi krejt ndryshe. Na u kërkua me patjetër të bënim analizën e klinikave, kur një gjë e tillë ishte bërë njëherë. Na mbledh drejtori i spitalit Luftulla Peza dhe na thotë që çdo shef duhej të bënte analizën e klinikës së vet dhe se në këtë analizë do të vinte kryetari i rajonit 1 dhe më vonë u njoftuam se do të vinte dhe anëtari i byrosë politike Manush Myftiu, për këtë ai më merr në telefon. Unë nuk pranova, por ai nguli këmbë. Atëherë gjatë gjithë natës e shkrova artikullin për kardiologjinë dhe disa gjëra të tjera. Më vunë në tribunë dhe lexova artikullin që kisha shkruar. U bë një pushim dhe pasi u mblodhën pas pushimit të gjithë më thanë se analiza ishte e mirë. Ideja e atij shkrimi ishte se politika mban afër njerëzit me partishmëri dhe jo të aftët. Dikush më tha se do të bëja shumë armiq me këtë ide që kisha hedhur. I thashë “mos u shqetëso se me këtë artikull të aftët do të kënaqen, ndërsa të paaftët s’do ta kuptojnë që janë të paaftë”. Aty ishte gazetari Musa Ulqini, ishte i ri atëherë dhe punonte te “Zëri i Popullit”. M’u lut që t’ia jepja artikullin për botim dhe ia dhashë. Pasi u botua m’u kërkua që ta përkthenin në anglisht dhe shqip, që të botohej në “Albanie Nouvelle”, sepse thoshin që edhe të huajt duhet ta marrin vesh se çfarë ndodh këtu. Artikulli u përkthye dhe u botua. Për artikullin më thirri në Komitetin Qendror Jani Polena, dhe më përgëzoi. Pas shkrimit të 1988 më bënë Hero të Punës Socialiste dhe më dhanë dhe Yllin e Kuq.

No comments:

Post a Comment