Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Friday, December 3, 2010

Interviste me Arben Sulon

Flet një nga aktivistët e dhjetorit ’90, për studentët dhe për PD-në

Sulo: “Ja pse i lashë vendin tim Pandeli Majkos në takimin me Ramizin”


“Pas zhgënjimit nga partia në ’91 vendosa të rri në Itali”


Studenti i dhjetorit 1990, Arben Sulo, rrëfen historinë e angazhimit të tij në lëvizjen e atij viti, që do të sillte ndryshimin e rendit shoqëror në Shqipëri. Këtë rrëfim ai e bën për herë të parë dhe duket i zhgënjyer nga zhvillimet e mëvonshme në skenën politike. Sulo flet për datën 8 dhjetor, si u arrestua ai dhe dy të tjerë. Ai shprehet se si u vendos që të rezistohej më datën 9 dhjetor dhe kush ishin të parët profesorë dhe intelektualë që dhanë mbështetjen e parë ndaj studentëve dhe protestës së tyre. Sulo jep detajin se në zgjedhjet e studentëve për të shkuar te Ramiz Alia, ai i la vendin Pandeli Majkos, edhe pse nuk ishte i degës së tyre dhe se për këtë zgjedhje ai është penduar më vonë se Majko nuk e hapi gojën në takimin e datës 11 dhjetor 1990.
Çfarë është letra e hapur që ju studentët ia dërguat kryeministrit Adil Çarçani në fund të vitit 1990, pikërisht pak para fillimit të protestave?
Një lëvizje e rëndësishme që u bë prej fakultetit tonë ishte letra e hapur drejtuar ish-kryeministrit Adil Çarçanit në fillim të vitit shkollor. Në atë letër u bënë kërkesa për përmirësimin e jetesës e në të njëjtën kohë edhe për demokratizimin e jetës në shkollë. Se kush e hodhi idenë fillestare të asaj letre nuk jam shumë i sigurt, por mendoj se atë ide na e solli Pandeli Majko, i cili në atë kohë ishte sekretar i rinisë së fakultetit. Ajo u shkrua në bashkëpunim me studentët e kursit të 5-të të Inxhinierisë Elektrike. Kjo letër bëri bujë dhe vuri në lëvizje strukturat qeveritare e partiake të asaj kohe. Disa ditë para festave të 28-29 nëntorit ’90 arrita të realizoj një grevë të pjesshme të fakultetit të Inxhinierisë Elektrike, me kurset II, IV, V në shenjë proteste për mosrealizimin e kushteve të nevojshme të banimit të studenteve. Ishte greva e parë e këtij lloji në universitet. Më 8 dhjetor ’90 pasdite organizova një mbledhje me studentët e godinës së Inxhinierisë Elektrike-Elektronike ku informuam studentët se nuk na ishin plotësuar kushtet. Ngjarjet precipituan më shpejt nga sa mendoheshin duke arritur kulmin po atë natë, 8 dhjetor 1990, me demonstratën e studentëve, ku sërish dega jonë është mjaft aktive.
Më 8 dhjetor në darkë u protestua nga studentët, gjë që solli tani takimin e parë me Ramiz Alinë, pra studentët nuk kërkonin me kryeministrin, por vetë presidentin, që të dëgjonte zërin e tyre. Çfarë mendonit se do të realizonit me këto lëvizje?
Nuk i kisha aspak idetë e qarta për sa i përket formës e ecurisë së protestës, ishte një manifestim spontan e jo i përgatitur, flas gjithmonë për vete. U ndodha pranë Azem Hajdarit kur hipi në një stol e tha pak a shumë këto fjalë se ‘kam një djalë, i cili nëse do të më vrasi, kur të rritet do të marrë hakun’. Pasi tha kështu, ai u bëri thirrje që të marshonim drejt qendrës e u vu në krye. Prej atij momenti kam qenë gjithmonë në krah të Azemit atë natë si dhe në demonstratën e datës 9 dhjetor, ku në krah kishim edhe Arben Likën. Por studentë të tjerë aktivë kishte mjaft si: Akli Fundo, Arjanit Nika, Alma Bendo, Abdyl Demirazi, Niko Kaçiroti, Moza Ferraj, Ilir Dizdari, Shpëtim Shkurti, Spiro Çurra, Tan Asllani, Pal Serreqi, Dritan Shtylla, Agim Hasa, Renato Ndrecka, Ilirjan Peço e shumë të tjerë.
Kë mbani mend gjatë kësaj proteste?
Më kujtohet që erdhi Skënder Gjinushi, që ishte ministër i Arsimit dhe Lisien Bashkurti, sekretari i parë i rinisë. Ata kishin ardhur për të na bindur që të ktheheshim. Më kujtohet një episod ku Alma Bendo, një vajzë nga Vlora, e cila kishte ardhur në protestë, ashtu siç kishte qenë në dhomë, me pizhame dhe ju drejtua ashpër Gjinushit duke i thënë “ik ore qen”. Erdhi edhe Piro Kondi që ishte sekretari i PPSH-së për Tiranën. Mbaj mend që atje filluan të këndonin këngë patriotike si “Për mëmëdhenë”.
Klima te protesta bëhej më e nxehtë, pasi studentët hidhnin parulla të ndryshme. Më vonë erdhi Hekuran Isai, ministri i Brendshëm, me një makine tip “fuoristrade” të bardhë. Ai erdhi nga rrugica që vinte nga ambasada italiane e u ndal. Isai doli nga makina aty ku ishte grupi i studentëve dhe i policëve, pikërisht në vendin ku takohen rrugët që të çojnë te Qyteti Studenti. Ai filloi të fliste me ne për të na bindur që të ktheheshim. Kur fliste ministri, një nga studentët hodhi parullën “poshtë burokratët” e pas asaj parulle turma iu shkëput Hekuran Isait dhe vazhdoi marshimin deri tek radha e dytë e sampistëve me mburoja, që gjendej në vendin ku bashkohet rruga që të çon në Qytet Studenti dhe ajo që të çon drejt Liceut Artistik.
Si u arrit që ju të takonit Ramiz Alinë?
Pasi na ndaluan e nuk ia dolën që të na kthenin mbrapsht, komunikuan me Ramiz Alinë. Ai ra dakord të takonte një përfaqësi tonën. Ishte ora rreth 23:00 - 24:00. U caktuan 13 studentë prej më aktivëve që të shkonin e të takonin Presidentin. Takimi u caktua të bëhej te korpusi qendror i Universitetit. Emrat që mbaj mend unë ishin: Azem Hajdari, Arben Lika, Arjanit Nika, një Shpëtim, Tan Asllani e disa të tjerë. Azemi u tha studentëve që të prisnin aty e nëse nuk ktheheshim brenda treçerek ore apo brenda një ore do të thoshte që na kishin arrestuar. U nisëm prej kthesës që të çonte drejt Liceut Artistik e shkuam në këmbë drejt godinës së Korpusit Qendror. Gjatë asaj rruge ishin të radhitur trupat e zgjedhur të policëve e sampistëve që na shihnin e i shihnim. Ne mendonim se nga një moment në tjetrin mund edhe të na arrestonin. Arritëm atje e na çuan në sallën 209 të fakultetit të inxhinierisë Mekanike-Elektrike. Atje fillimisht erdhi Xhelil Gjoni, na pyeti për diçka e iu përgjigjëm se donim të takonim vetëm presidentin. Ai na u përgjigj se ‘shoku Ramiz po vinte’. Kur erdhi Ramizi më kujtohet që u ul përballë nesh, e dukej që nuk ishte shumë entuziast për atë takim në atë orë. Mbaj mend që i pari foli Azemi, e i tha që studentët donin të flisnin me të. Ramizi u përgjigj se kishte ardhur aty pikërisht për të folur me ne. Azemi iu përgjigj se ne si përfaqësi nuk kishim mandat të flisnim në emër të të gjithëve, prandaj ai duhej t’i takonte studentët. Alia tha që kishte takuar njëherë disa studentë për kërkesat ekonomike. Iu përgjigja unë, duke i thënë se ishte e vërtetë që kishte takuar studentë, por ata nuk kanë qenë të zgjedhur nga fakultetet apo nga masa e madhe e studentëve. Para se të iknim ai tha se ishte dakord që kësaj radhe t’i zgjidhnin vetë studentët përfaqësuesit e tyre. Takimi nuk zgjati shumë, mbaj mend që folën diçka edhe Arben Lika, Arjan Nika e ndoshta edhe të tjerë. Si përfundim u arrit në marrëveshje që ai do të takohej me një përfaqësi studentësh.
Edhe pse takuat Ramiz Alinë, ndaj jush u ushtrua dhunë me pretendimin e vjedhjes së një pistolete. A e kujtoni ju atë moment dhe ku përfunduat ju?
Pasi takimit u drejtuam në rrugën për te Qyteti Studenti ku kishte mbetur turma e studentëve që na priste. Kur mbërritëm atje u përpoqëm t’u shpjegonim studenteve se si kishim rënë dakord. Mbaj mend që Azemi mori një megafon e po u fliste studentëve. Ndërkohe ndodhi “incidenti” i vjedhjes së armës së një oficeri që gjendej në radhën e parë. Unë u gjenda shumë pranë kur ai tha ‘po më marrin pistoletën’. I thashë ‘ik prej aty se nuk ka nevojë t’i mbash studentët’. Jam i bindur se ishte një incident i sajuar, por ndërkohë u dha urdhri që të qëlloheshin studentët. Plasi dhuna e shkopinjtë e gomës kokës. Turma u spraps e filloi të tërhiqej e të shpërndahej. Unë e disa të tjerë meqenëse kishim ardhur nga poshtë, pra nga Liceu, pasi kishim përfunduar takimin me Ramizin u gjendëm shumë pranë ngjarjes, por në anën tjetër të gardhit. E “mira” ishte se në momentin e parë nuk morëm kokës shkopin e gomës, por e “keqja” ishte se u gjendëm në “çark” e mua e dy të tjerë na arrestuan. Mua më kapi një polic prej rripit të pantallonave nga mbrapa dhe më plasën brenda një furgoni, e njëjta gjë ndodhi edhe me dy të tjerët (më duket së njëri prej tyre ishte nga Pogradeci e tjetri nga Vlora, por emrat nuk i mbaj mend). Brenda makinës hynë policë të etur për të ushtruar dhunë.
Dhe a ushtruan dhunë ndaj jush?
Jo, se unë u thashë menjëherë se sapo kishim përfunduar një takim me Presidentin Alia, e se kishim lënë ta takonim sërish të nesërmen dhe se nëse do të ushtronin dhunë ndaj nesh ne do i referonim Presidentin se policia na kishte rrahur. Ata na pyetën pastaj ‘..takuat shokun Ramiz, e si ju priti?’, ‘shumë mirë’ iu përgjigja, ‘e na përqafoi në fund...’ Shpëtova nga shqelmat e grushtat që mund të haja. Që aty na çuan në rajonin numër 1 (pranë ministrisë së Jashtme), na morën gjeneralitetet e na lanë aty në një korridor në mos gaboj. Pas më shumë se një ore, na lëshuan pa na bërë asnjë pyetje. Shkuam drejt Qytetit Studenti dhe pashë që në sheshin e tij, sot sheshi “Demokracia”, ishin një grup studentësh, mes tyre ishte Azemi, Ben Lika e disa të tjerë që i njihja. Ata që më njihnin ishin bërë merak e Ben Lika më tha se i kishte bërtitur e bërë presion Hekuran Isait, për dhunën e arrestimet, të cilat binin ndesh me marrëveshjen e bërë me Ramiz Alinë. Ishte ftohtë, shumë prej studentëve ishin pa darkë, të rrahur e të fyer, por ama të gjithë ishin edhe më të vendosur se më përpara për ta vazhduar protestën. Mbaj mend që dikush lexoi një deklaratë të të Drejtave të Njeriut aty te shkallët e një mense. Ai grup ishte bërthama që mbajti gjallë flakën e asaj nate, i cili vendosi të bënte një manifestimin të madh paraditen e datës 9 dhjetor. Atë natë u zgjodh si kryetar i grupimit të studentëve Azem Hajdari. Rreth orës 02:00 - 03:00 u shpërndamë nëpër godina duke rënë dakord të takoheshim në orën 07:00 në mëngjes, për të vendosur se si do të vepronim.
Çfarë ndodhi më datën 9 dhjetor 1990?
Në mëngjes rreth orës 07:00 - 08.00 u mblodhëm në sheshin para mensave, sot sheshi “Demokracia”. Megjithëse ishte e diel, ishte ditë shkolle, pasi duhej zëvendësuar data 30 nëntor. Shumë studentë po shkonin për në shkollë, prandaj gjëja e parë që bëmë ishte ajo e kthimit mbrapa të studentëve që donin të shkonin në mësim. Po atë mëngjes u zgjodh një komision për të vendosur e koordinuar lëvizjet. Aty u tha që Azemi mos të rrinte në radhët e para dhe se duhej ruajtur, pasi ishte personi më i ekspozuar në këtë protestë. Rreth orës 10:00 filluam grumbullimin për të marshuar drejt Tiranës. Kur u nisëm nga Qyteti Studenti, diku më sipër bibliotekës së qytetit, Arben Lika më thotë: ‘... Ben futi krahun Azemit se duan ta vrasin...’ Ne dy Benat i qëndruam Azemit në të dy krahët. Pranë Liceut Artistik gjetëm gardhin e forcave speciale që na kishte prerë rrugën. Një oficer i veshur civil me një radio në dorë qe ishte në trotuarin nga ana a Liceut Artistik, u shkëput e erdhi drejt Azemit. Ai që më dukej se quhej Rremë, i bëri thirrje që të kthehej e seç i bëri një lidhje me çështjen e Kosovës. Morëm vesh se ishte një kushëri i afërt i Azemit. Azemi iu përgjigj se nuk kthehej mbrapa.
Kur filloi dhuna në këtë ditë?
Filloi pikërisht në momentin kur forcat e policisë nuk arritën që të na bindnin që të ktheheshim në Qytetin Studenti. Aty filloi dhuna dhe demonstrata u shpërnda. Shumë studentë u plagosën, njëri që mbaj mend që u gjakos ishte Agim Hasa, student i vitit të 5-të i Inxhinierisë Elektronike, e shumë të tjerë u arrestuan, si për shembull, Adi Petrollari.
Nga data 9 dhjetor deri më 10 dhjetor u krijua një vakum i plotë. Nga ngjarjet e bujshme të së dielës më 9, nuk po ndodhte asgjë në datën 10, madje ju mungonte edhe mbështetja. Kur erdhi ajo dhe kush ishin të parët që ju mbështetën?
Po e filloj nga fundi i pyetjes, në mbështetje tonë erdhi në mëngjesin e 9 dhjetorit Gramoz Pashko. Ai takoi disa studentë të tij të tjerë. Menjëherë pas shpërndarjes së demonstratës në drekë të po kësaj date ka ardhur në Qytetin Studenti, Sali Berisha së bashku me Kujtim Çashkun e Besnik Mustafajn. Ndërsa në datën 10 dhjetor erdhi Arben Imami, i cili ishte pedagog te artet. Imami u foli studentëve në një mensë ku ishin grumbulluar, ndërkohë u afruan me ne edhe shumë pedagogë, në mënyrë direkte ose indirekte. Pas demonstratës, pasditen e 9 dhjetorit studentët u mblodhën përsëri ku u zgjodh një komision për të hartuar kërkesat e studentëve. Në mëngjesin e datës 10 dhjetor erdhi fjala se Ramiz Alia do të takonte një përfaqësi të studentëve. U vendos që të zgjidhej një përfaqësi prej 50 studentësh, 5 për secilin fakultet. Kjo shifër u reduktua në 30 studentë, me kërkesë të Alisë. Ndërkohë Akli Fundo, Niko Kaçiroti dhe Tefalin Malëshyti po më 10 dhjetor u ngarkuan të shkruanin kërkesat tona në versionin përfundimtar të tyre.
Sa kërkesa ishin dhe çfarë përmbanin ato?
Ishin 11 kërkesa, ndër të cilat ngritja e një komisioni të përbashkët mes studentëve e mjekëve, për të hetuar mbi dhunën e dëmtimet e studentëve të plagosur; ndëshkimi i Hekuran Isait si përgjegjës direkt për dhunën si dhe të Lenka Çukos, e cila më duket se ishte shprehur ashpër kundër studentëve. Një kërkesë tjetër ishte të krijoheshin komisione të përbashkëta mes qeverisë e burimeve njerëzore më të mira të vendit, për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë ekonomike. Kërkesa e katërt, por më kryesorja ishte ajo e kërkimit të pluralizmit politik.
Si u zgjodhën studentët për të shkuar në takim me Ramiz Alinë?
Unë mora pjesë në zgjedhjet e fakultetit të Inxhinierisë Elektrike-Elektronike. U bënë zgjedhje shumë të rregullta e demokratike. Ideja e zgjedhjes së përfaqësuesve ishte të zgjidheshin njerëz të aftë si oratorë, që të mund të debatonin me Ramiz Alinë, që t’i kërkonin atij me ngulm pluralizmin politik e madje ta argumentonin këtë kërkesë. Edhe emri im doli bashkë me disa studentë të tjerë si kandidat për në atë takim. Me insistimin e Petrit Zeqirit, shokut tonë të fakultetit, i cili kishte kontribuar shumë në letrën e hapur drejtuar Çarçanit, ia lamë vendin Pandeli Majkos. Arsyeja ishte e thjeshtë, ai kishte hedhur idenë e letrës së hapur, prandaj donim që ai të na përfaqësonte në takimin me Ramizin dhe arsyeja tjetër ishte se Pandin nuk e kishin zgjedhur nga Inxhinieria Mekanike, ku bënte pjesë, e ngaqë donte me çdo kusht për të marrë pjesë në atë takim e zgjodhëm. Po në këtë mënyrë iu la vendi dhe Arben Demetit, një ish-profesorit tonë, i cili ishte ekspozuar shumë duke flakur teserën e PPSH-së. Më vonë jam penduar që nuk mora pjesë në atë takim kur dëgjova se si kishte shkuar biseda. Dikur i kam thënë Pand Majkos se ‘ta lirova vendin që të debatoje me Presidentin, kurse ti nuk u ndjeve fare’. Ai m’u përgjigj se ‘më frenoi Shinasi Rama që në fillim’.
Emri juaj gjendet në listën e themeluesve të Partisë Demokratike dhe ishit ndër ata që mblodhët firmat për zyrtarizimin e kësaj partie, si ia dolët t’i plotësonit formularët dhe a kishin frikë njerëzit?
Duheshin 300 firma për t’i depozituar pranë ministrisë së Drejtësisë e fillimisht nuk ishte aq e lehtë. Kishte edhe njerëz që kishin marrë pjesë apo që kishin përkrahur protestën tonë, por kur vinte puna të vinin firmat, apo numrin e pasaportës, tërhiqeshin me arsye nga më të ndryshmet. Arsyetimet e tyre ishin, se ‘jam simpatizant, por nuk më pëlqen të bëhem anëtar partie’. Besoj se ka edhe ndër ata që morën pjesë në takimin e dytë me Ramiz Alinë për të kërkuar pluralizmin, krijimin e një partie dhe nuk u anëtarësuan. Kam vënë re që mungojnë disa, që jam i sigurt që ishin sepse ua kam marrë firmat unë. I mbaj mend sepse ishin edhe të afërm të mi, si Alma Dajlani, firmën ia kam marrë së bashku me Dritan Koçiun, por emri i saj nuk gjendet
A morët pjesë në mbledhjen kur u zgjodh komisioni nismëtar për krijimin e Partisë Demokratike, si u bë zgjedhja e anëtarëve?
Dita e krijimit të Partisë Demokratike është 12 Dhjetori 1990. Atë ditë u mblodhën në shtëpinë e Gramoz Pashkos, vetë ai, Sali Berisha, Arben Imami, Genc Ruli, Aleksandër Meksi. Nga studentët ishin vetëm Azem Hajdari dhe Shinasi Rama. Atje ata përpunuan programin minimal të PD-së, të cilën erdhi dhe na e lexoi në Qytetin Studenti Imami, i cili dha dy alternativa të emrit të partisë, nga të cilat u zgjodh ndërmjet brohoritjeve të turmës emri i PD-së. Të nesërmen në datën 13 dhjetor u bë mbledhja për zgjedhjen e Komisionit Nismëtar të PD-së.
Cili është kontributi juaj në Partinë Demokratike?
Kontribut dhashë që me mbledhjen e firmave të nevojshme për legalizimin e PD-së. Më pas kam krijuar një seksion të PD-së të fakultetit të Inxhinierisë Elektrike-Elektronike, seksion i cili kishte mbi 100 anëtarë. Kam shkuar në Elbasan së bashku me Dritan Koçiun, që ishte nga ky qytet për të folur për PD-në dhe për programin e saj. Në qytetin e Lushnjes organizova një miting në mbështetje të partisë. Mora vesh se Azemi kishte folur me aktivistë të Lushnjes dhe kishte lënë një datë për mitingun pa u konsultuar me njeri, me atë euforinë e impulsivitetin që e karakterizonte. Unë isha anëtar i Komisionit Nismëtar dhe më kishin caktuar të merresha me qytetin e Lushnjes. Kur mora vesh këtë të Azemit u alarmova dhe e diskutova këtë çështje në komision. Fola me Sali Berishën, Gramoz Pashkon dhe me të tjerë duke i thënë që mitingu duhej të shtyhej. Por ata më thanë se tashmë njerëzit në Lushnje e dinin, kështu që më ngarkuan që të shkoja menjëherë në atë qytet që mitingu të organizohej. U nisa atë natë së bashku me Zenel Hoxhën, edhe ai anëtar i Komisionit Nismëtar. Ishim në një makinë të Vlorës, në të cilën udhëtonin një Afrim, Kreshnik Çipi e Alfred Zijai, të cilët kishin ardhur te PD-ja për përgatitjen e mitingut të Vlorës, i cili do të mbahej pas disa ditësh. Gjatë asaj nate u mblodhëm në shtëpinë e Kujtim Ginës e thirrëm gjithë ato njerëz që mendonim të na mbështesnin dhe që kishin influencë. Të nesërmen në mëngjes sa është hapur dega e punëve të Brendshme kemi marrë lejen e mitingut me insistim të madh e duke bërë presion, megjithëse ligji kërkonte që leja të merrej disa ditë më përpara. Pasdreke bëmë mitingun, i cili doli me sukses. Më pas kam marrë pjesë në krijimin e degës së PD-së së Lushnjes.
Cila ka qenë mirënjohja që keni marrë për këtë kontribut të dhënë në 1990 e në 1991 dhe si përfunduat në Itali?
Edhe pse ishim të rinj disa prej nesh treguan shumë aftësi edhe në fushën organizative dhe në pak kohë mund të bëheshim akoma edhe më të vlefshëm. Më vjen keq që këto aftësi u nënvleftësuan sidomos nga disa intelektualë të “shquar” që erdhën më vonë, të cilt jo vetëm që na spostuan, por edhe nuk dhanë asgjë për partinë. Ndërsa në Itali kam shkuar në prill të vitit 1991 e nga dhjetor-janari, për të cilët po flasim, pati edhe shumë zhvillime të tjera që nuk janë temë e kësaj interviste. Duke i përmendur shkurtimisht mund të them që në shkurt të ‘91 u bë lëvizja e dytë studentore, e cila kulmoi me grevën e urisë, e cila pati sukses. Në atë interval kohor në organizimin e PD-së, u kalua nga Komisioni Nismëtar në komitetin e ri drejtues, dhe në vendin tim e studentëve të tjerë u futën intelektualët Neritan Ceka, Shahin Kadare e disa të tjerë. U bënë zgjedhjet e para pluraliste, ndodhi masakra e Shkodrës më 2 prill, ku u vra miku jonë, studenti Arben Broci. Më 13 prill 1991 vajta në Itali me një grup studentësh të lëvizjes, nëpërmjet vizave që na siguroi Shinasi Rama në rrugë private. Aty, duke marrë parasysh faktin se universiteti ishte mbyllur, PD-ja po tregonte pak interesim për studentët e saj nismëtarë, zgjedhjet e marsit 1991 përfunduan me fitoren e PPSH-së dhe lufta e përpjekjet ia lanë vendin jetës parlamentare, e kështu vendosa të rri në Itali.
A ishit i ndërgjegjshëm atëherë se ngjarjet ku morët pjesë do të sillnin atë ndryshim që edhe sollën? A mendoni tani se ndonjë ngjarje ishte edhe e sajuar për të vënë në pah figura që s’kishin të bënin me Lëvizjen?
Në fillim të lëvizjes u përpoqa të kontribuoja për të ndryshuar diçka, pa imagjinuar deri në ç’masë do të ndryshonte. Për sa i përket pyetjes së dytë, nga analiza që i kam bërë unë dhe shumë shokë të mi ngjarjeve e shumë elementëve të tjerë, kam bindjen që pati edhe manipulime e ngjarje të përgatitura. Por megjithatë mendoj se lëvizja studentore nuk zbehet aspak, por është një faqe e ndritur në historinë moderne të popullit tonë. Është për të ardhur keq që në tekstet e historisë injorohet e kujtohet vetëm më 8 dhjetor.

No comments:

Post a Comment