Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Wednesday, December 8, 2010

Interviste me Aleksander Meksin

Meksi: Nuk mund të mbijetonte një parti e studentëve


Flet Aleksandër Meksi, një nga figurat kryesore të themelimit të Partisë Demokratike më 12 dhjetor 1990. Me librin që do të promovohet sot pasdite “Dokumente dhe materiale”, Meksi është përpjekje serioze për ta treguar historinë me anë të dokumenteve, jo sipas dëshirës së njërit apo tjetrit. Në intervistën për “Gazeta Shqiptare” ai tregon detaje se si u lidh me protestën e studentëve në Qytetin Studenti, pasi ai nuk ishte profesori i tyre, kush e ftoi në shtëpinë e Gramoz Pashkos për të dhënë kontribut në hartimin e programit të partisë. Ai tregon se çështja e emrit të partisë ishte pak problem, por sipas sugjerimit të tij, Parti Demokratike, do të ishte një parti më e fortë opozitare se sa parti e studentëve. Meksi tregon dhe për rolin e luajtur nga Ramiz Alia gjatë këtyre ditëve të ndryshimeve të mëdha politike dhe hedh poshtë tezën se ai kontribuoi në ardhjen e demokracisë në Shqipëri.
U publikua më në fund libri aq shumë i pritur nga ju, “Dokumente dhe materiale”, i cili është përgatitur nga ju. Cili është synimi i këtij libri?
Gjatë këtyre viteve kam mbledhur dokumente që lidhen me ngjarjet e dhjetorit 1990. Libri fillon me shpalljen e kërkesave të studentëve, në datën 10 dhjetor, me takimin e studentëve me Ramiz Alinë, me dokumentet që lidhen me këtë takim, shpalljet në publik, thirrjet e Ramiz Alisë drejtuar popullit shqiptar për unitet rreth partisë së tij dhe në vijim krijimin e komisionit nismëtar, krijimin e Partisë Demokratike, me mitingun e saj dhe fjalët që thuhen aty, programin e PD-së, statutin, kërkesat për t’u legalizuar, ligjin e legalizimit të partive, që janë shtojcat, listën e komisionit nismëtar dhe përfundon kjo pjesë me dy materiale, të cilat konsiderohen të rëndësishëm që janë; fjala e Ramiz Alisë në aparatin e Komitetit Qendror më 13 dhjetor 1990, pra menjëherë pas krijimit të PD-së. Po të dëgjohet regjistrimi, dëgjohet toni nervoz dhe përplasja e tavolinës herë pas here kur flet, mbledhja e presidiumit të Kuvendit Popullor më 22 shkurt 1991 për krijimin e Këshillit Presidencial dhe mbledhja e parë e Këshillit Presidencial. Në këtë mbledhje flitet për atë që ka ndodhur gjatë shkurtit, për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës dhe për qëndrimin si dhe formimin e qeverisë së re. Janë dokumente reale, të pakundërshtueshme, të cilët dëshmojnë këtë periudhë historike.
Libri ka dy grupe shtojcash, e para përbëhet nga disa materiale, si përbërja e qeverisë në dhjetor 1990, strukturat politike qeverisëse në prag të dhjetorit, Kuvendin Popullor, kryesinë e Frontit Demokratik, Komitetin Qendror të Partisë, ndryshimet që pësoi gjatë 1990, Komitetin Qendror të Bashkimit të Rinisë dhe të Punës. Në shtojcat e dyta janë ndryshimet e qeverisë e bëra nga dhjetori deri në shkurt, kandidatët për 31 mars të të gjitha partive, qeveritë që krijohen deri në ‘92, bashkë me qeverinë e këtij viti, ndryshimet që kanë pësuar ato, Këshillat Kombëtare të PD-së nga vitet 1991-1996, kryesinë dhe Komitetin Drejtues të PS-së në Kongresin e tyre të X, apo të I-n, kur mori emrin e ri si dhe listën e kandidatëve të PD-së për zgjedhjet e 1997. Këto shtojca na japin mundësi të njihemi me strukturat politike, të cilat ndikonin në qeverisjen e vendit, në luftën politike të grupimeve të ndryshme, pra cilët janë protagonistët e tyre dhe në përgjithësi me protagonistët e atyre ndodhive që nuk janë të parëndësishme në historinë e Shqipërisë.
Libri na jep mundësi që të gjykojmë realisht mbi historinë, të inkuadrojmë kujtimet tona, edhe ju keni botuar kujtime, ku mund të gjeni gabime datash, emrash, por me një strukturë të tillë botimi, siç është ky libër, gabimet kanë mundësi të përmirësohen nga vetë autorët e tyre për të qenë më konciz. Është një kontribut që jepet për të njohur më mirë lëvizjen studentore, kontributin e studentëve dhe të qytetarëve të Tiranës, në realizimin e pluralizmit në Shqipëri. Sepse po na thonë se pluralizmin e solli Ramiz Alia në 11 dhjetor, po të ishte kështu atëherë ne duhet të festojmë vitin 1946, ku ka dhe një dekret të Enver Hoxhës, me anë të të cilit lejohet pluralizmi. Por pluralizmi real u realizua më 12 dhjetor, pluralizmi ligjor u realizua më 17 dhjetor me dekretin për lejimin e partive. Them se është një kontribut për të gjithë ata që duan të merren me histori, përpara duhet të kenë faktet dhe dokumentet, pastaj konkluzionet dhe kujtimet, sepse disa ose nuk thonë të vërtetën ose thonë një pjesë të së vërtetës. Kjo nuk është aspak në ndihmë të historisë.

Ka një boshllëk në 1990-2010 lidhur me këto fakte. Pse?
Sepse ne, shqiptarët, kemi si temperament një vrull të madh për të ecur përpara, për të hipur në vaporë, për të kapërcyer detin, për të ikur pa viza, për t’u bërë menjëherë milionerë, për t’u bërë vetëm drejtues, dhe nuk kthejnë kokën prapa, ndaj ka dalë dhe formula që neve na vjen historia nga prapa.

Çfarë ju çoi të studentët në 1991, protesta e të cilëve solli dhe pluralizmin, pasi ju nuk ishit as profesori i tyre?
Nuk dija se çfarë kishte ndodhur në datat 8-9 dhjetor. Një komshiu ynë, polic, i cili rrinte karshi me mua në apartamentin në Laprakë, në darkën e datës 9, më tha që ‘shko shiko ç’ka ndodhur te studentët’ dhe jepeshin në film goditjet, demonstratat, e të gjitha, zbritja e tyre te ambasadat, etj. Kështu që morëm vesh se çfarë kishte ndodhur. Me datën 10 dhjetor, te Instituti i Monumenteve me shokët që qenë atje, filluam të kopjonin Kartën e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, meqenëse kjo ishte në kërkesat që studentët paraqitën. Kjo punë u bë në mënyrë që të shpërndahej dhe që njerëzit të merrnin vesh se çfarë quheshin të drejtat e njeriut në botë dhe çfarë shkeljesh flagrante dhe të dhunshme kishin bërë komunistët në Shqipëri.
Në datën 11 dhjetor në orën 18:00, meqenëse erdhi lajmi se studentët do të takoheshin me Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror, (pasi termi ‘president’ ishte shpikur në mënyrë që ai të ishte mbi të tjetër, por realisht ai ishte thjesht Sekretari i parë i PP-së dhe kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, terma që brezi i ri nuk i di më, kam shkuar në Qytetin Studenti. I pashë kur shkuan studentët, ishim karshi rrugës të Elbasanit për nga Pallati i Brigadave dhe i pritëm kur u kthyen. Ishim në mitingun që u bë atje në shesh. U dëgjua e tëra, u thanë fjalë nga folësit, Azemi dhe Ben Imami dhe mbasi mbaroj ajo u largova me ato shokët me të cilët isha. Ishim nga ata tiranasit që bërtitëm Parti Demokratike, kur thuhej se do të krijohej partia e studentëve.
Pa dalë nga Qyteti Studenti takova Gramoz Pashkon, me të cilin kisha miqësi të vjetër, njiheshim që kur ai ishte 17-18 vjeç. Që nga periudha e rrëzimit të Murit të Berlinit dhe vrasjes së Çausheskut ishim takuar dhe kishim biseduar se radha i ka ardhur Shqipërisë, pasi në korrik të atij viti u hapën ambasadat, dhe gjendja ekonomike ishte përkeqësuar shumë, gjë që e shihnim në radhët e gjata, aq më tepër që Gramozi kishte të dhëna më të sakta se unë për këtë situatë. Në diskutimet me Gramozin ishte hedhur ideja e krijimit të një partie, një Partie Demokratike, e cila i ka fjalët parti, si shprehje pluralizmi dhe ishte demokratike sepse lufton për demokraci. Gramozi ishte me të shoqen, Mozën dhe kunatin Genc Rulin, që e njoha aty. Qenë dhe të tjerë, që Blendi Fevziu i vë edhe në librin e tij “Piedestale...”, dhe ndër të tjera i them se “lërini këto llafe, ku ka në botë parti të studentëve dhe intelektualëve të rinj, sepse studentët katër vite janë dhe ikin po ashtu dhe ata që do të vihen në krye, pra është një parti që nuk mund të lulëzojë dhe numri i studentëve është i kufizuar”. Kështu që e lamë të takoheshim të nesërmen në 8:30. Kjo ishte arsyeja që u takuam te Gramozi, se unë kisha lënë takim me të në shtëpinë e tij. Unë mora biçikletën që e kisha lënë diku aty afër dhe u largova. Gramozi, pasi jam larguar unë është takuar dhe me të tjerë, nuk kam dijeni se ku janë takuar, çfarë kanë diskutuar dhe çfarë kanë bërë, ka ca të dhëna që për mua janë të pabesueshme.
Të nesërmen në mëngjes shkoj në 8:30 te shtëpia e Gramozit. Ai më prezanton dy djem, njëri ishte me xhup të zi që ishte Azemi, dhe këtë tjetrin ai më tha se ‘ti e njeh, është aktor filmash’. Dhe unë i them se ‘ti e di që unë nuk shoh filma se nuk kam antenë Tirane’. Qeshëm, pastaj u ulëm dhe pas nesh erdhën të tjerë dhe u vendos pas një debati që të krijohej Partia Demokratike, sepse krijimi i një organizate politike ishte tashmë e vendosur gjatë atyre ditëve dhe as nuk ishim në ilegalitet që të vetëquhemi “petrita”. Azemi me gjithë Mimoza Ferrajn u nisën për te studentët dhe u kthyen për 20 minuta dhe thanë se studentët janë dakord që të quhej Parti Demokratike. Pas kësaj u ulëm të punojmë dhe shkruajtëm programin, flisnim kryesisht Gramozi dhe unë por edhe të tjerët. Hedhjen e programit në letër e bënte Arben Imami. Eduard Selami dhe Sokol Neçaj sollën Kartën dhe Dokumentet e Kopenhagenit, ishte në formë dispense ajo, pasi menduam se kur të flisnim për të drejtat e njeriut, të ishim të saktë kur t’i shkruanim fjalët. Deri në 14:30 u përfundua kjo, katër faqe në makinë shkrimi, e shkruante kunati i Gramozit, Besnik Hado, e shkruante ngadalë në një makinë të keqe dhe faqja e fundit mbeti, me sa më kujtohet mua me shkrimin e dorës së Benit dhe unë bëja korrigjimet me germa shtypi, që të ishin të lexueshme edhe nga Beni.
Nga ora 14:30 pimë një kafe dhe hipëm lart për në miting, për të cilin u vendos kur filloj shkrimi i Programit dhe u dërguan njerëz për lajmërim . Më thanë mua që ta lexoja, mirëpo duke e ditur se lexoj shpejt, edhe në konferenca shkencore më tërhiqnin vërejtje se nuk më merrej vesh se çfarë thosha, i thashë që “ta lexojë një nga ata të dy që ishin aktorë”, Ben Imami dhe Edmond Budina. Në fund e lexoi Beni.
Shkuam ta ndjekim mitingun në fushë dhe atje isha me Ilir Rexhën dhe një mik që tani nuk jeton më, Rinush Idrizin. Mitingu ishte një gjë fantastike, atje ishte e gjithë Tirana, por qenë edhe nga Kavaja, Shkodra, Durrësi. Ajo ditë u mbyll në mënyrë festive, e cila kishte filluar me një Shqipëri që ndalonte me Kushtetutë krijimin e partive të tjera, pra kishte vetëm një parti udhëheqëse dhe mbaroi me një Shqipëri, ku ishte krijuar një parti e re. Mjafton të dëgjosh incizimet e atij mitingu për të kuptuar entuziazmin e njerëzve, të cilët shprehnin çlirimin e tyre, ku thirrjet kryesore ishin “Liri Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Por pati edhe fishkëllima...
Janë mënyrë reagimi. Janë shenja të shfaqjeve moderne, se modernizimi kishte filluar që atëherë.
Kjo është historia e krijimit të Partisë Demokratike. Të nesërmen në mëngjes u krijua një grup prej nëntë vetash, Gramozi dhe Azemi, po them të parët këta që për fat të keq nuk janë më , Arben Imami, Genc Ruli, Edmond Budina, Sali Berisha, Eduard Selami, Bardhyl Reso dhe unë, ky i fundit banonte pranë Qytetit Studenti bashkë me të atin, në ato ditë ishte ndër më aktivët dhe mbështetës i studentëve, inxhinier elektrik, e kam pasur paralel kur ishim në shkollë të mesme dhe të lartë, një djalë shumë i mirë që ka emigruar në Amerikë.
Ky grup organizativ mori përsipër të përgatiste të gjitha dokumentet dhe procedurat që i duhej një partie të funksiononte. Propozuam që të kishim një komision nismëtar që të kishim më shumë njerëz, që programi i saj të përhapej në të gjithë Shqipërinë. Komisioni u krijua me shumë probleme, por nuk ka shumë rëndësi. Në datën 13 në Qytetin Studenti, rreth 20-22 veta, që i kam vënë në libër, mund të jetë mbase i vetmi dokument i cili nuk vërtetohet saktësisht. Filluan të ngriheshin edhe grupet pune pranë komisionit, kjo solli edhe shtimin e njerëzve dhe filloi puna për përhapjen e partisë në territor, për të krijuar komisionet nismëtare dhe për të organizuar mitingjet.
Mitingu i parë u zhvillua më 25 dhjetor në Kavajë, shkuam unë Azemi dhe Saliu, pastaj në datën 3 janar 1991 një grup, në mos gabohem, Saliu, Gramozi, Pjetër Arbnori shkuan në Shkodër dhe po në atë datë, pra 3 janar, unë Ben Imami dhe Bardhyl Reso shkuam në mitingun Durrësit. Ky i fundit ishte një nga mitingjet më madhështore, të organizuara më mirë, sepse ditët që kalonin frika kalonte, pavarësisht represionit të shumtë të shtetit.
Në datat 14-15-16 dhjetor u hartua dhe u përfundua statuti dhe më datën 17, më të dalë dekreti, këto u dorëzuan. Pati vështirësi në grumbullimin e firmave, megjithatë ne i plotësuam kërkesat e dekretit. Pastaj më datën 19 dhjetor, kur po bënim një mbledhje për të shtuar aktivistët në Tiranë, në Kino-Klubin e Qytetit Studenti, erdhi lajmi se është legalizuar partia dhe të shtunën u la ai mitingu i madh për legalizimin e Partisë Demokratike.

Si u bë zgjedhja e komisionit nismëtar?
Nuk ka zgjedhje të komisionit nismëtar. Aty u propozuan njerëz dhe të tjerët u shtuan më vonë.

Si u propozuan?
Kush i mban mend tani. Do t’i kujtojmë, do të kemi kohë t’i shkruajmë më me detaje kujtimet, sepse ajo procedurë qe disi e turbullt dhe jo fort e rregullt.

Në mbledhjen e parë të komisionit nismëtar ka pasur një debat mes jush dhe Shinasi Ramës...
Nuk është se u zhvillua një debat, vetëm se më tha një moment “pusho ti plak aty”. Unë iu përgjigja me të njëjtën mënyrë, sepse shqiptarët për t’u përgjigjur për keq janë të zot. Kemi pasur më vonë dhe kemi ende marrëdhënie shumë të mira. Madje kur ai është larguar, herën e parë unë e kam kthyer, herën e dytë më vuri në dijeni se do të ikte, por nuk më dëgjoi kur i thashë të mos largohej. Në takimin me Alinë ai shquhet pë qëndrim mjaft të avancuar. Por, dhe ai si shumë të tjerë gjatë kësaj historie 4-5 vjeçare të Partisë Demokratike edhe në 1997, kur u thosha të mos largoheshin, ata largoheshin.

PD-ja u legalizua më 19 dhjetor, dy ditë pasi ishin dorëzuar dokumentet. Me këtë legalizim u shkel Kushtetuta e asaj kohe, pse mendoni se është bërë një gjë e tillë?
Tani u shkel a nuk u shkel Kushtetuta nuk na intereson shumë neve. Ishin të detyruar ta bënin, nuk kishte ku shkonin. E panë nga protesta dhe talljet e studentëve dhe të tjerëve që nuk mbante më siç i thonë ujë pilafi dhe në datën 11 dhjetor në plenumin i Komitetit Qendror lejuan pluralizmin. Unë kam në libër vetëm mbledhjen e Byrosë Politike. Pushteti lëvizi disa kuadro sa për të shfryrë presionin, sepse e panë se studentët ishin të zjarrtë dhe mbështetja që morën në Tiranë edhe të dhënat që kishte ai pushtet për trazirat që po organizoheshin gjetkë. Kërkesat e tyre filluan nga kërkesa të pakta për ekonominë, deri në kërkesat për pluralizëm politik, kështu që nuk mund të përmbaheshin më.

A ishte një vullnet i heshtur i drejtuesve apo një frikë nga rasti i Çausheskut?
Një frikë e rrëzimit të tyre për keq, të marrjes së përmasave të mëdha të protestave, por edhe të presionit të madh nga të huajt që qeveria shqiptare ka pasur dhe për këtë ka dijeni të plotë. Është e vështirë, në fakt, që të punohet në arkivat tona, akoma nuk janë botuar të plota të gjitha materialet dhe udhëzimet e Komitetit Qendror që nga rrëzimi i Murit të Berlinit deri në dhjetor 1990. Dokumente të tillë janë të rëndësisë së dorës së parë për të kuptuar realisht se çfarë ndodhte në Shqipëri si në planin ekonomik, falimentimi dhe bllokimi i plotë i ekonomisë shqiptare, pamundësia për të prodhuar fabrikat e uzinat shqiptare, ashtu dhe në planin politik. Këto fakte e studime duhen se sot dëgjojmë përralla të pafundme se pse u prishën fabrikat, se ata në fakt ishin të prishura, mbase duhej të ishin shfrytëzuar më mirë për skrap.

Lëvizja e Dhjetorit nuk u bë nga klasat e përmbysura, kam parasysh të persekutuarit apo shtresa të tjera të shoqërisë që njiheshin si kundërshtarë të regjimit. Pse?
Po na përdorni terma komunistë. Ata njerëz që ishin aty ishin nga të tërë shtresat e popullsisë shqiptare dhe nga ata që ishin dhunuar nga regjimi, dhe nuk ishin pak. Të thuash se në mitingjet e para njerëzit vinin 50-100 mijë e më vonë kjo shifër shkoi edhe më shumë.

Pse të fundit në këto ndryshime?
Dhuna e regjimit komunist qe më e madhe, indiferenca e perëndimit për paudhësitë e drejtuesve shqiptarë, si përherë, deri edhe vonë kemi raste të tilla, bën që edhe shqiptarët të rezervohen, të maten shumë. Kjo është arsyeja që pati eksode maksimale, sepse ishte ideja që të shpëtojmë, sepse vetë nuk e rregullojmë dot. Është një mungesë besimi dhe problemet e organizimit. Edhe krijimi i një partie, që u ngrit menjëherë ishte një fenomen pak i çuditshëm, jo shumë normal për ne.

Në dokumentet që ju i dërgonit ministrisë së Drejtësisë, duket vetëm emri i Eduard Selamit....
Eduardi firmosi në emër të Grupit Organizativ që drejtonte punën, ky funksiononte në ato ditë.

Pra nuk kishte kryetar...
Ne sa ishim ngritur, nuk mendonte njeri për kryetar, mjafton të shikosh fotografinë e mitingut të shpalljes së PD-së, që njerëzit në podium lëvizin, nuk kishte as qendër dhe as anë. Nuk u shkonte mendja, pastaj u shpikën kryetarët e përjetshëm.

Si e njohët Berishën
E kam njohur më përpara kemi pasur marrëdhënie normale në të kaluarën.

Po në lëvizjen politike si e njohët, si u përballët...
Mendimet e ndryshme përballen apo ballafaqohen.. Ne kemi punuar bashkërisht për vite të tëra, por unë bëj pjesë në ato lloj njerëzish, që e thonë fjalën e tyre kur mendojnë ndryshe, nuk i mbaj mëri kujt, as zili nuk ia kam kujt. Atëherë nuk kishte poste, ata u shpikën më mbrapa sepse askujt nuk i shkonte ndër mend se ne do të fitonim dhe do të merrnim pushtetin.

Disa dëshmitarë të atyre ditëve theksojnë se ka pasur edhe ngjarje të stisura për të nxjerrë në pah figura të tjera...
Tani që botohen dokumentet, disa mund ta kenë më të lehtë të flasin. Fatkeqësisht disa nuk flasin dhe kjo nuk është shenjë e mirë për Shqipërinë e sotme. Kjo është edhe ajo që them në dedikimin e librit “me shpresë që ëndrra e tyre, për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe europiane. një ditë do të përmbushet”
Një pjesë e madhe e njerëzve në tribunë kishin dhe pardesy të bardha. Mund të na e shpjegoni këtë detaj?
Ke pyetur ti se atëherë kishte pardesy të tjera. Ato ishin në pazar. Kush kishte dalë jashtë shtetit, apo kishte para të blinte, atë pardesy kishte. Pastaj nuk janë të gjithë, po të numërohen nuk janë të tërë me pardesy të bardhë ka dhe nga ata që janë vetëm me xhaketë. Kjo është tragjedia e vërtetë e Shqipërisë, legjenda urbane. Unë dëgjoj gjëra të pafundme, të pafundme për lëvizjen e këto vite, sa që mendoj ndonjëherë “ore a kam qenë edhe unë këtu që gënjejnë kaq sheshit në prani time”.

Cila është gënjeshtra më e madhe që ke dëgjuar për dhjetorin ’90?
Sa të duash. Një që thotë se statutin e ka korrigjuar filani, nga krerët e Partisë Socialiste, kur statuti është shkruar nga unë dhe Genc Ruli, është çuar për t’u konsultuar në dy vende, nuk ka rëndësi se ku dhe pastaj është hedhur në kompjuter ku i vetmi ndryshim që iu bë variantit që kemi shkruar unë e Genci, ishte që ne e kishim që kryetari të ishte vetëm njëherë, u bë që të jetë dy herë. Fatkeqësisht, teza ime nuk fitoi, se gjithë të tjerët dolën kundra.

Ishte pikërisht takimi i studentëve me Ramiz Alinë ku u tha se lejohej pluralizmi politik, ku u fol edhe për parti studentësh...
Në takimin me Ramiz Alinë u diskutua që të krijohej një parti e studentëve dhe intelektualëve të rinj. Kjo ishte edhe në dëshirën e tij, pasi me përvojën e tij partiake, ai e dinte se një parti e tillë nuk mund të kishte fuqi, sepse që në fillim e ka kufizuar. Kjo ide të kujton partitë korportative, si kohës të Duçes, sepse ideja e tij ishte të krijonte shoqatat. Askush nuk e kanë thënë deri më sot, qëndrimin mjaft pozitiv të Dritëro Agollit, që dikush mund ta shajë për komunist nga 1974 në 1990, por ai refuzoi, madje u tall me faktin se “çfarë është kjo”, që Lidhja e Shkrimtarëve do të bëhej si “shoqatat politike” subjekt elektoralë. Do të ndodhte pra një fragmentim i frontit, jo anëtarësi e partisë së punës, do kishim të ndarë veçmas Frontin Demokratik, veteranët, Lidhjen e Shkrimtarëve, Bashkimet Profesionale, gruaja, rinia etj,. Ato do të kishin kandidatët e tyre, në mënyrë që t’i fragmentonte dhe t’i komandonte, ashtu siç thotë në fjalimin e 13 dhjetorit 1990, që të gjitha këto do të jenë veglat tona. Ai e pilotoi në këtë drejtim dhe studentët. Por qenë po studentët që propozimin tonë në atë takim e përkrahën menjëherë, se dihej që do të shkonim diku gjetkë në Kombinatin Poligrafik si qendër e punëtorisë së Tiranës. Pra ishte një ndryshim cilësor, pozitiv krijimi i një partie të të gjithëve, sepse përbëri një forcë të madhe e të gjithë shqiptarëve, antikomunistë që kërkonin ndryshimin.

Ka ndonjë ngjarje që sipas jush ishin pjesë e zhvillimeve dhe ngjarjeve të 1990. Është folur shumë për dy shkrime në mediat e kohës, takimi me intelektualët...
Këto nuk janë të botuara realisht dhe plotësisht. Se është shumë e vështirë të gjendet dokumentacioni, por edhe prapaskenat, se çfarë thuhej në Komitetin Qendror. Në ‘90 erdhi Penez De Kuelari, erdhi pa, por mbrapa, në një plenum në Korçë, nuk e di mirë, dikush tha që ‘ia hodhëm edhe Penez de Kuelarit’. Pra të tëra këto janë të domosdoshme për t’u kuptuar realisht atë që duket dhe atë që është në të vërtetë. Se në regjimet diktatoriale, ashtu si edhe ai në Shqipëri, ka diçka që duket dhe ka diçka që është në të vërtetë. Në Kodin Penal të Shqipërisë së asaj kohe, thuhej se ndalohet të rrihet i burgosuri, më gjej një të burgosur që nuk e kanë rrahur dhe dhunuar. Këto dokumente janë të domosdoshme dhe nisma për botimin e këtyre dokumenteve është shumë e rëndësishme, se nëse botohen plenumet, mbledhjet e byrosë, sekretariatet, mund të kuptojmë më mirë se çfarë po ndodhte.
Është e vërtetë që rënia e Murit të Berlinit dhe vrasja e Çausheskut, gjallëroi protestën dhe rezistencën antikomuniste në Shqipëri se qe një shpresë që realisht kishte humbur. Të tërë prisnin që vdiste diktatori, dhe populli gëzohet. Enver H oxha vdiq dhe nuk pati ndryshime, kjo i mpiu shqiptarët.
Të dy ngjarjet, si ajo në Gjermani dhe ajo në Rumani u dhanë shpresa shqiptarëve, por ishte njëkohësisht dhe kërcënim dhe paralajmërim për regjimin komunist në Shqipëri. Kjo situatë prishi balancën dhe të forcave në vend dhe gjallërimin e atyre që ishin kundër regjimit. Këto janë ngjarje të mëdha. Kemi pastaj nga mesi i qershorit deri në korrik hyrjen në ambasada, që fatkeqësisht nuk i kujtoi njeri këtë vit, mitingun e turpshëm të 13 korrikut, i cili duhet dokumentuar me pjesën që duket dhe nuk duket dhe të tëra këto bënë që të kuptohet se shqiptarët kanë për ta çuar më tej këtë. Këto lëvizje i bën shqiptarët më trima dhe më të guximshëm, sepse kishin shpresë jo se ishin frikacakë më përpara, por nuk kishin se çfarë të bënin, ishin lënë në mëshirë të regjimit.

Si do të kishte qenë historia zoti Meksi sikur turma e madhe e njerëzve nuk do të ishte ndaluar të hynte në bllok në shkurt të 1991?
Ka disa fjalë të urta për këtë “sikur.....”. Unë nuk kam qenë në atë grup aty, sepse kam qenë te shtëpia e Gramoz Pashkos, se po prisnim shoferin e PD-së pasi do të shkonim së bashku në aeroport për të pritur Ibrahim Rugovën. Tentova të afrohesha, hipa te pallati i oficerëve, hipa në kat të katërt, sepse policia nuk më la të kaloja deri te ura për të parë. Dëgjoja krismat. Shumë gjëra mund të ndodhnin, por duhet të merremi me ato që ndodhën.

Zoti Meksi disa dëshmitarë thonë se nëse s’do të ishte vullneti i mirë i Ramiz Alisë, gjërat do të ndodhnin ndryshe...si do të ndodhnin gjërat...
Kjo është si pyetja e parë me “...si do të ndodhte..”. Një gjë është e sigurtë, komunizmi do të binte sepse nuk e mbante dot më Ramiz Alia. Nuk e mbajtën në Rusi jo më do ta mbanin në Shqipëri, mund të shtyhej pak, vetëm të jeni të sigurte se trazira do të kishte, se nuk përmbahej dot presioni i madh nga shoqëria. Studentët dhe Tirana, dhe qytetet e tjera që e pasuan, bënë që t’ju dilte situata nga duart e nuk mund ta kontrollonin më. Ramiz Alia pati një shans që e humbi si shumë të tjerë mbrapa, që të ndryshonin ecurinë e historisë shqiptare duke ndjekur tendenca pozitive të përparimit dhe jo tendencat të mbajtjes në vend.
Kjo gjë nuk ndodhi, sepse e tillë është sjellja e zakonshme e atyre që kanë pushtet abuziv, të pazgjedhur, që nuk përfaqësojnë kënd, me vota ose të mohuara, siç ishte komunizmi, ose të vjedhura në rastin tjetër, që mendojnë se nuk i heq kush. Nuk u bë asnjë ndryshim. Dhe ato ndryshime që u bënë në ‘90, ishin si pasojë e presionit të jashtëm, dhe të lëvizjeve të para që filluan në Shkodër, Tiranë, Kavajë, janë ndryshime që u bënë me zor, edhe 13 korriku këtë tregoi që ndodhi kjo, por ne jemi prapë ata, ju vëmë në kuadrat. Ramiz Alia tregoi se nuk dëshironte ndryshimet. Pavarësisht nga takimi me intelektualët, sepse ai nuk ishte një takim real me intelektualët, ai ishte takim me intelektualët komunistë, të përzgjedhur nga partia komuniste kush. Ai e ndjente se duhej të lëshonte pe edhe nga presioni i huaj, por ai pati rol frenues të proceseve të demokratizimit të domosdoshëm të Shqipërisë, për ta shpëtuar edhe nga kolapsi ekonomik. Jo rastësisht fjalën me studentët ai e fillon me këtë, sepse ky ishte shkaku i parë që duhej të dorëzohej, ishte sigurisht edhe bindja e tij se ai mund ta manipulonte të tërën, që mishi të piqet dhe helli të mos digjet. Defekti tjetër që pati, për shkak të karriges që mbante, ishte se duhej të tregohej i rregullt në shpjegimin e ndodhive sipas parimit të vërtetën, të gjithë vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Këtë rol nuk e ka luajtur deri më sot, jo vetëm ai, por dhe shumë dëshmitarë të historisë.

Një gazetar i Neë York Times, David Binder i ka quajtur lëvizjet si ‘revolucion i negociuar’...A jeni dakord me këtë?
E para duhet parë se si është në origjinal, çfarë kuptimi ka në gjuhën amerikane fjala e atij. Një revolucion u bë, njëra palë protestonte, pala tjetër u ul për të biseduar që t’i jepte një zgjidhje. Këtë duket se dashur të shpjegojë me atë term, por ngritja në këmbë e njerëzve kundër regjimit nuk mungoi, këtë nuk e ka thënë ai, se ai e pranon termin revolucion.

Një vlerësim të figurave kryesore të dhjetorit 1990...
Shumica e tyre qenë, punuan dhe luftuan pa interes. Nuk aspironin poste shumica prej tyre dhe përgjithësisht të tërë ato që erdhën në pd në muajt e parë, nëse nuk i kishte dërguar kush, kanë ardhur duke rrezikuar dhe libri është pikërisht edhe një homazh për ata që rrezikuan. Nëse nuk e ka dërguar kush, ai deputeti që ka vënë emrin në listën e deputetëve në Çorovodë, Sarandë, Gramsh, Librazhd e gjetkë, ka rrezikuar. Ju e dini që pas grevës së urisë dhe pas demonstratave, komitetet e partive dhe degët e brendshme, studentët që morën pjesë në grevë i thirrën për t’i kërcënuar. Ishte atmosfera e përgjithshme, bënte që rinia të ishte e para që ngrihej dhe të tjerët t’i bashkoheshin asaj me shpresën se në këtë mënyrë të bashkuar mund të ndryshonin Shqipërinë. Dhe Shqipëria është ndryshuar, me zigzage, me atë, me këtë, me zvarritje, me zgjatje të tranzicionit, me mbeturina komuniste, me mentalitet komunist, me autoritarizëm, me demokraci, me shthurje, me pseudoliberalizëm dhe liberalizëm, por Shqipëria mund dhe duhej të kishte ndryshuar shumë më tepër.

Ju përmendet dy herë fjalën “nëse nuk i kishin dërguar”, kush nëse nuk i kishte dërguar?
E kanë përdorur të tjerë për të zhvlerësuar dhjetorin. Por kjo dhe ka ndodhur. Kështu në librin Kronikë e një politikan të dështuar, siç thotë me shaka për vete Mitro Çela, tregon se dikush... i tha se ishte dhënë urdhër që të futen njerëz atje në Partinë Demokratike. Kaq mjafton dhe ne e dimë, veçse e tillë nuk ishte dhe nuk është e gjithë lëvizja e dhjetorit dhe opozita antikomuniste. Kurse gjykimin për figurat nuk e bëj unë, që jam brenda tyre, le ta bëjë dikush tjetër.

Nga dhjetoristët është shprehur se në datat 8, 9, 10 nuk i kanë mbështetur intelektualët, dhe ata që i mbështetën qenë të paktë, pse?
Nuk mund të flas se unë s’kam qenë aty. Kam qenë në datën 11 atje. Di që shkonin dhe flisnin në ato mitingjet dhe ngriheshin kushdo dhe shkonin edhe profesorë, ca mbanin fjalime kundër regjimit, ca thonin se studentët duhet të shkonin në shkollë, nuk kam qenë dëshmitar. Sigurisht edhe kjo mund dhe duhet dokumentuar nga arkivi i radiotelevizionit, thjeshtë për të kuptuar se si evoluoi e tërë kjo lëvizje dhe individët. Gjithsesi ato ditë në mitingje dhe më vonë erdhën shumë intelektual.





Tiranë 6 dhjetor 2010

No comments:

Post a Comment