Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Monday, December 6, 2010

Per Pater Gjergj Fishten

Një udhëtim në Fishtë për të gjetur Patër Gjergjin

Drejt rrënimit shtëpia ku u shkrua Lahuta e Malcisë

Familjarët dhe dashamirësit kujdesen për të vetmet dëshmi

Po të shkruanim për Zef Ndokën, që ishte qytetar i mirë i këtij vendi, që nga ai ka mbetur vetëm vepra, pak eshtra e asnjë kujtim tjetër, sigurisht që njerëzit do të çuditeshin, sepse si të tillë e kanë njohur dhe e njohin vetëm një grusht njerëzish. Por po të shkruanim, se ky Zef Ndoka, më vonë u bë Gjergj Fishta, atëherë që po njerëzit do ta njohin, por sërish si kujtim i tij mbetet sërish vepra, një varr në Kishën Françeskane, me pak eshtra në të dhe sërish asgjë tjetër.
Udhëtimi
Udhëtojmë për në Fishtë, fshati ku u lind Zefi. Udhëtimi çuditësisht është i mirë. Gjatë rrugës Shkodër-Lezhë, ndodhet një tabelë ku shkruhet Blinisht, në të majtë nëse nisesh nga Shkodra dhe në të djathtë nëse nisesh nga Lezha. Deri pas shinave të trenit, rruga është e shtruar, por vende vende asfalti është prishur dhe duhet të kesh kujdes kur të lëvizësh. Më pas vjen një rrugë e shtruar bukur, e më tej kjo rrugë bëhet edhe më e bukur, se përveçse e shtruar mirë, ka të gjithë sinjalistikën e nevojshme dhe kjo të habit. Por më shumë të habit fakti kur flet me banorët. “Rruga asht vepër e italianëve, se me të lidhën Shkodrën me Lezhën, qeveria vetëm sa e shtroi në qershor”, thotë një zonjë që takojmë. E cila shton dhe këtë tjetrën “qeveria e ka ba pak ma të ngushtë se ç’e kanë ndërtue italianët” dhe qesh lehtën.
Brezi
Altini, është një djalë i ri, bashkëshorti i zonjës së mësipërme. Ai flet me dashuri për Fishtën, edhe i zhgënjyer paksa. Ai ka ngritur një sipërmarrje të vetën, pikërisht në mes të rrugës Lezhë-Vau Dejës, që e ka quajtur “Mrizi i Zanave”. Zhgënjimin e ka për gjithçka që i takon Fishtës, e sidomos për historinë e tij që askush nuk ia shkroi ashtu si duhej, apo që askush nuk ruajti asgjë të tijën. Sipas tij, komunistët ia deformuan historinë për interes të tyre dhe që në kohën e komunizmit, ato pasardhës që kishte, një pjesë e mohuan, për shkak të problemeve që u nxirrte mbiemri dhe përkatësia me Fishtën. Na tregon se ku mund të gjejmë pjesë të rrënojave të shtëpisë ku ka lindur dhe na duhet të kthehemi paska.
Vendlindja
Vendi ku ka lindur si Zef Ndoka është pikërisht në kufirin mes dy fshatrave, Fishtë dhe Troshan. Që të dy këto fshatra qenë të rëndësishëm për jetën e tij, pasi në Fishtë u lind dhe në Troshan u edukua dhe mbajti dhe meshën e parë në moshën 19 vjeçare. Vendi ku ka lindur është pranë një ure. Aty, në një vend të rrethuar bukur gjendet një kryq i madh ngjyrë portokalli, që diku janë skalitur dhe dy duar. Më 30 dhjetor të këtij viti mbushen plot 70 vjet nga vdekja e tij. Një bari poshtë në luginë thotë se shtëpinë nuk e ka pasur bash te vendi ku gjendet kryqi, por pak më lart, pra sipër rrugës. Atje ngjitemi dhe asgjë nuk të kujton se atje ka qenë ndojë shtëpi, e për më tepër ku të ketë lindur Fishta. Në 1990, në numrin e parë të gazetës “Rilindja Demokratike”, botojnë për herë të parë poetin e mbetur në heshtje për vite me radhë, për shkak se ishte dënuar nga regjimi, jo vetëm si meshtar, por edhe si poet. Që prej atij viti, Gjergj Fishtës do t’i bëhen shumë ndere, kryesisht në Tiranë, e në kryeqendra, por jo në vendin ku lindi dhe u rrit. Atje asgjë. Përveç rrugës, ai vend duket edhe i harruar nga njerëzit. Askush nuk organizoi një peligrinazh në vendin ku lindi poeti i madh, jo vetëm i gegërisë, por i gjithë Shqipërisë.
Kryqi
Kryqin e kanë vendosur njerëzit e fisit të Fishtës. E gjitha është sipërmarrje e tyre dhe askush nuk i ndihmoi ata të paktën për të vënë një gur. Kryqi është i lartë dhe është vendosur në një platformë gurësh për të mbajtur gjithë atë ngarkesë. Ai është i vendosur poshtë rrugës, në mënyrë që kalimtarët ta shohin që prej larg. Vendi është rregulluar pikërisht mbi tokat e fisit të Fishtës, poshtë vendit gjenden dy rrënjë ullinj, të lashtë duket, ndoshta ullinjtë ku ka qendruar dhe ai i vogël ndërsa nxirrte në kullotë bagëtitë. Poshtë kryqit është shkruar se “Këtu ka lindur frati i madh, Patër Gjergj Fishta” dhe ka shkruar dhe datat e lindjes dhe të vdekjes. Fillimisht kryqi ishte vënë prej druri. Për shkak të reshjeve të shumta ai filloi të kalbej kështu që familjarëve iu desh që ta zëvendësonin me një kryq prej hekuri, i cili qëndron i vetëm në mesin e asaj lugine. Përveç shenjave të rrugës ai është shenja e vetme në gjithë atë hapësirë boshe dhe të shkretë.
Shtëpia
Por Zef Ndoka pati edhe një vend tjetër të rëndësishëm për jetën e vet. Është shtëpia ku u rrit, atje prej ku iku Zef dhe u kthye për me të bujtur në katin e dytë të saj, tashmë si At Gjergj Fishta. Shtëpia gjenden në Fishtën e Poshtme. Madje sapo kalon shinat e trenit Lezhë-Shkodër, është një rrethrrotullim. Një kalimtar të shpejtë dhe të zakonshëm asgjë s’mund ta kthejë për të parë shtëpinë ku qëndroi Fishta. Por nëse pyet dhe je pak sa i vëmendshëm do shohësh që pas një rrethrrotullimi të vogël, është një kryq në rrugë që të kujton diçka. Duhet të pyetësh sërish për t’u kthyer në një rrugë të keqe për nga shtëpia. Është një shtëpi dykatëshe, gati e rrënuar. Deri pas viteve 1990 ajo ka qenë e banuar. Kanë banuar kushërinjtë e tretë dhe të katërt të Fishtës, pronë e të cilëve edhe është. Por të zotët e shtëpisë kanë ikur, duke e lënë të mbyllur më një dry të madh derën e shtëpisë, që gjithësesi mund të të zërë brenda. Shumë barëra të këqinj kanë zënë hyrjen e një shtëpie ku nuk shkon më askush. Nga dy dritare të vogla arrin të shohësh shumë pak brenda, që nuk ka shumë se çfarë të shihet. Shtëpia përbrenda bie erë lagështirë dhe njerëzit e fundit që kanë ikur kanë lënë kujtimet e tyre, por asgjë që të kujton Fishtën. Në ballë të shtëpisë mund të marrësh vesh se te kjo shtëpi ka qëndruar dikur Gjergj Fishta. Është një pllakatë, jo prej mermeri, por prej materiali hekuri. Edhe ajo është e vendosur nga familjarët. Nuk gjendet asnjë shenjë e Fishtës këtu përveç dëshmive të njerëzve rreth e rrotull dhe një fisi që mban mbiemrin e Patër Gjergj Fishtës.


Intervistat
Gjon Mark Ndoka
Një i afërm i Fishtës tregon për shtëpinë dhe për Fishtën.
E keni takuar ndonjëherë Fishtën?
Kam qenë fëmijë kur Patër Gjergj Fishta vinte këtu dhe qëndronte në katin e dytë të kësaj shtëpie. Ndërsa isha gjashtë vjeç kur ai vdiq në Shkodër. Ishte ai Patër Gjergj Fishta që mori babain tim Markun dhe e shkolloi për topograf në Shkodër. Ai më pas punoi në Tiranë, duke mbajtur mbiemrin Fishta, por që i nxorri mjaft probleme.
Kush e ka vendosur kryqin atje mbi Fishtë?
Kryqin e kemi vendosur ne familjarët edhe pse ia kemi vënë në dijeni autoriteteve lokale për gjendjen jo vetëm të kryqit, por edhe të shtëpisë ku ka qëndruar Fishta.
Ju a jeni drejtuar autoriteteve për gjendjen e saj dhe cila ka qenë përgjigja?
Sigurisht që i jemi drejtuar autoriteteve, të cilat e kanë parë dhe kanë marrë shumë shënime. Para disa kohësh ishte dhe një deputet, që kaloi me Partinë Demokratike që e ka parë ka marrë shënime, por nuk kemi asnjë përgjigje se çfarë do të bëhet. Shtëpia është në gjendje të rëndë, ajo pothuajse është duke u rrëzuar.
A keni mundësi ju si familja ta rindërtoni këtë shtëpi?
Jo nuk është e mundur nga ana financiare ta rindërtojmë. Shtëpia është prej guri dhe duhen fonde të mëdha për ta ngritur ashtu siç ka qenë.
A ka mbetur gjë prej Fishtës nëpër të afërmit e tij?
Në fakt Fishta nuk ka lënë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë. Dhe një motër që kishte ajo nuk u martua dhe kështu që nuk ka pasur një nip apo mbesë direkt të tij. Kanë mbetur vetëm disa kushërinj të brezit të tretë dhe të kartët. Ai që ka banuar në këtë shtëpi ka pasur një mulli të Fishtës, me të cilën ai bluante kafenë, por që nuk e dimë se ku është.


Neritan Ceka
Zoti Ceka ju keni qenë në fshatin Fishtë dhe e keni parë nga afër shtëpinë ku ka qëndruar poeti Gjergj Fishta. Çfarë mund të bëhet për atë shtëpi që është duke u rrënuar?
Në tre vjet unë kam shkuar katër herë në shtëpinë ku ka qëndruar Gjergj Fishta, hera e fundit ishte para një viti. Që herën e parë kur kam shkuar, e kam parë në atë gjendje kam kërkuar që shtëpia të vendoset nën mbrojtjen e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Madje për këtë shtëpi kam bërë edhe një projekt, të cilin e kam dorëzuar tre vjet më përpara, por ende nuk është hapur fondi për ta restauruar shtëpinë.
A u shpall shtëpia monument kulture?
Jo. Pavarësisht paraqitjes që bëra për gjendjen dhe situatën e shtëpisë, ajo ende nuk është shpallur monument kulture.
Çfarë do të bëhet me shtëpinë?
Projekti që kam paraqitur ka si synim kthimin e saj në gjendjen fillestare, pra ashtu siç ka qenë kur në të ka jetuar Fishta dhe kthimin e saj në një shtëpi muze ku të mblidhen të gjitha gjërat që kanë mbetur prej tij dhe të vendosen aty. Mendoj se ajo shtëpi duhet restauruar dhe ruajtur, pasi atje Fishta shkroi “Lahutën e Malcisë” dhe shumë vepra të tjera, prandaj është e rëndësishme për historinë tonë.
Po vendin ku qëndron sot kryqi e keni vëzhguar?
Po edhe atje kam qenë, por mendoj se ai është një projekt për një kohë tjetër. Sepse them që edhe aty duhet ringritur ashtu siç ka qenë shtëpia ku ka lindur Patër Gjergj Fishta. Por më kryesorja për momentin është shtëpia, pasi ajo është ende në këmbë dhe mund të jetë vend pelegrinazhi për gjithë ata shqiptarë që janë dashamirës të jetës dhe veprës të Patër Gjergj Fishtës.

No comments:

Post a Comment