Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Sunday, April 24, 2011

Intervistë me Filip Guraziun (Pashkët)

Guraziu kujton se si groposeshin lëvozhgat e vezëve të kuqe

“Në Pashkët e ’79 na çuan në aksion vullnetar”

Meshat kremtoheshin nëpër shtëpi

Gilmana Bushati
Filip Guraziu, në intervistën e tij tregon gjallërinë e festimeve të ditës së Pashkës para 1967-ës. Se si mblidheshin në kishë besimtarët, që edhe pse nën vëzhgimin e rreptë të partisë, ata bënin itinerarin e “rrugës së Krishtit”, që ishte një parakalim në rrugët kryesore të qytetit të Shkodrës. Pashkët kishin karakter popullor dhe në të merrnin pjesë dhe myslimanët, kryesisht në garën për vezën më të fortë. Pas miratimit të ligjit që ndalonte ushtrimin e besimit fetar, Pashkët festoheshin gjithsesi, por jo me gjallërinë e mëparshme. Brenda mureve të shtëpisë mbyllej gjithçka, dreka, darka, lutjet për Ringjalljen e Krishtit dhe sigurisht vezët e kuqe. Ish-kryetari i Bashkisë Shkodër, shprehet se që vezët të mos binin në dorë të keqe, lëvozhgat e kuqe groposeshin në oborrin e shtëpisë, që të mos të diktohej se ishte festuar. Ai tregon dhe për aksionin e 1979-ës, kur pushteti komunist e mori vesh se kur ishin Pashkët dhe organizoi një aksion për të mbledhur “shega të egra” në malin e Torovicës, por që gjithsesi nuk i ndaloi festimet.
Zoti Guraziu, të dielën besimtarët e krishterë do të festojnë Pashkët. Duke u kthyer në kohë, si festoheshin Pashkët para vitit 1967?
Deri në vitin 1967, megjithëse ideologjia komuniste ishte kundër besimeve fetare, sipas praktikës bolshevike të "baba Stalinit", E.Hoxha nuk i mbylli kishat dhe xhamitë. Bëhej luftë propagandistike; feja konsiderohej "opium për popujt", priftërinjtë dhe hoxhallarët akuzoheshin për lloj-lloj mëkatesh, burgoseshin, torturoheshin dhe eliminoheshin fizikisht, por besimtarët edhe pse shiheshin me "sy të keq" nga partia, ndiqnin rregullisht ritet fetare.
Pra, pavarësisht se kush e drejtonte pushtetin, festat fetare festoheshin rregullisht?
Për Pashkë, të premten e zezë brenda territorit të kishës zhvillohej “rruga e Kryqit” në kujtim të vuajtjeve të Jezu Krishtit me kryq në sup gjatë rrugës drejt Golgotës, ku ndërroi jetë i kryqëzuar. Të nesërmen, ditën e shtunë, besimtarët dërgonin për të bekuar në kishë ushqime të traditës popullore (përpeqin, hudhra, djathë të njomë dhe vezë të ziera), kjo si shenjë e mirësisë që sjell festa e Pashkës, kurse ditën e diel organizohej mesha në kishë për gëzimin e Ringjalljes. Festa e Pashkës merrte karakter popullor sepse me vezët e kuqe zhvillohej një lloj gare që quhej 'pikja e vezëve' dhe konsistonte në përplasjen e dy vezëve, ajo që nuk thyhej fitonte edhe vezën tjetër. Është për t’u shënuar që në këtë lloj gare bashkoheshin edhe besimtarë jo të krishterë.
Po pas vitit 1967 si u festuan Pashkët, duke pasur parasysh se kishim një ligj që ndalonte ushtrimin e besimeve dhe shumë institucione fetare u shkatërruan?
Sipas shembullit të revolucionit kulturor kinez, diktatori komunist shqiptar, në vitin 1967 ndaloi ushtrimin e riteve fetare në Shqipëri. U mbyllën dhe u shkatërruan kishat dhe xhamitë dhe u luftua çdo lloj dukurie që lidhej me besimin fetar. Në atë periudhë ishte rreptësisht e ndaluar të shfaqej publikisht ngjyrosja e vezëve, gjë që dënohej si propagandë armiqësore ndaj parimeve ateiste komuniste, por ky terror nuk mundi të ndalojë që në familjet e krishtera (në masën më të madhe) të ngjyroseshin vezët për festën e Pashkës. Natyrisht, kjo mbetej brenda një rrethi të ngushtë familjar e miqësor dhe tregohej kujdes i veçantë për zhdukjen e lëvoreve të ngjyrosura, shpesh ato groposeshin brenda territorit. Festa zhvillohej brenda mureve të shtëpisë; bëheshin urime mes njëri-tjetrit për Ringjalljen e shpresës, për një jetë të lirë në Shqipërinë e sunduar nga thundra komuniste. Si çdo rast gëzimi, edhe festimi i Pashkës përmblidhej në gatimin e ushqimeve të zgjedhura, tradita e kërkonte që të gatuhej mish qengji i pjekur dhe të shoqërohej me verë, por në atë kohë varfërie, pakkush mund ta realizonte një gjë të tillë. Para se të fillonte dreka, nën drejtimin e më të moshuarit, pjesëtarët e familjes i drejtonin një lutje Krishtit të Ringjallur për një jetë sa më të mirë dhe bënin kryq. Gëzimi ndahej me të afërm dhe me miq, sipas mundësive (në klandestinitet) bëheshin vizita tek njëri-tjetri.
A kishte raste kur kjo festë “zbulohej” nga drejtuesit e shtetit?
Diktatura komuniste bënte çmos që të prishte çdo iniciativë për të festuar dhe sajonte aktivitete masive pikërisht në ditën e diel të Pashkës. Në prill të vitit 1979, ditën e Pashkës, drejtuesit komunistë të Shkodrës vendosën që të organizonin një aksion masiv të popullsisë për grumbullimin e shegëve të egra në malin pranë fushës së Torovicës. Aksion i padëgjuar, qesharak dhe absurd! Kuptohej se kjo bëhej vetëm për të penguar me çdo kusht festimin e Pashkës. Në mefshtësinë maksimale, në gjirin e familjes dhe në praninë e një rrethi të ngushtë, ata pak priftërinj katolikë që rastësisht nuk ishin në burg, celebronin meshën e shenjtë rregullisht, sipas ritit fetar.

No comments:

Post a Comment