Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Tuesday, April 26, 2011

Interviste me Olsi Jazexhine (e pabotuar) analize per konfliktet ne Afriken Veriore

Përse rebelohet bota arabe?
Intervistë me studiuesin e modernitetit në botën muslimane, olsi jazexhi

Gilmana Bushati

Zoti Jazexhi, çfarë po ndodh në botën arabe?
Luftë. Revolucione popullore kundër diktaturave laike të vendosura nga Perëndimi apo më herët nga Bashkimi Sovjetik.
Ka më se dy muaj që një valë protestash po ndodhin ne vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut?
Po. Protestat nisën fillimisht në Tunizi. Një nga diktaturat më të frikshme laike të Lindjes së Mesme e cila drejtohej nga presidenti Zine el-Abidine Ben Ali që ka sunduar vendin nga viti 1987 deri në 2011. Protesta e Tunizisë lindi si një histeri popullore ndaj regjimit në hakmarrje për vëtëdjegjen e Mohamed Bouazizit, një shitësi rrugësh në qytetin Ben Arous, të cilin regjimi i Ben Alisë e kishte bërë aq të dëshpëruar e të varfër saqë nuk e lejonte as që të shiste në rrugë për të siguruar bukën e gojës.
Mbreti i Jordanisë ka publikuar këto ditë një libër, për Lindjen e Mesme, dhe teza kryesore e tij, është që pa zgjidhjen e çështjes së Palestinës nuk do të ketë paqe në lindjen e mesme. A besoni se kjo tezë e tij, vlen edhe për protestat e nisura anëkënd këtij rajoni?
Jo nuk besoj se është e drejtë për të gjithë rajonin. Në Magreb (Afrikën Veriore) të cilin unë kam patur rastin ta vizitoj disa herë (Algjerinë) çështja palestineze nuk është parësore. Çështja palestineze është parësore për popujt e Shamit (Jordanisë, Palestinës, Libanit e Sirisë) dhe Egjiptit dhe udhëheqjen e Iranit të cilët kanë shpirtin e xhihadit dhe duan të çlirojnë Tokën e Shenjtë nga pushtuesit judeo-kristianë siç e çliruan Palestinën në kohën e Salahudin al-Ejubit në shekullin e 12të. Në këtë zonë nga vjen mbreti Abdullah i Jordanisë, Palestina është shqetësimi kryesor pasi në këto vende liderët arabë shihen si kukulla të Izraelit dhe Amerikës që kanë braktisur Islamin dhe janë bashkuar me pushtuesit Perëndimorë. Por në Magrebin frankofon – Tunizi, Algjeri e Marok problemi qëndron gjetkë. Këtu problemi që kanë këto popullata është varfëria, shtypja e diktaturave laike, mbytja e shoqërisë civile dhe kthimi i këtyre vendesh në disa burgje me qiell të hapur.
Nga vizitat që kam patur në Algjeri në 2007 dhe 2008 dhe në një shkrim që kam bërë në ato kohë, tregoj sesi jam shtangur nga ato që kam parë me sy. Algjeria ashtu si Tunizia janë shtete – burgje. Diktatura të egra anti-islamike ku popullata arabofone shtypet nga një elitë sundimtarësh që flasin frëngjisht nëpër zyrat e tyre dhe mbajnë pushtetin me dhunë e shtypin e varfërojnë popullatat e varfëra muslimane në emër të modernizmit.
Problemi i Magrebit nuk është pushtimi i Palestinës nga Izraeli por varfëria dhe shteti policor dhe regjimet e dhunshme laike që fuqitë evropjanë lanë apo mbështesin në këto vende.


Kush ka interes që këto vende të protestojnë me radhë, një e nga një, në fillim Tunizia, për të përfunduar në Libi me protesta që po shtypen dhunshëm?
Është pyetje shumë e vështirë për tu përgjigjur. Këtu ka shumë faktorë që nuk mund të përgjithësohen me një përgjigje në gazetë. Çdo vend arab ka speficikat e tij. Në rastin e Tunizisë ku diktatori Ben Ali kishte shkatërruar opozitën islamike dhe çdo opozitë tjetër dhe kishte ndërtuar një shtet policor, shpërthimi erdhi nga populli i uritur për bukë dhe punë. Pra ishte një revoltë të uriturish dhe të shtypurish që mbaheshin nën dhunën e diktaturës laike të regjimit që prej vitin 1956. Në Egjipt të interesuar për protestën dhe revoltën kundër Mubarakut ishin shumë faktorë që nuk i gjejmë ndoshta në Tunizi. Një faktor shumë i rëndësishëm ishte ndikimi i multimiliarderit Xhorxh Soros i cili siç deklaroi në shkrimet e tij në shtypin perëndimor gjatë revoltës, i kërkonte qeverisë amerikane që të mbështeste opozitën kundër Mubarakut. Faktor tjetër ishte opozita egjiptiane. Parti që nga grupi i fuqishëm islamik Ihuan al-Muslimin (vëllazëria muslimane), Partia el-Ghad, Uafd, Lëvizja Kefaya etj. Interes në revoltë kishte edhe populli i thjeshtë që vuan nga një varfëri akute dhe kishte vite që protestonte por shtypej me dhunë nga regjimi laik egjiptian. Në rastin egjiptian lëvizja për ndryshim morri shtytje të madhe kur me atë u bashkuan figura si Mohamed el-Baradei, fitues i çmimit Nobel dhe me njohje të gjera në Perëndim. Në revoltën egjiptiane, duke qenë se egjiptianët janë një nga popujt më të edukuar arabë – lëvizja arriti që të ketë sukses të shpejt dhe të përfundojë pa dhunë të madhe edhe pse qeveria izraelite dhe qarqet neo-konservatore në Amerikë kërkonin të mbajnë në pushtet Mubarakun pasi nuk i zënë besë një Egjipti demokratik – i cili nuk do të tolerojë Izraelin të bëj krime në Palestinë. Por në rastin e Libisë ku Khadafi e ka shtypur me dhunë çdo opozitë dhe vendi udhëhiqet nga një qeveri tribale, pa kushtetutë, pa liri mediash dhe me një dhunë mesjetare, revolta është popullore, siç duket, dhe siç Khadafi deklaron është e nxitur nga lëvizjet islamiste të cilat janë shtypur me dhunë nga Khadafi ndër vite.
Khadafi dhe analistë rusë mendojnë se pas revoltës në Libi qëndrojnë edhe korporata të mëdha naftënxjerrëse perëndimore të cilat duan copëtimin e vendit dhe vjedhjen e naftës libiane.
Ndërsa në Bahrein ku vendi është një koloni amerikane që mban një nga bazat më të mëdha amerikane të rajonit revolta vjen nga shumica e popullsisë së vendit e cila është shiite, por shtypet e diskriminohet prej shumë dekadash nga diktatura sunite filo-amerikane e familjes Kalifa. Në Jemen më pas ka disa grupe që protestojnë. Këtu janë Vëllezërit Muslimanë, shiitët Huthi të cilët u masakruan nga qeveria jemenite dhe amerikanët pak muaj më parë, opozita synite e cila kërkon të largojë diktatorin filo-amerikan Ali Abdullah Saleh dhe varfëria e madhe në vend.
Kurse në Jordani, siç përmend mbreti Abdullah e ku pritet të ketë revolta të reja kundër tij, rezistenca dhe revolta kryesore drejtohet nga lëvizja e Vëllezërve Muslimanë dhe popullata vendase palestineze e cila Abdullahun dhe familjen Hashemite që është në pushtet e sheh si kukull të Izraelit dhe Amerikës. Në Jordani varfëria, diktatura e familjes mbretërore dhe Palestina janë ndoshta tre nga faktorët kryesor që motivon njerëzit të protestojnë.
Këto ditë në forumet e myslimanëve shqiptarë gjen vetëm mesazhe përkrahjeje për protestat në këto vende të lindjes së mesme dhe të Afrikës së Veriut. Pse kjo lidhje zoti Jazexhi?
Nuk besoj se gjen vetëm mesazhe përkrahje. Ka shumë muslimanë, sidomos selefij të cilët ndikohen nga fetvatë e hoxhallarëve të Arabisë Saudite që i kanë denoncuar këto revolta. Regjimi saudit i cili trëmbet se do të largohet për vete nga pushteti me revolta popullore, i ka nxitur hoxhallarët e tij me në krye muftiun e Arabisë Saudite që të denoncojnë këto revolta si kundra Islamit dhe të nxitura nga forca okulte dhe që nuk duan Islamin.
Por në anën tjetër shumica e muslimanëve shqiptarë, kanë lidhje shpirtërore me popujt muslimanë të botës arabe. Përkrahja që marrin protestat arabe sot në Shqipëri dhe forumet muslimane janë të njëjta me ato që shihen në të gjithë botën islame nga Indonezia e deri në Bosnje dhe Hercegovinë. E njëjta gjë ndodh edhe në Kanada ku unë jetoj. Nëpër xhami e rrugë muslimanët me origjinë arabe, indiane, evropjane protestojnë, solidarizohen me revoltat në botën arabe dhe lobizojnë pranë qeverisë që të ndërhyjë kundër diktaturave arabe. Muslimanët e të gjithë botës duan të shohin një botë arabe të lirë dhe pa diktatura laike që i janë imponuar kësaj bote nga Perëndimi Laik dhe i Krishterë.
Çfarë lidhjeje ka besimi me këto lloj protestash dhe pse ne duhet t'i mbështesim?
Lidhja është shpirtërore, kuranike. Arabët janë për muslimanët siç janë çifutët për shumë të krishterë. Në tokat arabe nga erdhi mesazhi i Islamit dhe fjala e Zotit, muslimanët e të gjithë botës drejtojnë sytë e tyre, mendjet e zemrat. Kur muslimanët falen, kudo që janë në botë kthehen nga Meka dhe njëherë në jetën e tyre ata duhet të bëjnë Haxh në Mekë dhe mundësisht edhe në Medine dhe Jeruzalemin arab për të falenderuar Allahun, përshëndetur patriarkët e Islamit; Profetin Ibrahim, David, Solomon, Jezu Krisht dhe Muhamedin a.s. Ama kur ata shohin që arabët sot vuajnë si hebrejtë në kohën e diktaturës romake të Herod Antipës, atyre u vjen keq pse vëllezërit e tyre në Islam të vuajnë dhe të mos jenë të lirë siç janë edhe popujt e tjerë të botës. Mbështetja ndaj revoltave arabe kundër diktaturave laike është fetare, humane, demokratike dhe logjike. Përveç të qenit muslimanë ne jemi edhe njerëz dhe si specie njerëzore që jemi na dhimben speciet e tjera që janë si ne por që vuajnë nën regjime të dhunshme diktatoriale.
Në Egjipt Vëllazëria Myslimane, një grup opozitar, tejet i fuqishëm, nuk pranoi të ishte pjesë e qeverisë në Egjipt. Ky grup njihet si grup që drejtohet nga parimet islame, pse nuk pranon të jetë pjesë e pushtetit ky grup?
Ky grup nuk pranon që të jetë në pushtet pasi opozita tjetër egjiptiane (shekullare) që mori pjesë në rrëzimin e Mubarakut e ka këshilluar që të mos hyjë në pushtet në mënyrë që pjesa tjetër e opozitës të bindin Perëndimin që Vëllazëria Muslimane nuk është agresive dhe e rrezikshme për Perëndimin, nuk ka ambicje për të marrë pushtetin me dhunë, është miqësore me Perëndimin etj. Në këtë mënyrë shoqëria civile egjiptiane do të bindë Perëndimin që të tolerojë vendosjen e demokracisë në Egjipt dhe sëbashku me këtë edhe muslimanët fetarë që duan të krijojnë parti sipas modelit demokristian në Evropë. Arsyeja pse në këto shtatë dekadat e fundit Perëndimi ka mbështetur diktaturat laike në botën arabe ka qenë pse diktatorët arabë luanin me histerinë e Perëndimit kundër Islamit për të legjitimuar dhunën e tyre laike.
E njëjta politikë luhej edhe në Turqi deri pak vite më parë, ku Perëndimi shtypte rrymën e kryeministrit Erdogan dhe mbështeste juntën ushtarake qemaliste turke, pasi ishte histerik me ardhjen në pushtet të besimtarëve musliman turq.
Në një nga fjalimet e tij Gaddafi u shpreh se protestuesit duan që Libia të bëhet një vend islamik si në Afganistan. Pse ekziston kjo frikë e të tjerëve ndaj një vendi islamik, pasi duket që Gaddafi e përdori si formë presioni këtë fjali?
Është ajo që them më sipër. Diktatorët arabë luajnë me histerinë dhe racizmin e Perëndimit kundër Islamit. Mubaraku, Ben Aliu, Khaddafi, Kalifat e Bahreinit, mbreti i Jordanisë, Sauditët dhe me parë Qemalistët në Turqi sa herë që duan të marrin para dhe armë nga Perëndimi për të qëndruar në pushtet luajnë me imazhin e gabuar që të krishterët kanë për Islamin. Ata e bindin Perëndimin Laik-të Krishterë që këta janë aleatët me të cilët ai duhet të punojë duke i trembur me Islamin i cili në mendjet Perëndimore dhe në shumicën e mediave në Perëndim imagjinohet si fe e dhunës dhe e mesjetës që shtyp të krishterët, diskriminon gratë dhe është intolerante. Kjo lloj ideje ndaj Islamit ishte ajo që shkaktoi edhe luftën e kryqëzatave 1000 vite më parë dhe që inspiroi grupin neokonservator të Samuel Hantingtonit në Amerikë të kërkojë luftë qytetërimesh gjatë administratës Bush.
Për më tepër, pasi pjesa laike dhe protestante e Perëndimit vjen nga e një kaluar lufte me fenë katolike, ajo Islamin e barazon me katolicizmin mesjetar dhe me Papatin militant. Siç nobelisti egjiptian Muhamed al-Baradei deklaroi në al-Xhezira disa ditë më pare retorika që disa qarqe në Perëndim përdorën kundër revolucionit egjiptian në mbështetje të Mubarakut në javët që shkuan, shpesh ishte një retorikë mesjetare dhe anti-moderniste.
Zoti Jazexhi, një pjesë e vendeve të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut, kanë prodhuar njerëz që kanë qëndruar mbi 40 vite në pushtet, të gjithë të të njëjtit besim, pothuajse të gjithë të të njëjtës natyre, afër diktatorëve, pse?
Pse kështu ka dashur Perëndimi i cili që prej krijimit të shtetit të Izraelit dhe që prej kolonizimit të vendeve muslimane kur ra Perandoria Osmane dhe më pas gjatë dekolonizimit nuk di sesi të përballet me Islamin. Për mendjet perëndimore feja duhet të qëndrojë jashtë politikës. Por për popujt arabë dhe muslimanë feja është pjesë e jetës dhe e politikës. Por për Perëndimorët kjo gjë është e papranueshme pasi koncepti i fesë në Perëndim ndryshon shumë nga ai që kanë muslimanët për Dinin (fenë). Në anën tjetër Perëndimin e gjëmon histeria e të kaluarës kur ai ishte i dobët përballë Islamit që ishte superior. Nëse popujt arabë janë të lire, të fuqishëm dhe të zhvilluar, Perëndimorët kanë frikë se mos rikthehen kalifatet arabe apo Perandoria Osmane, e cila për sa kohë ishte e fortë i detyronte popujt e Evropës që të kërkonin “viza shengen” për të vizituar Kajron apo Stambollin e pasur dhe jo siç bëhet sot me ne kur duam të vizitojmë Romën dhe Brukselin. Zgjidhja e Perëndimit për të trajtuar muslimanët si njerëz të lirë, shpesh e për fat të keq ka qenë që të mbështesi diktatura arabe kundër demokracive muslimane.
Po Shqipëria me cilët lider duhet të radhitet?
Shqipëria që kur u shpik në vitin 1913 ka qenë një protektorat euro-amerikan. Unë mendoj se Shqipëria nuk është vend i lirë që mund të zgjedhë vetë politikën e saj të jashtme. Liderët, armiqtë dhe miqtë e Shqipërisë i vendos BE-ja, NATO dhe Amerika. Ne do të radhitemi me ata liderë që do të na urdhërojë Perëndimi.

No comments:

Post a Comment