Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Wednesday, April 20, 2011

Interviste me Shpendi Sollaku Noe

Shkrimtari dhe poeti Shpendi Sollaku Noe flet për ngjarjet e vitit 1991


“Armët që kërkoi dega u përdorën ndaj popullit, pati një të vrarë”

Si fitoi azilin politik në Itali në 1992

Gilmana Bushati
Për të shpjeguar më mirë situatën në Lushnjen e vitit 1991, “Gazeta Shqiptare” intervistoi poetin dhe shkrimtarin e njohur, Shpend Sollaku Noe. Ai u lind më 1957. Në moshën tre vjeçare i arrestohet i ati, i cili akuzohet për “sabotim” nga regjimi, duke lënë në shtëpi gjashtë fëmijë dhe të shoqen, të cilëve u duhet ta përballojnë jetën. Kur mbush katërmbëdhjetëvjeç ai fiton konkursin e muzikës në Tiranë, por s’mund ta vazhdojë liceun artistik të kryeqytetit. Kthehet në qytetin e tij dhe ndjek gjimnazin, të cilin e mbaron me nota të shkëlqyera. Rrezikon të përjashtohet nga shkolla për një palë pantallona "antikomuniste".
Rezultatet shumë të mira nuk i mjaftuan për të fituar të drejtën e vazhdimit të Universitetit. Për tre vjet me radhë vijon të kërkojë të drejtën e studimit. Në vitin 1978, në sajë të ndërhyrjes energjike tek Enver Hoxha të Lidhjes së Shkrimtarëve e personalisht të Kryetarit të saj, poetit të madh Dritëro Agolli, Noé-së i njihet e drejta "jashtë kritereve" për të studiuar për gjuhë e letërsi. Por, sapo regjistrohet në Universitet, e postojnë në ishullin e Sazanit për të kryer shërbimin ushtarak si marinar për tre vjet. Në vitin 1980 i vdes i ati, por oficerët nuk ia komunikojnë, por ai shkon fshehurazi. Në vitet 1989-1990 është pjesë e lëvizjeve demokratike. Më 1990 themelon Partinë e Vullnetit të Lirë (PVL) me intelektualë të tjerë të pakënaqur, por ai kërkon të përfshihet në këtë parti bashkë me përkrahësit e tij. Por ai konstaton se PD-ja nuk i qëndroi idelave për të cilat ishte themeluar. Ai i bashkangjitet PR-së ku zgjihdet anëtar Komitetit drejtues. I tradhëtuar në ideale dhe i ndodhur i pambrojtur, për të shpëtuar veten dhe familjen (të shoqen prokurore dhe djalin), si mbetet gjë tjetër veç kërkimit të azilit në Itali. Familja e tij është e vetmja të cilës i është njohur azili politik në Itali në vitin 1992, pas të ashtuquajturës "fitore të demokracisë në Lindje”. Shpendi Sollaku Noe, është një shkrimtarët dhe poetët shqiptarë që njihet si i tillë në disa vende të Europës ashtu dhe në SHBA.
Zoti Shpend, cili ishte aktiviteti juaj politik në vitet e para të pluralizmit, një aktivitet që duket se pati ngjallur dhe kureshtjen e degës së Punëve të Brendshme në Lushnje?
Kureshtjen e Degës së Brendshme të Lushnjes e kisha ngjallur që shumë më përpara lëvizjes për demokraci, në moshën adoleshente. Per gjëra që sot duken nga më te rëndomtat, p.sh. nga mënyra sesi vishesha, nga arti që pëlqeja, nga karikaturat e bëra vajzës së Sekretarit të Parë, nga antenat me shumë elementë të fshehura mes pemëve...(po ndalem, pasi lista bëhet shumë e gjatë). Këto ishin disa nga mënyrat "e vogla" të brezit tim nëpërmjet të cilave mundnim të shprehnim pakënaqësinë. Më vonë u shtua miqësirat me njerëz, sipas tyre, të padenjë politikisht. Si pasojë arriti edhe mohimi i së drejtës për të studiuar në Universitet, edhe pse me nota të shkëlqyera në diplomë, edhe pse kisha filluar të botoja në organet kombëtare që në moshën 14 vjeçare. Menjëherë pas kësaj ia mbërriti ushtria në Sazan për tre vjet...Pastaj, kur isha mësues, u shtua ndër të tjera edhe aktivizimi në rrethin tim letrar i bijve të të persektuarve, pastaj dërgimi në karton i librit tim të parë e të vetëm të botuar në Shqipëri, në vitin 1987.
Nga një dokument sekret i degës së Punëve të Brendshme, ju citoheni si pjesë e lëvizjeve demokratike. Çfarë ju kujton ky dokument sekret?
Shumë gjëra, aq shumë sa nuk di nga t'ia nisësh. Mitingu i PD-së në Lushnje, si edhe në ndonjë vend tjetër, u bë kur akoma nuk ishte organizuar dega në rreth. Isha vënë që më parë në kontakt me Tiranën, kur seli e PD-së ishte akoma dhoma e Arben Imamit në Qytetin Studenti. Para se të prezantoheshin demokratët e parë të Lushnjes në miting, kisha rreth 3000 anëtarë të regjistruar. Nuk kishim tesera, por disa fletushka të ngjashme me autorizimet për të blerë frigorifer. Kontaktet në Tiranë nisa t'i mbaj me Azem Hajdarin. Pikërisht Azemi u bë shkak që mitingu të bëhej edhe pse dega e rrethit nuk qe ende e organizuar. Një ditë para Hajdari kishte dhënë një intervistë në Zërin e Amerikës ku njoftonte kryerjen e mitingut të nesëmen në Lushnje dhe, më pas, në mos gaboj, edhe në Fier. Zëri Amerikës ato kohëra ishte agjencia jonë e lajmeve. Populli i Lushnjes e mori vesh lajmin prej Amerike. Nëse mitingu nuk do të bëhej, mund të interpretohej si mosdhënie e lejes nga autoritetet dhe kjo mund të çonte në përleshje të rrezikshme. Para se të shkonte në Fier, Azemi më kërkoi, dhe nguli këmbë, që mitingu të bëhej patjetër. U mblodhëm fillimisht në shtëpinë e Kujtim Sulës, koleg me mua dhe baba i studentit Arben Sula, i dërguar nga studentët për të forcuar lidhjet me qendrën. Ishte nata e 3 janarit. Hartuam një plan sesi mund të bëhej mitingu dhe kërkesën për lejen nga Dega e Brendshme. Ramë dakord që hapjen ta bënte Visar Zhiti, intelektual i burgosur, me figurë të pastër morale. E lamë të takoheshim edhe një herë tjetër në të gdhirë. Takimi i dytë u bë në shtëpinë e Kujtim Ginës. Herët në mëngjes dorëzuam kërkesën në Degë dhe ata u detyruan ta pranojnë. Për më tej nuk po zgjatem. Sesi vazhdoi më vonë lëvizja demoktatike në Lushnje etj, e kam shprehur në artikullin "Ne ishim argatët e demokracisë", botuar në vitin 1992 në gazetat "Ora e Fjalës" dhe "Republika".
A keni pasur, në atë kohë, presione nga agjente te sigurimit apo nga strukturat e tjera të regjimit komunist?
Presione përballë? Mua drejtpërdrejt jo, pasi e njihnin mirë vendosmërinë time, pasi isha shumë i njohur dhe i trëmbeshin hakmmarrjes së djemve që na rrethonin. Por njerëzve të familjes po. Presione për të më detyruar të hiqja dorë, por që ranë në vesh të shurdhët. Kundër meje ata vepronin tinëz, me plumba nëpër zarfa anonimë, me dinamit poshtë shtëpisë, me gjysma tullash nëpër xhepa për të më goditur pas shpine. Në fillim të 1992-isht, guxuan edhe më shumë, sidomos pas shkrimeve të mia të para për riciklimin e parasë së pistë.
Pse mendoni ju se dega e Brendshme kishte nevojë për përforcime nga Tirana për të përballuar situatën. Çfarë situate u krijua me lëvizjet demokratike?
Tejet e tendosur dhe e rrezikshme. Pas mitingut demokratik në Lushnje qytetarët nisën të guxojnë më shumë. Komunistët e kuptuan që mund t'u shpëtonte pushteti prej duarsh dhe po përgatiteshin ta mbronin edhe me armë.Frika e tyre ishte e madhe dhe ai armatim e ato forca speciale që zotërinin deri atëherë u dukeshin pak, përballë guximit të popullit që sa vinte e rritej me shtysën e vendosur të liderave të tij të rinj. Armët e kërkuara në atë dokument u përdorën me të vërtetë në Lushnje, në një nga mitingjet e mëvonshëm për demokraci. Pati edhe të plagosur, sidomos edhe një i vrarë. Ishte një djalë i ri, në mos gaboj me mbiemrin Vogli, baba familjeje, që kalonte pranë sheshit rastësisht, me ilaçet e së bijës në dorë. Varrimi i viktimës u karakterizua nga një shpërthim i papërmbajtur i urrejtjes dhe shpagimit. Pas funeralit korteu prej mijëra vetësh u shfry mbi institucionet duke djegur e plaçkitur, që nga gjykata e prokuroria e deri tek komiteti i PP-së. Përforcimet e kërkuara nga kryetari i Degës nuk mjaftuan për të argjinuar urrejtjen popullore. Forcat e rendit nuk qenë në gjendje të mbronin as edhe Degën e Brendshme, por e braktisën në panik e ia dhane vrapit nga portat e pasme që të çonin në përrua.
Ju e kishit gruan prokurore, pse kishit frikë atëherë, duke qenë se prokurorët kishin mbështetjen e shtetit?
Kam qenë që atëherë i mendimit që punonjësit e drejtësisë duhet t’i rrinë larg politikës, prandaj ime shoqe nuk pati asnjëherë presione prej meje per t’u lidhur me lëvizjen demokratike. Ajo në atë kohë ishte prokurore e sektorit gjyqësor. E kryente atë detyrë pa iu bindur qortimeve të vazhdueshme për të marrë teserën e kuqe të PS-së. Ishte e vetmja në Prokurorinë e Lushnjes që nuk kishte pranuar të bëhej komuniste. Aktiviteti im politik, sidoqoftë, asaj i krijoi jo pak probleme, që kishin filluar që me martesën e saj me një si unë, me baba një ish monarkisti të dënuar. Në atë periudhë ajo e ndiente veten shumë të pambrojtur, as që bëhej fjalë që të bëhej ombrellë për mua. Shqetësimi ynë më i madh ishte mbrojtja e djalit tonë të vetëm, pasi kishin tentuar ta rrëmbenin. Jo më kot në dokumentin në fjalë theksohet pas emrit tim: gruaja e tij është ndihmës prokurore! Për ta ishte një skandal që duhet të kishte pasoja si për prokuroren, ashtu edhe për të shoqin. Më vjen të qesh nëse mendonin ta gjykonin si tradhëtare. Për të tradhtuar diçka duhet që më parë ta duash!
Në kohët e sotme dokumenti duket tejet absurd, por nëse nuk flasim për të, a mendoni se historia jonë thjeshtëzohet?
Sigurisht. Nuk është kurrë e tepërt të flitet për atë periudhë. Madje mendoj se akoma është folur pak dhe me shumë demagogji.Sidoqoftë, siç duhet të ndodhë në një komb të qytetëruar,duhet patjetër të flitet e të shkruhet me ekilibër. Sot në Shqipëri mbizotëronn tendenza e nxirjes së gjithçkaje që ka të bëjë me ato 50 vjet. Si quhet rubrika juaj? ‘Kujtime tranzicioni’? Më duket se nga kjo pikëpmje Shqipëria është akoma në tranzicion, një tranzicion tejet i stërgjatur, që minon nevojën jetike të një kombi të vogël si i yni për të qenë i bashkuar. Injorimi i Luftës Antifashiste, (të kalëruar më vonë prej të kuqve), nihilismi i tepruar ndaj figurave të shquara (edhe të kritikueshme) të kulturës të periudhës komuniste, vënia në dyshim e gjuhës së përbashkët letrare dhe tendenca për t’u rinisur duke u bazuar në një dialekt tjetër, të udhëhequr nga logjika e prejardhjes së klaneve etj., janë sipmtoma të një sëmundjeje të rrezikshme për një popull që nuk ka zgjidhur ende çështjen kombëtare. Tendenca për të rishkruar historinë duke u nisur nga pozita dominuese e fitimtarëve është frutkeqe, pasi nuk mund të jetë reale historia në të cilën mungojnë edhe rënkimet e të mundurve.
Në vitin 1992 ju kërkuat azil politik, ndërkohë që Shqipëria po konsiderohej tashmë demokratike...
Paradoksi i Shqipërisë demokratike nuk na u nda vërtetë ditët që kërkuam azil politik në Itali. I pari avokat që njoha ato ditë ishte Fabio Fabbri, që më vonë u bë Ministër i Mbrojtjes në qeverinë Ciampi. Edhe ai më bëri të njëjtën pyetje. Me dokumentat që munda të marr me vete nga Shqipëria, arrita të bind Fabbrin dhe Komisionin e Romës për refugjatët politikë, që rruga për në demokraci e vendit tim ishte akoma e gjatë.
Ç'fituat ju nga sakrificat e bëra në atë kohë?
Më mirë duhej të më pyesnit çfarë humbët. Humbëm gjithçka të shtrenjtë: së pari atdheun,"që e donim dhe s’na deshi", që vazhduam ta donim, pasi atdheu është si nëna, duhet shumë, edhe kur është e varfër dhe e përdalë! Humbëm njerëzit që na rrethonin, miqtë, profesionet. Humbëm mundësinë për të vënë qoftë edhe një lule në varrin e babait, vdekur akoma i ri prej brengave. Fituam vite të tëra sakrificash të panumërta në dhe të huaj, punët e rënda e të përçmuara të viteve të para të mërgimit për të mbijetuar e për të shpëtuar familjen, sforcimin deri në dhimbje për t’u rikthyer në jetë intelektuale.
Edhe e sotmja është po aq e zezë?
Jo, pas kaq vitesh të humbura, gradualisht iu ktheva letërsisë dhe kjo shpëtoi nga vdekja e sigurtë edhe pjesën time shpirtërore. Librat e mi të fundit të botuar në SHBA, në anglisht e italisht, kanë shkuar në rreth 90 vende të botës.
Cilin mund të përmendni si suksesin tuaj të fundit?
Pse i fundit? Do të ketë patjetër të tjerë. Që i kam shkruar dhe që i kam në mendje. Pas disa javesh del nga shtypi Antologjia ime në pesë gjuhë: anglisht, frëngjisht, spanjisht, italisht e shqip.
Në cilën nga këto gjuhë të duket më e rëndësihme kjo Antologji?
Në të gjitha gjuhët që do të botohet. Ai shqip, sigurisht, do të jetë më emocionuesi. Nuk botoj një libër në gjuhën time që prej vitit të largët 1987!

1 comment:

  1. Shpend Sollaku NoéApril 23, 2011 at 9:14 AM

    Copmlimenti alla giornalista. L'intervista è stata letta da tantissimi lettori e ha avuto moltissimi commenti posistivi sia tramite la mia mail personale, sia su F.B. Tutto merito di Gilmana Bushati. Auguri!
    Shpend Sollaku Noé

    ReplyDelete