Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Tuesday, June 14, 2011

interviste me Zakirjam Hasam

Flasin ujgurët: Në
Shqipëri s’jemi ilegalë
po ngrejmë të ardhmen

Zakirjan Hasam është koordinatori i ujgu-rëve që ndodhën në Shqipëri, të ardhur këtu pas një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane për lirimin e të dënuarve nga kampi i Guatanamos. Ky kamp, i cili ndodhet në bazën detare amerikane në ishullin e Kubës, u hap më 2002 nga administrata e presidentit amerikan Xhorxh Bush, për të mbajtur të burgosurit nga lufta e Afganistanit dhe më pas e Irakut. Ai tregon se sa e vështirë ishte jeta e ujgurëve në kampin e Guantanamos, torturat që u janë nënshtruar ujgurëve, por edhe e myslimanëve të tjerë që gjenden atje. Sipas tij, ujgurët kanë kujtime të trishta për periudhën që kanë qëndruar në Guantanamo, gjurmët e të cilave do t'i mbeten përjetë në mendje dhe shpirt, për shkak të situatës dhe vështirësive që ata kaluan atje. Sipas tij, edhe pse Amerika është shteti model për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për demokracinë, një gjë e tillë nuk mund të thuhet në rastin e Guantanamo Bay dhe për njerëzit që kanë vuajtur atje dhe që ende vuajnë. Hasam, thekson se ujgurëve, premtimi i Obamës për mbylljen e këtij kampi, ishte vetëm pjesë e premtimeve të tij elektorale si gjatë fushatës dhe pas saj. Gjithsesi, ai, shprehet se asnjëri prej ujgurëve që gjendet në Shqipëri, nuk është këtu për t'u fshehur, apo për të bërë jetën e ilegalit. Sipas tij, ata kanë ardhur këtu për të ngritur një të ardhmen, kanë ardhur këtu për të stabilizuar jetën, e këtë e kanë bërë, duke krijuar familjet e tyre, dy prej tyre janë martuar me vajza shqiptare, ndërsa tre janë martuar me vajza ujgure. Ai vetë, Zakirjan, pret t'i vijë e shoqja nga Turqia, së bashku me të bijën, që edhe për tre muaj do të mbushë plot 11 vjeçe. Sipas tij, janë kryer të gjitha procedurat e bashkimit familjar dhe ai vetëm po pret të realizohet një gjë e tillë.
Ujgurët janë vënë në dijeni për disa kabllograme të botuara të Wikileaks, në lidhje me ta, që cilësohen ende si pjesëtarë të Al-Kaedas. Si janë ndjerë ata me këto fakte të reja të publikuara?
Të them të drejtën nuk janë ndjerë mirë, madje janë ndjerë në siklet. Artikulli shkruante se ne, pra ujgurët, jemi të rrezikshëm dhe anëtarë të Al-Kaedës. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, pra që kanë prova që ne jemi anëtarë të kësaj organizate, atëherë pse qeveria amerikane i liroi. Por mendoj se të gjitha këto janë pjesë e luftës politike, e akuzave të ndërsjellta politike të partive të ndryshme. Nëse në shtete që kanë dy ose më shumë se dy parti, ato kanë pozicione kundërshtuese ndaj njëra-tjetrës, dhe këto pozicione i mbajnë me akuza të ndërsjellta dhe cila është rruga më e lehtë për ta bërë, është politika. Besoj se artikulli i dalë nga materialet e Ëikileaks është thjeshtë një shpërqendrim vëmendjes së publikut dhe asgjë më shumë. Atëherë kur ujgurët erdhën në Shqipëri, dikush doli me idenë se ata nuk i pranonte asnjë vend tjetër veç Shqipërisë, që është me shumicë myslimane. Por ne kishim mundësi të zgjidhnim, pra mes një vendi islamik dhe një vendi që nuk ka një fe zyrtare dhe ne zgjodhëm pikërisht Shqipërinë, ku jemi të lirë të ushtrojmë besimin tonë. Edhe atëherë dhe tani, ka mjaft thashetheme sa i takon faktit se ardhja e ujgurëve këtu ishte si pjesë e marrëveshjes politike mes qeverisë amerikane dhe asaj shqiptare. Por kjo s'ka asnjë lidhje me këtë gjë, s'mund të jetë kështu. Ne jemi në këtë vend, se është pikërisht ky vend që na pranoi, është ky vend ku jemi të lirë të praktikojmë islamin dhe jemi mjaft të gëzuar dhe të lumtur që jemi në një vend që na pranoi ashtu siç jemi. Një pyetje tjetër ngrihet mbi artikullin e publikuar, cili është qëllimi i tij? Të akuzonte kreun e një shteti që ka pranuar ujgurët? Nëse një parti politike është kundër lirimit të të dënuarve të kampit të Guantanamos, është kundër dërgimit të tyre në vende të tjera, çfarë do të bëjë kur të vijë në pushtet? Do u thotë qeverive përkatëse, nxirrini jashtë të dënuarit e Guantanamos?
Të vijmë në një pyetje, që besoj se do të jetë në interes të të gjithëve, por që ndoshta për ujgurët nuk është dhe aq e thjeshtë dhe e lehtë për t'u përgjigjur. Çfarë ishte Guantanamo Bay për ta, çfarë ishte ai kamp?
Guantanamo është një kamp të burgosurish dhe në themel të tij, si i tillë, ai ka torturat mendore, ku shkelen edhe të drejtat më themeltare njerëzore, edhe të drejtat më të thjeshta njerëzore. Ujgurët thonë se atje nuk je askush, nuk ke sy, nuk ke veshë, nuk ke gojë, nuk mund të kërkosh avokatin tënd. Ata thonë se është e vështirë të qëndrosh atje, ku mungon liria më e vogël.
Kur thoni tortura, çfarë kanë parasysh ujgurët?
Me tortura ata përshkruajnë kryesisht; lënien pa gjumë; seanca hetimore pa një limit kohor; atyre u sillnin hetues nga vendet përkatëse. Ujgurët si hetues kanë pasur hetues kinezë, pasi këta të fundit besonin dhe shpresonin se ujgurët do u ktheheshin Kinës. Edhe ujgurët, i janë nënshtruar torturës së ujit të gojë, e kjo ushtrohej gjatë seancave të pyetjeve.
Po si liheshin pa fjetur të dënuarit atje?
Ujugurët, por edhe të dënuarit e tjerë, qëndronin në qeli izolimi, që kishin vetëm një dritare te dera dhe një sipër qelisë, nga ku hynte drita. Sa e shihnin që të dënuarit flinin ushtarët vinin duke bërtitur, i zgjonin të dënuarit. Kjo gjë ndodhte çdo pesë apo dhjetë minuta. Pas qëndrimit të gjatë pa gjumë, i merrnin të dënuarit në pyetje, sërish në seanca të stërzgjatura. Pyetjet që u bënin atyre ishin nga ato që nuk ua dinin as se si të përgjigjeshin.
Dukej sikur ka qenë e vështirë jeta për të dënuarit atje?
Sigurisht, shumë e vështirë. Por atje të dënuarit myslimanë i duronin të gjitha këto tortura, por kishte nga ato tortura, që hynin te torturat mendore, ku ushtarët e kampit fyenin besimin e tyre, fyenin islamin. Ushtarët u hynin të dënuarve në qeli dhe bënin kontroll të trupit, ua merrnin Kuranin, që për ta është libri më i shenjtë, dhe ua hidhnin në banjo. Vetëm në këtë moment të dënuarit rebeloheshin, ata fillon të kundërshtonin një akt të tillë, protestonin duke u bërtitur ushtarëve. Në këtë moment te qelitë e të dënuarve hynin forcat speciale, që e shuanin këtë protestë duke u hedhur atyre gaz.
Pra në njëfarësoj, Guantanamo ishte një kamp kundër besimit Islam?
Ujgurët mendojnë se kështu ishte. Amerikanët, sipas tyre, kanë eksperiencë në luftën kundër këtij besimi, duke përmendur në këtë rast luftën në Irak. Ushtarët amerikanë hynin nëpër xhami, merrnin Kuranin dhe e qëllonin me armë, e merrnin shenjë dhe e qëllonin. Pyetja është pse bëhej një gjë e tillë, pra pse armiku ishte Kurani? Por ata mendojnë se Guantanamo nuk ishte i vetmi rast dhune ndaj Islamit, ata mendojnë se, për fat të keq, nuk është as i fundit.
Po për çfarë akuzoheshin atje ujgurët?
Ujgurët thonë se akuzat që bëheshin atje ishin nga më qesharaket, nga më të çuditshmet dhe nga më idiotet. Kur ndonjë i dënuar refuzonte ushqimin ai akuzohej "ti akuzohesh se refuzon ushqimin". Apo ajo që ishte me qesharakja, ishte se "akuzoheni se jeni këtu në Guantanamo". Si mund të akuzosh një të dënuar se ndodhet në kamp, ai nuk ka shkuar vetë atje, as nuk ka mori taksinë me destinacion Guantanamon, ishin ushtarët që i dërguan atje.
Duket se janë kujtime të trishta këto për ujgurët?
Sigurisht që janë kujtime të trishtuara për ta, por më të vështirë e kanë ata që ende gjenden në Guantanamo. Sepse për ta nuk ka asnjë akuzë konkrete, apo ndonjë provë për t'i mbajtur ende atje. Ujgurët thonë se atje në Guantanamo nuk mungonte as spektakli, kur organizoheshin seancat gjyqësore, me prokurorë, hetues, dëshmitarë, të dënuar, ku ishte i pranishëm dhe gjykatësi ushtarak. Ata pyesin, pse bëhej e gjitha kjo, kur ata nuk kishin prova për të dënuarit, ku nuk kishte asnjë gjë konkrete për krimet që ata kishin bërë. Nëse s'kanë as prova në dorë, atëherë pse ata nuk i mbyllin dosjet, pasi s'kanë se çfarë të vërtetojnë. Pastaj kërkojnë nga vendet e tjera që të respektojnë të drejtat e njeriut, por për vitet e të dënuarve atje kush mban përgjegjësi. Të dënuarit e Guantanamos, ata që janë liruar dhe ata që ende janë brenda, nuk kanë një të ardhme, s'kanë shëndet, kanë probleme mendore, kush duhet të mbajë përgjegjësi për jetën e tyre.
Por presidenti Obama si gjatë fushatës elektorale dhe pas saj deklaroi se do ta mbyllte kampin e Guantanamos...
Po, por për ujgurët një gjë e tillë nuk u besohet.
A kishin mundësi të dënuarit të bënin miqësi në kamp?
Jo, asnjëri prej të dënuarve atje nuk bënte dot miqësi, pasi të gjithë qëndronin në qelitë e izolimit.
Po për ushqimin, si respektohej norma islame në vaktet që u sillnin të dënuarve atje?
Sipas ujgurëve, në kamp ka qenë dhe duket se është një imam zyrtar i ushtrisë amerikane. Të gjitha vaktet ushqimore të të dënuarve ishin të firmave hallall, kryesisht mishi, por edhe produktet e tjera. Vakte ose merreshin nga firmat hallalli që ishin në Amerikë ose porositeshin jashtë saj, kryesisht në vendet islamike.
Nëse për ujgurët dhe për të dënuarit e tjerë jeta ishte e vështirë si një njeri i thjeshtë, do të ketë qenë më e vështirë jeta si një praktikues i islamit?
Ushtarët amerikanë ishin të instruktuar dhe e dinin mjaft mirë rregullat që duhet të ndjekë një ushtrues i besimit islam. Ujgurët thonë se edhe pse i dinin këto rregulla, ata e dinin se nuk duhej bërë zhurmë, nuk duhej të ngrihej muzika me zë të lartë, apo nuk duhej të hynin në qelitë e të burgosurve. Por ata gjenin pikërisht momentin kur ishte koha e faljes për të bërë zhurmë, për të bërtitur me të madhe, apo për të hyrë në qelitë e të dënuarve. Hynin dy tre ushtarë në këto qeli dhe u kërkonin të dënuarve që të vinte duart pas koke, por myslimanëve nuk u lejohet të bëjnë asnjë veprim tjetër gjatë faljes, kështu që ata vazhdonin faljen sipas rregullave. Ushtarët nevrikoseshin, i shtynin të dënuarit, i shtrinin përtokë, ua lidhnin duart pas shpine dhe u hidhnin gaz.
Por nëpër televizorë, në kronikat e lajmeve, kemi parë të dënuar me uniforma që faleshin sipas ritit islam?
Kjo për ta ishte veç reklamë, ishte pjesë e fushatës për të treguar se respektohen të drejtat atje. Këto kronika që janë shfaqur, ishin dhe janë vetëm pjesë e reklamës.
Tani ujgurët janë në një vend më të qetë pas një situate të vështirë të kaluar në Guantanamo, a ndjehen mirë ata këtu?
Po, të gjithë pa përjashtim. Shumë i pyesin ujgurët se a u pëlqen Shqipëria, duke u parashtruar atyre problemet e mëdha që ka ky vend, por ata u përgjigjen që sigurisht ndjehen mirë dhe nuk mund të krahasosh një vend ku nuk je i lirë me një vend tjetër, ku je i lirë të ushtrosh pa frikë besimin tënd. Dy prej tyre kanë krijuar familje me vajza shqiptare, ndërsa tre të tjerë janë martuar me vajza ujgure. Unë tani pres që të më vijë bashkëshortja së bashku me vajzën nga Turqia, kemi përfunduar procesin e bashkimit familjar. Por duhet të jetë diçka e qartë, ujgurët në Shqipëri nuk janë "të fshehur", apo "ilegalë", ata po përpiqen që të ngrejnë këtu një të ardhme, një familje, gjithçka që nevojitet për të stabilizuar një jetë normale.
Njëri nga ujgurët arriti të largohej nga Shqipëria dhe kërkoi azil politik në Suedi...
Po, më 2008 ai shkoi në Suedi. Aplikoi për të marrë statusin azilantit politik dhe e fitoi. Ai atje kishte dhe një motër, por të gjithë ujgurët e tjerë janë këtu në Tiranë.
A kanë frikë ata nga shërbimet sekrete, kryesisht të vendit nga vini?
Unë personalisht nuk jam përballur me ndonjë problem të tillë, mund të ketë pasur ndonjë rast para se të vija unë, por unë vetë nuk kam pasur probleme dhe nuk di të them për tani.
Ju vazhdoni studime këtu në Tiranë, a ju ka rënë rasti që të bëni të njohur faktin se ju jeni ujgur dhe cila është përshtypja e shqiptarëve në këtë rast?
Vazhdoj studimet në një universitet privat këtu në Tiranë për Shkencat Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Shumë pak njerëz e dinë se kush jam, por kur u them se jam ujgur shumica prej tyre nuk e besojnë.

No comments:

Post a Comment