"Shpresojmë që herës tjetër Shqipëria të jetë me ne"
Gilmana Bushati
Ambasadori palestinez në Tiranë, zoti Issam Massalha, në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" komenton votën abstenuese të Shqipërisë në UNESCO ndaj anëtarësimit me të drejta të plota të Palestinës në këtë agjenci kulturore dhe shkencore. Ai shpreson, që Shqipëria herës tjetër, kur t'i takojnë të votojnë për Palestinën, të votojë pro saj dhe risjell në kujtesë argumentet se pse duhet të votojë për Palestinën.
Zoti ambasador si e komentoni votën abstenuese të Shqipërisë në UNESCO?
Para së gjithashtu ne respektojmë vendimin e shtetit shqiptar, pavarësisht situatës. Edhe nëse ky vendim do të kishte lidhje me të ardhmen e shtetit palestinez dhe të qeverisë së tij për arritjen e një qëllimi, që është krijimi i shtetit palestinez. Këtu nuk dua të harroj asnjë pozicion pozitiv që ka mbajtur shteti shqiptar ndaj Palestinës dhe popullit të saj. Nuk harroj faktin që Shqipëria ishte e para që e njohu Palestinën si shtet në 1988, vit i cili përkon dhe deklaratën e pavarësisë së shtetit tonë. Kemi vendoshur marrëdhënie diplomatike me vendin tuaj që në 1989 dhe ky vit përkon me hapjen e ambasadës palestineze në Tiranë. Dëshironim që Shqipëria të votonte pro Palestinës në UNESCO, por pasi u sqarua pozicioni i vendit tuaj në rrugë zyrtare, dolëm në konkluzionin se Shqipëria është pro të drejtës së shtetit të Palestinës dhe krijimit të 2 shteteve në atë rajon, pra shtetit të Palestinës dhe Izraelit dhe pala shqiptare e sheh zgjidhjen e çështjes atje vetëm me anë të negociatave. Kjo është arsyeja që pala shqiptare dha sqarimin për abstenimin e saj ndaj nesh në UNESCO. E përsëris edhe njëherë e respektoj vendimin e palës shqiptare, por gjithmonë i kemi kërkuar dhe do t'i kërkojmë në të ardhmen që ajo të jetë me maxhorancën e vendeve, e cila beson në të drejtën e popullit palestines dhe është për krijimi e një shteti palestinez.
A ishte vendimi i Shqipërisë në të njëjtën linjë me vendet anëtare të Konferencës Islamike?
Konferenca Islamike e mbështeti me të gjitha format e saj dhe vazhdon ta mbështesë krijimin e shtetit palestinez. Ndoshta edhe Konferenca Islamuike ka dëshiruar që Shqipëria të ishte pjesë e vendeve që votuan pro Palestinës, por në fund të fundit është vendimi sovran i shtetit shqiptar dhe kjo varet nga interesat dhe politikat që ndjek.
Kjo votë abstenuese e Shqipërisë a ishte në të njëjtën linjë që Shqipëria mbajti gjatë mbledhjes së OKB-së në fund të shtatorit?
Në fakt janë dy situata të ndryshme ajo e OKB-së me atë të UNESCO-s. Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mbajtur në fund të shtatorit, qëllimi i palestinezëve ishte që të bëheshin anëtarë me të drejta të plota në këtë Asamble, por të propozuar nga Këshilli i Sigurimit. Ne s'mund ta paragjykojmë shtetin shqiptar në lidhje më këtë, porse e përsëris se fjalimi i kryeministrit të Shqipërisë, përkonte me qëndrimin që mbajti SHBA-ja në këtë sesion ndaj Palestinës, pra se vetëm me anë të negociatave mund të zgjidhet çështja mes Palestinës dhe Izraelit. Por populli palestinez ka 20 vite që është futur në këto negociata me Izraelin, ndërkohë është ky i fundit që vazhdon e zgjeron territoret, që dhunon të drejtat themelore të palestinezëve, që thyen ligjet ndërkombëtare, që thyen të gjitha Konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare që e ndalojnë kategorikisht një zgjerim të tillë. Duke u nisur nga të gjitha këto dhe nga situata kritike në të cilën jeton populli palestinez, ne jemi dakord me negociata me izraelitët e këta të fundit janë të kënaqur me procesin e paqes. Por një gjë duhet të kihet parasysh, se izraelitet kanë 20 vite që kanë hyrë në këtë proces paqeje, por në fakt ata ndjekin vetëm procesin, pasi për paqen as që nuk flitet. Të gjithë janë kundër zgjerimit të Izraelit në tokat e pushtuara, përfshi këtu dhe SHBA-në, janë kundër ngritjes së murit, i cili në fakt ka uzurpuar vetëm toka palestineze, njëkohësisht në burgjet izraelite gjenden 6000 pengje palestineze, në një territor më të vogël se sa Tirana gjendet plot 600 postoblloqe, postoblloqe që i ndalojnë fëmijët të shkojnë në shkollë, të shkojnë të sëmurët në spitale, të lëvizin të lirë në familjet e njëri-tjetrit. Imagjinoni që në kryeqytetin shqiptar, nga këtu (ambasadori e ka fjalën për vendin ku gjendet ambasada, e cila është në rrugën që njihet si vilat gjermane) e deri në Dajt, të ketë 10-15 postoblloqe, gjë që tregon presionin e madh psi-kologjik që ushtrohet ndaj palestinezëve. Të gjithë e dinë situatën, tashmë atje nuk ka mbetur më tokë për të krijuar shtetin palestinez, atëherë mbi cilën tokë do të ngrihet ky shtet, për të cilët të gjithë janë darkord që të krijohet?
Me një vendim strategjik ne kemi pranuar që të heqim dorë nga shteti historik palestinez dhe kemi rënë dakord që të marrin 22 për qind të territoreve të pushtuara, mbi të cilin të ngrihet shteti i Palestinës dhe të jetojmë në paqe. Për fat të keq që prej 20 vitesh s'na është dhënë asnjë dritë jeshile, na janë bërë vetëm premtime. Sigurisht që ne do t'i vazhdojmë negociatat dhe i besojmë faktit që s'mund të krijohet një shtet pa negociata, por kjo arrihet atëherë kur Izraeli të respektojë të gjitha traktatet, ligjet dhe konventat ndërkombëtare, të miratuara dhe nënshkruara për këtë çështje. Pikërisht për faktet që dhashë më sipër them se konflikti nuk është i komplikuar, siç mendojnë disa, sepse çdo shtet që është anëtar i OKB-së pranon që tokat e Palestinës janë të pushtuara, prandaj duhet që të pushojë ky pushtim që palestinezët të jetojnë në paqe, ku dhe të respektohen të gjitha të drejtat e njeriut. Këto kërkesa janë lehtësisht të realizueshme, por nuk kemi parë asnjë dritë jeshile, sepse Izraeli e mendon veten të mbrojtur dhe më të fortë se ligjet ndërkombëtare dhe për të zbatohen në realitet dy standarte të së drejtës. Kur Amerika e disa shtete të tjera, që janë shprehur kundër të drejtës së shtetit palestinez, nga ana tjetër është po Amerika dhe shtetet e tjera që mbështesin atë që sot quhet "pranvera arabe". Por në të njëjtën kohë Izraeli po vret dhe po shkatërron dhe askush nga këto shtete nuk flet. Përsëris faktin që nuk ka dyshim që SHBA-ja do një shtet palestinez, por për fat të keq lobi çifut ka ndikim tepër të madh në politikën e jashtme të SHBA-së. Nëse do të kujtoheni për një fjalim të presidentit amerikan Obama, mbajtur dy vite më parë në universitetin e Kajros, pra në 2009, ai ishte një fjalim premtues, i mirëbalancuar, që tregonte se politika e tij ishte për të drejtën e krijimit të një shteti palestinez dhe të drejtën e tyre për të jetuar në paqe në rajon. Në fjalimin e mbajtur në 2010, ai sërish shprehet për për dëshirën e madhe për të krijuar një shtet palestinez të lirë, por për fat të keq, kur po afrohen zgjedhjet presidenciale në Amerikë dhe Obama kërkon një mandat të dytë, ai e di shumë mirë se nuk do arrijë ta marrë pa ndikimin e "kalorësve amerikanë" (lobi çifut). Për fat të keq jemi në "mëshirën" e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, lobit çifut dhe hipokrizisë së ndërkombëtarëve. Por ne jemi popull që besojmë dhe insistojmë në lirinë tonë për zgjidhjen paqësore dhe që me negociata të arrijmë të fitojmë këtë liri.
Cilat janë kërkesat kryesore që ju keni ndaj qeverisë shqiptare?
Shpresojmë që Shqipëria të jetë neutrale në vendimet e ardhshme për hir të së ardhmes së shtetit palestinez, që Shqipëria të votojë pro shtetit të Palestinës dhe të jetë në krah të maxhorancës së shteteve. Nga ana jonë do të vazhdojmë të nxisim Shqipërinë që të votojë pro Palestinës. Ne s'kemi pikë dyshimi që Shqipëria është pro themelimit dhe krijimit të shtetit të Palestinës, por ajo që i kërkohet asaj është që në të ardhmen t'i barazpeshojë çështjet mirë e mirë para se të marrë një vendim. Detyra jonë si ambasadë e Palestinës në Shqipëri është që ne të vazhdojmë të punojmë shumë me qëllim thellimin e marrëdhënieve dy palëshe. Shpresojmë që vota e ardhshme e Shqipërisë të jetë pro Palestinës.
No comments:
Post a Comment