GJIN MARKU:
“Falja e gjakut” dëmton imazhin e misionarëve
Gilmana Bushati
Kryetari i Komitetit Mbarëkombëtar të Pajtimit të Gjaqeve, Gjin Marku, flet për filmin “Fajla e Gjakut”. Sipas tij, filmi është i mirë dhe mjaft i realizuar, por figura e misionarit aty dëmtohet shumë, që nuk u shërben atyre që i hyjnë një procesi aq sublim siç është falja e gjakut mes dy familjeve. Në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai shprehet se ka raste të tilla, të cilat duhet të denoncohen, por thekson që në momentin kur familjet e kuptojnë se personi ka interesa materiale në këtë mes, atëherë janë vetë ato që tërhiqen menjëherë. “Kanuni e ka të shprehur qartë edhe për shpërblimin që duhet të marrin ata, që janë “opingat”, që me një fjalë tjetër do të thotë vetëm harxhet e rrugës”, - shprehet Gjin Marku.
Zoti Marku ju e keni parë filmin "Falja e Gjakut", çfarë përshtypjeje ju la si një spektator i thjeshtë?
Filmin e pashë ndoshta me pak vonesë se kam qenë shumë i ngarkuar dhe doja ta shihja rehat ndonjë ditë në ndonjë nga televizionet që ndjek kur ulem në darkë për të pushuar. E dija që do dilte si film se më është kërkuar të ndihmoj grupin e xhirimit për të kontaktuar me misionarët. Sigurisht e kam konsideruar pjesë të detyrës sime që ti ndihmoj dhe tiu them misionarëve të marrin kontakte me grupin e xhirimit. U detyrova të shkoj ta shoh mbas shumë vërejtjeve që më bënin shokët që takoja se përse nuk prononcohesha. Vihesha në siklet se realisht nuk i kisha lexuar as komentet në shtyp edhe pse nga titujt e gazetave, që zakonisht ndjek në mëngjes, vija re se në film flitej per misionarë pajtimi e shoqata që kërkojnë pagesë për pajtimin e gjakut. Shkova dhe e pashë në kinema dhe realisht u emocionova, u preka, nga fillimi deri në fund. Ishin skena e ngjarje që i përjetojmë jo vetëm ne në punën e përditshme. Ishin dialogje, të rinj e familjarë që janë realisht në atë situatë thuajse kudo nëpër Shqipëri. Ishte prekëse loja e sinqertë, me një përjetim e përgjegjësi të madhe e të rinjve që ishin përfshirë në rolet kryesore, të cilët përzgjidheshin mjaft mirë për fizionominë dhe dialektin ku ishte vendosur ngjarja. Filmi është me të vërtetë i arrirë dhe tërheqës, një risi për mënyrën e konceptimit nga skenaristi dhe regjisori. Sigurisht ka të meta dhe mund të kishte edhe gjetje të tjera, por ka mjaft realizëm e momente prekëse për vetë situatën e familjeve që bien në hasmëri, veçanërisht përfshirja në këtë dramë të përditëshme e të rinjve që, edhe pse në zona rurale, e kanë të lidhur botën e tyre me lirinë, dashurinë, modën, risitë e kohës, internetin, makinat, lojrat etj. Megjithatë në jetën reale ata e përjetojnë me kurajo dhe me pjekuri të lartë këtë dramë. Nuk më duken shumë të arrira ca momente si ai i thirrjes së ndërmjetësuesve, ekzagjerimi i negativitetit të misonarëve të pajtimit kur realisht është e kundërta pavarësiht nga rastet negative që shfaqen. Nuk dua të hyj në detaje si ai i gërvishtjes së murit, por justifikohet, akoma më shumë plotësohet nga qëndrimi i motrës që me shumë realizëm nxjerr në pah vajzën e motrën e këtyre anëve në të tilla situata. Kjo vajzë që merr përsipër të përballet me të keqen e madhe që i bie familjes, të lerë shkollën dhe të shesë bukë për të ushqyer ata që duhet ta ushqejnë e mbajnë atë, është personazhi real jo vetëm në atë zonë. Vajza të tilla i takon edhe në periferitë e Tiranës e të Durrësit.
Po si kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, cila ishte përshtypja juaj për këtë film?
E vlerësoj ndërmarrjen edhe pse nuk na vjen mirë që bie ndesh me traditën e pajtimit. Nuk u ndjeva mirë kur ndoqa dialogun brenda familjes me personazhet ose misionarët që u thirrën për pajtim. Është ndikim i këndvështrimit të autorëve dhe projektit artistik për një gjetje që i përshtatet skenarit për ta bërë atë sa më tërheqës. Po të kishim tjetër skenar ku palët të pajtoheshin dhe misionarët të jepeshin ashtu siç janë në shumicën e rasteve e kur arrihet pajtimi, ndoshta nuk do kishim këtë film, s’do kishte atë vlerë filmi përpara shikuesit. Filmi e dëmton imazhin e mirë që ka misonari i pajtimit dhe traditën njerëzore të procesit të pajtimit. Ai do shihet gjatë si film dhe kultura e pajtimit është një kulturë që duhet të promovohet e jo të rrënohet si shumë aspekte të tjera të kulturës sonë. Në njërën anë mund të dalë dhe për mirë sepse kërkon që kjo traditë të mos cënohet nga “përfaqësues” shoqatash që realisht e dëmtojnë këtë imazh. Nuk ka asgjë të keqe të demaskosh rastet që shfaqen dhe që tregojnë degjenerimin e këtij procesi ashtu si të shumë proceseve të tjera sociale e politike në këtë periudhë tranzicioni, por duhej shfaqur tendenca pozitive e kulturës së autorëve të filmit. Kultura e pajtimit dhe tradita jonë kanunore ka kohë që shfaqet e deformuar edhe në realitetin shoqëror, por është parë edhe gabimisht ose me qëllim denigrimi nga studiues, politikanë e artistë keqdashës ndaj shqiptarëve. Më ka bërë përshtypje se sa përciptas e shtrembër e pa këtë fenomen edhe raportuesi i OKB-së, vitin që kaloi. Edhe pse ai planifikoi që të kishte në axhendë për të ndjekur një moment pajtimi që misonarët e pajtimit, përfaqësuesit e Komitetit të Pajtimit në Derven ua bënë të mundur specialistëve të tij, të tjera gjëra shkruajti në raport për të mos prishur qejfin qeverisë. Sigurisht nuk e njihte fenomenin si realitet as si kulturë.
Thuhet se regjisori amerikan nuk ka pasur si qëllim në vetvete Kanunin apo degjenerimin e tij, jeni darkod me këtë?
Nuk e paragjykoj skenaristin as regjisorin mbasi kemi të bëjmë me një vepër artistike dhe duhet vlerësuar si e tillë. Tendenca duket që nuk është dashamirëse ndaj shqiptarëve dhe traditës sonë. Për procesin e pajtimit dua të them se nuk ndodh kështu realisht në procesin e pajtimit i cili është një traditë e mirë, e dobishme dhe nuk është në këtë nivel që e nxjerr filmi. Ndoshta filmi nuk do kishte aq arritje për tërheqjen e shikuesit apo zgjidhjen nga ana artistike nëse nuk do intrigohej ose të merrej në konsideratë kjo anë e shfaqur në procesin e pajtimit dhe dihet që ka edhe abuzime në këtë drejtim që e motivojnë për ta prezantuar artistikisht si fenomen. Nëse skenaristi dhe regjisori kanë pasur si qëllim për të nxjerrë shqiptarët si një komb me probleme të mëdha kulture duke denigruar në këtë hulli edhe procesin e pajtimit atëherë kemi të bëjmë me një film që mbart një problem të madh të kulturës së regjisorit dhe të skenaristit e jo të shqiptarëve apo të misionarëve që realisht janë krenaria e shoqërisë dhe familjeve që i përkasin. Kanuni i shpjegon qartë dhe s’lë kënd të livadhisë edhe nëse shfaqen interesa të ngushta të palës së viktimës apo ndërmjetësit. Demaskohet gjthçka nëse avancon për përfitime në këtë proces dhe do ishte me pasoja për ndërmjetësin. Realisht misionarët kanë nevojë për mbështetjen e dikujt, sepse janë njerëz të thjeshtë e me pensione shumë të ulta për të lëvizur lart e poshtë. Kjo mbështetje bëhet pa hezitim kur fillojnë një praktikë, por misonari nuk nuk mund të bëjë pazare. Pazaret janë të pahijshme dhe nuk pijnë ujë në një proces pajtimi. Sapo të bjerë erë pazaresh palët tërhiqen, ose misionari nuk hyn në proces kur pala e viktimës kërkon gjëra që nuk shkojnë. Kjo është detyra e dhe natyra e punës së misionarit. Misionarët e pajtimit do prononcohen për këtë rast nëpërmjet kreut të Asamblesë së Misionarëve të Pajtimit që ka dërguar opinionin e tij për revistën Ligji dhe Jeta e cila do botohet brenda muajit e do ua shpërndajmë edhe mediave. Misionarët nëpërmjet kreut të tyre nuk e qortojnë filmin, biles i falenderojnë autorët, por qortojnë politikën e keqe ndaj tyre, si dhe mbajnë qëndrim ndaj shumë individë që kanë ngritur pseudoshoqata, pseudomisione, dhe pseudoinstitute pajtimi dhe e prishin imazhin e kesaj kulture tepër të nevojshme për shoqërinë. Kultura e pajtimit është kultura e ligjit që fatkeqësisht përballet në këto 20 vjet me kulturën e antiligjit dhe antishtetit në qeverisje dhe në politikë.
No comments:
Post a Comment