Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Wednesday, November 16, 2011

Interviste me Spartak Pocin

Spartak Poçi, anëtar i PS-së, analizon Kongresin e fundit të partisë

“Kauza jonë varet vetëm nga humori i Ramës”

“Partinë nuk duhet ta drejtojë i forti, por ekipi”
Gilmana Bushati

Spartak Poçi, anëtar i Partisë Socialiste, ish-drejtues i kësaj partie për Tiranën, ish-ministër i Rendit, analizon udhën politike të partisë së vet dhe kongresin e saj të fundit. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai shprehet se PS-ja nuk ka nevojë të ndërmarrë nisma dhe reforma të mëdha, pra t’i tregojë qeverisë se çfarë duhet të bëjë, por të jetë opozitë për qeverinë me praninë e saj në parlament, me votën në parlament dhe jo me organizimet në rrugë, që çojnë deri te vrasja e njerëzve. Sipas tij, bërja e opozitës reale ka bërë që situata të jetë e tillë, pra që qeveria rri në pushtet se nuk ka kush e rrëzon. Dhe për të një pjesë e fajit dhe e përgjegjësisë është e strukturave të kësaj partie, por që në fakt, për hir të kryetarit, këto stuktura nuk funksionojnë fare as në qendër dhe as në bazë. Prandaj i kërkon ‘shokëve të tij’ socialistë, që t’i bëjnë pyetje vetes së “kë përfaqësojnë’, pasi kjo duhet të ishte dhe pyetja kryesore në kongresin e fundit të PS-së. Për afrimin e figurave të reja, Poçi flet se ata figura ishin aty me kohë, madje ka nga ata që nga Kongresi i 9-të i Partisë së Punës, por flenë gjumë, ose kërcënohen me telefonata anonime, prandaj nuk mund të ketë demokraci të brendshme në këtë parti.
Zoti Poçi, para pak ditësh mbylli punimet Kongresi i Partisë Socialiste. Ju që e njihni mirë jetën e brendëshme të kësaj partie, si mund ta komentoni zhvillimin dhe përfundimin e këtij Kongresi, pra çfarë të rejash solli ai?
Kongresi u zhvillua, madje u paralajmërua për t’u bërë pas diskutimeve dhe sensibiliteteve që lindën fill pas humbjes së Bashkisë së Tiranes, ku kandidoi kryetari i partisë, Edi Rama.
Ashtu sikundër pritej, duke qenë se paraprakisht në forumet drejtuese të partise nuk ishte bërë ndonjë analizë, në kongres kjo çështje u kalua tangent, sipas avazit, “fajin e ka Saliu”.
Në një sallë të mbushur si në një miting në Sheshin Skënderbej, ku pjesa me e madhe e “delegatëve” as që merrnin vesh se për çfarë bëhej fjalë, u votua një program, u bënë disa ndryshime në statut, që s’kanë për t’u respektuar kurrë, sikurse nuk janë respektuar deri tani dhe, çdo gjë përfundoi. Me sa duket kjo zgjidhi edhe kontestimet e deri atëhershme në parti, pasi siç u vu re, disa prej përfaqësuesve më të rreptë të Lëvizjes së Mendimit Ndryshe, në skutat e korridoreve të Pallatit të Kongreseve nisën të deklaroheshin të lumtur, para mediave, se më në fund problemet u zgjidhën, zëri i tyre u dëgjua, çdo gjë përfundoj mirë, partia u bë me program. Programi i miratuar, i cili nuk është as politik, as elektoral, në brendinë e tij nuk përmban çështje që t’i adresohen problematikave që duhet të ketë axhenda e punës opozitare e partisë. Përfundimisht delegatëve iu tha: ‘kërkuat program – ja ku e keni, kërkuat që të bashkoj partinë dhe vlerat e saj – ja ku i keni, ‘Fajin e ka Saliu’ – Mirupafshim në kongresin tjetër.
Në këtë kongres pamë si pjesmarrës dhe disa figura historike të PS-së, që më shumë se të larguar, mund të konsiderohen si të mënjanuar nga drejtimi apo aktivizimi në politikën e ditës të kësaj partie. Si e komentoni këtë lëvizje të re të drejtuesve të socialistëve?
Ata ishin aty për t’i treguar antarsisë se partisë apo “popullit të majtë”, siç kanë filluar ta quajnë tani, se partia ka unitet, se në parti nuk ka të përjashtuar apo të diferencuar, etj dhe se udhëheqja aktuale vërtet ka krijuar një set vlerash të reja, por ajo nuk ka hequr dorë nga vlerat (xhaketat) e vjetra apo historike siç i quani ju (vetë i perzë - vetë i afron).
Në fakt, nuk është ashtu siç duket. E vëerteta, është se të gjitha figurat historike, duke filluar nga legjendari Ruçi, kanë qenë e vazhdojnë të jene aty, non stop, nga të gjitha moshat, krahinat; si ata, që kanë fjetur gjumë ashtu edhe ata që kanë punuar e kanë sakrifikuar për dy dekada me radhë; si intelektualët ashtu edhe injorantët; si ata që e filluan nga antarë i thjeshtë dhe u bënë udhëheqës, ashtu edhe ata që u bënë kryetare partie, ose kryeministër pa qenë as anëtar partie ose pa punuar as një ditë; aty i keni të gjithë non stop, që prej Kongresit të 10-të të Partise së Punës (madje ndonjëri daton që nga Kongresi i 9-të i Partisë së Punës). Aty i keni: në kryesi, në grup parlamentar, në Asamblenë Kombëtare, në rrethe e në qender, në pushtet lokal e kudo. Për shkak të plasticitetit politik (nje patologji puniste kjo) pothuajse e gjithë kupola drejtuese e kohës së Nanos ka mbetur e paprekur. Por e keqja është, se ata s’i pyet njeri. Dhe po guxuan të flasin ndryshe, ose mos e dhëntë Zoti, të kërkojnë dorëheqjen e ndonjërit… shpallen menjëherë armiq dhe përjashtohen, sulmohen me epitete të ulta, kërcenohen nga telefonata anonime, shpifet për ta kur shkruhen kujtime që botohen përsëgjalli dhe, më në fund e më në bisht shpallen tradhëtarë dhe bashkëpunëtorë të Saliut apo të Metës. Nëse ju e keni fjalën për dhjetra aktivistë dhe vlera të shquara të PS-së, do të doja t’ju thoja, se pavarësisht faktit që emrat e tyre mund të mos jenë shumë mediatik, ata kanë pas një ushtri votuesish dhe e dinë se si ta ruajnë votën. Por ata nuk i keni në listën e të rikthyerve. E vetmja gjë e veçantë ishte se, në përberjen e asamblesë u futen, sigurisht me garancinë e Ruçit, Natasha Paço dhe Anastas Angjeli.
Edhe pse i pamë këto figura, nuk ju pamë juve zoti Poçi, që keni qenë për një kohë të gjatë antarë i kryesisë së Partisë Socialiste, kreu i PS-së për qytetin e Tiranës dhe disa herë ministër gjatë qeverisjes socialiste. Jeni tërhequr vetë apo nuk ju kanë ftuar?
Asnjëra prej tyre, që do të thotë, se as jam tërhequr e as kam pritur të më ftojë njeri në shtëpinë tonë. Pavarësisht se jam rezervuar për t’u prononcuar shpesh, publikisht, mendimet dhe shqetësimet e mia për mbarëvajtjen e punëve të partisë i kam ndarë në mënyrë të perditshme me socialistet e thjeshtë, me deputetë me anëtarë të forumeve drejtuese të partisë në bazë, dhe me shumë aktivistë. Kam dashur jo vetëm të ndaj shqetësimet, por të kolaudoj edhe mendimet e mia. Synimi im ka qenë të ndihmoj e jo të pengoj me përvojën time. Në asnjë rast nuk kam kërkuar t’i zë vendin askujt. Megjithatë edhe kjo ka krijuar shqetsëim tek dyshja Rama–Ruçi. Ata e dinë mirë se unë kam një mendim krejt ndryshe për të gjitha çështjet që lidhen me zhvillimet brenda PS-së; për menyrën se si po e përshkon Partia Socialiste itinerarin e saj politik opozitar, për shkaqet dhe arsyet se përse PS-së po i humbet, njëra pas tjetrës betejat elektorale dhe sfidat e përditshme politike duke lëshuar vazhdimisht terren.
Kjo është e gjitha. Pas 20 vitesh demokraci, më duket jo vetëm anakronike, por edhe poshteruese që në PS të lutesh për të thënë veçse mendimin ndryshe siç ka ndodhur me përfaqesuesit e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe. Ka ardhur koha të fillojnë ndryshimet dhe reformat e nevojshme me qëllim që të garantohet katërcipërisht fitorja në zgjedhjet e ardhshme. Është e sigurt se në vitin 2013 do të ndeshemi përsëri me këtë kundërshtar dhe të mos shohim ëndrra me sy hapur, se do ndodhi ndonjë mrekulli dhe se do të “luajmë me portën bosh”.
Çfarë i mungoi PS-së të vinte ne pushtet në 2009, po në 2010 pse nuk e mori bashkinë më të madhe në vend, duke pasur parasysh që qeveria aktuale mban mbi shpinë ngjarje tragjike siç ishte Gërdeci apo 21 Janari?
Për mendimin tim në Shqipërinë e sotme, jane evidentuar tri probleme kryesore; problemet e qeverisjes së vendit dhe roli i opozitës; problemet e funksionimit institucional të forcës kryesore opozitare, PS-së, dhe gjetja e rrugëdaljeve dhe i zgjidhjeve optimale për të dalë nga ngërçi politik ku gjendet vendi prej mëse dy vitesh.
Problemi është se vendi ynë po përballet jo vetëm me krizën e gjithanshme ekonomike, për shkak të krizës globale dhe asaj europiano-perëndimore, por edhe me keq qeverisjen e vendit; politizimin e administratës publike, bllokimin e funksionimit të institucioneve kushtetuese e ligj-zbatuese; shtyrjen e procesit të integrimit Europian të vendit, etj. Për rrjedhojë në vend është rritur varfëria, mjerimi, aktet e vjedhjeve të pasurisë publike e private, krimi i rrugës, e, madje ka shenja të gjallërimit të krimit të organizuar, sidomos i atij ekonomik, etj. Çështja shtrohet nëse mundet PS të qendrojë jashtë përgjegjësive për fatet e vendit? A duhet të presim që të vijmë në pushtet kur ekonomia të shëmbet duke u kënaqur vetëm me faktin që fajin e ka qeverija? Unë mendoj se është në interesin e vendit dhe të vetë socialistëve, të ndjejmë, të kuptojmë, të ushtrojmë përgjegjësitë tona politike të mandatuara nga më shumë se gjysma e qytetarëve shqiptarë. Ne duhet të ushtrojmë përgjegjësitë tona kushtetuese, të marrim pjesë aktive në Kuvend, pasi kemi përgjegjësi para atyre që na kanë dhënë besimin e tyre duke na votuar. Në vlerësimin tim, bojkoti që PS-ja i bëri parlamentit ndoshta ka shumë arsye, por asnjëra prej tyre nuk mund të legjitimohet plotësisht dhe një veprim i tillë veçse ka dëmtuar mazhorancën, ka dëmtuar dhe goditur marrëdhëniet tona me qytetarin, për mbrojtjen e interesave themelore të të cilit jemi deklaruar, qysh në krye të herës, se do t’i mbrojmë.
Kundërshtarët politikë të PS-së dhe jo vetem ata, thonë se po shndërrohemi në një OJQ, por ndoshta këtë thonë edhe keshilltarët e dukshëm a të padukshëm të qendrës së vetme të vendimmarrjes politike – Kryetarit të PS-së. Unë e kuptoj, që të merresh me opozitën dhe problemet e saj edhe pas 7 vitesh që është larguar nga pushteti është një tregues i rëndësisë së saj dhe interesit që tregon opinioni publik ndaj kampit tonë politik, por nuk kuptoj shmangien që vendimmarrja jonë politike, pa kurrfarë këshillimi, iu ka bërë pothuajse të gjitha betejave politike duke i humbur ato njëra pas tjetrës. Shkurt: qytetarët na kanë mandatuar t’i përfaqësojmë dhe jo t’i trajtojmë si parcelë private me të cilën Kryetari mund të bëjë ç’të dojë, madje edhe duke i ndarë në “popull i majtë” dhe “populli i djathtë”. Qytetarët presin nga ne monitorim të rreptë të veprimtarisë së qeverisë, kontrollin e përdorimit të çdo leku të taksave të tyre dhe jo inicimin e “reformave” të mëdha”. A thua se shqetësimi ynë është se qeveria po humbet mbështetjen dhe disa prej nesh i ha meraku se mos largohet qeveria pa mbushur mandatin, prandaj le “t’i japim një dore” me këto reforma (?!). Dhe rezultati: ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 sollën vënien e vendit nën sundimin e dy individëve, por që nuk merren vesh midis tyre për mënyrën e rotacionit. Kështu u harruan edhe qytetarët, edhe premtimet tona për ta. Madje edhe “merkatoja” e këshilltarëve socialistë e muajve të fundit i ka rrënjët në pushtetin e vetëm real të lidershipit – “pushtetin e listës”, në bashkëzimin e PS-së dhe në ndarjen e saj në “principatat”, sipas preferencave të Kryetarit të saj e të Gramozit, por gjithnjë pa iu nënshtruar ndonjë votimi apo llogaridhënieje. Tani të vijmë tek problemi i dytë, problemet e funksionimit institucional të PS-së. Bashkë me disa shokë të tjerë, prej kohësh po përpiqemi të bashkëbisedojmë me njerëzit – anëtarë e simpatizantë të PS-së, për rrugët e shëndoshjes së gjendjes së brendëshme organizative të PS-së. Natyrirsht, ne e kuptojmë së të qënit në opozitë nuk të jep komoditetin “të reformosh” partinë e të harrosh që opozita politike është e tille vetëm kur prodhon politikë që mbron interesat e atyre që e votuan. Gjate pëse viteve të fundit, ne kemi përjetuar këtu të ashtuquajturin “riorganizim të PS-së” që filloi me shkrirjen e kryesive të rretheve (riorganizimi territorial) kur duhej bërë e kunderta – fuqizimi i bazës së partisë; është bërë ndërprerja e kontakteve të deputetëve me zonat njëemrore, kur duhej bërë e kundërta; kemi përjetuar vendosjen e sistemit “të komisarëve të posaçëm” të mandatuar direkt nga Kryetari i partisë kur duhej bërë e kundërta; kemi përjetuar ndryshimin brenda natës, “përmes sms-ve” të Kushtetutës së Republikës që prishi çdo balancë kushtetuese ndërmjet pushteteve dhe risolli monizmin në formën e republikës kryeministrore dhe duke instaluar partito-kracinë, gjë që i dha pushtet të pakufizuar kryetarit të Partisë deri atje sa “të dhurojë në formen e lëmoshës edhe lirinë”, madje të ndjehet i keqardhur me ata që “nuk dinë si ta përdorin lirinë e dhuruar nga kryetari…”; po për këtë shkak kemi përjetuar listimin e deputetëve si në një burse, nëpër kioska, me kriter të vetëm parapëlqimin e kryetarit kur duhej të ndodhte e kunderta, d.m.th të vepronte Asambleja, Këshilli Kombëtarë dhe Kryesia që nuk mblidhet prej dy vitesh; kemi përjetuar hyrjen në fushata elektorale, politike e administrative, pa program e pa aleatë; kemi përjetuar ndërtimin nga Kryetari i partisë të “aleancave të hoteleve” pa asnjë vendim politik a konsultim me të ashtuquajturat forume të partise, qoftë edhe formalisht; kemi përjetuar greva disa javore e protesta të heshtura, pa fjalime e me fjalime pa fund, me “demonstrime force”, e madje edhe me humbje jetë njerëzish, në një krim shtetëror dhe vrasjen m’u në pragun e shtëpisë të një prej deputetëve më të vjetër socialist, ngjarje këto që nuk u zbardhen kurrë. Nuk po flas këtu për “driblimet” e kryetarit me mandatet dhe nenet e statutit, ironikisht të konceptuara sipas qejfit të vet dhe të shkruajtura me dorën e vet, që mesa duket vlejnë për “ndëshkimin e të pabindurve”, por jo ndaj tij si “dhurues lirish”, përtej lirisë që buron nga mandati i sovranit në zgjedhje. Nuk po flas për fushatat e personalizuara, narcisiste, nën shembullin e kundërshtarit tonë politik; as për paqartësitë në deklaratat politike të lidershipit, gjithmonë në oborrin jeshil të PS-së, që shkojnë nga mosbindja civile te “reformat e mëdha” që përmenda më sipër. Shkurt: jemi marrë e me çfarë s’jemi marrë, por përherë e më pak jemi kujtuar për ata që na besojnë, që shpresojnë tek ne, që kanë besim tek alternativa social–demokrate, për ata që pretendojmë se përfaqësojmë. Në fakt ndoshta mbi këto çështje duhej të ishte përqendruar kongresi, d.m.th t’i kërkonte llogari dhe sqarime lidershipit duke e nisur me një pyetje të thjeshtë: Kë përfaqësojnë? Një pyetje kjo që e bëjnë me mijëra socialistë të rinj e të vjeter, burra e gra. Për ta përmbledhur, unë mendoj se nuk duhet të heshtim përgjithnjë përballë rrënimit që po pëson kauza jonë, duke u shndërruar në çështje të humorit të kryetarit të partisë. Po e le në ndërgjegjen e shokëve të mi socialistë të gjykojnë, por unë e kam një përgjigje: socialistët besojnë tek ai lidership që i udhëheq me përgjegjësi drejt fitores, drejt ardhjes në pushtet dhe jo tek ata që kanë vetëm një shqetësim: ruajtjen e pushtetit që buron nga “lista” e këshillit të komunës, e këshillit të qarkut, e këshillit të bashkisë, në Asamblenë Kombëtare të PS-së, në Kryesinë e PS-së e në grupin parlamentar. Një president amerikan ka pasë shkruajtur se “diktatorët përdorin fjalën e lirë dhe median e lirë për të arritur pushtetin. Me pas shtypin çdo fjalë të lirë me përjashtim të fjalës së tyre”. Ndoshta e kemi arritur këtë “standard”, të paktën në “pushtetin e listës” brenda PS-së.
Opinioni publik do të fillojë të na besojë kur të fillojmë të bëjmë detyrën tonë si opozitë, kur lidershipi të respektojë antarësinë dhe forumet e partisë, kur të gjithë të zgjedhurit të fillojnë të japin llogari përpara atyre që janë betuar se do t’i përfaqësojnë; kur pushtetin e listës ta kthejmë në pushtetin e antarësisë, kur në fushatë do të dalim me program politiko-qeverisëse, kur vendin e udhëheqësit “të fortë” ta zërë ekipi që vjen në krye të punëve përmes konkurencës së hapur dhe llogaridhënies përballë atyre që zgjedhin; kur humbësi hap krahun në respekt të atyre që vuajnë për shkak të pafuqisë dhe paaftësisë së tij për t’u shndërruar nga menaxher në lider, të atyre që besojnë tek social-demokracia moderne që po përpiqemi të promovojmë, të atyre që nuk mund të presin derisa lideri i mazhorancës së sotme politike të largohet nga pushteti për shkaqe natyrore. Në fund të fundit, asnjë pushtet nuk bie nëse nuk e rrëzojnë, kuptohet me votën e lirë të qytetarëve.
Zoti Poçi, një pyetje ju lutem. Në librin e tij “Kurbani” zoti Rama në një pjesëz ju citon si një minister që ”shkatërruat 40 banda”, por lejuat një ndertim pa leje mbi godinën e ministrisë që drejtonit ju. Një ndertim ky, sipas tij, me tulla teke, e pasuvatuar, etj. Cili është qëndrimi juaj për këtë “akuzë” si edhe për ironinë e përdorur që ju keni shkatërruar 40 banda?
Po përpiqem t’i përgjigjem përmbledhtas. Shtesa e katit është ndërtuar përpara se unë të filloj punën si ministër i Rendit Publik. Në kohën time kjo shtesë thjeshtë u vu në punë nga njerëzit, që për shkak të detyrës që kryenin, duhej ta bënin këtë punë. Është plotësisht e vërtetë që gjatë periudhës që unë kam qenë ministër, punonjësit e policisë bënë një punë heroike për vendosjen e rendit, madje disa prej tyre dhanë edhe jetën e tyre.
Zoti Rama le të tallet sa të dojë me njerëzit, me punën e sakrificat e tyre (në fakt kjo është e vetmja gjë që di të bëjë më mirë), por populli, shoqëria, përfshi këtu dhe Partinë Socialiste do ta nderojnë në jetë të jetëve këtë moment historik dhe veprën heroike e patriotike të policisë së shtetit në këtë periudhë. Zoti Rama ka qenë minister i Kulturës, Rinisë e Sporteve në periudhën kur filloi ndërtimi i shtesës dhe mund ta kishte ndaluar ose mund ta kishte futur në projektin e ‘Kthimit në Identitet të ministrive’, zbatimi i të cilit u shoqërua nga një skandal i paparë korrupsioni. Me pas, zoti Rama u zgjodh kryetar bashkie ku për 10 vite me radhë nuk la fasadë pa lyer e pa suvatuar dhe, po t’i kishte kushtuar pak vëmendje kësaj shtese (që për hir të vërtetës është e shëmtuar ke Zoti) të cilën e ka mu nën hundën e bashkisë, nuk do ta mbante këtë peng të rëndë në zemër.

No comments:

Post a Comment