Profesori i Prishtinës Nexhmedin Spahiu rrëzon tezat e historianit Puto
Deva ishte nacionalist i flaktë
“Nazizmi i solli vetëm të mira Shqipërisë”
Gilmana Bushati
Profesor i Politikës së Vendeve të Ballkanit në Universitetin e Prishtinës, Nexhmedin Spahiu, risjell në publik debatin për Xhafer Devën, ish-ministrin e Brendshëm shqiptar në kohën e nazizmit. Ai kundërshton tezat e hedhura në libër nga historiani Arben Puto dhe thekson se nuk ka se si Deva të jetë kriminel, ai është një nacionalist dhe e kuptoi me kohë se çfarë ishte komunizmi. Spahiu në intervistën dhënë për “Gazetën Shqiptare”, sjell në vëmendje disa të vërteta, që sipas tij duhet t’i dinë brezat e rinj, siç është masakra e 1944. Sipas tij askush nuk e ka dokumentuar se ishin 86 veta të vrarë në këtë masakër, mund të mos jenë as 40 veta, apo që të vrarët e 1944 nuk ishin dhe aq të pafajshëm, apo se nazizmi pavarësisht se çfarë ishte për Europën e më gjerë e ndihmoi Shqipërinë të jetë e bashkuar. Të gjitha këto teza njëherësh ai i hedh për debat edhe politik dhe historik, por ky debat të mos bëhet mes Shqipërisë dhe Kosovës, por secila të bëjnë debat për rivlerësimin e figurave historike shqiptare, mes të cilëve dhe Xhafer Devën, apo Rexhep Mitrovicën, ish-kryeministrin shqiptar të 1944.
Zoti Spahiu, zoti Puto duket që ka marrë nxitje nga shkrimi juaj në lidhje me zotin Deva dhe zotin Mitrovica për të bërë një rivlerësim për figurën e Xhaferr Devës. Si e shihni këtë reagim?
Ideja e shkrimit ishte pikërisht ajo se komunistët shqiptarë përkundër vuajtjeve në burgjet e Enverit nuk kanë përjetuar katarsisin e pritur. Ata akoma mendojnë se para vitit 1944 Enver Hoxha ishte figurë pozitive dhe nuk kuptojnë se rrënjët e tmerrit komunist janë pikërisht tek "lufta e lavdishme Nacional Çlirimtare", e cila në fakt nuk ishte aspak e lavdishme, por thjeshtë një luftë civile ku për shkak të rrethanave historike fituan më të këqijtë, komunistët.
Ata, si injorantë që ishin, nuk mund ta kuptonin Xhafer Devën i cili i dinte pasojat e ideve komuniste. Madje as përvoja e hidhur nëpër burgjet e Enver Hoxhës nuk i bindi tërësisht. Por kjo nuk do të thotë se brezat e rinj të mos kuptojnë se kush ishte Xhafer Deva dhe kush ishin komunistët.
Historiani e quan ‘terrorist’, se ka përgjegjësinë për masakrën e 1944 ku u vranë 86 vetë. Nëse nuk janë vrarë aq, nëse janë vrarë më pak se aq, a mund të justifikohet roli i zotit Deva në ndodhjen e kësaj masakre me qëndrimin e tij nacionalist?
Ta quash Xhafer Devën kriminel duke u thirrur në vrasjet e 4 shkurtit 1944 (Arben Puto thotë 86, por kjo nuk dokumentohet as për 40 veta, sepse një listë prej 86 emrave nuk është publikuar kurrë), përballë afro 10.000 të vrarëve nga regjimi i Enver Hoxhës (plus katastrofave tjera kombëtare: burgime, internime, censurime, etj. etj) është sikur ta quash NATO-n kriminele për shkak se vrau dhjetëra civilë të pafajshëm serbë gjatë bombardimeve vetëm e vetëm për të shpëtuar Kosovën nga gjenocidi. Për më tepër që komunistët e vrarë më 4 shkurt 1944 nuk ishin edhe aq të pafajshëm.
Pra a mund ta quajmë Xhafer Devën përfundimisht përgjegjës për këtë masakër, pavarësisht se sa ka vrarë regjimi komunist?
Duke qenë se Xhafer Deva ishte Ministër i Brendshëm i Shqipërisë dhe pas kësaj ngjarjeje nuk dha dorëheqje as ai, por as kryeministri Rexhep Mitrovica e as Kryetari i Regjencës Mehdi Frashëri, përgjegjësisë për këtë ngjarje nuk kanë se si t'i ikin asnjëri. Se si ndahet kjo përgjegjësi më pas mes tyre dhe zinxhirit komandues është një çështje që duhet të vlerësohet. Ngjarja e 4 shkurtit 1944 i atribuohet Xhafer Devës jo vetëm pse kishte funksionin më delikat (Ministër i Brendshëm), por edhe pse ai ishte më syçelti karshi rrezikut nga komunistët. Bujar Hoxha dëshmon se kryeministri Rexhep Mitrovica e kishte nxjerrë nga burgu edhe pse e dinte se ky Bujar Hoxha ishte komunist, vetëm e vetëm pse ky ishte djali i Hoxha Kadri Prishtinës, organizatorit të Kongresit të Lushnjës. Kjo do të thotë se Rexhep Mitrovica ishte tolerant ndaj aktiviteteve të komunistëve. Rexhep Mitrovica, si edhe shumë të tjerë që ishin kundërshtarë të komunizmit, nuk e nuhatnin rrezikun komunist ashtu siç e nuhatën Xhafer Deva, Vangjel Koça, Branko Merxhani etj. Po derisa Branko Merxhani paralajmëroi me kohë rrezikun nga marksizmi dhe iku në Turqi kur pa se ç'po ndodhte, Xhafer Deva e luftoi komunizmin derisa pati fuqi.
Çfarë argumentesh mund të na sillni që shqiptarët e vrarë në 1944 nuk ishin dhe aq të pafajshëm. A duhet të hapë teza juaj një debat historik apo politik?
Komunistët shqiptarë ishin terroristë. Nuk mund të jenë terroristët e pafajshëm. A nuk ishte terrorist Vasil Shanto që vrau Major Adem Boletinin (djalin e Isa Boletinit) vetëm pse ishte komandant xhandarmërie në Shkodër? A nuk ishin terroristë ata që në Janar 1944 vranë nipin e Xhafer Devës, për të vetmen arsye se ishte nip i Xhafer Devës edhe pse ai (nipi i Xhafer Devës) nuk merrej fare me politikë. Debati duhet të jetë historik, por meqë fjala është për histori, jo fort të largët, ai është edhe debat politik.
Cili mund të jetë vlerësimi juaj për figurën e zotit Deva zoti Spahiu, ishte një nacionalist, apo një bashkëpunëtor i nazizmit?
Është e sigurt se Xhafer Deva ishte një nacionalist i flaktë. Ai ishte po ashtu një bashkëpunëtor i gjermanëve, ky ishte orientimi i tij politik dhe këtu në kontekstin kohor dhe rrethanor nuk shoh asgjë të keqe. Nazizmi i solli të këqija katastrofike Gjermanisë dhe shumë popujve të tjerë të botës, por shqiptarëve u solli vetëm të mira (prosperitetin ekonomik, bashkimin me Kosovën, Maqedoninë Perëndimore, e Jugun e Malit të Zi, arsimimin në gjuhën shqipe për këto vise etj). Është koha ta themi troç një të vërtetë historike që e di gjithë bota. Me këtë ne nuk e ngjallim nazizmin, por thjeshtë përballojmë vlerat dhe antivlerat për kombin shqiptar.
Po për deklaratën e Uilsonit, ambasadori amerikan në Greqi që u pat shprehur se do të konsideroheshin të gjithë armiq ata që do të bashkëpunonin me gjermanët?
Në shkrimin tim, ndaj të cilit reagon Arben Puto, unë citoj ambasadorin amerikan të kohës pranë Qeverisë së Greqisë, i cili me keqardhje konstaton se faktikisht nuk ka forca antigjermane në Shqipëri përfshi edhe komunistët që nuk bëjnë gjë kundër gjermanëve përveç se vrasin ca shqiptarë të tjerë.
Zoti Spahiu ka gjasa që figura të tilla si zoti Deva apo zoti Mitrovica të hapin një debat mes Kosovës dhe Shqipërisë, pasi që të dy janë kosovarë. A mendoni se këto vlerësime vijnë vetëm nga ky fakt. Pse nuk ka një debat dhe diskutim gjithëpërfshirës për një histori shqiptare?
Ky debat duhet të hapet edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, por jo mes Kosovës dhe Shqipërisë. Është një e vërtetë historike se 4 forcat kryesore gjatë Luftës së Dytë Botërore (kolaboracionistët, zogistët, ballistët dhe komunistët) ishin të shtrira anë e kënd Shqipërisë së atëhershme, që përfshinte edhe Kosovën, Maqedoninë Perëndimore dhe jugun e Malit të Zi por fatkeqësisht jo edhe Çamërinë. Por, po ashtu është e vërtetë se ballistët dhe komunistët kishin koncetrim më të madh në Jug të Shqipërisë, zogistët në Shqipërinë e Mesme, kurse kolaboracionistët në Veri të Shqipërisë dhe në Kosovë.
No comments:
Post a Comment