Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Wednesday, November 16, 2011

Interviste me Sali Shehun

Kandidati për kryetarin e KLSH-së flet një ditë pas rrëzimit në parlament

Sali Shehu: S’më votoi aleanca e plehrave

“Berisha pati frikë prandaj bëri votim të hapur”

Gilmana Bushati
Flet Sali Shehu, kandidati i rrëzuar i presidentit Bamir Topi për postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ai komenton humbjen e vet, që sipas tij, në të vërtetë është humbje e vlerave të vërteta të PD-së, si dhe shpjegon faktin se pse nuk dha dorëheqje në momentin që Berisha ia kërkoi këtë në fjalimin e mbajtur në grupin parlamentar të PD-së. Sipas tij ai ka rrezikuar shumë për këtë parti, deri dhe është mbajtur 13 muaj burg në 1998 dhe kjo parti ia përkthen qëndrimet e tij me votë kundër. Shehu thotë se vota që e rrëzoi erdhi një aleancë që është ngritur mbi baza të dyshimta dhe që Berisha është bërë kurban i kësaj aleance, prandaj hedh tutje njerëzit që kanë kontribuar në të gjitha mënyrat që PD-ja të jetë në pushtet.
Zoti Shehu në një votim të maxhorancës, edhe pse jeni dhe keni qenë pjesë e Partisë Demokratike ju nuk u votuar. Si e komentoni këtë humbje?
E quaj humbje të madhe të sistemit të vlerave brenda funksionimit të Partisë Demokratike dhe përgjigjësi për këtë ka vetë lidershipi i saj. Megjithatë në votimin tim në parlament unë s’ndjej humbjen time, por shikoj se aleanca për importimin e plehrave në Shqipëri ishte lidhur për dore për të votuar kundër dekreteve të presidentit Topi. Njëri ishte për emrin tim, tjetri ishte për ligjin e importit të plehrave. Qëllimin në fakt ia arriti, por unë vlerësoj në këtë rast peshën specifike që kishte vota e zotit Oketa, që gjej rastin ta falenderoj si një njeri me integritet dhe si një deputet që ka marrë një vendim, jo se ishte në favorin tim, por se ishte në favor të vlerave.
Berisha ju quajti oficer. Ai ju kishte në krah për disa vite, tani nuk ju voton. Kjo sepse ju nuk i duheni më?
Po ta keni vënë re në vijimësi, që pas daljes së dekretit të presidentit Topi me emrin tim në krye të KLSH-së, në pak ditë ai ka ndryshuar qëndrim, nuk ka ndjekur të njëjtën linjë. Fillimisht ai tha se ai ka qenë një oficer i shkëlqyer i policisë, por nuk mund të bëjë kontrolle financiare. Pastaj në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ekonomisë, kur isha para deputetëve të Partisë Demokratike, ata shfaqën një qëndrim tjetër, sipas të cilit nuk mund të më votonin pasi isha anëtar i Partisë Demokratike. Ndërsa në Kuvend zonja Topalli, kur lexoi projektvendimin e Kuvendit për votimin e dekretit të presidentit Topi për KLSH, nuk tha asnjë mangësi ligjore, vetëm e hodhi në votim. Natyrisht votimi ishte i hapur.
Pse u bë i hapur votimi?
E para ishte gabim procedurial, ishte në kundërshtim të hapur me frymën e Kushtetutës dhe ishte votim me dy standarte. Them me frymën e Kushtetutës se kur bëhet votim për individët ai bëhet i fshehtë, sepse unë kam qenë pjesë e atij parlamenti, pjesë e Komisionit parlamentar të Ligjeve dhe e di që çdo herë në këto raste, votimi është bërë i mbyllur. Me sa duket frika se mos i ikën maxhoranca Berishës dhe lidershipit të PD-së e shtynë që të ndryshojnë rregulloren e Kuvendit, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, që votimet që i kanë me dyshim ata se nuk mund të fitojnë, t’i bëjnë të hapura. Po ta keni ndjekur votimin në parlament, për emrin tim votimi u bë i hapur, ndërsa për anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë u bë i mbyllur. E ky votim u bë menjëherë pas votës që m’u dha mua. Si ka mundësi që brenda dy minutave, brenda sallës së Kuvendit, organi më i lartë kushtetues vendimmarrës, njëri votim bëhet i hapur, tjetri i mbyllur? Ky është një qëndrim me dy standarte.
Zoti Shehu përveç mesazheve publike, pra nëpërmjet medias, a keni marrë ndonjë mesazh privat nga Berisha apo nga drejtues të tjetër të PD-së që të tërhiqeni nga gara për kreun e KLSH-së?
Jo. Kam ndjekur me vëmendje qëndrimin e zotit Berisha, që e bëri të njohur në mbledhjen e grupit parlamentar që më bëri thirrje që të dorëhiqesha nga kandidatura për kreun e KLSH-së. Po këto janë standarte që i vë vetëm zoti Berisha, sepse unë s’kam dëgjuar ndonjëherë se ka pasur dorëheqje të një zyrtari pa e marrë akoma detyrën, duke qëne thjeshtë kandidat. Unë ia kam bërë me dije opinionit se pse e kam parë të paarsyeshme t’i përgjigjesha thirrjes së zotit Berisha për t’u dorëhequr. Arsyeja e parë ka qenë se unë më 13 mars të vitit 1997, duke qenë komisar i drejtorisë së Policisë së Rajonit numër 2 në Tiranë kam qëndruar në krye të detyrës, kam mbrojtur Tiranën, kam mbrojtur interesat e atdheut dhe zotin Berisha, që ishte president i Shqipërisë, e për këtë kam rrezikuar veten dhe familjen time. Për këtë nuk pendohem pasi kam bërë vetëm detyrën time, sepse jam njeri që nuk bëj kompromis në kurriz të ligjit dhe të së drejtës. E dyta është kjo, që një vit më vonë, për shkak se kisha mbajtur një qëndrim ligjor, në detyrën si kryekomisar i policisë së Rajonit numër 2, i shkarkuar atëherë nga ish-ministri i Brendshëm, zoti Neritan Ceka, një vit më vonë, si pjesmarrës në varrimin e liderit të demokracisë, Azem Hajdarit dhe mikut tim, më burgosi prokuroria nën drejtimin e një prokurori që sot është ministër në krah të Sali Berishës. Ky quhet Nasip Naço. Ka qenë një nga prokurorët që kanë përpiluar akuzën për mua, për Sali Berishën dhe për pjestarë të tjerë të lidershipit të PD-së dhe të burgosurve që kanë qëne në birucat e burgut 313. Pa asnjë provë, pa asnjë indicie, më kanë mbajtur 13 muaj në birucat e 313, ndërkohë që i bashkëakuzuar ka qenë dhe Sali Berisha. Për këto të jepja dorëheqjen unë? Apo për shkak se kam fituar dy beteja elektorale në qarkun e Dibrës, në zonën zgjedhore numër 21 Peshkopi dhe në zonën zgjedhore 19 në Bulqizë. Dy zona që PD-ja ka vënë gjithë potencialin e vet dhe nuk ka fituar. Apo ta jepja se kam qenë për tetë vite me radhë sekretar i Komisionit parlamentar të Ligjeve, organit më të rëndësishëm të ligjvënies në Kuvend. Këto më japin të drejtën për t’i thënë Sali Berishës se ti e ke gabim dhe unë jam në rrugë të drejtë. Për çfarë ta jap dorëheqjen? Mesazh privat nuk kam marrë nga lidershipi aktual i PD-së, por u jam përgjigjur publikisht deklaratave të Berishës.
Pse erdhi kjo ditë në PD
Erdhi kjo ditë sepse sot Berisha është ne aleancë me Ilir Metën që është i akuzuar nga prokuroria dhe gjykata, madje dhe nga miqtë e tij. Është në aleancë me ministra të tjerë që kanë qenë dhe janë subjekte penale të prokurorisë dhe gjykatave. Nuk mund të ndodhte ndryshe, prandaj situata ka precipituar deri në këtë pikë. E them edhe njëherë se filozofia politike e PD-së aktuale me atë të PD-së, kur kjo ka qenë në opozitë, ka ikur nga rruga për të cilën kemi qenë gjithë bashkë, që Shqipëria të jetë një vend me shtet ligjor dhe anëtar i Bashkimit Europian dhe jo shtet i interesave dhe i aleancave të dyshimta, me njerëz që kanë mbi shpinë akuza për pazare po të dyshimta.
Mendoni se kjo aleancë ka ardhur sepse zoti Berisha kërkon më shumë pushtet personal?
As nuk ka dyshim një gjë e tillë, përndryshe nuk kam se si e shpjegoj unë Berishën në një gjuhë të patolerueshme në sallën e parlamentit, larg jashtë etikës qytetare dhe aq më shumë larg etikës europiane. Nuk i shkon një njeriu me pushtet, që të përdorë atë lloj gjuhe që përdor ai në parlament. Megjithatë, koha do të flasë. Po të njëjtën vërejtje kam dhe për kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli. Jam kundër gjuhës që ajo përdor në parlament apo ndaj gjuhës që përdor ndaj presidentit të këtij vendi. Mendoj se nuk i shkon portretit të një gruaje të pushtetshme dhe në moshën e Topallit, pa marrë parasysh se niveli i formimit të saj me atë të presidentit është krejt tjetër, janë shumë larg, që të adoptojë një gjuhë të tillë. Topalli nuk duhet ta përdorë atë gjuhë ndaj presidentit, pasi në dy mocionet e mosbesimit që PS-ja ka kërkuar kundër saj, Topi në pozicionin e kryetarit të grupit parlamentar i ka bërë një mbrojtje të shkëlqyer. Topalli duhet të kuptojë se po doli nga korniza kushtetuese të kryetares së Kuvendit do të krijojë në opinion imazhin e Lenka Çukos. I bëj thirrje që ta kuptojë dhe të adoptojë qëndrime të tjera që të mos dëmtohet në opinionin e gjërë, se të vjen me të vërtetë keq.
Sipas jush cila do të jetë e ardhmja e PD-së?
Nuk e shikoj si prespektivë të qartë të PD-së, madje e ardhmja e saj është e zymtë. Nëse do të bëhet një analizë sipas rezultateve elektorale të PD-së në vite, vlera numerike e PD-së aktualisht është më e vogël se sa ajo ka marrë në vitin 1997. Edhe për këtë kush i ka faj Sali Berishës. Çfarë analize ka bërë ai për këtë? Prandaj ai është i prirur që të jetë kurban i aleancave nga më të ndryshmet dhe nga më të dyshimtat vetëm e vetëm që të zgjasë pushtetin e tij personal.
Çfarë menduat për deputetët e Partisë Demokratike në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, që ju kundërshtuan pikërisht juve, që para pak kohësh ju kanë pasur koleg?
Edhe për ata me erdhi keq, sepse i shihja në siklet. I shihja tek i merrnin nga poshtë tavolinës pyetjet, kishte dhe disa prej atyre që as nuk dinin t’i lexonin se çfarë u kishin shkruar. Prandaj s’më erdhi keq rrëzimi i kandidaturës sime, pasi rezultati ishte i pritshëm. Më erdhi keq që grupi parlamentar i PD-së kishte mundësinë dhe momentin e duhur që ta shprehnin vullnetin e tyre lirshëm. Kjo është arsyeja kryesore pse votimi në Kuvend u bë i hapur. Më erdhi mirë për votën e zotit Oketa. Së fundmi më erdhi mirë që nuk isha produkt i aleancës së madhe të plehrave, të importimit të tyre, të një kompromisi me të cilin nuk shkon për shtat qëndrimeve të mia.
Në Komision u rrëzuat se ishit anëtar i PD-së, pra një kandidaturë e papërshtatshme për KLSH-në?
Po. Por unë jam rrëzuar nga të dyja partitë, si nga PD-ja ashtu dhe nga PS-ja si anëtar i PD-së. Pra të dy partitë aplikuan të njëjtën filozofi, pasi duket se kanë të njëjtin emër dhe të njëjtin kryetar. Kështu që mua s’më ngelet gjë tjetër vetëm të shkoj në Gjykatën e Tiranës dhe të kërkoj siglën e PD-së, se ajo nuk ekziston më. Por në komision ua bëra të qartë se vendimmarrja në PD ka shkuar deri në atë pikë sa u thashë shprehjen e Jezu Krishtit “Fali Zot se nuk dinë se çfarë bëjnë”.
E ardhmja juaj do të jetë në PD?
E ardhmja ime do të jetë në politikë. Në ditët dhe muajt që vijnë natyrisht që do të kritikoj mënyrën e sjelljes së lidershipit e Partisë Demokratike. Pres që të ketë reflektim për të ndryshuar kursin, që ajo parti të ridimensionohet, të shkojë drejt asaj PD-je që e kemi pasur si vizion për të bërë të mundur që Shqipëria, edhe si rezultat i këtyre kontributeve të marrë ftesën për në Bashkimin Europian.
Janë bërë disa herë përpjekje të tilla, por një pjesë e tyre që dikur guxuan sot janë në krah të Berishës?
Jam dakord, por gjithmonë përpjekjet duhet të ketë. Po të mos jenë këto përpjekje ne do të rrëshqasim drejt një diktature që do ta kemi të vështirë të dalim.
Diktaturë nga kush?
Nga njerëz që mendojnë se duhet të jenë gjithmonë ata, që nuk duhet të kenë rivalë për pozicionet që ata mbajnë. Demokracia është sistem vlerash që funksionon mbi bazën e votimit të ndërrimit të pushtetit, të ndërrimit të lidershipit. Po të marrim si shembull presidentin Bill Klinton, vlerat numerike të votave që ai mori në zgjedhjet presidenciale para disa vitesh, unë ju siguroj që nëse ai do të kishte mentalitetin e lidervë të PD-së apo të PS-së, ai do ishte akoma president i SHBA-së. Por ajo është demokraci shumë shekullore, që Shqipëria gjithnjë duhet t’i referohet dhe ta ketë si pikë orientimi në të ardhmen, duhet t’i aplikojmë këto lloj referencash si sistem vlerash.
Parti e Topit. Një diskutim i hapur që po debatohet. Si e shihni ju këtë lëvizje?
Nuk shikoj parti të Topit. Unë e shikoj Topin si president në përmbushje të detyrimeve të tij kushtetuese. Tendenca e lidershipit të PD-së për t’i përkthyer qëndrimet kushtetuese të Bamir Topit që nuk janë në përputhje me lidershipin e PD-së, pra për t’i përkthyer në qëndrime partiake është një tentativë e dështuar. Unë e shikoj zotin Topi president, deri në përmbushjen e mandatit të tij kushtetues. Dhe lëvizjet e tjera në favor të demokratizimit dhe në favor të një filozofie të re të funksionimit të politikës brenda dhe jashtë Partisë Demokratike do ta vërtetojë koha. Por unë si person nuk shoh parti të Topit sot. Pastaj pse lidershipi i PD-së është në panik për partinë e Topit?

No comments:

Post a Comment