Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Saturday, December 17, 2011

Reagon Jordan Misja, nipi i heroit te luftes

“Jemi shqiptarë dhe nuk jemi serb” “Në Elbasan dhe në Tiranë i përhapur mbiemri Misja” Gilmana Bushati Jordan Misja është nipi i heroit me të njëjtin emër, që më 1942 u vra në Shkodër, ai shprehet se as xhaxhai i tij dhe as fisi me këtë mbiemër nuk janë kurrësesi sllav. Në këtë reagim të shkurtër, ai hedh poshtë, tezat e hedhura nga kryetari i shoqatës “Moraça-Rozafa”, Pavlo Jakoja, që Jordan Misja, ose siç ai e quan Jordan Misje, është serb dhe i përket komunitetit serbo-malazez në Shqipëri. Këtë qëndrim të tij, e mbështësin të gjithë pasardhësit e heroit të Luftës Nacional-Çlirimtare, një pjesë e të cilëve e kanë përjetuar periudhën e kësaj lufte dhe e kanë njohur më nga afër xhaxhain e tyre. “M’u desh të pyes më të vjetër se unë, që janë në një moshë të thyer dhe u përballa me një ndjenjë habie, sepse gjyshi ynë, pra i ati i dëshmorit Jordan Misja, i quajtur Vangjel Misja, nuk mbahet mend për nga vjetërsia si banor i qytetit të Shkodrës. Më në thellësi të viteve prejardhja e tij ka qenë nga rrethinat e Elbasanit. Mbiemri ynë ka patur ekzakt këtë formë "Misja" për shekuj. Nuk jam historian, por di të them se ky mbiemër është i përhapur edhe në fise të tjera ekzakt në këtë formë edhe në Elbasan, por edhe në Tiranë”, - shprehet Jordan Misja për “Gazetën Shqiptare”. Shoqata Kryetari i shoqatës “Moraça-Rozafa” Pavlo Jakoja, të dielën e kaluar në një intervistë dhënë për “Gazetën Shqiptare” u shpreh se kontributi i komunitetit serbo-malazez në shoqërinë shqiptare ka qenë i madh dhe ky kontribut është dhënë edhe gjatë luftës për çlirimin e vendit nga pushtuesit dhe ai rëndit disa nga pjestarët e këtij komuniteti që dhanë jetën për Shqipërinë. “Pjestarët më të njohur të komunitetit tonë që kanë marrë pjesë në luftën Nacional-Çlirimtare janë Vasil Shantoviç, Vojo Kushiç, Jordan Misje, Branko Kadiç, Vaso Kadiç, Lazar Lazari, Jefto Shtirkiq, Peko Kadiq, Stefan Kavaja, Drago Pjetriç, Zako Nikolliq, Mile Veliç dhe disa dhjetra të tjerë gjatë vitit 1944. Në përgjithësi ato figura të mëdha që përmenda më sipër kanë qenë së bashku me Migjenin, nxënës të shkollës serbe "Obiliç" deri në vitin 1934, kjo shkollë u hap në 1822”, citohet pjesë nga intervista e Jakojas dhënë “Gazetës Shqiptare”. Heroi Jordan Misja, heroi i Luftës Nacional-Çlirimtare pat lindur në Shkodër më 1913 dhe ishte artist. Ai iu bashkua, si shumë të rinj të atij qyteti lëvizjes komuniste. 69 vite më parë, ai ekzekutohet nga fashistët italianë, pas një shkëmbimi zjarri me ta në shtëpinë e tij. Misja, njihet gjithashtu si një nga tre heronjtë e Shkodrës, ku së bashku me të, në këtë shkëmbim zjarri më 22 qershor 1942 u vranë Branko Kadia dhe Perlat Rexhepi, ky i fundit nga qyteti i Vlorës. Ata të tre u rrethuan në shtëpinë e heroit, që gjendet edhe sot pas Katredales së Madhe të Shkodrës, e cila gjithashtu njihet si lagja e Tre Heronjve. Historia tregon se shtëpinë e tij e rrethuan 600 policë e milicë të forcave pushtuese dhe të forcave që bashkëpunonin me ta. Ata i kërkuan Misjes, Kadisë dhe Rexhepit që të dorëzohen, por ata nuk e pranuan një gjë të tillë. Para se të fillonte shkëmbimi i zjarrit nxjerrin jashtë shtëpisë nënën, motrën dhe vëllanë e Jordanit. Shkëmbimi i zjarrit mes tre komunistëve dhe fashistëve ka vijuar për tre orë me radhë, ku pushtuesit numëronin shumë të plagosur. Atëherë në ndihmë të tyre vjen një aeroplan gjuajtës, por që e kishte të pamundur të bombardonte shtëpinë, për shkak se do të vriste shumë nga të policët e milicët që kishin rrethuar shtëpinë. Pasi e dërguan nënën e Jordan Misjes që t’u thonin komunistëve të dorëzohen dhe ajo sillte përherë të njëjtën përgjigje se “komunistët nuk dorëzohen”, atëherë iu vu flaka shtëpisë. Jordan Misja për t’i shpëtuar flakëve që i kishte marrë i gjithë trupi hidhet në pusin e shtëpisë për t’u shuar. Aty e kapin fashistët dhe për t’i treguar popullit të Shkodrës, që ishte në dijeni të këtij shkëmbimi zjarri, masat represive që do të merreshin, e varin Jordan Misjen në mes të qytetit.

No comments:

Post a Comment