Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Thursday, December 15, 2011

Tanush Mulleti dhe Halil Katana, dy qendrime te kunderta per 4 shkurtin 1944

Tanush Mulleti, nipi i prefektit të Tiranës flet për 4 shkurtin e vitit 1944

“Ishin vrasje mes shqiptarëve dhe kosovarëve”

“Nuk janë 86 të vrarë, vetëm 14, 2 prej tyre s’janë komunistë”

Gilmana Bushati
Nipi i ish-prefektit të Tiranës, Qazim Mulletit, Tanush Mulleti, tregon se si e njeh ai masakrën e 4 shkurtit 1944, për të cilët dikur komunistët akuzuan dhe xhaxhanë e tij si pjesmarrës. Sipas tij, vrasjet e asaj nate erdhën si rrjedhojë e disa atentateve të komunistëve, të inspiruar nga drejtuesit jugosllavë të Partisë Komuniste, për të vendosur një vëllavrasjeje mes shqiptarëve. Ai e konsideron vrasjet e shkurtit të 67 viteve si vrasje mes shqiptarëve dhe kosovarëve. Sipas tij, bazuar dhe në dokumentet që disponon, proçes verbalet e Prokurorisë së Shtetit të asaj kohe, të cilat u botuan ditë më parë në “Gazetën Shqiptare”, numri i të vrarëve nuk i kalon të 14 personave, mes të cilëve janë dhe dy italianë.
Zoti Mulleti, pse ishit i interesuar të dinit gjithçka për 4 shkurtin e 1944?
Shkaku ishte se që në shkollën fillore në librin e këndimit (leximit) dhe të historise thuhej se vrasjet e 4 shkurtit i ka bërë Xhafer Deva dhe Qazim Mulleti. Sipas prindërve të mi kjo nuk ishte e vërtetë. Më vonë, si për çudi, në tekstet e mësipërm u hoq emri i Qazim Mulletit nga histografët komunistë. Falsifikimi tjetër ishte numri i të vrarëve dhe pjesëmarrja në këto vrasje edhe e ushtrisë gjermane. Me ndryshimin e sistemeve, nëpërmjet një autorizimi nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, mu dha mundësia të kërkoj për ngjarjen e 4 shkurtit 1944.
Sipas jush cila është e vërteta e kësaj ngjarjeje?
E vërteta e ngjarjes është si rrjedhojë e akumulimit të disa atentateve dhe vrasjeve terroriste të guerrilasve komunist kundër kundërshtarëve të tyre politikë, si p.sh. të inspiruar nga të deleguarit jugosllave që udhëhiqnin Partine Komuniste Shqiptare për të futur vëllavrasjen ndërmjet shqiptarëve dhe kosovarëve: Në Shkodër Vasil Shanto (me grupin guerrilas) realizoi vrasjen e djalit të Isa Boletinit. Gjakmarrjen si hakmarrje të mundshme që po ndodhte ndërmjet shkodranëve dhe kosovarëve, disa burra të mençur e patriotë shkodranë e penguan. Po kështu në Tiranë u vra ministri përfaqësues i Kosovës në qeverinë e asaj kohe Iliaz Agushi, një patriot veteran i Kosovës. Atentatori ishte kosovari B.H., i cili aktivitetin komunist e bënte në Tiranë. Kështu vazhduan atentatet deri sa në fillim të shkurtit ‘44, guerrilasit komunist vranë nipin e vetëm të Xhafer Devës, kuptohet edhe ky kosovar. Kupa u mbush.
Pra ishte një seri vrasjesh me shqiptarëve dhe kosovarëve...
Grupet kosovare kërkuan hakmarrjen që solli 4 shkurtin. Autoriteti më i fortë e më i pakorruptueshëm ishte ministri i Brendshëm inxhinier Xhafer Deva. Misioni i tij ishte ruajtja e qetësisë dhe lufta kundër komunistëve, pasi komunistët e Kosovës jetën partiake e bënin në Shqipëri, për arsye se në Kosovë ishte kuptuar se me fitoren e komunistëve, Kosova do hynte nën zgjedhen e Serbisë (që koha e vërtetoi). Numri i të vrarëve nuk i kalon 14, nga këto komunistë me veprimtari guerrilase të skeduar janë 7, janë 2 italiane qe s’kanë lidhje me komunizmin, 2 kufoma të paidentifikuara në periferi etj.
Po vetë zoti Deva si është përgjigjur ndaj faktit që ai është përgjegjësi kryesor për ngjarjen e 4 shkurtit?
Në deklarimet e veta në azil politik Xhafer Deva ka deklaruar: -“Ishte kohë lufte, janë vrarë dhe ekzekutuar ata që na kanë luftuar me metoda terroriste dhe kjo masë ishte e vetmja rrugë e drejtë për shpëtimin e vendit nga terrorizmi komunist”. Në proçesverbale, komisioni hetues, i përbërë nga Prokurori i Shtetit, Prokuroria e Durrësit, nënkryetari Bashkisë së Tiranës dhe forcat e Komandës së Qarkut dhe Xhandarmërisë etj., me autorizim të prefektit, janë verifikuar dhe eksperimentuar dhe armët e një reparti të ushtrisë gjermane që ndodhej në periferi. Është vërtetuar plotësisht që ushtria gjermane nuk ka marrë pjesë në këto vrasje.
Po vetë gjermanët ishin në dijeni për këtë ngjarje?
Në raportin final të Vermahtit për Shqipërinë permendet kjo ngjarje dhe me ikjen në Kosovë të inxhinier Xhafer Devës, si njeri i rreptë dhe i pakorruptueshëm. Përfundimisht qeveria shqiptare e pranonte që një pjesë e të vrarëve ishin terroristë, por dënimi i tyre duhet të vinte nga gjykata.




Flet Halil Katana, kryeredaktori i revistës “Pavdekësia”

“Osman Kazazi vrau me dorën e vet vëllezërit Huta”

“Qeveria kuislinge mbushi me gjak Tiranën”

Halil Katana, kryeredaktor i revistës “Pavdekësia” organ i periodik i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe dëshmorët e tjerë të Atdheut, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” tregon se masakrën e 4 shkurtit 1944 e bëri qeveria kuislinge e drejtuar nga Rexhep Mitrovica dhe në bashkëpunim me Qazim Mulletin dhe gjermanët. Ai akuzon për këtë masakër dhe Osman Kazazin, i cili ka hyrë nëpër shtëpinë e tiranasve dhe i ka vrarë me dorën e vet dhe sjell si shembull vëllezërit Huta.
Zoti Katana, ju si e keni parë ngjarjen e 4 shkurtit 1944?
Skenari i kësaj masakre u hartua më 15 janar 1944, në zyrën e kryeministrit të qeverisë kuislinge Rexhep Mitrovica, në të cilën merrnin pjesë Komandanti i Përgjithshëm i Xhandermarisë (Ministër i Brenshëm) Xhafer Deva, Komandanti i forcave të Ballit Kombëtar Kadri Cakrani, Prefekti i Tiranës Qazim Mulleti dhe një oficer i Gestapos gjermane. Komanda e trupave gjermane (Korparmata XXI) u përpoq ta paraqiste këtë masakër si një iniciativë e qeverisë kuislinge, por në fakt ajo qëndronte prapa perdes, jepte udhëzimet e nevojshme, nëpërmjet oficerit të Gestapos dhe, ndërkohë, u jepte detyrë forcave ushtarake të zinin rrugët e pikat kyçe të qytetit, siç del nga dokumentet e komandës së Korparamatës XXI (AIH, Dokumete të Ushtrisë Gjermane, Korparamata XXI Malore, T.314-552, cituar nga Prof Xh. Frashëri në revistën “Pavdekësia: Nr.37, shkurt 2005).
Pse u ndërmorr një hap i tillë?
Rrethanat kur u ndërmor kjo masakër, lidheshin me disfatat që po pësonte ushtria naziste në Operacionin e Dimrit nga forcat partizane. Batalionet partizane kishin arritur në periferi të Tiranës. Në këto kushte komanda naziste mendonte të jepte një goditje të fuqishme e tronditëse në kryeqytet, ku ishte baza e rëndësishme e luftës, që furnizonte formacionet partizane me luftëtarë e me pajisje luftarake. Synohej të tmerrohej populli i Kryeqyteti e të shkëputej nga Lëvizja Nacionalçlirimtare. Ky qëllim del qartë në artikullin e gazetës kuislinge “Balli i Kombit” të asaj dite, me titull “Gjaku kërkon gjak”!. Në këtë artikull midis tjerash thuhet: “...duhet përdorur thellësisht terrori... Një ditë terror, siguron dhjetë vjet qetësi”! Operacioni filloi në Tiranën e Re, në pasditen e 3 shkurtit, ku pushkatuan katër veta dhe menjëherë u vendos shtetrrethimi. Gjatë gjithë natës vazhdoi operacioni.
Kush e drejtoi këtë operacion?
Drejtuesit e xhandarmarisë, me lista në duar e me grupe xhandarësh u futën nëpër shtëpitë e qytetarëve të Tiranës, rrëmbyen djem e burra dhe i pushkatuan nëpër rrugë. Është fakt se në familjen e vëllezërve Huta, ka hyrë vetë Osman Kazazi, ka rrëmbyer nga duart e nënës dy djemtë e saj dhe i ka pushkatuar. I vrisnin dhe i masakronin barbarisht, duke i gjymtuar edhe për së vdekuri, pastaj i hidhnin nëpër kanale, apo dhe në mes të bulevardit. Rrugët e Tiranës u mbushën me gjak. Këtë fakt e pohon pas shumë vjetësh, një pjesëmarrës në këta masakër, ai quhej Ram Ahmetaj, me banim në Suedi. Në një intervistë që i ka dhënë gazetës “Ballkan” në qershor të vitit 2005, ai pohon: “Du me kenë burrë i ndershëm, se me 4 shkurt 1944, në Tiranë kemi vrarë shumë njerëz dhe disa të vrarëve u kemi prerë gishtat për t’u marrë unzat e floririt. Ky operacion asht ba me urdhën të gjermanëve dhe asht drejtu nga Komandanti Xhandermarisë Xhafer Deva”.
Ka dokumente që vërtetojnë këtë fakt?
Në raportin e Komandës së Përgjithshme të Xhandarmarisë për rezultatet e operaciont të 4 shkurtit 1944 në Tiranë, thuhet:
”Forcat e xhandermarisë, së bashku me forcat e Regjimenti “Kosova” dhe me vullnetarët e Ballit Kombëtar, këtë natë kanë bastisur 230 shtëpi, ku kanë arrestuar 478 persona të dyshimtë dhe nga këta 84 më të rrezikshmit i kanë pushkatuar. Nga të 84 të pushkatuarit rezulton se 67 janë shqiptarë, 9 italianë, 4 malazezë, 2 maqedonas, 1 grek (minoritar) dhe 1 çifut. Viktimat kanë qenë nga Tirana 29 dhe 37 nga rrethet Fier, Korçë, Durrës, Shkodër, Vlorë e Dibër” (Shih AQSH, fondi 1230, dosja 134-135, cituar nga Prof. Kadri Dingu, në revistën “Pavdekësia” Nr.43, shkurt 2006).
Nuk ka emra zoti Katana, thuhet 86, por askush nuk e ka listën e saktë?
Dikush thotë sot se ku janë emrat? Po harrohet se edhe sot, në paqe e në demokraci, ka sa të duash të zhdukur pa nam e pa nishan. A nuk shikoni emisionin e përjavshëm “Njerëz të Humbur”, në një kohë kur ekziston radioja, telefoni, televizori, interneti dhe celulari, mjete këto që na japin mundësi të lidhemi në çast me çdo pikë të Globit. Kur bëhet fjalë për masakrën e 4 shkurtit 1944 apo masakra të tjera ka rëndësi të përceptohet nga brezi i ri gjaku që është derdhur, sakrificat e jashtëzakonshme që ka bërë ky popull për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj fashisto-nazistë. Dhe të përulemi me veneracion para këtij gjaku e sakrificave!

No comments:

Post a Comment