Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Friday, January 6, 2012

Historia e Italina Marianit, italiania e mbetur ne Shqiperi pas luftes

Historinë e Italina Marianit, italiania e mbetur në Shqipëri, e tregon nipi i saj Eni Toptani

“Roma i braktisi, i la në dorë të Enverit” 

 “Familja Toptani e strehoi dhe e bëri të vetën” 

Sot vjen historia e Italina Marianit, italiania e mbetur vetëm në Shqipëri në vitet e luftës, si shumë italianë të tjerë që kishin ardhur në Shqipëri që në kohën e Mbretit Viktore Emanuele. Është nipi i saj, Eni Toptani, që tregon për gjyshen e vet, percipecitë në Shqipërinë e luftës të kësaj italianeje, të dërguar në Korçë për t’iu larguar zemërimit të gjermanëve, e kthyer në Tiranë, po për të njëjtën e arsye dhe për të përfunduar këto peripeci në sarajet e Toptanëve në Kamëz. 
Por për Italinën, siç thotë Eni Toptani, nuk mbaron këtu jeta e vështirë dhe plot rreziqe, pasi diktatura komuniste i shihte italianët e mbetur në Shqipëri si fashistë dhe si tradhëtarë. Ajo pati fatin të martohej me Sherif Toptanin, djali i Murat Toptanit, i cili pasi mbaroi studimet në Austri u vendos në Kuçovë, për të lëshuar rrënjët atje, pasi ishte inxhinier i burimeve natyrore dhe bëri aq shumë për ekonominë shqiptare, e kryesisht për naftën. 

Zoti Toptani, ju do të jeni rritur me historinë e gjyshes tuaj, Italina Marini. Si jua kanë treguar atë, kur filloi jeta e saj në Shqipëri? 

Kur Shqipëria ishte nën mbretërinë italiane, shumë italianë zgjodhën për të jetuar në vendin tonë, që konsiderohej pjesë e asaj mbretëria. Ideja për të jetuar këtu ishte e thjeshtë, “për të mirën e vendit” dhe për zgjerimin e kësaj mbretërie në toka të tjera, jo italiane. Edhe me ardhjen e Musolinit, këta shtetas italianë vendosën të vazhdonin të qëndronin në Shqipëri. Njëra prej tyre, ishte dhe Italina Mariani, e cila vendosi të qëndronte në Shqipëri, për të kontribuar në zhvillimin kulturor dhe social të grave shqiptare, që duhet thënë se atëherë një pjesë e mirë e tyre, ishin tejet të prapambetura. 

Në pesë vitet e para të qëndrimit në Shqipëri, Italina, ose siç do ta thërrasim më vonë, nona Lina, ishte e afërt me një gjeneral të Karabinierisë italiane, që gjendej në Shqipëri. Edhe pse ishin italianë, jeta e tyre nuk ishte e thjeshtë. Ishte kohë lufte, urdhërat ndërroheshin orë pas ore, marrëdhëniet e italianëve me gjermanët po acaroheshin me kalimin e ditëve. Hitleri pati mosmarrëveshje me Benito Musslonin për faktin se ky i fundit vendosi të sulmojë me forcat që kishte, Greqinë. 

Ndërkohë edhe Gjermania po pësonte humbje të njëpasnjëshme në frontin e lindjes, duke mos gjetur paqe me veten gjermanët, që ishin bombarduar nga propaganda e Hitlerit, se do të ishte raca sunduese në botë, hynë në konflikt edhe me italianët. Ndërsa këta të fundit tërhiqeshin nga Greqia, gjermanët ndiqnin ngado italianët, urdhërin e kishin të prerë nga Hitleri, të vrisnin çdo italian që do të kapnin. Kështu që jeta e italianëve në Shqipëri u bë shumë e vështirë dhe për më tepër tejet e rrezikshme. Rreth viteve 1944, 1945 janë vrarë nga gjermanët shumë ushtarë italianë, por edhe civilë, mes tyre fëmijë, gra dhe burra. Ata që janë gjetur dhe janë identifikuar si italianë janë pushkatuar në vend. 

Do të ketë qenë e vështirë për një grua italiane lufta në Shqipëri, situata e paqartë e sidomos për jetën e saj? 

Pikërisht në këto vite nona Lina si dhe shumë italianë të tjerë për t’i shpëtuar këtyre ekzekutimeve u larguan nga qendrat e mëdha dhe iu drejtuan qytetit të Korçës për të kaluar kufirin e për të gjetur shpëtim në Greqi, ishte si një lloj “udhëtim shprese”. Udhëtimi i këtyrë italianëve drejt kufirit grek u bë gjithnjë e më i vështirë, pasi gjermanët kishin mjetet motorike më të shpejta se italianët. Pikërisht për këtë arsye, pra se gjermanët do t’i zinin në rrugë italianët dhe do t’i vrisnin, gjenerali i karabinierëve, i afërti i nona Linës, vendos që ta fshehë atë në një familje korçare, që të paktën të mund të shpëtonte ajo nga përndjekja dhe vrasjet e gjermanëve. 

Ai i jep një adresë në dorë dhe i thotë të shkojë e të strehohet në një familje korçare, tek e cila kishte besim dhe në fjalët e fundit të tij, i thotë, që me t’u qetësuar situata të kthehet në Tiranë. Pikërisht këtu ndahen rrugët e tyre, për të mos u bashkuar më kurrë.

Cili ishte fati i gjeneralit, a mbaroi këtu udhëtimi i nona Linës? 

Nuk dihet fati i gjeneralit të karabinierëve, nona Lina nuk e mësoi dot kurrë. Ai ka vijuar rrugën me trupën e tij ushtarake dhe që prej aty nuk gjenden më gjurmët e gjeneralit. Nona Lina qëndroi te familja korçare, por për pak kohë, pasi edhe ata kishin frikë për vete, pasi, nëse gjermanët do ta gjenin aty, sigurisht që edhe ata mund të ishin pjesë e ekzekutimeve në masë. Kështu që Nona Lina e vetme, mori rrugën për në Tiranë. 

Atëherë mungonte transporti, ajo një grua e vetme në hapësirën shqiptare dhe në mesin e atij kaosi, e shpesh herë edhe bombardimesh, ajo arrin në Tiranë pas pak ditësh dhe përfundimi i këtij udhëtimi u bë falë ndihmesës që i dhanë fshatarët e zonave ku kaloi, herë më këmbë e herë me ndonjë mjet transporti. Por udhëtimi i saj nuk mbaron këtu. 

Ajo fshihet në Tiranë, në një familje të njohur tiranase, që e kishte shtëpinë pas Bankës së Shqipërisë. Adresën e kësaj familjeje ia kishte dhënë familja korçare. Në këtë familje tiranase, ajo qëndroi për një periudhë të gjatë kohe, gjithnjë e fshehur në bodrum. Por erdhi një moment që familja tiranase nga frika e gjermanëve i kërkon nona Linës që të shkojë në një familje tjetër, një familje tradicionale shqiptare, me emër të madh. 

Dhe ku e çuan? 

Kjo familje e çoi atë në Kamëz, aty jetonte prej vitesh në sarajet e veta familja e njohur Toptanase. Ia prezantojnë këtë grua italiane, e mbetur e vetme kësaj familjeje, e cila e merr në mbrojtje nga gjermanët, pasi atëherë Toptanasit gëzonin respektin edhe të gjermanëve edhe të italianëve. 

Në sarajet, ose siç quhej atëherë Vila e Murat Toptanit ende jetonin fëmijët e tij, e një nga këto ishte dhe Sherif Toptani. Ai kishte mbaruar studimet në Austri, ishte diplomuar për inxhinier burimesh natyrore, ishte iniciatori, krijuesi dhe zbatuesi i puseve të naftës në Kuçovë. 

Punonte për firmën e njohur italiane AIPA. Pikërisht Sherifit i bie në sy bukuria e nona Linës, dashurohen dhe u kërkon vëllezërve që ta marrë këtë italiane për grua. Ata martohen së bashku dhe nga kjo martesë lindën dy vajza dhe dy djem. 

 A përfunduan në këtë pikë peripecitë e jetës së nona Linës? 

Historia e vështirë e nona Linës nuk mbaron këtu, sepse persekutimi i italianëve të mbetur në Shqipëri që nga koha e Musolinit vazhdon dhe në kohën diktatorit komunist Enver Hoxha. Ekziston një marrëveshje e nënshkruar mes qeverisë së atëhershme shqiptare dhe asaj italiane, ku ndër të tjera thuhet: 

“Të githë specialistët dhe punëtorë italianë që do të jenë të nevojshëm për rindërtimin e Shqipërisë do të jenë të lidhur me shtetin shqiptar dhe do të zbatojnë rregullat e tij deri sa të jetë e nevojshme. Me tej thuhet se emrat e këtyre specialistëve dhe familjet e tyre do të shkruhen në një listë”. 

Po thoni që qeveria italiane nuk pranoi t’i tërhiqte qytetarët e vet nga Shqipëria? 

Në fakt kjo marrëveshje ka qenë një “mall shkëmbimi”, sepse në vend të kësaj kërkese Mario Palermo, mund t’i kishte kthyer në atdhe të gjithë brigadën ushtarake “Gramsci” punëtorë dhe fëmijët. Pa marrë parasysh faktin që ata ishin lënë në dorë të Enver Hoxhës. 

Për 40 vite me radhë këto familje jo vetëm kanë ndihmuar Shqipërinë, por janë trajtuar si skllevër dhe si fashista, si tradhtarë. Në shumë raste janë trajtuar pa asnjë ndjenjë humanizmi dhe formë dinjiteti. Mund të them se kjo mund të ishte periudha më e keqe për nënshtetasit italianë, që u harruan nga shteti i tyre dhe u lanë të vetëm në Shqipërinë komuniste, për shkak edhe të marrëveshjes që u bë mes Enver Hoxhës dhe ministrit të Jashtëm italian të asaj kohe. 

Unë vetë linda dy vite pas vdekjes së saj, por historinë e nona Linës na e kanë treguar dhe do ta tregojmë brez pas brezi vetëm për të mos harruar dhe për të kujtuar se çfarë sakrificash kanë bërë brezat e mëparshëm për të lindur dhe rritur breza si ne. 

 Kur iu njohën të drejtat këtyre italianëve të mbetur në Shqipëri? 

Të drejtat e italianëve të mbetur në Shqipëri u dhanë vetëm para dy vitesh, në kohën e qeverisjes së Berlusconit, edhe pse marrëveshjet për t’u njohur këto të drejta filluan që me qeverisjen e Romano Prodit. E kjo u arrit vetëm falë vullnetit të zotit Giorgio Rubolino, i cili krijoi fondacionin e “Italianëve të mbetur në Shqipëri”. 

Meqë m’u dha rasti dua të falenderoj të gjithë anëtarët e këtij fondacioni, në veçanti zotin Rubolino, në mënyrë që italianët e shqiptarizuar të mund të përfitonin të paktën të drejtën e pensionit. “Associazione e Italianëve të mbetur në Shqipëri (1939-1945) dhe pas çlirimit quhet A.N.C.I.F.R.A. (me President Giorgio Rubolino)”

No comments:

Post a Comment