Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Tuesday, January 31, 2012

Flet nga New Yorku i biri i Abaz Kupit, Fatbardhi

“Babai duhet të kthehet si hero, pasi i tillë ishte” “Shoqëria shqiptare ende merret me kujtimet e Nexhmijes” Gilmana Bushati Fatbardh Kupi, djali i Abaz Kupit, flet për “Gazeta Shqiptare” në lidhje me një kërkesë që u bë nga komuniteti i shqiptarëve në SHBA, në fillim të këtij muaji, në lidhje me kthimin e eshtrave të tij në Atdhe. Ai shprehet se nuk do një kthim formal të eshtrave të Abaz Kupit në Shqipëri, pasi ai ishte hero, ishte njeriu që u përball me pushtuesit italianë më 7 prill 1939, e për këtë, shton më tej Fatbardhi, e ka vlerësuar edhe vetë Enver Hoxha. Duke e njohur mirë Shqipërinë, pasi ai është larguar nga drejt SHBA-së pas 1991, Fatbardhi tregon se shoqëria shqiptare po ecën shumë ngadalë në vlerësimin e figurave nacionaliste dhe nëse kjo shoqëri vonohet edhe më shumë në këtë vlerësim, ai në fund nuk do të jetë më real. Në mes të tjerave në intervistë, djali i Abaz Kupit, ndjehet krenar që arriti të mbante besën që i kishte dhënë të atit, për t’u kujdesur për motrat dhe nënën. Ky është pengu i vetëm i tij, që nuk arriti t’i thoshte këtë gjë të atit, që vdiq më 1976 në Amerikë. Zoti Kupi, pak ditë më parë në një përkujtimore të babait tuaj, Abaz Kupi, në një nga varrezat e New Yorkut, u kërkua që eshtrat e tij të mund të prehen në Shqipëri. Kujt konkretisht iu bë kërkesa dhe cili duhet të jetë roli i shtetit shqiptar sa i takon kësaj çështjeje? Faleminderit që e keni kapur këtë kërkesë të komunitetit shqiptar në New York dhe ju falenderoj që po më jepni mundësi të flas për babën tim, që e kam pasë idhull gjatë të gjithë jetës time. Ai ka qenë ëngjëlli, që më ka udhëhequr në jetë dhe më ka dhënë forcë për të kapërcyer çastet e vështira që kam kaluar. Duke u kthyer tek pyetja juaj, kërkesa e komunitetit shqiptar në SHBA është fare e qartë; ajo i drejtohet shtetit shqiptar dhe kërkon kthimin e eshtrave në Atdhe. Në mendjen time, por edhe të inisiatorëve, kthimi i eshtrave nënkupton vlerësimin zyrtar të shtetit shqiptar për figurën historike të Abaz Kupit, si njeriu që nderoi kombin me 7 prill përballë hordhisë fashiste. Nëse nuk bëhet ky vlerësim zyrtar, mendoj se eshtrat e babës janë mirë këtu. Nëse do të bëhet fjalë vetëm për kthimin fizik të tij pas vdekjes, i pa shoqëruar me vlerësimin e kontributit të tij, nuk ia vlen. Shkurt, unë pres një vlerësim siç i bëhet këtu në SHBA nga diaspora shqiptare, kthim si hero i 7 prillit. Po të ishte thjesht për kthimin e eshtrave të tij në vendlindje, unë do t’i kisha kthyer vetë me familjen time. Kryeministri Berisha ka shpallur gojarisht një nismë qeveritare që në Shqipëri të mund të prehen të gjithë ata figura shqiptare që dhanë shumë për Atdheun. Ai nuk është se ka përmendur specifikisht se kush duhet të jetë, por a mendoni se është momenti i duhur që zyrtarët shqiptarë të reflektojnë me qartësi dhe jo politikisht në lidhje me patriotët e vërtetë shqiptarë? E kam ndjekur kryeministrin Berisha kur ka bërë deklaratën e tij dhe natyrisht më ka ardhur mirë për vendimin e qeverisë së tij për t’i kthyer në vendlindje nacionalistët të varrosur nëpër botë. Edhe pse kryeministri nuk ka përmendur emra, por ditën e 28 Nëntorit, besoj se ju e keni ndjekur më mirë se sa unë, kryeministri e ka vlerësuar me emër rolin e babit tim, Abaz Kupit gjatë qëndresës antifashiste. E kam shënuar atë paragraf vlerësimi: “Në 7 prill 1939, forcat dhe mbështetësit e Mbretit, të udhëhequra nga Abaz Kupi, luftuan me trimëri në portin e Durrësit. Më pas, forcat mbretërore, sërish të udhëhequra nga Abaz Kupi, vazhduan luftën për çlirimin e vendit deri në vitin e fundit të saj”. Për pjesën tjetër të pyetjes tuaj, se a është moment i duhur që zyrtarët shqiptarë të reflektojnë me qartësi dhe jo politikisht në lidhje me patriotët e vërtetë shqiptarë, mendoj se Shqipëria është tepër e vonuar për ta kryer këtë vlerësim. Për mendimin tim sa më shumë kohë që të kalojë aq më shumë do të politizohet vlerësimi real dhe do të vështirësohet objektiviteti. Besoj se tashmë arkivat janë të hapura, ka bashkëkohës që janë ende gjallë dhe u duhen marrë dëshmitë dhe historianët nga pozicioni i paanshëm të bëjnë vlerësimin. Veçse vlerësimi nuk mund të bëhet nga ata historianë që i quajtën nacionalistët tradhëtarë. Nuk mund të bëhet as duke u nisur nga deklaratat e Ramiz Alisë se “kam dëgjuar se Abaz Kupi ka qenë me 7 prill në Durrës”, as nisur nga shpifjet e Nexhmijes në kujtimet e veta. Shqipëria ka plot 22 vjet që ka ndërruar sistemin e qeverisjes, nga komunist, në atë demokratik. Ju keni jetuar në këtë vend deri në 1990, e vizitoni shpesh, a mendoni se ndryshimi i sistemit është reflektuar me qartësi e pa ndërhyrje politike edhe në historiografinë shqiptare, në rivlerësimin e atyre figurave që për 50 vite me radhë i dënuam në librat e historisë, përfshi këtu edhe emrin e babait tuaj? Më parë shkoja shpesh në Shqipëri, por tani shëndeti më pengon që të shkoj. Gjithësesi i kam ndjekur zhvillimet dhe mund t’ju them me bindje se reflektimi për vlerësimin e figurave nacionaliste ecën shumë ngadalë, për të mos thënë se shoqëria shqiptare vazhdon e ushqehet me opinone demagogjike komuniste, me kujtimet e Nexhmije Hoxhës, e cila natyrisht që do të mbrojë ideologjinë vrasëse të burrit të vet dhe të sajën, ideologjinë komuniste që zhduku inteligjencën nacionalsite dhe vrau rininë e dhjetëra mijëra bijëve të asaj shtrese, duke ua mohuar të drejtat elementare, dhe në vend të shkollës na dha burgun dhe internimin. Më duket e padrejtë që media shqiptare anon nga kujtimet e ish udhëheqësve komunistë apo pasuesve të tyre, duke bërë një dëm shumë të madh për demokracinë shqiptare dhe duke helmuar brezin e ri. Para se të ikte babai juaj nga Shqipëria, ju tha se do të kthehej shpejt dhe ju kishit për detyrë të kujdesesisht për motrat dhe shtëpinë. A ju la sistemi komunist që ju vërtetë të kujdesesisht për familjen. Si e mori vesh babai juaj që ju vuanit burgjeve dhe a ju dërgoi ndonjëherë ndonjë fjalë? Nëse po, cilat ishit ato fjalë? Ndarja me babanë ka qenë një çast tepër emocionues për mua. Kur iku, ai më trajtoi si një burrë të rritur, duke më kërkuar besën e shqiptarit se unë do të mbroja nga çdo e keqe që mund t’u vinte nënës dhe motrave. M’u duk vetja i burrërruar në ato çaste dhe kurrë nuk e shleva nga kujtesa atë moment. Sa herë që ndodhesha në çaste të vështira, para hetuesve apo para gardianëve, më dilte parasysh fytyra e dashur babës dhe më vinte që larg zëri i tij: “A ma jep besën e shqiptarit?” Isha krenar, që m’u dha ky besim prej babës. Ju pyesni a e kreva detyrën? Me plot gojën, me gjithë pengesat që më vuri regjimi, ju them se “Po”, por më erdhi keq vetëm për një gjë; nuk arrita që ta gjeja babën gjallë që t’i thosha: “Babë; unë e kreva detyrën dhe për vuajtjet që hoqa në burgje apo kampet e internimit, për shkak të ikjes tënde, kurrë nuk jam penduar. Ato nuk më përulën, përkundrazi më bënë më të fortë për përballjen me të keqen”. Me babën kurrë nuk komunikuam sepse gjatë të gjithë kohës ne ishim nën vëzhgim, me apel ose në qeli. Kështu që asnjë fjalë, as një mesazh nuk arrita të marr prej babës ose t’i çoja atij. Natyrisht që ai kishte informacion për ne sepse gjatë të gjithë kohës ishte aktiv në Komitetin Shqipëria e Lirë, në Vatër dhe në Lëvizjen e Legalitetit. Nuk u mungonin atyre informacionet, por mendoj se nuk ndërhyri për të mos na i shtuar vuajtjet. Abaz Kupi që pas largimit nga Shqipëria qëndroi në Amerikë ku edhe vdiq, a ju la ndonjë amanet djemve, që kishte marrë me vete, për pjesën tjetër të familjes që kishte lënë në Shqipëri? Amanet jo, por deri në fund e ka munduar brenga që nuk arriti të takohej dhe të na përqafonte. Meqë vëllai juaj Petriti e njihte Enver Hoxhën, a bëri ndonjë përpjekje që t’i shkruante apo të ndërhynte disi te ai, që familja juaj të mos prekej? Është e vërtetë se Petriti ishte student i Enver Hoxhës, por rrugët e tyre ishin të kundërta. Ai ishte përkthyes me anglezët që qëndruan në shtabin e babës. Mendoj se as që i ka shkuar ndërmend të ndërhynte se gjithçka do të ishte e kotë. Enver Hoxha la motrën e vet vejushë duke pushkatuar kunatin Bahri Omari dhe jo do të dëgjonte një lutje të një ish studenti! Ju përfunduat në burgjet dhe kampet e internimit të shpërndara gjithandej Shqipërisë, perveç se ishit djali i Abaz Kupit, cila qe akuza tjetër që u formulua për ju? Është e vërtetë se unë u dënova pse isha i biri i Abaz Kupit. Kjo ishte akuza kryesore. Për të parën herë jam akuzuar se kisha bërë agjitacion e propogandë për Legalitetin. Natyrisht që kjo ishte qesharake se çfarë agjitacioni do të bënte një 17 vjeçar sa isha unë? Gjatë burgut mua m’u shtua më shumë dashuria për babën dhe ndjehesha krenar që isha bir i tij dhe dënohesha për antiikomunizmin e një heroi. Ish luftëtarë dhe bashkëpunëtorë të tij, më tregonin për trimërinë dhe urtësinë e babës, për qëndrimet e tij burrërore etj. Po veçoj një rast: Kur isha herën e parë në burg, më thërret Patër Anton Arapi që të luaja një lojë shah me atë. Unë u çudita; ç’ne më zgjodhi mua? Në fakt ai e kishte qejf lojën e shahut. Kur po vendosnim gurët, më tha: dëgjo o biri i Abaz Kupit; nuk të thirra për lojë, por desha të bisedoj me ty. Ndjehu krenar për babën se ai ishte shqiptar i rrallë. Kur jam takuar fillimisht me atë, para takimit, pata menduar se do të takohesha me një cub, por pas takimit, thashë: Ka fat Shqipëria që e ka një burr si ky! Kur u dënova për herë të dytë, u akuzova pse kisha përtërirë emrin e babës, dhe pse kisha thënë se babai im, Abaz Kupi, nuk është vlerësuar nga ky pushtet. Në fakt kjo ishte e vërtetë, ai padrejtësisht klasifikohej tek tradhëtarët, ndërkohë që vetë Enver Hoxha pat shkruar të kundërtën në vitet e luftës për Bazin e Canes. E keni në buletinin e “Zërit të Popullit”, në Arkivin e Shtetit, shkurt 1943, në numrin. nr. 13-14. “...Në ditët e para të prillit 1939, ditë të zeza të historisë sonë, është më këmbë, me një zemër, me një besë, një parullë: luftë invadorit fashist që i turrej Atdheut tonë të dashur si bishë në fshatra e qytete të Shqipërisë, i madh e i vogël bërtiste: armë; plak e i ri bërtiste në Durrës, Shëngjin, Vlorë për të mbrojtur Atdheun. Në Durrës luftonte Abaz Kupi me djemtë e Shqipërisë, luftonte me një grusht njerëzish,…kundër mijëra e mijëra fashistëve që zbarkonin në molo, Abazi i Canës dhe djemtë e Shqipërisë, të frymëzuar prej një dashurie të madhe për Atdheun, të vetmen pushkë të shqiptarit, e bënë armikun të kthejë vaporë e të linte në molo me qindra të vrarë. Major Abaz Kupi ishte kudo, në çdo pozitë zëri i tij dëgjohej, djema godisni armikun shekullor...nga çdo anë, nga çdo mur, nga çdo penxhere e Durrësit lëvonte pushka. Bazi i Canës s’po ia lëshonte vendin megjithëse armiku përdori topa e aeroplana ...etj". Të pakën Nexhmije Hoxha kur të mohonte luftën e Abaz Kupit në Durrës, t’i hidhte një sy shkrimeve të Enverit! Është folur dhe flitet shumëçka për komunizmin në Shqipëri, pasi e vuajtët mbi shpinë këtë komunizëm dhe pasi i keni parë zhvillimet në vendin tonë gjithë këto vite, a mendoni se komunizmi me të vërtetë u dënua, që shoqëria shqiptare e shpërlau veten gjatë këtyre viteve të demokracisë? Mendoj se shoqëria shqiptare ende nuk e ka kryer detyrën e shpëlarjes nga krimet dhe mëkatet e komunizmit. Nuk janë dënuar krimet e komunizmit. Më thoni një njeri të dënuar? Nëse populli e bëri detyrën e vet duke përmbysur bustet e Enverit dhe duke tërhequr zvarrë përmendorën e tij në Tiranë, fatkeqësisht shoqëria shqiptare ka mbi shpinë mosdënimin e diktaturës komuniste. Ajo duhet të distancohet dhe të çlirohet nga pushteti që kanë ende ish komunistët fajtorë. Ata që kanë bërë krime duhet të dënohen, bashkëpunëtorët të publikohen, spiunët të nxirren mënjanë dhe vetëm kështu Shqipëria do të ndërtojë një demokraci reale.

No comments:

Post a Comment