Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Thursday, January 19, 2012

Interviste me Giorgio Rubolino, kryetari i Shoqates Kombëtare e Qytetarëve Italianë e Familjarëve të Riatdhesuar nga Shqipëria

Giorgio Rubolino tregon jetën e tij në diktaturën shqiptare “Italiani i rritur në jetimore që u bë arkitekt” “Pengu im: nuk më lanë të flisja me babanë” Gilmana Bushati Kryetari i shoqatës ANCIFRA, “Shoqata Kombëtare e Qytetarëve Italianë e Familjarëve të Riatdhesuar nga Shqipëria”, Giorgio Rubolino flet për eksperiencën e vet të kaluar në Shqipëri gjatë 45 viteve, që u detyrua të qëndronte këtu, pas marrëveshjes së shkëmbimit mes Mario Palermos dhe Enver Hoxhës. Ai tregon se u rrit në jetimoren e Tiranës, e më pas atë të Durrësit dhe se e mori vesh që i ati ishte gjallë vetëm kur ishte në klasën e shtatë, ndërsa më 1987 arriti ta shihte në foto, që fatkeqësisht ishte foto e marrë nga varri i tij. Ai diplomohet për arkitekturë, por pak vepra mbajnë firmën e tij. Rubolino shprehet se vetëm më 1990 ai dhe i vëllai morën vesh se ishin shtetas italianë dhe që përfitonin nga ligji për riatdhesim. Një kalvar i gjatë i jetës dhe i nismave ligjore që italianët e mbetur në Shqipëri ndoqën për të fituar atë të drejtë të mohuar nga shteti i tyre. Për punën 20 vjeçare të Giorgio Rubolinos për të drejtat e shtetasve italianë të mbetur në Shqipëri, iu akordua nga presidenti i Republikës Giorgio Napoletano dhe nga kryeministri i atëhershëm Silvio Berlusconi, titulli “Cavaliere” i Republikës italiane. Zoti Rubolino. “Gazeta Shqiptare” botoi një letër, që “Shoqata Kombëtare për riatdhesimin e italianëve nga Shqipëria”, kryetar i së cilës jeni, i ka dërguar presidentit Napolitano ku ndër të tjera tregohet përmbledhtazi historia e këtij komuniteti në vendin tonë gjatë regjimit komunist. Pse ka mbetur kaq gjatë e patreguar kjo histori zoti Rubolino? Për të qenë i saktë dua të saktësoj emrin e shoqatës që është ANCIFRA (Associazione Nazionale dei Cittadini Italiani e Familiari Rimpatriati dall’Albania) “Shoqata Kombëtare e Qytetarëve Italianë e Familjarëve të Riatdhesuar nga Shqipëria”. Kërkesa e parë i është bërë sipas rregullave Prefektit të qytetit të Astit, ku ne jetojmë, dhe është e datës 25/02/1997. Para kësaj date askush nuk e ndërmori një hap të tillë. Unë dhe im vëlla, jemi fëmijët e qytetarit italian Nicola Giuseppe Rubolino. Arritëm të kuptojmë se ishim nënshtetas italianë që në lindje vetëm në vitin 1990, kur një shok, jurist pranë Presidiumit të Kuvendit Popullor na vuri në dijeni me ligjin italian mbi nënshtetësinë që ndër të tjera thoshte: Neni 1: Është nënshtetas që në lindje, a) fëmija me baba ose me nënë italiane). Falenderoj Zotin që me këtë lajm nuk më vuri në dijeni që më pare, se do e kisha pësuar dhe unë si shumë italianë të tjerë që kërkuan me insistim riatdhesimin, por ata u internuan, u burgosën dhe u asgjësuan. Falë këtij shoku që na udhëhoqi në procedurën e riatdhesimit ia arritëm qëllimit. Rreth 6 vite më parë arritëm të takonim një nga ministrat për të diskutuar në lidhje më çështjen tonë. Pas gati një orë diskutimesh nga ana jonë, ku po përpiqeshim t’i tregonim se në Shqipëri na trajtonin si fashistë italianë dhe këtu në Itali si emigrantë shqiptarë, e merr dikush në telefon. Për të mos e ndërprerë bisedën me ne i thotë bashkëbiseduesit: "Ti telefono io dopo perchè sono impegnato con dei albanesi....". Pra dhe ministri e pati shumë të vështirë të kuptojë që kish të bënte me bashkëqytetarët e tij, që për mbi 45 vjet ishin braktisur e harruar në Shqipëri nën mëshirën e fatit. Bashkangjitur me këtë letër, shoqëruese është edhe marrëveshja e nënshkruar mes Mario Palermos dhe Enver Hoxhës për italianët e Shqipërisë. Cili ishte interesi i atëhershëm i Italisë për të lënë këtu shtetasit e vet, po interesi shqiptar për të mos i lënë të ikin? Kjo marrëveshje është megjithë mend poshtëruese. Ish nënsekretari i Shtetit pranë Ministrisë së Luftës së asaj kohe, avokati komunist Mario Palermo, arriti atë kompromis me Enver Hoxhën, për të mos u kthyer duar bosh në misionin që i ishte ngarkuar. Ai pranoi të sakrifikojë mijëra qytetarë italianë për të riatdhesuar shumë mijëra të tjerë. Këtë analizë e kanë bërë analistët Profesor Miraço e Leone Venticinque, prej te cilëve u vura në dijeni për herë të parë. Me ndihmën e pa kursyer të profesoreshës Yllka Spahiu arritëm të shtinim në dorë fotokopjen e origjinalit të kësaj marrëveshjeje të fëlliqur. Pra interesi italian ishte i qartë, ndërsa ai i komunistëve të Enverit mendoj, se ishte të mbante peng sa më shumë italianë për të siguruar si “dëmshpërblim” maksimumin e mundshëm, pavarësisht se në kurriz të kujt bëhej kjo lojë. Pra për të dy palët u konsideruam si mall shkëmbimi. Historia juaj personale është një ndër historitë e tjera të dhimbshme të këtij komuniteti në vendin tonë, por edhe si shumë shqiptarëve të tjerë nën regjimin komunist. Ju jeni rritur në jetimoren e Durrësit së bashku me vëllanë. Cili është pengu juaj gjatë jetës tuaj në Shqipëri? Më 1956-n kam qenë në shtëpinë e fëmijës Tiranë, që sot mban emrin e të nderuarit Zyber Halluli, themeluesit të saj. Ndërsa ndiqja shkollën, së bashku me vëllanë, kemi qendruar shtëpinë e fëmijës në Plepa mbi ish kampin e pionierëve “Qemal Stafa”, Durrës. Është ashtu si thoni ju, histori të dhimbshme, shumë prej të cilave unë tashmë i njoh, por që ne e ndjemë pak më shumë pasi i referoheshim alternativës së mohuar të riatdhesimit. Të them të drejtën unë im vëlla nuk e kemi ndjerë dhimbjen si shumë familje të tjera, sepse sistemi i atëhershëm të impononte një situatë që sado e dhimbshme të të duket sot, e konsideronje si të natyrshme. Vetëm në klasë të shtatë arrita të marr vesh se im atë ishte gjallë dhe jetonte në Itali. E këtë e mësova nga shokët e tjerë jetim si Bashkim Myzyri, Stavri Xhokaxhiu, Haki Memaga, Myftar Gjonbalaj, Luigj Lazeri, Neki Tahiri, Haxhi Boshnjaku si dhe të shkollave të Durrësit që bashkoheshin me ne në kampin e famshëm të natyralistave, Bashkim e Petrit Spahiu, Lulëzim Rroshi etj., të drejtuar nga mësuesi e kujdestari i talentuar Nevzat Ademi. Përmenda këtë detaj për t’ju pergjigjur pyetjes, pra pengu im ka qënë fakti që sistemi nuk më lejoi asnjëherë që të bëja një përpjekje për të gjetur e për t’u lidhur me babanë. Për herë të parë që e pashë në foto, ishte viti 1987, e për fat të keq ishte fotoja që kishin vënë mbi varrin e tij. Për të tjerat do të pranoja ta ripërsërisja jetën ashtu sic e kam kaluar. Ju arritët të diplomoheshit për arkitekt, a ju lejuan të ushtronit profesionin tuaj dhe çfarë keni ndërtuar për sa kohë që ishit në vendin tonë? Fakti që u rrita në jetimore nuk më dha mundësinë të provoja dashurinë prindërore, u edukuam me bindjen se nëna jonë ishte "nëna Parti", e kjo është ana negative që s’ka njësi që mund ta masë e vlerësojë, por duhet të pranoj që ky fakt më ka shërbyer si shpatë e mburojë ndaj të gjithë atyre që gjithnjë janë munduar të më trajtonin keq, siç kanë trajtuar të gjithë bashkëqytetarët e mi italianë që gjendeshin në atë kohë në Shqipëri. Kështu me një luftë, që kërkon një natë bukë për t’u treguar, arrita të siguroj të drejtën e studimit e të diplomohesha, më parë si gjeometër e më pas si arkitekt. Si gjeometër kam punuar 3 vjet në hidrocentralin e Vaut të Dejës, ku për herë të parë ndjeva se nën çfarë presioni do vazhdontë jeta ime. Nuk harroj fjalët e sekretarit të Komitetit të Partisë të hidrocentralit "shokut Fadil Ymeri" para më se 200 propagandistëve: "Ç'propagandë presim ne nga italiani RRRubolino Xhorxho kur mban të gozhduar radion në kanalet italiane?", kuptohen pasojat. Ndërsa nënës time për të më mohuar të drejtën e studimeve të larta i thonin: "Nuk e çojmë në shkollë, pasi ka shumë lakra në kokë e ka nevojë akoma për edukim", por ai harronte se unë isha rritur "nga nëna Parti me edukatën e saj në jetimore" e kështu nuk më pengoi dot. Profesionin e arkitektit? Vëtëm diploma e shkëlqyer, ushtrimi i profesionit mu mohua që në emërimin e parë. Emërohem në Zyrën e Projektimit të qyteti të Lushnjes si arkitekt projektues. Por menjëherë kuptuan gabimin dhe me gjithe insistimin e shefit të asaj zyre inxhinier Llazar Marku e shokëve të tjerë të zyrës arkitekt Kostandin Mone e Aleksandër Bregasi, më degdisën si drejtues punimesh në kantieret e Ndërmarrjes së Ndërtimit të Lushnjes, në rolin e gjeometrit. Edhe pas rishikimit, e rishpërndarjes së arkitekteve me porosi të të atit të Pranvera Hoxhës, më emëruan në Institutin e Monumenteve të Kulturës Tiranë, por përsëri u kujtuan shpejt se në atë vend duhej tjeter biografi e jo një italian si puna ime, por nuk mund të mos bënin diçka për "jetimin e tyre", kështu më çuan në Ministri të Industrisë e të Minierave, gjithnjë nën presion si italian, jo shumë i dëshiruar. Vepra te miat? Ekziston ndonjë firmë e imja ndër projekte të thjeshta bujqësore në Lushnje, në ndonjë nënobjekt të fabrikave të pasurimit të kromit e bakrit ne Institutin Teknologjik të Mineraleve, që isha i detyruar t’i pranonja si lëmoshë për të mos thënë që s’të kemi dhënë gjë për të bërë. Por rroga më është dhënë rregullisht e në lartësinë mesatare. Duke qenë italian sigurisht do ta keni pasur të vështirë të krijoni edhe familje, pasi familja e vajzës mund ta pësonte njësoj si ju. Si ia dolët të krijonit familjen tuaj, kush u tregua aq e guximshme? Sigurisht ajo që pranoi dorën time pati rastin të më njohë mirë gjatë 4 viteve të universitetit, pasi kemi studiuar në të njëjtën klasë. Me siguri i ka bërë ato llogari pasi ishte studentja më e mirë e klasës. Pastaj familja e saj ishte një familje që e dinte mirë se ç'ishte komunizmi, e prej tyre kam mësuar shumë. Merre me mend që ndër miqtë më me vlerë të saj ishte i famshmi Pjetër Gjini, që ka ngrënë nuk e di sa vjet burg vetëm për idetë e tij. Duke qenë se në Shqipëri u konsideruat shtetas të huaj, por që vuajtët të njëjtin dënim si shqiptarët, ata italianë që vuajtën nëpër burgje dhe kampe internimi a u përfshinë në skemën e dëmshpërblimit të të persekutuarve politikë? E ndjej veten të persekutuar politikisht e moralisht sidomos nga momenti që unë fillova punë. Kanë tentuar e shpesh ja kanë arritur qëllimit të më diferencojnë nga shoket e bashkëpunetorët, kam provuar diskreditime edhe publike pa asnjë arsye, kanë dashur të më pengonin të vazhdonja shkollën e larte, kurrë nuk më kanë lejuar të rikthehesha në Durrës, qytetin tim të lindjes e pranë nënës që kaq shumë ma kish nevojën, gjithnjë e kam mbajtur gojën të mbyllur i vetëdijshëm për pasojat po të reagonja për padrejtësitë që më bëheshin, e ndjeja veten si pikën më të dobët në kolektivat ku kam punuar ndaj çfarëdo vendimi diskriminues që kërkonte një viktimë për të justifikuar çfarëdolloj dështimi të partisë në qendër të punës. Por nuk mund të krahasohem me personat mbi të cilat janë aplikuar format nga më çnjerëzore duke filluar nga internimet në burgimet e deri në asgjesim fizik të tyre ndaj të cilëve sigurisht skema e dëmshperblimeve duhet aplikuar menjëherë e deri në fund. Ndjej që për 20 vite punë e sakrifica në kantieret më të mëdhenj të asaj kohe (h/centrali i Vaut të Dejës me më shumë se 4000 punëtorë) apo në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit) nuk jam shpërblyer si duhet, por kjo si shumë të tjerë. Sot në Shqipëri nuk kam asgjë, edhe shtëpinë që shumica e përfitoi me një çmim minimal unë e humba në këmbim të librezës së punës që do më nevoitej për pension në Itali. Por dhe një herë e përsëris nuk pretendoj për një dëmshpërblim si i persekutuar politik. Një shpërblim të tillë mund ta pretendoj nga shteti italian që më braktisi për shumë vjet në kthetrat e atij sistemi. Këtë e ka theksuar dhe ish Nënsekretari i Shtetit pranë Presidencës së Keshillit të Ministrave në takimin me ne (ishim mbi 100 vetë në Plazzo Chiggi) ku ndër të tjera deklaroi: “…l’Italia vi debba non solo un riconoscimento ma anche quello che vorrei definire risarcimento”…(Italia duhet jo vetëm t’u njohë një nderim por edhe atë që dua ta quaj dëmshpërblim.). Pas 1990 përpjekjet e para për të drejtat e italianëve “Kërkojmë dëmshpërblim për braktisjen 45 vjeçare që na bëri shteti jonë” Italianët që qëndruan në Shqipëri për mëse 45 vite, nën regjimin e Enver Hoxhës, kërkojnë nga shteti i tyre që Ministria e Punës të ndreqë keqinterpretimin apo gabimin ne dekretin e saj, i cili penalizon gati 100 persona me një pension. “Kjo ministri ua ka njohur tashmë vitet e punës në Shqipëri, që shkojnë nga 25 deri në 40 vite pune, kjo sepse llogaritjen e bazojnë mbi një të ardhur vjetore që është shumë më e ulet se minimalja kontraktuale e punonjseve ne sektorët respektivë”, - thotë Giorgio Rubolino sa i takon kërkesave që ata kanë ndaj qeverisë italiane. Sipas tij, për italianët e riatdhesuar nga Libia është përdorur si bazë llogaritjeje të ardhurën mesatare vjetore të punëtorit për periudhat kur kanë punuar. Ai shprehet që në momentin kur të mbyllet kjo çështje, mund të rihapet ajo tjetra, e cila është ngritur si shqetësim nga deputeti Gianni Letta lidhur me një dëmshpërblim të mundshëm për periudhën që shteti italian i braktisi me vetëdije në diktaturën e Enver Hoxhës. Kreu i “Shoqata Kombëtare e Qytetarëve Italianë e Familjarëve të Riatdhesuar nga Shqipëria”, thekson se ai nuk ishte i pari që i vuri në rrugë ligjore riatdhesimin e italianëve të Shqipërisë. Ai ia njeh këtë kontribut, disa italiane, që arritën të takonin në Shqipëri ish ministren e Emigracionit, Margarita Boniverin. “Kjo e fundit me kthimin në Itali arriti të nxjerrë disa dekrete që njohën situatën tonë dhe favorizuan riatdhesimin. Ky moment u bë shkas për të hartuar listat e para të familjeve të shtetasve italianë të cilave për më se 45 vjet u ish mohuar e drejta e riatdhesimit”, - shprehet Rubolino. Sipas tij, meritë për hartimin e listave të italianëve të Shqipërisë, kanë Juliana Folli së bashku me të birin Franclin Nallbani, Elisabeta Boltrini Elisabetës me të bijën Sonia Sojli. Listat e tyre, shton Rubolino, u përdor nga CORA (Komiteti Operativ për të Riatdhesuarit nga Shqipëria). Rubolino shprehet se lista në fjalë vazhdon e përditësohet me të dhëna të reja për çdo vit.

No comments:

Post a Comment