Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Monday, February 6, 2012

Interviste me kryetaren e KKRT-se, Endira Bushati

Ja se si do të dixhitalizohen të gjithë televizionet shqiptare




“Për të parë TVSH-në do të duhet dekoder”



“Shteti të subvencionojë familjet në nevojë”



Gilmana Bushati

Kryetarja e KKRT-së, Endira Bushati, tregon se projekti i madh i dixhitalizimit të të gjithë sistemit analog, ku Shqipëria bën pjesë, do t’i japë fund erës së një shërbimi të shtrenjtë siç është ai analog dhe do të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët. Sipas saj, një projekt i tillë, është edhe një nga kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për të qenë pjesë e BE-së, pra bën pjesë në MSA. Bushati shprehet se në një të ardhme jo shumë të largët, të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të kenë dekodera dixhitalë, që në fakt do të kërkojë edhe një mbështetje nga shteti për të gjetur zgjidhjen sa më të mirë, që kjo të mos rëndojë në buxhetin e familjeve.

Zonja Bushati, KKRT-ja është bërë pjesë e projektit SEE DigiTV, pra, projekti për dixhitalizimin e televizioneve, i cili duhet të përfundojë në praktikë deri në vitin 2015, a është e vërtetë se ky vit, është afati kohor i fundit që do të shënojë fundin e ekzistencës së një televizioni analog, përfshirë këtu edhe TVSH-në?

Projekti “Televizioni Dixhital i Europës Juglindore (SEE Digi TV)”, pjesë e të cilit është bërë KKRT-ja, ka për qëllim krijimin i një platforme ndërnacionale të rregullatorëve, për të adresuar çështjet që lidhen me kalimin në transmetimet dixhitale. Pjesëmarrës në këtë projekt janë autoritetet rregullatore të Sllovenisë, Italisë, Austrisë, Hungarisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Deri sot janë organizuar disa takime koordinuese multilaterale ndërmjet shteteve fqinje, qëllimi final i të cilave është shfrytëzimi i barabartë e jo diskriminues i burimeve të kufizuara të spektrit të frekuencave, në mënyrë që transmetimet numerike të plotësojnë kërkesat e secilit vend, në sasi e cilësi, duke mos shkaktuar interferenca të dëmshme në transmetimet e shteteve përkatëse. Marrëveshja RRC-06 e Gjenevës, ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me ligjin nr.9851 datë 26.12.2007 parashikon datën 17 qershor 2015, si fundi i periudhës së tranzicionit dhe të mbylljes së të gjitha transmetimeve analoge, çka detyron të gjitha shtetet nënshkruese të respektojnë afatet e këtij akti ndërkombëtar. Pas kësaj date transmetimet analoge nuk do të jenë të mbrojtura. Afati i njëjtë është përcaktuar edhe në dy dokumentat bazë të Shqipërisë për procesin e dixhitalizimit, që janë: (1) Strategjia e kalimit nga transmetimet analoge në dixhitale, dhe (2) Projektligji Për transmetimet me zë dhe figurë në Republikën e Shqipërisë, dokumente të cilat pritet të miratohen brenda një periudhe të shkurtër kohore. Më duhet të theksoj që, dixhitalizimi nuk është më çështje zgjedhjeje, por është një detyrim ndërkombëtar që vendi ynë duhet të përmbushë brenda vitit 2015. Kur flasim për dixhitalizmin nuk mund të lëmë pa përmendur Televizionin Publik, për vetë rëndësinë, rolin dhe misionin që ai ka. Afati i caktuar për kalimin në transmetimet numerike, përfshin pa dyshim edhe Televizionin Publik, dhe gjetja e zgjidhjeve më të drejta për TVSH, siguron ruajtjen e rolit të tij të veçantë social, si dhe të aksesit universal. Ky i fundit është themelor për zhvillimin e televizionit publik në erën dixhitale, si dhe për përcaktimin e mekanizmave konkrete të financimit të tij, me qëllim mundësinë e televizionit publik që të jetë i pranishëm në platforma të ndryshme numerike me programe dhe shërbime me cilësi të ndryshme, të cilat shmangin rrezikun e fragmentimit të audiencës.

A mendoni se do të trembet pak teleshikuesi shqiptar nga një projekt i tillë, pasi një pjesë e mirë e tyre nuk kanë mundësi të shohin stacione televizive të formatit dixhital?

Eksperienca nga vendet, ku tashmë ka transmetime të rregullta numerike, tregon që pa mbështetjen dhe përfshirjen efektive të shtetit, dixhitalizimi do të shkonte afërsisht në maksimumin e nivelit të 60 përqind të familjeve. Futja e transmetimeve numerike do të çojë në mbylljen e transmetimeve analoge, pra është e nevojshme të arrihet që 100 për qind e familjeve, të jenë në gjendje të marrin dhe të ndjekin televizionin numerik. Siç mund të jeni në dijeni, me urdhër të Kryeministrit është ngritur Komiteti ad-hoc për përgatitjen e Strategjisë së kalimit në transmetimet numerike. Një nga pikat kyçe të draft-Strategjisë mbetet çështja e subvencionimit të dekoderave. Përcaktimit i standarteve teknike që do të vendoset të përdoren, lidhet ngushtësisht edhe me çmimin e dekoderëve, duke vendosur përfundimisht edhe mbi mënyrën dhe masën e subvencionimit.

Ndoshta KKRT-ja është institucion që nuk do të merret direkt me ndikimin social të kësaj projekt-strategjie, por në paraqitjen e saj në faqen zyrtare të internetit projekti parashikon, citoj: “projekti me shtrirjen e gjatë kohore do të zgjidhë çështje të pajisjeve dixhitale dhe përfshirjes sociale duke krijuar kështu mundësi të barabarta për të gjithë”. Si mund të shpjegohet kjo fjali zonja Bushati?

Futja e transmetimeve numerike do të çojë në mbylljen e transmetimeve analoge. Kjo sjell në mënyrë të pashmangshme pajisjen me dekodera të aparateve televizivë nga ana e publikut. Është e nevojshme që të gjitha familjet me aparate televizive ekzistuese, të jenë në gjendje të marrin dhe të ndjekin televizionin numerik, ndoshta, duke shtuar vetëm pajisje plotësuese. Në opinionin e tij të 9 nëntorit 2005, Komisioni Europian deklaron, që “kalimi në transmetimet numerike mund të ngadalësohet nëse ky kalim i është lëne plotësisht mekanizmave të tregut; ndërhyrjet e sektorit publik janë të dobishme në aspektin e rregullimit, të mbështetjes financiare për konsumatorët, për fushatën informuese apo mbështetëse për të kapërcyer dobësi të njohura të tregut”. Në këtë aspekt, institucionet përgjegjëse shtetërore, bazuar dhe në eksperiencat ndërkombëtare, si dhe në përputhje me standardet e BE-së, duhet të nisin sigurimin e mbështetjes për procesin e kalimit nga sistemi analog në atë dixhital, në mënyrë që ky kalim të zbatohet në plotësinë dhe efektivitetin e vet e brenda kohës së përcaktuar, duke u pranuar nga të gjitha palët e interesuara. Lidhur me ndikimin social që do të sjellë kalimi në sistemin dixhital, KKRT-ja është institucioni, i cili do të propozojë politikat sociale me qëllim që, siç u tha më lart, të bëhet e mundur subvencionimi nga ana e shtetit për familjet në nevojë me qëllim ndryshimin e dekoderave në dixhitale universalë, si dhe do të kërkojë nga platformat dixhitale një përqindje të pranueshme kanalesh të lira (free).

Nëse aktualisht tarifa që paguajnë taksapaguesit shqiptarë për televizionin shtetëror është 1200 lekë në vit, sa mund të shkojë kjo taksë në vitin 2015?

Tarifa për shërbimet e RTSH-së është e miratuar me ligj si formë të ardhurash për këtë institucion dhe shfrytëzohet direkt nga Radio Televizioni Shqiptar. Ndryshimi i vlerës së kësaj tarife bëhet me propozimin të Bordit Drejtues të RTSH-së, drejtuar Ministrisë së Financave dhe Kuvendit të Shqipërisë. Në vitin 2010 ky Institucion, me propozim të EBU-së (European Broadcasting Union), bëri një studim tregu në lidhje me të ardhurat për frymë të Republikës së Shqipërisë si dhe një krahasim të masës së kësaj tarife për shërbimet e RTSH-së, me vendet e rajonit. Pas këtij studimi u konkludua që kjo tarifë në Shqipëri ishte shumë e ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ndaj u propozua rritja e saj nga 50 lekë për muaj në 100 lekë në muaj. Parashikimet për vitin 2015 nuk mund të bëhen për aq kohë sa nuk mund të parashikohet ecuria e hapave të sistemit të dixhitalizimit, i cili do çojë në studime më të thelluara sociale, e si rrjedhojë dhe në ndryshime të tjera të kësaj tarife.

Si mund t’ia shpjegojmë qartë lexusesit se dixhitalizimi i gjithë televizioneve është një përmirësim i teknollogjisë, por edhe një nga kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për të qenë pjesë e BE-së?

Fusha e politikave audio-vizuale ka një rëndësi të veçantë në procesin e integrimit të vendit tonë në BE, për shkak të detyrimeve të rëndësishme që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Neni 102 i MSA-së, “Bashkëpunimi në fushën Audio-vizive”, përcakton disa drejtime për bashkëpunimin në këtë fushë. Jo vetëm kjo marrëveshje, por edhe dokumente të tjera që monitorojnë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, të tilla si Partneriteti Europian apo raportet vjetore të KE-së mbi situatën në Shqipëri, vendosin si një nga prioritetet kryesore në fushën audiovizuale harmonizimin e legjislacionit të medias audiovizuale me acquis communitaire dhe standardet europiane. Ajo i fton vendet anëtare të sigurojnë që ndërhyrjet e politikës të jenë transparente, të justifikuara, adekuate, të zbatuara në kohë dhe në një mënyrë jo-diskriminuese, duke deklaruar, gjithashtu, që “periudha tranzitore e kalimit nga sistemi analog në atë numerik është një proces gjithëpërfshirës me impakte sociale dhe ekonomike, por që, në të njëjtën kohë, paraqet një sfidë të madhe për industrinë, përdoruesit dhe strukturat shtetërore”. Qytetarët europianë, përfshirë edhe qytetarët shqiptarë, duhet të marrin përfitime direkte nga ky proces, në formën e një aksesi më të shpejtë drejt teknologjive të reja dhe çmimeve më të ulëta për komunikimet.

Në gjithë këtë proces cili do të jetë roli i KKRT-së, do të jetë vetëm këshillues për ligjvënësit, partner në hartimin e ligjit, apo thjesht furnizues me informacionet që disponon ?

Me gjithë mjetet modeste në dispozicion, KKRT-ja ka mundur të përmbushë disa nga misionet e saj, në fazën përgatitore të dixhitalizimit, si: hartimi i projekt-strategjisë, organizimi i shumë takimeve për vjeljen e mendimit të aktorëve të interesuar për këtë projekt, si dhe ka bashkëkontribuar në hartimin e një projektligji të ri për median audio-vizive. Në vazhdim, KKRT-ja, si autoritetit rregullator, ka detyrimin dhe përgjegjësinë për monitorimin e këtij kalimi. Pra, roli i KKRT-së është vendimtar si në procesin e dixhitalizimit ashtu edhe në epokën dixhitale që e pason procesin.

Nëse gjithçka do të kthehet në teknologji dixhitale, çfarë roli do të ketë KKRT-ja në një realitet të ri, që vjen pas vitit 2015?

Do të ketë një rol edhe më të madh si rregullator i zhvillimeve, tashmë, dixhitale, sepse zhvillimet nuk ndalojnë me kalimin nga transmetimet analoge në transmetime dixhitale. Ne kemi filluar të mendojmë edhe për dixhtalizimin e KKRT-së, duke filluar nga Studio e Monitorimit. Projekti “SEE Digi TV”, paralajmëron krijimin i një platforme ndërnacionale të rregullatorëve, duke shfrytëzuar eksperiencat më të mira në fushë.

Edhe një pyetje, zonja Bushati si do të realizohet liria e medias në kohën e dixhitalizimit të stacioneve radiofonike dhe ato televizive?

Në ditët e sotme, zhvillimet e shpejta teknologjike dhe konvergjenca e komunikimeve elektronike, kapacitetet e medias dhe pajisjet elektronike, janë duke krijuar një mjedis dinamik, në të cilin spektri është duke u bërë, gjithnjë e më shumë, një burim i rëndësishëm. Në këtë kontekst, dixhitalizimi ka mundësi të ofrojë më tepër mundësi për pluralizëm dhe larmi në fushën e transmetimeve, pasi spektri ofron më shumë përdorues sesa me sistemin analog. Gjithsesi, sidomos në fazat fillestare, dixhitalizimi përmban rreziqe të tilla si, monopolizimi dhe çimentimi i problemeve ekzistuese në fushën e transmetimeve. Gjetja e rrugëzgjidhjeve të drejta që në momentin e hartimit të Strategjisë, do të shmangë rreziqet e tilla. Dixhitalizimi i medias elektronike është një “revolucion” ku nuk duhet të ketë të humbur.

























No comments:

Post a Comment