Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Friday, January 13, 2012

Fotografi i njohur i Zerit te Popullit tregon te verten per retushimet e fotove te Enver Hoxhes

Flet Niko Xhufka, fotografi i njohur i “ZP”-së për fotomontazhin e portretit të Enver Hoxhës “Po të bëje fotomontazh të zhduknin” “Sektori i shtypit në KQ bënte nga këto punë” Gilmana Bushati “Nuk është e vërtetë që unë i kam bërë fotomontazh fotos zyrtare të Enver Hoxhës”. Kjo është deklarata që kërkon të bëjë pranë “Gazetës Shqiptare” fotografi i njohur i gazetës “Zëri i Popullit” Niko Xhufka, i cili kërkon të sqarojë pozicionin e tij, pas publikimit në “Gazetën Shqiptare” të kujtimeve të gazetarit të “ZP”-së, Albert Shala, ku në një moment thekson se ishte fotografi i gazetës së bashku me Sulo Gradecin që bënë fotomontazhin e portretit zyrtar të Enver Hoxhës. “Është e vërtetë që kam bërë foto të Enver Hoxhës, por të gjitha fotot që bënim i dërgonim në sektorin e shtypit të Komitetit Qendror të Partisë, aty pastaj kishte specialistë që bënin retushimet”, - shprehet ai për “Gazetën”. Sipas Xhufkës, retushime të fotove bëhen edhe sot, por atëherë ai, si fotograf, nuk kishte të bënte me to, pastaj, sipas tij, “kush guxonte të bënte fotomontazhe, se po të merrej vesh një gjë e tillë neve na zhduknin në moment”. Gazetari Albert Shala tregon në librin e tij “ZP” 18, 17 apo 16 kryeredaktorë”, se fotoja e Enver Hoxhës, e shpërndarë në çdo zyrë e në çdo kooperativë ishte një fotomontazh i bërë me dy fotografi, ku koka ishte fotografuar nga Niko Xhufka, ndërsa trupi nga shefi i rojeve Sulo Gradeci. Po vetë Xhufka, e mohon kategorikisht këtë fakt, madje edhe përfshirjen e Sulo Gradecit në një ndërmarrje të tillë teknike. “As unë e as Sulo Gradeci nuk kemi bërë një gjë të tillë, pasi sektori i shtypit, siç thashë më lart, kishte specialistë dhe piktorë për këtë punë”, shprehet fotografi zyrtar i “ZP”-së, i cili ka punuar në këtë gazetë për mëse 30 vite me radhë. Një aksion i tillë, pra për fotomontazhet apo retushimet kishte sektor të veçantë në Komitetin Qendror të Partisë së Punës. “Fotot e mia merreshin nga ky sektor, se ku çoheshin e ku retushoheshin në Kinë a në Afrikë unë s’di asgjë, nuk ishte e lejuar të dije asgjë nga këto”, - thekson më tej fotografi Xhufka, që tashmë e ka lënë profesionin e tij këtu në Shqipëri. Sipas tij, Albert Shalën, gazetarin që ka shkruar librin, e botuar nga “Gazeta Shqiptare” e ka takuar veç dy herë, dhe që këto dy herët e ka takuar pas ardhjes së demokracisë madje në rrugë dhe se nuk kanë bërë biseda të tilla. Xhufka thekson, se ai para se t’i shënonte në kujtimet e tij, këto lloj bisedash, duhej të pyeste më parë për vërtetësinë e tyre. Ai shprehet se një fakt të tillë, e mësoi vetëm kur lexoi pjesë të kujtimeve të Shalës, botuar në dy pjesë në “Gazetën Shqiptare”. Ndërsa hedh poshtë fotomontazhin e fotos zyrtare të Enver Hoxhës, Niko Xhufka, tregon se pasazhi tjetër ku përmendet ai në librin e kolegut Shala, është i vërtetë. Bëhet fjalë për një fakt të thjeshtë, gjatë ushtrimit të punës së Xhufkës, ku pasi rojet personale të Enver Hoxhës, e kërcënojnë, pasi ishte afruar shumë me udhëheqësin, është vetë Enveri që u thotë atyre “lëreni djalin të bëjë punën e tij”. “Po ky fakt është i vërtetë, edhe këtë nuk e mora vesh menjëherë aty, pra në moment, e mora vesh shumë kohë më vonë”, - shprehet fotografi i njohur Niko Xhufka. Në librin e tij, Albert Shala, gazetar i “ZP”-së dhe për një periudhë kohë edhe redaktor në Radio Televizionin Shqiptar, “ZP” 18, 17 apo 16 kryeredaktorë” ka hedhur kujtimet për një nga strukturat më të rëndësishme të Partisë së Punës, për njerëzit që kanë punuar aty, për skenat, prapaskenat dhe detajet e vogla të një gazete, që për udhëheqjen kishte rëndësi shumë të madhe dhe ndaj të cilës kishte kujdes tepër të madh. Nga libri i tij, mësojmë se katër kryeredaktorë të saj, kanë përfunduar në burg, ose janë larguar me ulje nga puna, vetëm për shkak të “gabimeve politike” që konstatoheshin nga partia. Albert Shala Libri Albert Shala ka qenë gazetar në gazetën “Zëri i Popullit” po ashtu ka qenë redaktor në Radio Televizionin Shqiptar. Në vitin 2008 ai publikoi librin “ZP” 18, 17 apo 16 kryeredaktorë”, ku hodhi kujtimet për gazetën më të madhe të regjimit komunist. Enver Hoxha ishte i pranishëm kudo në redaksi “Portreti zyrtar i diktatorit u bë me dy pjesë, koka ishte foto e Xhufkës, trupi i Gradecit” Dekori i pranisë së E.Hoxhës në Redaksi plotësohej nga portretet e tij thuajse në çdo zyrë...Kurse në korridorin e katit të dytë ishte një bust i tij, nga ato të shumtët që kishin për model veprën e njohur të Odhise Paskalit, skulptorit tonë të mirënjohur...Fotografi i njohur Niko Xhufka më ka thënë: “Askush veç meje dhe Sulo Gradecit, shefi i rojeve të E.Hoxhës, i cili për shumë kohë bënte edhe rolin e fotografit personal të udhëheqësit të partisë, nuk e di që portreti zyrtar i Enver Hoxhës ishte i përbërë nga dy pjesë – koka ishte e imja dhe trupi i Sulos. Ai, Sulua, kishte arritur të bënte montazhin deri në atë nivel sa të mos kuptohej asgjë nga askush, derisa ai portret të arrinte të bëhej zyrtar e të gjendej edhe në zyrat e kooperativave më të thella malore. Kuptohet, unë e kisha të ndaluar të thoja që e kam përgatitur portretin zyrtar, megjithëse e kisha fotografuar me qindra herë.” Por, - vijon Nikoja, - ai montazh e ka patur një të mirë pas. Kujtoj që ka qenë një koncert në Pallatin e Sportit në kryeqytet me artistët më të mirë që kishin marrë pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës dhe të gjithë prisnin hyrjen në sallë të E.Hoxhës...Provova një të shtyrë të fortë në ije dhe pashë mbi kokën time që dikush më shtërngonte dhëmbët, si të më thoshte “E di ç’të bëj!”. Në çast dëgjova zërin e Enver Hoxhës të thotë: “Lëreni djalin të punojë”. Roja u zhduk sa çel e mbyll sytë...Ai kishte shumë dëshirë të merrte poza përpara meje, të bënte sikur ishte i shkujdesur, të ndërronte në çast çehre, të bëhej qëngj, të buzëqeshte, sidomos të buzëqeshte.”... Pjesë marrë nga libri “ZP” 18, 17 apo 16 kryeredaktorë”, me autor Albert Shala, ku përmendet emri i Niko Xhufkës dhe i Sulo Gradecit.

No comments:

Post a Comment