Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Monday, March 26, 2012

Gjakmarrja/Historia e nje familjeje ne Thumane


Flet 17 vjeçari nga Thumana i ngujuar në shtëpi për gjakmarrje

Ahmeti Gjuci: Dua të çlirohem nga ky burg

“Nëse s’e kapin babain, jam unë objektivi”

Gilmana Bushati
40 kilometra larg kryeqytetit shqiptar, pikërisht në Thumanë, mes shumë e shumë fëmijve dhe të rinjve të tjerë, jetojnë Ahmeti, Desenada dhe Ermali, që në fakt nuk janë si të tjerët dhe duket se nuk do të jenë më si të tjerët. Që të tre e kanë shkollën ngjitur me shtëpinë ku banojnë, vetëm pak metra i ndajnë nga shkolla, pikërisht mbrapa banesës qëndron shkolla e tyre, por më pak metra i ndajnë njerëzit që duan të marrin hak te kjo familje. Një ngjarje e shëmtuar, një krim i ndodhur në 2002, ku i ati i tyre, Qemal Gjuci vret një person, i ka ndryshuar krejtësisht rrjedhën e jetës së kësaj familjeje prej katër vetash, që aktualisht ndodhen në gjak me familjen e Xh.Rr, me të cilën i ndan vetëm rruga automobilistike. Ka pasur përpjekje të vazhdueshme për pajtim, të paktën për hir të fëmive. Por pala tjetër nuk ka pranuar. Pas shumë ndërhyrjeve u është dhënë besa se nuk do të preket vëllai tjetër i Qemalit, por jo familja e tij, e kryesisht djemtë. Edhe nëse duan të rrijnë larg kësaj ngjarjeje, edhe nëse e ema Ermira do të bëntë përpjekjet maksimale që fëmitë e saj të mos jetojnë me frikën e vdekjes, nuk mund t’ia dalë një gjëje të tillë, pasi gjakësit i shohin nga dritaret, janë gjithnjë nën vëzhgim dhe nën kërcënimin e vdekjes. E më shumë këtë bindje për një vrasje të mundshme në shtëpinë e tyre e përjeton Ahmeti, djali i madh i Ermirës, aktualisht 17 vjeç. Ai është objektivi kryesor i gjaksit, pasi autori i vrasjes, Qemali konsiderohet si i zhdukur. Që prej shtatë vitesh ai, sipas familjarëve, nuk ka asnjë kontakt me ta. Ahmeti ishte shtatë vjeç në momentin e ngjarjes, aktualisht është 17 vjeç.
Ahmet sa vjeç ishe kur ndodhi ngjarja?
Isha shtatë vjeç.
Si ta treguan ngjarjen familjarët?
Ma kanë treguar pak e nga pak. Me kalimin e kohës e mora vesh të plotë dhe tani jam këtu.
Si këtu?
Jam këtu, në shtëpi, nuk jam si të gjithë shokët e mi, s’mund të dal si gjithë të tjerët, nuk kam dëshirat apo ëndrrat që kanë shokët e mi.
Shkon në shkollë?
Herë shkoj, e herë nuk shkoj. Një vit nuk kam shkuar fare. Aktualisht jam në vit të dytë, por edhe kur shkoj, edhe pse shkollën e kam këtu afër, shkoj i shoqëruar nga mami, nga gjyshja ose me pjestarët e tjerë të familjes. Nuk dal asnjëherë vetëm. Pastaj për të ndihmuar për mësimet apo për të më mësuar diçka vjen një mësuese në shtëpi.
Këtë mësuese e dërgon ministria, drejtoria apo kush?
Jo, jo. Nuk e dërgon njeri. Ajo vjen për sevap, pasi këtu në fshat e dinë historinë tonë dhe u vjen keq.
Ahmet i njeh personat që mund të të vrasin ndonjë ditë?
Jo të gjithë. Njoh vetëm një, por nuk i njoh të gjithë.
Pra je mësuar të jetosh me frikën se një ditë do të të vrasin?
E kam mësuar që herët këtë gjë. Nuk mund të them se nuk kam frikë. Kam frikë sepse asnjëherë s’je i sigurtë kur ke tjetrin që rri në shtëpinë përballë.
Meqë hera herës shkon në shkollë, a të kanë çuar fjalë se duhet të kesh kujdes?
Mua direkt jo, por të afërmve të mi po. Ata u kanë thënë familjarëve se nëse s’e kapin direkt vrasësin, objektivi i tyre jam unë, pasi kam edhe moshën.
Ke shokë apo shoqe?
Jo nuk kam. E vetmja moshatare me të cilën rri është një e afërmja e ime. Shkoj atje, kur më çojnë të mitë dhe rri me qejf.
Ahmet ke facebook ti?
Po kam një faqe në Facebook me emrin tim.
Pra shkon në internet?
Jo, nuk shkoj. Këtu afër është një qendër interneti, po nuk shkoj asnjëherë. Internetin e kam te telefoni.
Çfarë ëndrrash ke për jetën?
Dua të çlirohem njëherë e mirë nga ky lloj burgu që më detyrojnë të qëndroj, ku qëndroj prej disa vitesh e nuk mund të dal si të gjithë shokët e mi.
Çfarë dëshirosh të bëhesh kur të jesh i lirë?
Dua të bëhem mekanik, si babi.

Nëna
Ermira Gjuci, është 40 vjeçe, ka tre fëmijë, të cilët gjithashtu nuk i rrit si të gjithë nënat e tjera. Më frikë nga të gjithë ka për Ahmetin, pasi gjithçka mund të ndodhë dhe në çdo moment, pa paralajmërim. Jeta e saj është ndarë më dysh, ndërsa në 10 vitet e para të jetës ka jetuar mirë, e lumtur, 10 vitet e tjera kanë qenë një ferr i vërtetë për të.
Ermira, si është të jetosh me frikën?
Nuk ka gjë më të keqe se të jetosh. Nuk ka gjë më të keqe se sa të kesh frikë se në një moment, në çdo moment mund të ndodhë asaj që ia kemi frikën, të më sulmojnë djalin, Ahmetin.
Ke qenë e lumtur ndonjëherë?
Edhe pse jam në këto kushte jetese, them që në 10 vitet e para të jetës sime kam qenë e lumtur, më fali Zoti djalin, vajzën. Por këto 10 vitet e fundit për mua kanë qenë e kam frikë se do të vazhdojnë të jenë një tmerr. Ne i kemi përballë palën tjetër e gjithçka e jona shihet e vëzhgohet.
Kur e çon në shkollë Ahmetin ti e shoqëron?
Nganjëherë unë, nganjëherë gjyshja e tij. Por kur shkon ndonjëherë në shkollë e gjej veten duke u sjellur nëpër shtëpi me merakun e tij.
Çfarë shpreson?
Shpresoj që të mbarojë njëherë e mirë kjo lloj jete që po bëjmë. Më tepër për hatër të fëmijëve se sa për vete. Dua t’i shpëtoj ata, t’i jap një jetë tjetër, një të ardhme tjetër. Por deri tani, e ardhmja e Ahmetit kanë qenë ja këto mure dhe ndonjëherë që del, por gjithmonë i shoqëruar, e asnjëherë vetëm.

Shtatëvjeçari që është mësuar me fjalën “vdekje”
Ermali: Dua të bëhem mekanik, si vëllai

Në fakt ardhja në jetë e Ermalit i ka nxehur gjakrat me familjen e anës tjetër të rrugës. Kur ndodhi ngjarja Ermali nuk kishte lindur ende. Gjykata e shpall të atin fajtor për vrasje dhe e dënojnë me 12 vjet në mungesë, pasi Qemali nuk u kap asnjëherë nga policia. Në momentin që Ermira mbetet shtatzënë dhe pastaj sjell në jetë djalin tjetër Ermalin pikërisht tre vite pas ngjarjes, sjell një irritim te pala tjetër, sepse vertetuan faktin se Qemali vinte e rrinte në shtëpinë e tij. Ermali tani është shtatë vjeç ai ka lindur dhe është rritur pikërisht me historinë e të atit nëpër shtëpi. Ai shkon në shkollë rregullisht, pasi duke qenë i vogël nuk konsiderohet si një subjekt për t’u hakmarrë.

Ermali në çfarë klase je?
Jam në klasë të parë.
A shkon në shkollë ti?
Shkoj përditë.
Cila lëndë të pëlqen te shkolla?
Më pëlqen matematika.
Ke zënë ndonjë shoqe deri tani?
(...qesh dhe skuqet)
Po shok a ke?
Po e kam një shok, me atë rri në bankë.
Po ti çfarë të pëlqen të bëhesh kur të rritesh, doktor, avokat apo çfarë?
Jo edhe mua më pëlqen të bëhem mekanik si vëllai.


Desenada, 10 vjeçarja që mëson shumë e flet pak

Desenada është dhjetë vjeçe, frekuenton klasën e katërt të Thumanës. Kur ndodhi ngjarja ajo ishte vetëm dy muajshe. Dhe ajo ka mësuar për ngjarjen, kështu pak e nga pak dhe me kalimin e kohës është mësuar me fjalën vrasje, ashtu si dhe Ermali, si dy më të vegjlit. Duke qenë se është vajzë, ajo është diçka më e lirshme në vajtjen në shkollë dhe të zërë shoqe, të luajë me ta dhe ta gëzojë disi jetën, edhe pse ajo e di çfarë do të thotë vrasje, vdekje e mbyllje në shtëpi. E ka jetuar bashkë me të vëllanë, Ahmetin dhe Ermalin, një jetë që bëjnë edhe fëmijë të tjerë në Shqipërinë e vogël pikërisht për shkak të frikës së gjakmarrjes. Desenada kthehet nga shkolla dhe na takon, ndërsa flasim për ngjarjen e 10 viteve më parë, për të cilën as ajo, as Ahmeti dhe as Ermali nuk janë fajtorë, por vuajnë pasojat e saj. Ajo ka të veshur komplet sportiv ngjyrë rozë, ngjyra e vajzave dhe një bluzë të bardhë me emrin e Britney Spears në të. Çantën e shkollës e ka po në ngjyrën rozë me personazhet e dashura për 10 vjeçaret shqiptare. Ashtu e qetë, e butë e pa bërë zë dëgjon, kushedi për të satën herë, historinë e familjes së vet.




No comments:

Post a Comment