Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Sunday, April 22, 2012

Interviste me Gjergj Ndrecen

Lëvizja politike e të burgosurve politikë me kërkesat e saj


“Më 22 maj do shpërthejmë në revoltë si në 1973”

“Kërkojmë 10 për qind të vlerës të veprave që ndërtuam”

Gilmana Bushati

Gjergj Ndreca, i persekutuar politikë, flet për lëvizjen e re politike të kësaj shtrese, e cila do të finalizohet me krijimin e një force politike pikërisht në Spaç të Mirditës, ku 39 vite më parë ndodhi revolta e njohur e të burgosurve. Ai tregon se kjo nismë do të mbledhi bashkë të gjithë bashkëvuajtësit politikë, ata që gjatë 22 vite të pluralizmit nuk u nderuan e respektuan nga shteti demokratik. Sipas tij, krijimi i një lëvizje politike, do të mund t’i instuticionalizojnë kërkesat e tyre.
Të burgosurit politikë kishin mundësi të krijonin partinë e tyre që në 1991, ose edhe në 1992, ndërkohë keni njoftuar se do krijoni një nismë politike që do të mbledhë të persekutuarit dhe të burgosurit politikë. Çfarë është kjo lëvizje zoti Ndreca?
Me 22 maj të këtij viti, në Spaç, do të fillojë pluralizmi politik në Shqipëri. Është një nismë e të gjithë burgosurve politikë, e të gjithë shqiptarëve të ndershëm, e atyre figurave që vuajtën burgjeve të komunizmit dhe që duan të ndërtojnë një Shqipëri tjetër, pasi besojnë se ka dhe një Shqipëri tjetër perveç kësaj që na servirin përditë politikanët tanë. Nuk do ta quajmë fare parti, do të jetë lëvizje, do t’i gjejmë një emër, por nuk do ta quajmë parti, sepse një parti na persekutoi, burgosi për 50 vite me radhë, dhe disa parti të tjera, po bëjnë të njëjtën gjë këto 22 vite, që po na i quajnë edhe demokraci. Fjala parti na ka lodhur neve, por besoj se ka lodhur edhe popullin shqiptar. Nisma jonë do të jetë Vetoja e gjithë shqiptarëve të vuajtur.
Po pse tani kjo lëvizje?
Para një jave na vdiq një shok në Greqi, bëri 28 vite në burg, ishte beqar, sepse atëherë partia s’të linte të martoheshe, vdiq Mati Zef Marku, nuk mori asnjë lek dëmshpërblim, vdiq Esat Allmuça, e raportuan si të çmendur që i vuri flakën vetes, vuajti 17 vite burgu, nuk mori asgjë nga ajo që i takonte. Vdiq dhe e lanë për 20 ditë me radhë në morg Gregor Zaharia, Instituti i Integrimit s’e pranoi na u desh t’i bënim ceremoni në mes të rrugës, ku u përplasa dhe me djalin e Çajup Rusmalit, me të cilin jam në gjyq. A doni arsye më shumë se këto vdekje të vetmuara dhe 140 deputetët të tallen me fatin tonë?
A mendoni se do ju mundësojnë regjistrimin e partisë?
Po sigurisht, krijimi i saj do të jetë brenda të gjitha ligjeve të shtetit shqiptar, do respektojë çdo rrugë ligjore për t’u bërë një strukturë politike, edhe pse deri më tani shteti nuk ka pasur respekt për shtresën tonë, shtresën e ish-të përsekutuarve politikë, që po i lë të vdesin përditë e më shumë pa u dhënë asnjë lekë për vuajtjen, torturat, vdekjet dhe mundin që bënë për këtë Shqipëri.
Pse është zgjedhur Spaçi zoti Ndreca?
Është zgjedhur Spaçi, pasi më 1973, pikërisht doli lulja e parë e pluralizmit me revoltën e Spaçit që bënë të dënuarit politikë, ku u vranë katër të burgosur dhe u dhanë 1000 vite burg për pjesmarrësit e tjerë në këtë revoltë. Lëvizja do të jetë vijim i revoltës së 1973, pasi vendi ynë është kthyer sërish në ato vite, pasi drejtuesit aktual të shtetit shqiptar po sillen si diktatori dhe diktatorucën e tjerë të asaj kohe, sepse si edhe atëherë edhe sot poshtërsia mbrohet me ligj. Atëherë ne kujtonim se Enver Hoxha kishte vetëm dy djem, por sot po kujtojmë se ai kishte pasur katër, njëri prej tyre është edhe djali i Vuçinolit, Sali Berisha dhe tjetri Ismail Kadare. Prandaj kemi zgjedhur Spaçin, pasi që nga 1973, Shqipëria mund të ketë ndryshuar ndonjë gjë në pamje, por në thelb është e njëjta diktaturë.
Por, ju si shtresë, nuk keni unitet, si do i bashkoni shqiptarët në nismën tuaj?
Është e vërtetë, por pushteti nuk mund të mbahet me mbrapavijën e të burgosurve politikë si Simon Miraka, Lili Ndoci apo Reshat Kripa. S’mund të na vëjnë përballë njerëz që kanë zyrë në ndërtesën e Komitetit Qendror të Partisë, që lëvizin me makina e gëzojnë të gjitha përfitimet e tjera, sepse ata s’mund të fitojnë përballë nesh, që gjithçka e bëjmë me vullnet, e për më tepër duke mos shfrytëzuar asnjë të mirë të shtetit shqiptar.
Pasi ta formoni këtë lëvizje politike, cila do të jetë platforma juaj?
Një pjesë të platformës ia kemi dërguar në formë peticioni Avokatit të Popullit, ku i kërkojmë që të kemi pension special, siç e gëzon Aranit Çela, i cili ka vrarë 1000 vetë me dorën e vet dhe dha me miliona vite burgu, do të kërkojmë 10 për qind të vlerës së çdo vepre që kemi ndërtuar me duart tona gjatë regjimit komunist. Të gjithë të burgosurve që janë gjallë do t’u kërkojmë të ngrejnë padi penale ndaj njerëzve që i kanë keqtrajtuar, duke filluar pikërisht me njerëzit në pushtet, t’i ngrejnë këto padi deri në Gjykatën e Hagës. Për t’ia vërtetuar brezit të ri krimet që kanë bërë këta, do të kërkojmë që kriminelëve t’u nxjerrim eshtrat nga varret dhe t’i vendosim në një muze në kuti të qelqta me emrin përsipër dhe personat që ka vrarë dhe t’u themi fëmijëve tanë, ky ishte kriminel, shteti që e mbrojti ishte kriminel, shteti që nuk e dënon sërish është kriminel.


No comments:

Post a Comment