Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Monday, May 5, 2014

Amik Kasoruho: Cili nga krimet e bëra gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës është dënuar?

Intervistë e vitit 2009 botuar në 'Gazeta Shqiptare'

Gilmana Bushati

Përkthyesi i njohur i autorëve më të mirë të letërsisë botërore, Amik Kasoruho u shfaq ndryshe dje në pozicionin e pasardhësit të Qemal Kasoruhos, një nga 22 personat që u arrestuan dhe u pushkatuan pa gjyq në 1951 për “bombën sovjetike”. “Në emrin e djalit më të plakur, flas për ata që nuk gjetën ngushëllim për gjithë këto vite”, - e filloi fjalën e tij Kasoruho në takimin e zhvilluar në Pallatin e Brigadave nga Presidenti Topi. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai tregon detajet e një prej krimeve më të mëdha të regjimit komunist, krimi i 1951-it, që shkeli të gjitha ligjet e regjimit të komunizmit. Ai ishte në burg, nuk e dinte që të atin ia kishin pushkatuar, nënën ia morën me rrobat e trupit, e dërguan në një kasolle balte, miqtë e tij Robert Shvarc dhe Vasil Melo ia ndihmonin të ëmën me ato pak para që merrnin nga rroga, e tmerre të tilla. Përkthyesi thotë se duhet të dënohet krimi, këtë po bën edhe Kamboxhia, dhe me trishtim pranon se kur iku në 1990-ën, iku me mendimin se e kaluara nuk do të ndryshonte. “Kam përshtypjen se nuk kam gabuar shumë”, - e mbyll intervistën e tij Amik Kasoruho.
Zoti Kasoruho, duke qenë i biri i një prej të dënuarve të “Bombës sovjetike”, a mund të na sillni dëshmi të asaj ngjarjeje, e cila do të shënojë një nga fazat e represionit më të egër të regjimit ndaj elitës shqiptare?

Më vjen me të vërtet keq që nuk mund t’i përgjigjem pyetjes suaj të parë. Kur ka ndodhur arrestimi dhe pastaj pushkatimi i tim eti dhe i 21 shokëve të tij në fatkeqësi, unë kisha gati dy vjet që ndodhesha në burg, i dënuar për veprimtari armiqësore.
Kur e morët vesh se u arrestua babai juaj dhe cila ishte situata në shtëpinë tuaj, si reagoi nëna, po të afërmit, miqtë?
Këtë ngjarje tronditëse e kam marrë vesh më 1 mars 1951 nga vajza ime e hallës, e cila erdhi në burg dhe ma njoftoi. Hollësitë në lidhje me ndodhinë fatkeqe i kam mësuar vite më vonë, kur u lirova. Nëna ime ishte internuar në Lushnje dhe kur shkova aty mësova hollësitë. Hollësitë e arrestimit janë po ato që janë treguar edhe nga familjarë të tjerë. Di të them vetëm se nënën time e kanë nxjerrë nga banesa ku jetonte me ç’kishte veshur në trup. Të pesë vjetët e gjysmë të internimit i ka kaluar në një kasolle me baltë, që dikur kishte qenë stallë bagëtish, bashkë me familjet e dy të pushkatuarve të tjerë, Reis Selfos dhe Niko Lezos. Qëndrimi i njerëzve të farefisit më mbush me krenari: xhaxhai im, halla ime (të cilët banonin në Durrës) kushërinjtë e mi që banonin në Tiranë, miqtë tanë më të afërt, nuk ngurruan për asnjë çast t’i komunikonin nënës sime ngrohtësinë e tyre. Do t’ju rrëfej vetëm një hollësi: dy shokët e mi të ngushtë, Robert Shvarci dhe Vasil Melo, kohë mbas kohe i dërgonin nënës sime në Lushnje pjesë nga rroga e tyre.
A mendonit se kjo ngjarje do ta çonte deri në pushkatim babain tuaj dhe 21 të arrestuarit e tjerë?

Nuk kishte si të mendohej se arrestimi i tim eti do të çonte në pushkatimin e tij, për arsyen e thjeshtë se ai bashkë me shokët e tij u pushkatuan vetëm 4-5 ditë mbas arrestimit. Dhe kjo mënyrë veprimi nuk kishte precedentë. Kishin ndodhur, po, në fund të vitit 1944 pushkatime pa gjyq, por nuk mund të mendohej se një gjë e tillë do të përsëritej shtatë vjet mbas vendosjes së regjimit.
A mund të shihet ajo ngjarje e rëndë zoti Kasoruho në kuadrin e ndryshimeve të reja që kanë ndodhur në Shqipëri?
Besoj se ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri (edhe pse në disa raste nuk mund të konsiderohen të kryera) të japin të drejtë të shikohet e kaluara në një optikë të re: kjo optikë nuk mund të marrë në konsideratë që njerëzit të dënohen pa gjyq, që pa u faktuar fajësia të dënohen dhe të pushkatohen, që të varrosen në një gropë të përbashkët të lidhur me tela njëri me tjetrin dhe që për 42 vjet të mbahet i fshehtë vendi i groposjes së tyre. Nuk mund të imagjinohet që këtë vend të mos e tregojë ndonjë pjesëtar i penduar i grupit të pushkatimit apo ndonjë funksionar i Ministrisë së Brendshme. Vetë fakti që varri u zbulua nga zemra e madhe e një fshatari që nuk kishte askurrfarë lidhjeje me të pushkatuarit, të shtyn të mendosh se sot, për fat të mirë, Shqipëria jeton një kohë tjetër historike.
Megjithëse ngjarja ka ndodhur më 1951-in, ku në krye të shtetit ishte një rend tjetër, prapë se prapë u shkelën ligjet e atij rendi, siç dëshmon dhe zoti Butka në librin e tij. A mendoni se ai krim vazhdon të mbetet i pandëshkuar?
Për sa i përket pyetjes nëse ky krim mbetet i pandëshkuar, më duket se është shumë retorike: cili nga krimet e bëra gjatë viteve të regjimit komunist të Enver Hoxhës është dënuar? Dhe në lidhje me këtë pyetje unë do t’ju tregoj diçka tjetër: këto ditë në Kamboxhia po nxirret para gjyqit, për krime të kryera 30 vjet më parë, ish-drejtori i një burgu të rëndë të atij vendi gjatë pushtetit të kmerëve të kuq. A thua nuk është ky një fakt për të cilin ne shqiptarët duhet të mendojmë dhe të gjykojmë veten dhe qëndrimin tonë ndaj së kaluarës komuniste? A ka njeri, qoftë edhe një të vetëm, që të mendojë se ky krim ndaj 22 tiranasve dhe mijëra të tilla ndaj të tjerëve janë ndëshkuar nga shoqëria e vendit tonë?
Duke qenë se ka mjaft fakte, a mund të mendohet ngritja e një gjyqi kundër regjimit?
Për sa i përket mendimit nëse mund apo duhet ngritur ndonjë gjyq kundër fajtorëve, unë nuk mund të prononcohem: nuk jam jurist dhe nuk e di nëse ligjet shqiptare e njohin fuqinë mbrapavepruese. Gjithsesi nuk është kurrë vonë për të nderuar të vërtetën.
Cila ishte arsyeja zoti Kasoruho dhe si arritët të emigronit në Itali në vitet e regjimit komunist?
Unë ika në Itali vitin e fundit të regjimit komunist: në dhjetor 1990, kur ai regjim po jepte shpirt, duke përfituar nga pasaportat që u dhanë asokohe për ata që kishin njerëz jashtë vendit. Ika sepse nuk besoja në një ndryshim rrënjësor të situatës në Shqipëri, ku paria e atëhershme e vendit ngurronte të shkëputej nga e kaluara dhe nuk jepte shenja se do të ndryshonte shumë. Kam përshtypjen se nuk kam gabuar shumë në këtë parashikim. 

No comments:

Post a Comment