Këtu do të lexoni disa nga punimet e mia te "Gazeta Shqiptare" dhe shkrime të tjera politike

Faqe

Saturday, December 17, 2011

Reagon Jordan Misja, nipi i heroit te luftes

“Jemi shqiptarë dhe nuk jemi serb” “Në Elbasan dhe në Tiranë i përhapur mbiemri Misja” Gilmana Bushati Jordan Misja është nipi i heroit me të njëjtin emër, që më 1942 u vra në Shkodër, ai shprehet se as xhaxhai i tij dhe as fisi me këtë mbiemër nuk janë kurrësesi sllav. Në këtë reagim të shkurtër, ai hedh poshtë, tezat e hedhura nga kryetari i shoqatës “Moraça-Rozafa”, Pavlo Jakoja, që Jordan Misja, ose siç ai e quan Jordan Misje, është serb dhe i përket komunitetit serbo-malazez në Shqipëri. Këtë qëndrim të tij, e mbështësin të gjithë pasardhësit e heroit të Luftës Nacional-Çlirimtare, një pjesë e të cilëve e kanë përjetuar periudhën e kësaj lufte dhe e kanë njohur më nga afër xhaxhain e tyre. “M’u desh të pyes më të vjetër se unë, që janë në një moshë të thyer dhe u përballa me një ndjenjë habie, sepse gjyshi ynë, pra i ati i dëshmorit Jordan Misja, i quajtur Vangjel Misja, nuk mbahet mend për nga vjetërsia si banor i qytetit të Shkodrës. Më në thellësi të viteve prejardhja e tij ka qenë nga rrethinat e Elbasanit. Mbiemri ynë ka patur ekzakt këtë formë "Misja" për shekuj. Nuk jam historian, por di të them se ky mbiemër është i përhapur edhe në fise të tjera ekzakt në këtë formë edhe në Elbasan, por edhe në Tiranë”, - shprehet Jordan Misja për “Gazetën Shqiptare”. Shoqata Kryetari i shoqatës “Moraça-Rozafa” Pavlo Jakoja, të dielën e kaluar në një intervistë dhënë për “Gazetën Shqiptare” u shpreh se kontributi i komunitetit serbo-malazez në shoqërinë shqiptare ka qenë i madh dhe ky kontribut është dhënë edhe gjatë luftës për çlirimin e vendit nga pushtuesit dhe ai rëndit disa nga pjestarët e këtij komuniteti që dhanë jetën për Shqipërinë. “Pjestarët më të njohur të komunitetit tonë që kanë marrë pjesë në luftën Nacional-Çlirimtare janë Vasil Shantoviç, Vojo Kushiç, Jordan Misje, Branko Kadiç, Vaso Kadiç, Lazar Lazari, Jefto Shtirkiq, Peko Kadiq, Stefan Kavaja, Drago Pjetriç, Zako Nikolliq, Mile Veliç dhe disa dhjetra të tjerë gjatë vitit 1944. Në përgjithësi ato figura të mëdha që përmenda më sipër kanë qenë së bashku me Migjenin, nxënës të shkollës serbe "Obiliç" deri në vitin 1934, kjo shkollë u hap në 1822”, citohet pjesë nga intervista e Jakojas dhënë “Gazetës Shqiptare”. Heroi Jordan Misja, heroi i Luftës Nacional-Çlirimtare pat lindur në Shkodër më 1913 dhe ishte artist. Ai iu bashkua, si shumë të rinj të atij qyteti lëvizjes komuniste. 69 vite më parë, ai ekzekutohet nga fashistët italianë, pas një shkëmbimi zjarri me ta në shtëpinë e tij. Misja, njihet gjithashtu si një nga tre heronjtë e Shkodrës, ku së bashku me të, në këtë shkëmbim zjarri më 22 qershor 1942 u vranë Branko Kadia dhe Perlat Rexhepi, ky i fundit nga qyteti i Vlorës. Ata të tre u rrethuan në shtëpinë e heroit, që gjendet edhe sot pas Katredales së Madhe të Shkodrës, e cila gjithashtu njihet si lagja e Tre Heronjve. Historia tregon se shtëpinë e tij e rrethuan 600 policë e milicë të forcave pushtuese dhe të forcave që bashkëpunonin me ta. Ata i kërkuan Misjes, Kadisë dhe Rexhepit që të dorëzohen, por ata nuk e pranuan një gjë të tillë. Para se të fillonte shkëmbimi i zjarrit nxjerrin jashtë shtëpisë nënën, motrën dhe vëllanë e Jordanit. Shkëmbimi i zjarrit mes tre komunistëve dhe fashistëve ka vijuar për tre orë me radhë, ku pushtuesit numëronin shumë të plagosur. Atëherë në ndihmë të tyre vjen një aeroplan gjuajtës, por që e kishte të pamundur të bombardonte shtëpinë, për shkak se do të vriste shumë nga të policët e milicët që kishin rrethuar shtëpinë. Pasi e dërguan nënën e Jordan Misjes që t’u thonin komunistëve të dorëzohen dhe ajo sillte përherë të njëjtën përgjigje se “komunistët nuk dorëzohen”, atëherë iu vu flaka shtëpisë. Jordan Misja për t’i shpëtuar flakëve që i kishte marrë i gjithë trupi hidhet në pusin e shtëpisë për t’u shuar. Aty e kapin fashistët dhe për t’i treguar popullit të Shkodrës, që ishte në dijeni të këtij shkëmbimi zjarri, masat represive që do të merreshin, e varin Jordan Misjen në mes të qytetit.

Thursday, December 15, 2011

Tanush Mulleti dhe Halil Katana, dy qendrime te kunderta per 4 shkurtin 1944

Tanush Mulleti, nipi i prefektit të Tiranës flet për 4 shkurtin e vitit 1944

“Ishin vrasje mes shqiptarëve dhe kosovarëve”

“Nuk janë 86 të vrarë, vetëm 14, 2 prej tyre s’janë komunistë”

Gilmana Bushati
Nipi i ish-prefektit të Tiranës, Qazim Mulletit, Tanush Mulleti, tregon se si e njeh ai masakrën e 4 shkurtit 1944, për të cilët dikur komunistët akuzuan dhe xhaxhanë e tij si pjesmarrës. Sipas tij, vrasjet e asaj nate erdhën si rrjedhojë e disa atentateve të komunistëve, të inspiruar nga drejtuesit jugosllavë të Partisë Komuniste, për të vendosur një vëllavrasjeje mes shqiptarëve. Ai e konsideron vrasjet e shkurtit të 67 viteve si vrasje mes shqiptarëve dhe kosovarëve. Sipas tij, bazuar dhe në dokumentet që disponon, proçes verbalet e Prokurorisë së Shtetit të asaj kohe, të cilat u botuan ditë më parë në “Gazetën Shqiptare”, numri i të vrarëve nuk i kalon të 14 personave, mes të cilëve janë dhe dy italianë.
Zoti Mulleti, pse ishit i interesuar të dinit gjithçka për 4 shkurtin e 1944?
Shkaku ishte se që në shkollën fillore në librin e këndimit (leximit) dhe të historise thuhej se vrasjet e 4 shkurtit i ka bërë Xhafer Deva dhe Qazim Mulleti. Sipas prindërve të mi kjo nuk ishte e vërtetë. Më vonë, si për çudi, në tekstet e mësipërm u hoq emri i Qazim Mulletit nga histografët komunistë. Falsifikimi tjetër ishte numri i të vrarëve dhe pjesëmarrja në këto vrasje edhe e ushtrisë gjermane. Me ndryshimin e sistemeve, nëpërmjet një autorizimi nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, mu dha mundësia të kërkoj për ngjarjen e 4 shkurtit 1944.
Sipas jush cila është e vërteta e kësaj ngjarjeje?
E vërteta e ngjarjes është si rrjedhojë e akumulimit të disa atentateve dhe vrasjeve terroriste të guerrilasve komunist kundër kundërshtarëve të tyre politikë, si p.sh. të inspiruar nga të deleguarit jugosllave që udhëhiqnin Partine Komuniste Shqiptare për të futur vëllavrasjen ndërmjet shqiptarëve dhe kosovarëve: Në Shkodër Vasil Shanto (me grupin guerrilas) realizoi vrasjen e djalit të Isa Boletinit. Gjakmarrjen si hakmarrje të mundshme që po ndodhte ndërmjet shkodranëve dhe kosovarëve, disa burra të mençur e patriotë shkodranë e penguan. Po kështu në Tiranë u vra ministri përfaqësues i Kosovës në qeverinë e asaj kohe Iliaz Agushi, një patriot veteran i Kosovës. Atentatori ishte kosovari B.H., i cili aktivitetin komunist e bënte në Tiranë. Kështu vazhduan atentatet deri sa në fillim të shkurtit ‘44, guerrilasit komunist vranë nipin e vetëm të Xhafer Devës, kuptohet edhe ky kosovar. Kupa u mbush.
Pra ishte një seri vrasjesh me shqiptarëve dhe kosovarëve...
Grupet kosovare kërkuan hakmarrjen që solli 4 shkurtin. Autoriteti më i fortë e më i pakorruptueshëm ishte ministri i Brendshëm inxhinier Xhafer Deva. Misioni i tij ishte ruajtja e qetësisë dhe lufta kundër komunistëve, pasi komunistët e Kosovës jetën partiake e bënin në Shqipëri, për arsye se në Kosovë ishte kuptuar se me fitoren e komunistëve, Kosova do hynte nën zgjedhen e Serbisë (që koha e vërtetoi). Numri i të vrarëve nuk i kalon 14, nga këto komunistë me veprimtari guerrilase të skeduar janë 7, janë 2 italiane qe s’kanë lidhje me komunizmin, 2 kufoma të paidentifikuara në periferi etj.
Po vetë zoti Deva si është përgjigjur ndaj faktit që ai është përgjegjësi kryesor për ngjarjen e 4 shkurtit?
Në deklarimet e veta në azil politik Xhafer Deva ka deklaruar: -“Ishte kohë lufte, janë vrarë dhe ekzekutuar ata që na kanë luftuar me metoda terroriste dhe kjo masë ishte e vetmja rrugë e drejtë për shpëtimin e vendit nga terrorizmi komunist”. Në proçesverbale, komisioni hetues, i përbërë nga Prokurori i Shtetit, Prokuroria e Durrësit, nënkryetari Bashkisë së Tiranës dhe forcat e Komandës së Qarkut dhe Xhandarmërisë etj., me autorizim të prefektit, janë verifikuar dhe eksperimentuar dhe armët e një reparti të ushtrisë gjermane që ndodhej në periferi. Është vërtetuar plotësisht që ushtria gjermane nuk ka marrë pjesë në këto vrasje.
Po vetë gjermanët ishin në dijeni për këtë ngjarje?
Në raportin final të Vermahtit për Shqipërinë permendet kjo ngjarje dhe me ikjen në Kosovë të inxhinier Xhafer Devës, si njeri i rreptë dhe i pakorruptueshëm. Përfundimisht qeveria shqiptare e pranonte që një pjesë e të vrarëve ishin terroristë, por dënimi i tyre duhet të vinte nga gjykata.




Flet Halil Katana, kryeredaktori i revistës “Pavdekësia”

“Osman Kazazi vrau me dorën e vet vëllezërit Huta”

“Qeveria kuislinge mbushi me gjak Tiranën”

Halil Katana, kryeredaktor i revistës “Pavdekësia” organ i periodik i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe dëshmorët e tjerë të Atdheut, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” tregon se masakrën e 4 shkurtit 1944 e bëri qeveria kuislinge e drejtuar nga Rexhep Mitrovica dhe në bashkëpunim me Qazim Mulletin dhe gjermanët. Ai akuzon për këtë masakër dhe Osman Kazazin, i cili ka hyrë nëpër shtëpinë e tiranasve dhe i ka vrarë me dorën e vet dhe sjell si shembull vëllezërit Huta.
Zoti Katana, ju si e keni parë ngjarjen e 4 shkurtit 1944?
Skenari i kësaj masakre u hartua më 15 janar 1944, në zyrën e kryeministrit të qeverisë kuislinge Rexhep Mitrovica, në të cilën merrnin pjesë Komandanti i Përgjithshëm i Xhandermarisë (Ministër i Brenshëm) Xhafer Deva, Komandanti i forcave të Ballit Kombëtar Kadri Cakrani, Prefekti i Tiranës Qazim Mulleti dhe një oficer i Gestapos gjermane. Komanda e trupave gjermane (Korparmata XXI) u përpoq ta paraqiste këtë masakër si një iniciativë e qeverisë kuislinge, por në fakt ajo qëndronte prapa perdes, jepte udhëzimet e nevojshme, nëpërmjet oficerit të Gestapos dhe, ndërkohë, u jepte detyrë forcave ushtarake të zinin rrugët e pikat kyçe të qytetit, siç del nga dokumentet e komandës së Korparamatës XXI (AIH, Dokumete të Ushtrisë Gjermane, Korparamata XXI Malore, T.314-552, cituar nga Prof Xh. Frashëri në revistën “Pavdekësia: Nr.37, shkurt 2005).
Pse u ndërmorr një hap i tillë?
Rrethanat kur u ndërmor kjo masakër, lidheshin me disfatat që po pësonte ushtria naziste në Operacionin e Dimrit nga forcat partizane. Batalionet partizane kishin arritur në periferi të Tiranës. Në këto kushte komanda naziste mendonte të jepte një goditje të fuqishme e tronditëse në kryeqytet, ku ishte baza e rëndësishme e luftës, që furnizonte formacionet partizane me luftëtarë e me pajisje luftarake. Synohej të tmerrohej populli i Kryeqyteti e të shkëputej nga Lëvizja Nacionalçlirimtare. Ky qëllim del qartë në artikullin e gazetës kuislinge “Balli i Kombit” të asaj dite, me titull “Gjaku kërkon gjak”!. Në këtë artikull midis tjerash thuhet: “...duhet përdorur thellësisht terrori... Një ditë terror, siguron dhjetë vjet qetësi”! Operacioni filloi në Tiranën e Re, në pasditen e 3 shkurtit, ku pushkatuan katër veta dhe menjëherë u vendos shtetrrethimi. Gjatë gjithë natës vazhdoi operacioni.
Kush e drejtoi këtë operacion?
Drejtuesit e xhandarmarisë, me lista në duar e me grupe xhandarësh u futën nëpër shtëpitë e qytetarëve të Tiranës, rrëmbyen djem e burra dhe i pushkatuan nëpër rrugë. Është fakt se në familjen e vëllezërve Huta, ka hyrë vetë Osman Kazazi, ka rrëmbyer nga duart e nënës dy djemtë e saj dhe i ka pushkatuar. I vrisnin dhe i masakronin barbarisht, duke i gjymtuar edhe për së vdekuri, pastaj i hidhnin nëpër kanale, apo dhe në mes të bulevardit. Rrugët e Tiranës u mbushën me gjak. Këtë fakt e pohon pas shumë vjetësh, një pjesëmarrës në këta masakër, ai quhej Ram Ahmetaj, me banim në Suedi. Në një intervistë që i ka dhënë gazetës “Ballkan” në qershor të vitit 2005, ai pohon: “Du me kenë burrë i ndershëm, se me 4 shkurt 1944, në Tiranë kemi vrarë shumë njerëz dhe disa të vrarëve u kemi prerë gishtat për t’u marrë unzat e floririt. Ky operacion asht ba me urdhën të gjermanëve dhe asht drejtu nga Komandanti Xhandermarisë Xhafer Deva”.
Ka dokumente që vërtetojnë këtë fakt?
Në raportin e Komandës së Përgjithshme të Xhandarmarisë për rezultatet e operaciont të 4 shkurtit 1944 në Tiranë, thuhet:
”Forcat e xhandermarisë, së bashku me forcat e Regjimenti “Kosova” dhe me vullnetarët e Ballit Kombëtar, këtë natë kanë bastisur 230 shtëpi, ku kanë arrestuar 478 persona të dyshimtë dhe nga këta 84 më të rrezikshmit i kanë pushkatuar. Nga të 84 të pushkatuarit rezulton se 67 janë shqiptarë, 9 italianë, 4 malazezë, 2 maqedonas, 1 grek (minoritar) dhe 1 çifut. Viktimat kanë qenë nga Tirana 29 dhe 37 nga rrethet Fier, Korçë, Durrës, Shkodër, Vlorë e Dibër” (Shih AQSH, fondi 1230, dosja 134-135, cituar nga Prof. Kadri Dingu, në revistën “Pavdekësia” Nr.43, shkurt 2006).
Nuk ka emra zoti Katana, thuhet 86, por askush nuk e ka listën e saktë?
Dikush thotë sot se ku janë emrat? Po harrohet se edhe sot, në paqe e në demokraci, ka sa të duash të zhdukur pa nam e pa nishan. A nuk shikoni emisionin e përjavshëm “Njerëz të Humbur”, në një kohë kur ekziston radioja, telefoni, televizori, interneti dhe celulari, mjete këto që na japin mundësi të lidhemi në çast me çdo pikë të Globit. Kur bëhet fjalë për masakrën e 4 shkurtit 1944 apo masakra të tjera ka rëndësi të përceptohet nga brezi i ri gjaku që është derdhur, sakrificat e jashtëzakonshme që ka bërë ky popull për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj fashisto-nazistë. Dhe të përulemi me veneracion para këtij gjaku e sakrificave!

Tre lista per masakren e 4 shkurtit, asnjera nuk ka 86 vete

Tre lista të ndryshme për të vrarët e 4 shkurtit 1944

Asnjëra shoqatë antifashiste nuk ka 86 emra

Dokumentet shtetërore flasin për 14 të vrarë

Gilmana Bushati
Organizata për Dëshmorët e Tiranës na mundëson listën e saj për të vrarët e 4 shkurtit 1944. Në këtë listë të saj, e cila është bërë publike në shkurt të këtij viti, me rastin e 67 vjetorit të kësaj masakre, numërohen vetëm 42 emra personash të vrarë në këtë datë dhe jo 84 persona, që pretendohet të jenë vrarë nga nazi-ballistët, siç pretendon kjo organizatë. Në botimin e periodikut të Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut, që titullohet “Pavdekësia” gjenden të publikuara emrat e 42 personave të pushkatuar.
Por një numër i tillë nuk përkon me emrat që publikoi po në shkurt të këtij viti gazeta e përjavshme “Kushtrim Brezash” që është organ i Organizates së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar. Në shkrimin e titulluar “Nga Borova e Parë,
Në "Borovën" e Dytë”, të shkruar nga Kristaq Laka, numërohen 29 persona të vrarë më 4 shkurt, mes të cilëve janë dy italianë dhe një malazez. Këto tre të fundit nuk figurojnë në listën që zotëron Organizata Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut. Edhe pse në këtë botim të veteranëve të luftës bëhet një historik për masakrën e 4 shkurtit 1944, asnjë prej organeve nuk disponon emrat e plotë të 84 personave të vrarë, siç edhe pretendohet nga të gjitha organizatat e Luftës Nacional-Çlirimtare. Madje në shkrimin e Kristaq Lakës, në fund të listës, përmendet se përveç listës që ai boton, janë edhe 54 të tjerë, por asnjëri me emër dhe mbiemër.
Në botimin e tretë, shoqatat antifashiste, në një promemorie të vitit 2009, dërguar Këshillit Bashkiak të kohës, botuar kjo në “Gazetën Ndryshe”, lista dërguar këtij këshilli numëron vetëm 30 të vrarë, por sërish nuk janë 84 të vrarë. Në fakt lista e kësaj promemorieje përkon me listën e botuar në gazetën “Kushtrim Brezash” pasi në të janë të shënuar italiani, malazezi dhe hebreu i vrarë me këtë datë. Në këtë promemorie i kërkojnë Këshillit Bashkiak të Tiranës, që t’u ngrihet një monument viktimave të kësaj masakre, pasi nëse e ka Osman Kazazi një monument, atëherë duhet ta kenë edhe viktimat e tij. Këto shoqata antifashiste njohin si përgjegjës për 4 shkurtin kryeministrin Rexhep Mitrovicën, ministrin e Brendshëm Xhafer Devën, komandatin e përgjithshëm të Xhandarmërisë Hysni Demën, komandantin e forcave të Ballit Kombëtar Kadri Cakranin, ish-prefektin e Tiranës Qazim Mulleti, si edhe disa eksponentë të organizatës tradhtare “Balli Kombëtar”.
Dokumentet
Më 29 nëntor, “Gazeta Shqiptare” botoi në faqet e saj 6 dokumente, që ishin proçes-verbalet e mbajtura nga Prokuroria e Shtetit e vitit 1944, pikërisht për vrasjet e 4 shkurtit. Në këto proces-verbale mësojmë se në natën 3 dhe 4 nëntor janë vrarë 14 persona, prej të cilëve 12 u identifikuan nga autoritetet e kohës, ndërsa dy mbetën të paidentifikuara, gjithnjë mbi bazën e atyre dokumenteve që u publikuan. Kishte dhe persona të tjerë, si Fadil Rada, apo ndonjë familjar tjetër, që nuk i gjeti dot kufomat. Madje, në bazë të dokumentet që disponojmë, autoritetet shtetërore kanë gërmuar në vendin ku familjarët e viktimave mendonin se ishin varrosur të afërmit e tyre. Nga gërmimet, që i kishin bërë punëtorët italianë, që punonin për llogari të gjermanëve, janë gjetur vetëm vëllezërit Huta dhe asnjë tjetër. Sipas dokumentacionit zyrtar, janë vrarë vetëm 14 veta, që janë të dokumentuara dhe mes tyre gjendet dhe italiani, por jo malazezi apo dhe hebreu, që jepet në listat e shoqatave antifashiste. Dokumentet që u publikuan i takojnë datës 5/6 shkurt 1944, ndërsa tjetri është i datës 16 shkurt 1944, që është mbajtur pikërisht për ngjarjet e 4 shkurtit. Për ngjarjen e 4 shkurtit ka dhe dëshmitë e personave që janë marrë në pyetje nga autoritetet shtetërore.
Debati
Debati që u hap për Xhafer Devën, ish-ministër i Brendshëm në qeverinë e regjencës së 1944, nga studiuesi Arben Puto, që u pasua nga studiuesit e tjerë si Nexhmedin Spahiu, Idriz Lamaj dhe Nue Oroshi, u shndërrua më pas në një debat për numrin e vërtetë të të vrarëve të kësaj date, që komunistët e kanë konsideruar dhe përkujtuar si masakra e 4 shkurtit. Shoqatat antifashiste dhe shoqatat e veteranëve, por edhe studiuesi i njohur Arben Puto, përmendin numrin 86 të të vrarëve në këtë ditë, por emrat që disponojnë shoqatat e mësipërme mezi shkojnë te numri 42, apo që listat e tyre nuk përkojnë me njëra-tjetrën. Që prej 67 vitesh asnjë studiues apo historian nuk ka publikuar një provë të qartë me emrat e 86 personave të vrarë. Pra cila është e vërteta e kësaj masakre? Nëse zoti Puto pretendon se “janë numëruar viktimat” dhe se ka “dëshmitarë të kohës që tregojnë se janë 86”, atëherë pse nuk gjenden emrat. Kjo ngjarje nuk u arrit të zbardhej as në kohën e komunizmit, duke lënë kështu një pikëpyetje të madhe për numrin e të vrarëve të 4 shkurtit 1944. Në rrugët e Tiranës mund të hasesh me emrat e rrugëve si “Vëllezërit Huta”, apo “Dëshmorët e 4 shkurtit” ku ka selinë Komiteti i Veteranëve, por edhe Partia Socialiste, por nuk ka një momument për këtë ngjarje, ku të jenë të shkruara saktë numri i të vrarëve.



Listat
Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ-it
Gazeta Pavdekësia (shkurt 2011)
1.Ali Selim Visha
2.Bihane M. Kenga
3.Evgjeni Andreja Ciko
4.Fadil Shaban Rada
5.Feim Hysen Pajana
6.Gjergj A. Frashëri
7.Gjergj Faik Legisi
8.Hava Xhafer Meça
9.Haki Shaban Huta
10.Harito Dh. Harito
11.Hasan Rezhep Çeliku
12.Inajete Jupe Dumi
13.Islam Beqir Halla
14.Kurt Osmen Huta
15.Maliq Shaban Huta
16.Mihal Jani Koça
17.Mina P. Thomai
18.Mitro M. Thanasi
19.Naife Islam Çaushi
20.Nife Islam Sula
21.Nervo Selim Berdaj
22.Osmen Rakip Boriçi
23.Osmen H. Muhaxhixhi
24.Petro Dhosi Prifti
25.Raime M. Kenga
26.Rakibe H. Dervishi
27.Ramiz Barjam Sula
28.Ramiz Hamza Treni
29.Sitki Haredin Çiço
30.Skender A. Kosturi
31.Sokrat Sotir Tako
32.Sulejmen S. Vrapi
33.Shyqyri xhemal Gërblleshi
34.Todi Naum Shkurti
35.Trajan S.Pekmezi
36.Trëndafile Çobo Hasanaliaj
37.Vasil Naum Muzina
38.Vangjel Ndoni Capo
39.Viktor H. Gjokoreci
40.Vait Murat Shima
41.Xhemal Selim Misku
42.Xhemal Av. Sojlli

Organizata e Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar
Gazeta Kushtrim Brezash (5 shkurt 2011)
Të pushkatuarit e 4 Shkurtit
1.Haki Huta
2.Maliq Huta
3.Vasil Muzena
4.Xhemal Sajli
5.Mihal Koca
6.Fadil Rada
7.Asllan Celiku
8.Sokrat Tako
9.Petro Prifti
10.Osman Boriçi
11.Ramiz Tresi
12.Gjergj Legisi
13.Ali Visha
14.Mina Thomai
15.Sulejman Vrapi
16.Vangjel Capo
17.Harito Harito
18.Todi Shkurti
19.Ismail Alla
20.Enrulla Kora
21.Dr. Stefan Pano
22.Dhimitër Thomai
23.Shyqyri Greblleshi
24.Fiqiri Greblleshi
25.Sitki Ciço
26.Gjergj Marangozi (malazez)
27.Vincenso Apoli
28.Razgoner Rovasi
29.David Hohe izraelit
dhe 54 të tjerë.



Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANC)
Organizata Kombëtare e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare
Organizata Kombëtare e Invalidëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (2009)
1. Ramiz Treni
2. Sitki Çiço
3. Xhemal Sojli
4. Harito Harito
5. Dr. Stefan Pano
6. Fadil Rada
7. Mali Huta
8. Sulejman Vrapi
9. Haki Huta
10. Gjergj Legisi
11. Islam Alla
12. Fiqiri Gërblleshi
13. Ali Visha
14. Viçenca Apoli
15. Raxhioner Ravesi
16. Gjergj Marangozi
17. David Kohe
18. Mina Thome
19. Vangjel Capo
20. Vasil Muzina
21. Petro Prifti
22. Sokrat Tako
23. Mihal Koço
24. Dhimitër Toma
25. Emrullah Korja
26. Todi Shkurti
27. Osman Boriçi
28. Kurt Uka
29. Lake Kolonja
30. Hasan Çeliku


Prokuroria e Shtetit 1944
1.Vangjel Capo
2.Todi Shkurti
3.Hasan Rexhep Çeliku
4.Sokrat Vangjel Tako
5.Mihal Jani Koço
6.Vinçenzo Apel,
7.Reveni Ludovico Carlo
8.Gjergji Legjizi
9.Xhemal Sojlin
10.Haki Huta
11.Maliq Huta
12.Ali Selim Ferra
Dy kufomat mbeten dy të pa identifikuara

Wednesday, December 14, 2011

Dokumetet sekrete te 14 dhjetorit 1990

Ngjarjet në Shkodër e gjetkë pjesë e një plani armiqësor

(Bisedë e shokut Ramiz Alia me shokët Hekuran Isai dhe Xhelil Gjoni, me 14.12.1990)

Biseda zhvillohet në zyrën e shokut Ramiz Alia pas ngjarjeve të rënda që ndodhën në qytetin e Shkodrës. Pasi shoku Hekuran Isai bën një paraqitje të shkurtër për ngjarjet e Shkodrës, ndërmjet pjesmarrësve u zhvillua kjo bisedë:
Shoku Ramiz Alia: A nuk është e mundur që telekronikstët t’i pasqyrojnë ngjarjet në aparatet e tyre?
Shoku Hekuran Isai: Telekronistët nuk marrin, i shmangen.
Shoku Ramiz Alia: E shikon? Telekronisti nuk i merr dot në Shkodër?!
Shoku Hekuran Isai: I thanë shokët tanë merri në film hajdutët, por ai thoshte dalin errët, le t’i marrë telekronisti i degës. Po aparati që ka punonjësi i degës tre metra larg merr, i thashë.
Shoku Ramiz Alia: Ka frikë. Po pse vete larg ti, gjithë ajo Shkodër, 200 komunistë erdhën në Komitetin e Partisë.
Shoku Hekuran Isai: ...Dhe nuk u futën brenda.
Shoku Ramiz Alia: Nuk ka, aty po dole, do të zihesh, por që të dalësh të zihesh, do të kesh me vete shkop. Unë nuk e kuptoj, pse kërkojmë vetëm shkopinj gome. Në kohën e Zogut oficerët mbanin me vete kamzhikë lëkure. Pse nuk bëhen nga ato?
Shoku Hekuran Isai: Kemi shok gome ne.
Shoku Ramiz Alia: Sa ke, 100 shkopinj? Ti duhet të kesh edhe për forcat civile 2000, që të dalin punëtorët, komunistët me ato në dorë e të ndeshen, kërbaç është ai. Kundër këtyre njerëzve kjo duhet. Pse të presim të futet ushtria? Ushtria me armë nuk futet dot. Po të ketë kërbaçin në dorë futet sa t’i fshikullojnë mirë dhe nuk i vret. Ndërmarrja e Gomës në Durrës nuk bën dot kamzhikë gome?
Shoku Hekuran Isai: Atje i bëjmë ne, po të ketë t’i bëjë dhe ushtria. Të gjitha forcat tona janë pajisur me këto.
Shoku Ramiz Alia: Duhet të kenë dhe të tjerët.
Shoku Hekuran Isai: Po nuk u ka shkuar mendja.
Shoku Ramiz Alia: E di që nuk u ka shkuar mendja, po tani duhet t’u shkojë.
Shoku Hekuran Isai: Prodhojnë ata gjithnjë.
Shoku Ramiz Alia: Çështja është që nga Elbasani do të fillojë në Durrës. Në Durrës do të vejë Kavaja. Dhe nuk është çudi që të futen dhe në bllok atje.
Shtëpia e pushimit e Ministrisë së Brendshme dhe e ushtrisë punojnë tani?
Shoku Hekuran Isai: Nuk e di. Mirë ditën, po është puna në darkë për në Elbasan.
Shoku Ramiz Alia: Jo, nuk duhen lënë deri në darkë ata.
Shoku Hekuran Isai: Si tha Sula (Sulejman Pepa, sekretar i parë i KP të rrethit Elbasan), janë grumbulluar shumë?
Shoku Xhelil Gjoni: Ka dhe sehirxhinj – tha. Po ç’kemi me sehirxhinjtë, mblidhni administratat të gjitha, i thashë.
Shoku Ramiz Alia: Kanë altoparlante këta që të flasin?
Shoku Xhelil Gjoni: Kanë, me ato po dalin. Kanë dhe brigadë sulmuese atje.
Shoku Hekuran Isai: Policia po u flet.
Shoku Ramiz Alia: Këtyre sehirxhinjve them. Kanë dhe brigada?
Shoku Xhelil Gjoni: Po, kanë dhe i kanë mobilizuar nga tre batalione. Dhe forcat ekstremiste kanë organizim, kanë shtab qendror.
Shoku Ramiz Alia: Unë ta thashë edhe dje, që në këto ngjarje është komplet dora e jugosllavit. Ky është një plan shumë i organizuar. Ja, prej andej prite në Durrës, prite në Laç. Gjithçka do të bëhet rreth Tiranës. Pas këtyre prite në Vlorë. S’ka, është rregull. Këtë presion ne do ta pësojmë, është i paevitueshëm, prandaj, siç u thashë dhe dje, mobilizim i forcave që nga Skrapari e këtej duhen ngritur.
Shoku Hekuran Isai: Janë ngritur, po sa të vijnë batalionet për këtë punë. Mbrëmë ngritëm dhe batalionet e gardës.
Shoku Ramiz Alia: Po duhet të veprojnë me shpejtësi dhe të vendosen në pika që të jetë të gatshëm. Po ata nuk do të hyjnë me duar bosh.
Shoku Hekuran Isai: Jo, ata do të hyjnë me kokore, me mbrojtëse me shkopinj. Kam marrë 9 mijë komplete.
Shoku Ramiz Alia: Mos i mbani në depo, duhen shpërndarë.
Shoku Hekuran Isai: Po ua japim forcave. Në Shkodër çuam. Unë po e shoh si është puna, çova 800 veta, ata bënë arrestime.
Shoku Ramiz Alia: Nuk kemi as mjete transportuese.
Shoku Hekuran Isai: Ajrore nuk kemi, helikopteri katër vetë merr, kurse ata të ushtrisë marrin nga 10 veta. 25 helikopterë, nga 10 veta, 250 veta mund të marrin.
Shoku Ramiz Alia: Nejse, mund të shkojnë direkt, se është me rreziqe, mund të ndodhte ndonjë katastrofë.
Shoku Hekuran Isai: Me helikopter për gjysëm ore shkon në Shkodër.
Shoku Ramiz Alia: Helikopterët i ke, po a janë gati?
Shoku Hekuran Isai: Po 10 veta në një helikopter mund të venë.
Shoku Ramiz Alia: Po aeroplani vete?
Shoku Hekuran Isai: Nuk ka ku të zbresë.
Shoku Ramiz Alia: Mund të zbresë në fushën e Shtoit, po tani ka rënë shi dhe e ka të vështirë.
Shoku Hekuran Isai: Po dhe avioni nuk merr shumë.
Shoku Ramiz Alia: Mund të marrë 30 veta.
Shoku Hekuran Isai: Avioni qeveritar?
Shoku Ramiz Alia: Po pse, ata do t’i lemë në tako?
Shoku Hekuran Isai: Po ka kohë që nuk i kemi përdorur.
Shoku Ramiz Alia: Mirë, shko e ndiqe tani me Kiçon, shikoni, shpejtoni proceset, se Elbasani po e po, por kini mendjen për në Durrës, Kavajë, laç.
Shoku Hekuran Isai: Si duket këtë valë do ta kalojnë të gjithë.
Shoku Ramiz Alia: Të tërë do ta kalojnë.
Shoku Hekuran Isai: Thonë pse nuk lëvizni ju frikacakët.
Shoku Ramiz Alia: Ne tani do të fillojmë të përdorim edhe forcën. Duhet dhënë lajmi përpara që policia po vazhdon të mbajë gjakftohtësinë; pjesa e parë. Pastaj pjesa e dytë, ndërhyni me vendosmëri dhe mund të qëllojnë në mënyrë të organizuar. Edhe në Shkodër kanë qëlluar, nuk është e mundur të mos kenë qëlluar.
Shoku Hekuran Isai: Po të kishin qëlluar, do ta thosha.
Shoku Ramiz Alia: Po nuk është e mundur, ka qëlluar me kobure ai, se atje janë 14 veta të plagosur me armë.
Shoku Hekuran Isai: Shoku Ramiz, po të kishin qëlluar...Mund të ketë qëlluar ndonjë tek e tek, nuk marr përsipër të them, se kur ka pasur rrezik jete dhe mund t’ia ketë futur ai në këmbë apo ku e ka qëlluar.
Shoku Ramiz Alia: More kudo, i ka rënë. Dhe mirë e ka bërë, për mua, se në këto raste duhet.
Shoku Hekuran Isai: Po nuk kishte vdekje, ajo ka rëndësi.
Shoku Ramiz Alia: Unë ua thashë dhe atyre të gazetës dhe të rinisë.
Shoku Hekuran Isai: E kupton ti, po kush na kupton neve.
Shoku Ramiz Alia: Po bomba lotonjëse keni?
Shoku Hekuran Isai: Jo, nuk kemi. Kam çuar në Kinë për të marrë po nuk kanë ardhur.
Shoku Ramiz Alia: Ohu, sa të vijnë nga Kina. Kiçua më tha që janë prodhuar dhe këtu disa, po nuk i kanë bërë provat, se janë dëmtuese. Sigurisht që janë dëmtuese, se me helm bëhen.
Shoku Hekuran Isai: Eksperimente kanë bërë ata, po jo për t’i përdorur. Edhe transportueset e blinduara që futi Kiçua nuk bënin.
Shoku Ramiz Alia: Transportues të blinduar, po nga jashtë është si tank me zinxhir, merr pesë-gjashtë veta brenda. Po ata hipnin mbi atë. Rinia hipte mbi tank dhe ne nuk i qëllonim.
Shoku Hekuran Isai: Sigurisht, se kur nuk qëllon ti, atë bën ai. Vetëm se tanket janë për t’i çarë turmat. Duhet që pas tankeve të shkojnë njerëz komunistë dhe mbasi përçahen, grupe-grupe të vogla duhet të shpartallohen, se kështu nuk bëhet.
Demokratët janë trembur. Me erdhi Liseni (sekretar i parë i KQ të BRPSH-së) tani e më tha që e kishte marrë në telefon Azemi (kryetar i komisionit nismëtar për krijimin e Partisë Demokratike). I kishte thënë duan të dalim në televizion të themi që kjo është dora e serbit. Nuk i the, pyeta Lisenin, që ku e di ti që është serbi?
Shoku Hekuran Isai: Mbrëmë Imami nuk foli keq në televizion.
Shoku Ramiz Alia: Jo, ai foli shumë mirë, po është prifti i Shkodrës që flet keq.
Shoku Xhelil Gjoni: Çfarë kishte thënë ai?
Shoku Ramiz Alia: Kishte folur për përpkejet e kombit që nga regjenca fashiste. Nuk e krijoi Shqipërinë një njeri, kishte thënë, po janë përpjekjet që nga regjenca dhe e gjithë lufta e popullit. Mirë, ju thashë, mbajani si dokument.
Shoku Hekuran Isai: Po hoxha?
Shoku Ramiz Alia: Nuk e di ç’kishte bërë hoxha.
Shoku Xhelil Gjoni: Këtë incizimin e fjalës suaj t’ua çojmë rretheve apo të vijnë këtu? Ne e kemi shumuar.
Shoku Ramiz Alia: E di, more Xhelil, po kam hallin se ka gjëra që duhen hequr.
Shoku Xhelil Gjoni: Ai është më i mirë nga mesazhi (Është fjala për mesazhin që shoku Ramiz Alia i drejtoi popullit nëpërmjet televizionit).
Shoku Ramiz Alia: Po mirë, mesazhi ishte për t’u publikuar, kurse kjo biseda këtu në aparat është në aparat të partisë.
Shoku Xhelil Gjoni: Po ka nevojë Partia.
Shoku Ramiz Alia: Ka nevojë Partia, por po na mësohen keq njerëzit.
Shoku Xhelil Gjoni: Jo, nuk është punë mësimi, këtu diferencohet Partia.
Shoku Ramiz Alia: Mirë. Dërgojani rretheve atëherë.
Me kaq takimi u mbyll.
Marrë me stenogram

Ja se si reagoi Ramiz Alia ndaj themelimit të PD-së

Shteti frikë nga trazirat e shqiptarëve

Më 11 dhjetor takon studentët, me 14 kërkon dhunë

Gilmana Bushati
Mbledhja mes Ramiz Alisë, Hekuran Isait dhe Xhelil Gjonit mbahet më 14 dhjetor të 1990 dhe ka në epiqendër pikërisht trazirat që nisën në Shkodër, trazirat që priten në Elbasan dhe masat që duhet të marrë shteti që këto të mos përhapen, e sidomos në qytete të tilla që kanë qenë gjithnjë në oponencë me diktaturën si Kavaja dhe Durrësi. Më 13 dhjetor 1990 në qytetin e Shkodrës një grup njerëzish provuan të hedhin në erë me një shpërthim bustin e Stalinit, që qëndronte pikërisht përpara ndërtesës ku sot gjendet prefektura. Tërheqja me litar e atij busti të vogël, solli trazira në qytet ku u arrestuan 42 persona dhe u ndaluan 36 prej tyre, këta do të jenë të dënuarit e fundit politikë të diktaturës komuniste. Mes të arrestuarve ishte dhe prifti Dom Simon Jubani, të cilin e akuzojnë si organizues të ngjarjes. Ditët e para të atij dhjetori ishin të mbushura me ngjarje politike. Pas presioneve të vazhdueshme nga ana e studentëve të Qytetit Studenti, Ramiz Alia detyrohet t’i takojë ata për së dyti më 11 dhjetor 1990. Në këtë takim, ai me gjysëm zëri, pranon pluralizmin politik, pas propozimit që bën Arben Demeti, një prej pjesmarrësve në këtë takim si Arben Demeti: “A mund ta quajnë lëvizjen e tyre Parti e Studentëve dhe Intelektualëve te Rinj? ... Ja ku e keni mikrofonin, pohojeni për studentët këtë dhe ne e konsiderojmë çështjen të mbyllur”, shkruan në kujtimet e tij Arben Demeti te libri “Dhjetor ’90. Mbaj mend...”. Kjo Lëvizje e Intelektualëve të Rinj, ishte një lëvizje që ishte krijuar menjëherë me fillimin e Lëvizjes Studentore, “ne bënim pjesë në atë që quhej lëvizja e intelektualëve të rinj”, pohoi Eduard Selami në intervistën e një viti më parë dhënë për “Gazetën Shqiptare”, por që ishte lëvizje pa shumë efiçencë. Një pjesë e anëtarëve të kësaj lëvizjeje iu bashkangjitën Partisë Demokratike, si Eduard Selami. Ndërsa sa i takon idesë për krijimin e Partisë së Studentëve, ishte hedhur nga disa aktivistë të dhjetorit ’90, mes të cilëve edhe Azem Hajdari. Pra mbledhja zhvillohet pikërisht tre ditë pasi ka lejuar krijimin e këtyre lëvizjeve, që papritur shumë shpejt, merr kthesën dhe më 12 dhjetor sheh krijimin e partisë së parë politike siç ishte Partia Demokratike. Themelimi i kësaj partie bëhet e njohur për publikun me 13 dhjetor nga organi i Partisë së Punës, “Zëri i Popullit”. “...në datë 14 dhjetor Ramiz Alia mbajti një fjalim mjaft të egër kundër Partisë Demokratike dhe themeluesve të saj, duke i quajtur agjentët më të rrezikshëm të imperializmit amerikan në këto 50 vite të Shqipërisë socialiste. Fjalimi u lexua me kuadrot tek teatri i Estradës dhe sigurisht ju bë e njohur anëtarësisë”, - thotë Aleksandër Meksi në kujtimet e tij të botuara po në “Dhjetor ’90. Mbaj mend...”. Mbledhja e mësipërme është mënyra e reagimit të pushtetit ndaj zhvilimeve në vend, të cilat nuk po i kontrollonin dot më. Nga teksti mësojmë se shteti nuk ka asnjë mjet të përshtatshëm për të reaguar ndaj protestuesve. Duket mjaft absurde situata e një shteti, që konsiderohej diktaturë komuniste, pasi ai nuk disponon as bomba lotsjellëse, (që sipas Hekuran Isait ishin porositur në Kinë, por ende nuk kishin ardhur), bombat eksperimentale nuk donin t’i përdornin, pasi ishin helmuese, nuk kishin as avionë për të dërguar civilët e ushtarakët kundër protestueve dhe për të qetësuar trazirat, nuk kanë as shkopa gome, (Ramizi propozon kamzhikun e Zogut) dhe propozimet për daljen nga situata e vështirë ngjajnë si propozime për një luftë civile, ku duhet të jenë komunistët ata që të pajisur me armët dhe mjetet e Ministrisë së Brendshme të dilnin në shesh kundër protestuesve. Dhe për gjitha këto trazira, sërish shteti shqiptar, sheh armikun e jashtëm që vepron në vend dhe e konsideron si “dora e jugosllavit”.

Monday, December 12, 2011

Interviste me Pavlo Jakojan

Kryetari i shoqatës “Moraça-Rozafa” Pavlo Jakoja flet për heronjtë

“Ja serbët që dhanë jetën për Shqipërinë”

“Zogu, i pari, që na i hoqi prapashtesat e mbiemrave”

Gilmana Bushati
Kryetari i shoqatës “Moraça-Rozafa” Pavlo Jakoja, flet për kontributin e komunitetit serbo-malazez në shoqërinë shqiptare, e kryesisht në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit. Në këtë kuadër ai përmend se në Luftën Nacional-Çlirimtare dhanë jetën disa nga pjestarët e këtij komuniteti dhe ai rëndit një sërë emrash, që shqiptarët kanë mësuar për ta si heronj të Shqipërisë. Ndërsa Jakoja thotë, se heronjve dhe komunitetit që ata u përkisnin iu hoq prapashtesa “iq” në kohën e Zogut, i cili gjithashtu mbylli dhe shkollën serbe në Obiliç, në të cilën patën mësuar heronjtë, por edhe vetë poeti i madh Migjeni. Kjo prapashtesë nuk iu kthye mbiemrave të këtij komuniteti, edhe pse Shqipëria pati një periudhë dashurie me Titon dhe Jugosllavinë. Por pas prishjes me jugosllavët, gjithçka ndryshoi për këtë komunitet.
Zoti Jakoja, gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare kanë marrë pjesë edhe pjestarë të komunitetit serbo-malazez. A mundet ju lutem të na i thoni kush ishin ndër më të njohurit?
Pjestarët më të njohur të komunitetit tonë që kanë marrë pjesë në luftën Nacional-Çlirimtare janë Vasil Shantoviç, Vojo Kushiç, Jordan Misje, Branko Kadiç, Vaso Kadiç, Lazar Lazari, Jefto Shtirkiq, Peko Kadiq, Stefan Kavaja, Drago Pjetriç, Zako Nikolliq, Mile Veliç dhe disa dhjetra të tjerë gjatë vitit 1944. Në përgjithësi ato figura të mëdha që përmenda më sipër kanë qenë së bashku me Migjenin, nxënës të shkollës serbe "Obiliç" deri në vitin 1934, kjo shkollë u hap në 1822.
A ekzistojnë dokumentet për të vërtetuar pikërisht pretendimin tuaj për figurat që ju përmendët?
A ka dokumente? Së pari; në vitin 1934, 1952, 1966 ndaj komunitetit tonë u përdorën politika ekstreme asimiluese. Mbyllja e shkollave në gjuhën serbe. Heqja e plotë e mbiemrave ose heqja e mbaresës “iq”. Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare për shkak të përafrimit politik me Jugosllavinë njerëzit tanë filluan të aktivizohen. Në librat e Gjendjes Civile janë fshirë mbiemrat dhe kombësia dhe pas vitit 1966 ka qenë e pamundur vihen emra karakteristikë. Për një pjesë në rregjisrat e kishës ka tregues. Po të gërmohen varret tek spitali mund të gjenden mbishkrime. Sot në Vrakë ka disa qindra mbishkrime. Një grup shumë i madh nga ky komunitet vazhdon të trashëgojë gjuhën serbe. Pra siç e shihni ecuria ka qenë e tillë, që ndryshimin e mbiemrave u bë fillimisht në kohën e Zogut, kur iu hoq mbaresa karakteristike për mbiemrat tanë, dhe menjëherë pasi u prishëm me Titon, gjithçka ndryshoi.
Nëse janë pjestarë të komunitetit tuaj, atëherë pse në varrezat e dëshmorëve apo kudo që ndodhen ato, janë me emrin e tyre të shqiptarizuar?
Një pjesë tani në demokraci i kanë rivendosur. Konstatojmë që inercija e regjimeve të mëparshme ka qenë shumë e fortë, ku vazhdojnë të duken edhe sot pasojat e asimilimit të pashoq.
Vrasjen e Adem Boletinit në Shkodër nga Vasil Shantoja, apo siç ju e quani Shantoviç, si mund të konsiderohet si një vrasje e bërë nga një komunist shqiptar, apo si një vrasje të një kosovari?
Gjatë asaj lufte ka pasur komunista dhe antikomunista.
A ka pasur gjatë historisë pjestarë të komunitetit tuaj, që nuk kanë dashur të identifikohen si të tillë, ose e kanë fshehur identitetin e tyre. Cilët prej tyre mund të përmendni?
Sot ka shumë nga komuniteti yne, që në veçanti për të shkolluar dhe punësuar familjarët e kanë humbur identitetin e vet. Gjatë regjimit komunist pjesëtarët e këtij minoriteti u detyruan me forcë të ndryshonin mbiemrat e tyre tradicionalë dhe familjarë me mbiemra të tjerë shqiptarë të cilët për vetë kuptimin e tyre ishin poshtërues dhe denigrues, siç janë: Druri, Arra, Guri, Hekuri, Pambuku, Fojleta, Qershija, Dritarja, Shelqi, etj. Krahas këtyre masave, prindërit e të porsalindurve, pjesëtarë të minoritetit, u detyruan tu vinin emra shqiptarë fëmijëve të tyre të marrë nga një listë emrash shqiptarë, e perpiluar nga organet e asaj kohe.

Interviste me Kozara Katin dhe Blendi Kajsiun per plehrat

Referendum popullor për të rrëzuar dy nene të ligjit për mbetjet, shoqëria civile optimiste

Kati: Shteti s’ka kapacitet të kontrollojë plehrat

Kajsiu: Në Itali biznesi i mbetjeve në dorë të mafias

Shoqëria civile po bën një përpjekje të fundit për heqjen e dy neneve nga Ligji për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, siç është neni 22 pika 3 e tij si dhe të gjithë nenin 49. Këtë do të përpiqet ta bëjë me anë të referendumit, siç shprehet në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Kozara Kati, një nga aktivistet kryesore të Aleancës Kundër Plehrave, që drejton njëkohësisht dhe Qendrën Shqiptare për të Drejtat e Njeriut. Ndërsa aktivisti tjetër, Blendi Kajsiu, zbulon pyetjen me të cilën do t’u drejtohen shqiptarëve në këtë referendum "A duhet lejuar importi i mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë?". Procedurat janë ende në tryezë dhe asgjë nuk është zyrtare, pra nëse do të realizohet një referendum i tillë apo jo, por shqetësimi i shoqërisë civile është gjithnjë e në rritje, sidomos sa i përket kapacitetit të institucioneve shqiptare për të zbatuar me përpikmëri nenet e ligjit në fjalë. Sipas Kajsiut, biznesi i plehrave në Itali drejtohet nga mafiozë e kjo mund të sjellë rrezikun që në Shqipëri të vijnë ato plehra të qytetarëve italianë, që për dy vite me radhë janë bërë problematike për jetën e tyre, kryesisht në jug të këtij vendi. Kati është optimiste se mund të realizohet referendumi, pasi kjo është e ardhmja jo vetëm e këtij brezi të ri që po rritet, por edhe e shumë brezave të tjerë që do të vijnë. Ndërsa Kajsiu shprehet se, edhe pse referendumi nuk është një zgjatim i politikës së opozitës, pasi ajo sipas tij, nuk ndërmorri asnjë hap të tillë për të rrëzuar ligjin qoftë në Kushtetuese, por është mjeti më demokratik për t’i thënë jo disa neneve të një ligji në mënyrën më demokratike të mundshme.
Kozara Kati: Kemi kërkuar fletët tip për referendum
Ju jeni pjesë e Aleancës Kundër Plehrave, cilët nene kundërshtoni dhe a rrezikohet që në një të ardhme këto mbeturina të jenë edhe të atij lloji që mund të shkatërrojnë mjedisin në Shqipëri?
Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) kundërshton vetëm një pjesë të ligjit, përkatësisht nenin 49 dhe pikën 3 të nenit 22. Pa këto dy nene, ligji është shumë i mirë dhe garanton plotësisht menaxhimin e mbetjeve që prodhojmë vetë ne, shqiptarët. Menaxhimi i integruar bashkëkohor i mbetjeve tona, do të na mbrojë nga ndotja dhe shkatërrimi i faktorëve jetikë për njerëzit si ajrin, ujin, lumenjtë, detin etj. Nga ana tjetër, mbrojtja e ambientit është garancia themelore për një zhvillim të qëndrueshëm e afatgjatë sot e në të ardhmen.
Sa të afta janë institucionet kontrolluese në Shqipëri, këtu kam parasysh doganën dhe policinë që të ndalojnë ose të parandalojnë hyrjen në Shqipëri të mbetjeve të paligjshme?
Të gjithë e dimë sesi funksionojnë institucionet tona. Është një përgjegjësi tejet e madhe për vetë pikat tona doganore. Më mirë se çdonjeri nga ne, këtë duhet të na e thonë vetë institucionet përkatëse, pra ata që do të kontrollojnë hyrjen e këtij malli në pikat kufitare. Ne mendojmë, se nuk ka kapacitete teknike dhe njerëzore të cilët do të kryenin me përgjegjësi detyrën e tyre të kontrollit në pikat kufitare, të cilat tek ne, jane si detare, ashtu edhe tokësore.
Po qeveria shqiptare sa syçelët mund të jetë në këtë rast që ligji të zbatohet me përpikmëri, kur komuniteti nderkombëtar ende na tërheq veshin se ligjet i kemi por nuk i zbatojmë?
Ne jemi një vend demokratik ku qytetarët i njohin të drejtat e tyre. Kjo që kërkojmë ne është një e drejtë universale si edhe një nga të drejtat themelore të njeriut - e drejta për jetën dhe shëndetin, jo vetëm për ne dhe fëmijët tanë sot, por edhe për brezat e ardhshëm. Është detyrim i qeverisë të na e garantojë këtë të drejtë.
Zonja Kati procedurat për referendum ende nuk kanë filluar zyrtarisht, sa mendoni se do të jeni të aftë të bindni popullatën për problematikën që do të sjellë zbatimi i ligjit të plehrave?
Nuk besojmë se popullata duhet bindur. Njerëzit e dinë tashmë se cilat janë pasojat e ndotjes së ambientit. Gjithësesi, ne, si edhe deri më tash, do jemi aktivë në sensibilizimin e opinionit publik lidhur me pasojat që do të shkaktojë importimi i mbetjeve.
A mos edhe ky referendum do të përfundojë siç përfundoi referendumi për sistemin e drejtimit të Shqipërisë, që u bë në 1997 dhe shqiptarëve do t’u mbesin plehrat, ndërsa disa OJQ thjeshtë do të fusin disa lekë në xhep?
Ne nisëm një procedurë ligjore, paraqitëm pranë KQZ-së një kërkesë për fletët tip për referendum. Nuk kemi asnjë arsye pse të jemi skeptik dhe mosbesues. Sa për lekët që do marrin OJQ-të, ju garantoj se qysh kur e kemi nisur këtë lëvizje qytetare në vitin 2004 e deri më sot, e gjithë puna është bërë vullnetare.
Blendi Kajsiu: Nisma jonë nuk është zgjatim i politikës së opozitës
Zoti Kajsiu pse është i keq ligji për plehrat?
Ligji për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, që në publik njihet si ligji i plehrave, nuk është i keq në tërësine e tij. Ndaj kundërshtimi ynë nuk ka të bëjë me ligjin në përgjithësi, por me dy momente të tij, përkatësisht nenin 49 dhe pika 3 e nenit 22, që krijojnë hapësira për importimin e mbetjeve në Shqipëri. Në kushtet kur Shqipëria ka ende një legjislacion të paplotë në raport me depozitimin dhe transportimin e mbetjeve, kur Shqipëria ende nuk ka zgjidhur problemin e trajtimit dhe riciklimit të mbetjeve që prodhohen në vend, kur kapacitete administrative dhe monitoruese janë të dobëta dhe lehtësisht të korruptueshme, kur biznesi i mbetjeve ne vende fqinjë si Italia kontrollohet nga grupe të njohura dhe të fuqishme mafioze, lejimi i importit të mbetjeve nga jashtë rrezikon ta kthejë Shqipërinë në një kosh të madh plehrash. Pra në kushtet aktuale lejimi i importit të mbetjeve rrezikon ta kthejë Shqipërinë në një destinacion plehrash, siç ka ndodhur edhe me shumë vende të tjera në zhvillim.
Ju kundërshtoni dy nene, nenin 22 pikën 3 dhe nenin 49. Që të dy nenet kanë të bëjnë më tepër mbi rolin e Këshillit të Ministrave në marrëveshjet që do të lidhet për plehrat. Pra kjo do të thotë që kundërshtoni këtë rol të kësaj qeverie si dhe të çfarëdolloj qeverie që do të vijë?
Arsyeja parësore se përse ne i kundërshtojmë këto nene nuk është sepse ato i japi një rol të tepërt Këshillit të Ministrave, por sepse janë këto nene lejojnë hapësirë për importimin e mbetjeve. Më konkretisht, neni 22, pika 3 thotë se; se Këshilli i Ministrave ndalon ose kufizon importin e mbetjeve, që destinohet për incinerim kur ky operacion klasifikohet si rikuperim...”. Pra në këtë nen thuhet se importi i mbetjeve për djegie ose ndalohet ose kufizohet nga Këshilli i Ministrave. Kjo do të thotë që ky organ ka të drejtë ta lejojë importin e mbetjeve për djegie, por në mënyrë të kufizuar! Ama nuk kemi asnjë indikacion se çfarë nënkuptohet me kufizim, apo sesa kufizim do të ketë në këtë aspekt. Me fjalë të tjera ligji de facto i jep mundësi Këshillit të Ministrave të lejojë importin e mbetjeve për incenerim (djegie) në Shqipëri.
Neni 49 "Importi i Mbetjeve të Rrezikëshme" nga ana tjetër flet tërësisht për lejimi e importit të mbetjeve që klasifikohen si jo të rrezikëshme. Ky nen bie në kundërshtim me vetë qëllimin e Ligjit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve që deklarohet shprehimisht në nenin 1 dhe është: “...parandalimit ose pakësimit të ndikimeve negative nga gjenerimi dhe menaxhimi i mbetjeve”. Sipas të njëjtës logjikë neni 6 “Përparësitë e menaxhimit të mbetjeve” thotë se përparësi në menaxhimin e mbetjeve i jepet parandalimit të mbetjeve. Në të dyja rastet prioritet është reduktimi i mbetjeve. Importi i mbetjeve për faktin e thjeshtë se e shton sasinë totale të mbetjeve në vendin tonë bie në kundërshtim të plotë me vetë qëllimin e ligjit.
Nëse ka probleme vetëm administrative, kjo do të thotë se nuk ka probleme të theksuara mjedisore?
Problemet administrative janë vetëm njëra anë e medaljes, përsa i përket importit të mbetjeve. Ana tjetër është fakti që edhe sikur importi të kryhej sipas gërmës së ligjit ai do ta shtonte nivelin e plehrave në Shqipëri. Së pari, trajtimi i mbetjeve që vijnë nga jashtë prodhon gjithashtu mbetje që do të depozitohen në Shqipëri. Dhe mbetjet e mbetjeve janë në fakt atë që në shqip ne e quajmë plehrat. Së dyti, nëse industrialistët tanë kanë më leverdi të importojnë dhe trajtojnë mbetje nga jashtë ata nuk do merren me trajtimin e mbetjeve tona. Për pasojë niveli i ndotjes dhe plehrave, që kanë pushtuar tashmë Shqipërinë, nuk do të ulet. Prandaj përpara sesa të merremi me ricklimin e mbetjeve që na vijnë nga jashtë ne duhet të merremi me trajtimin e mbetjeve tona.
Ju po përpiqeni të bëni një referendum kundër këtyre dy neneve, me çfarë pyetjesh do t’i drejtoheni shqiptarëve?
Pyetja që ne duam t’i drejtojmë shqiptarëve ne referendum është: "A duhet lejuar importi i mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë?" Në këtë mënyrë do të jenë vetë qytetarët shqiptar që do të vendosin nëse importi i mbetjeve duhet lejuar apo jo. Zoti Kajsiu a duket kjo përpjekja e juaj si një vazhdim i politikës së opozitës?
Personalisht përpjekja për referendum nuk më duket aspak si vazhdim i politikës së opozitës, edhe pse kjo e fundit mund të përfitojë nga një përpjekje e tillë. Dy janë arësyet; së pari, grupi që sot quhet Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) është vazhdim i një grupimi më të herëshëm që quhej Grupi i Reagimit Qytetar që në vitin 2004 kundërshtoi fort importin e plehrave nga Qeveria Socialiste e Fatos Nanos në atë kohë. Pra kemi të bëjmë me një grupim që është përballur dhe me Partinë Socialiste kur ajo ishte në pushtet dhe tentoi të importonte plehra në vend. E vetmja gjë që ka ndryshuar është qëndrimi i Partisë Demokratike, që sot vazhdon të njëjtat politika dhe ligje të nisura nga Partia Socialiste që dje i kritikonte. Së dyti, edhe pse Partia Sociaiste deklaroi se do të ndërmerrte një referendum kundër importit të mbetjeve, në fakt nuk kemi parë ende ndonjë iniciativë për referendum kushtetues që mund të iniciohej me një të pestën e deputetëve të Parlamentit Shqiptar.
Së fundi, të kërkosh një referendum të përgjithëshëm për një çështje si importi i mbetjeve që prek direkt mjedisin dhe jetën tonë, nuk më duket një akt i njëanëshëm politik. Ne referendumin e kërkojmë në mënyrë që në të të shprehen si demokratët edhe socialistët, majtas, djathtas apo në mes. Me fjalë të tjera referendumi është një instrument demokratik që në vetvete nuk ka as ngjyrë blu dhe as të kuqe.


Tabelë
Neni 22
...3. Këshilli i Ministrave ndalon ose kufizon importin e mbetjeve, që destinohet për incinerim, kur
ky operacion klasifikohet si rikuperim dhe vlerësohet se:
a) një gjë e tillë është e nevojshme për të mbrojtur rrjetin e impianteve të trajtimit të mbetjeve;
b) importe të tilla mundësojnë trajtimin ose asgjësimin e mbetjeve të vendit me mënyra që nuk
përputhen me planet përkatëse të menaxhimit të integruar të mbetjeve.
Neni 49
Importi i mbetjeve jo të rrezikshme
1. Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet jo të rrezikshme apo mbetjet inerte,
përveç atyre të përcaktuara në pikën 3 të nenit 48 të këtij ligji.
2. Importimi i mbetjeve, sipas pikës 1 të këtij ligji, është i mundur vetëm me autorizim të
Këshillit të Ministrave.
3. Kërkesa për autorizimin e importit paraqitet në ministri.
4. Autorizimi i importit të mbetjeve jo të rrezikshme lëshohet vetëm në përputhje të plotë me
këtë ligj dhe akte të tjera në fuqi.
5. Këshilli i Ministrave, kur shqyrton kërkesën për importin e mbetjeve jo të rrezikshme, merr
në konsideratë arsyet e importimit të këtyre mbetjeve. Kërkuesi i autorizimit të importit të mbetjeve jo të
rrezikshme duhet të provojë se janë shfrytëzuar të gjitha mbetjet, sipas llojit dhe kodit, të kërkuar në
vend.
6. Autorizimi për importin e mbetjeve jo të rrezikshme është i vlefshëm për një periudhë kohe
deri një vit dhe i nënshtrohet kushteve të përgjithshme, të përcaktuara në rregulloret e miratuara në
zbatim të këtij ligji, si dhe çdo kushti specifik që lidhet me rastin konkret.
7. Në autorizimin e importimit të mbetjeve përcaktohen:
a) lloji i mbetjeve për importin e të cilave lëshohet;
b) standardet që lidhen me ambalazhimin dhe etiketimin e mbetjeve dhe dokumentet shoqëruese
gjatë transportit të tyre;
c) kërkesat për monitorimin dhe raportimin e lëvizjeve të mbetjeve.
8. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton listën e mbetjeve që lejohen të
importohen dhe rregullat për zbatimin e këtij neni.

Thursday, December 1, 2011

Reagimi i Arben Putos: Te vraret e shkurtit 1944 jane numeruar

Studiuesi Arben Puto thekson se edhe pse ka procesverbale për vrasjet e 4 shkurtit 1944, ka ende dëshmitarë, njerëz që e kanë jetuar atë kohë, që i kanë numëruar rrugëve viktimat. Ky ishte reagimi i historianit, i cili së fundmi në librin e tij “Lufta italo-greke. Diktatorë dhe Kuislingë”, ka folur në lidhje me procesverbalet e botuara në “Gazetën Shqiptare”. “Pavarësisht procesverbaleve që janë mbajtur në kohë, që mund të jenë mbajtur aty për aty, ka dëshmitarë të kohës që e kanë jetuar atë kohë dhe i kanë numëruar viktimat e masakrës së 4 shkurtit. Ata ishin 86. Pastaj ky numër nuk është se ka dalë ashtu kot, por është mbështetur në fakte dhe dëshmi”, - deklaroi Puto. Në fakt, dyshimin për numrin e të vrarëve të 4 shkurtit, që gjithnjë është përkujtuar si masakër, e hodhën studiuesit shqiptarë Idriz Lamaj, Nexhmendin Spahiu dhe Nue Oroshi, në intervistat e tyre dhënë për “Gazetën Shqiptare” në lidhje me figurën e Xhafer Devës, ministrit të Brendshëm të asaj kohe, i cili nga Puto del si përgjegjësi kryesor i masakrës. Këta studiues, kërkonin nga historiani Puto që ta mbështesë diku tezën e tij për 86 të vrarët nga Xhafer Deva, pra të japë një listë me emrat e të vrarëve në atë ditë. Në “Gazetën Shqiptare” u botuan të plota procesverbalet e mbajtura për vrasjet e 4 shkurtit 1944, ku si viktima nuk dalin më shumë se 11 të identifikuar, mes të cilëve dhe dy italianë, dhe dy të tjerë që mbesin të paidentifikuar. U botuan edhe si tekst, edhe si foto për të treguar se cila është e vërteta, të paktën bazuar mbi dokumentet që disponohen për 4 shkurtin e 1944-ës. Idriz Lamaj, në intervistën e tij për “Gazetën Shqiptare”, thekson se as komunistët nuk e dinin në 1945-ën se sa ishin vrarë më 4 shkurt 1944, pasi, sipas tij, njëherë u pretendua për 100 të vrarë, pastaj numri u reduktua në 25 dhe po në gazetën e tyre “Bashkimi” të shkurtit të 1945-ës, janë vetë komunistët që u kërkojnë familjeve që të sjellin emrat për njerëzit e tyre që nuk gjenden apo janë vrarë më 4 shkurt të 1944-ës.